Për një bashkëshortësi të lumtur

Dhe një prej shenjave të Tij, është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të gjeni prehje pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.” (Err Rrum, 21).

Kur e krijoi Zoti i Madhërishëm Ademin a.s., i fali jetën edhe Havasë, dhe i bëri për njëritjetrin bashkëshort, sepse jeta i vetëm ka shije të hidhur, nuk shtyhet lehtë. Ai e ligjësoi martesën mes femrës dhe mashkullit, në mënyrë që ata të gjejnë prehje dhe siguri në shoqërinë e tyre bashkëshortore, me ëndje që të riprodhojnë njeriun dhe që misioni i adhurimit të Zotit me vepër e mirësi të mos ndërpritet. Kjo është edhe përmbushje e fjalës së Zotit në Kuranin fisnik: “Nuk i krijova xhinët dhe njerëzit, veçse që të më adhurojnë.”(Edh Dharijat, 56)
Dallimi i njerëzve për nga gjinia është një prej shenjave të Zotit dhe mrekulli prej mrekullive të Tij. Kurani thotë: “Dhe një prej shenjave të Tij, është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të gjeni prehje pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.” (Err Rrum, 21).
Nuk ka instinkt me të cilin Zoti e pajisi njeriun, veçse i ka dhënë edhe rrugë për ta përmbushur atë. Sprova është të zgjedhë mënyrën e ndershme, siç përkon me dinjitetin njerëzor, si dhe të ruhet nga turpërimi. Islami nuk shpërfillë nevojat e natyrshme njerëzore, krejt çka kërkon është respektimi i rendit moral dhe ligjor që ai ofron në përmbushjen e tyre. Pra, nevoja për partner është e respektuar, vetëm se kërkohet që ajo të plotësohet në suaza të një jete të ndershme. Që nga njeriu i parë, e deri më tani, rruga më fisnike për të realizuar një jetë plot dashuri të dëlirë ka qenë ajo e krijimit të familjes nëpërmjet institucionit të martesës.
Të gjitha dispozitat e lidhura me kurorën martesore synojnë krijimin e një vatre të ngrohtë familjare, ku krahas dashurisë kultivohet edhe virtyti i mëshirës, sinqeritetit, çiltërsisë, besnikërisë, respektit, e të tjera, ashtu që anëtarët e familjes të ndihen të rrethuar nga paqja, dashuria dhe siguria. I Dërguari (paqe dhe mëshirë pastë!), pati thënë: “Kush ka mundësi, le të martohet, sepse martesa është rruga më e mirë që ruan syrin nga e ndaluara dhe mbron nderin.”(1)(Buhari dhe Muslimi).
Kështu që martesa u konsiderua themeli i vetëm ligjor mbi të cilin çifti mund të lind trashëgimtarin dhe të zhvillojë rrethin e lumturisë. Kur flasim për lumturinë bashkëshortore, shumë kujt mendimi i parë i shkon te fillimi i martesës, sikur lumturia ka kohë skadimi, që pas saj fillon e zbehet. Por e vërteta që unë e besoj është se lumturia bashkëshortore është e mundur, ajo vazhdimisht mund të shtohet dhe të zgjasë deri në ndarjen përfundimtare në këtë botë. Ajo i ngjan një luleje e cila sa më me kujdes që ujitet, aq më mirë zhvillohet.
Lumturia është dhuratë e Zotit për ata që e kërkojnë dhe përfillin shkaqet e arritjes së saj. Allahu është që krijoi lumturinë, sikur çdo gjë tjetër, dhe Ai është burimi i saj. Prandaj, lutu të kesh lumturi me atë që e do, sepse Zoti i përgjigjet lutjeve, përfill normat që mbajnë gjallë dashurinë, konkretizoje në të bëma, pa harruar se veprat vlerësohen sipas nijetit dhe se njeriut i takon si shpërblim ajo që synon.
Pejgamberi (paqe dhe mëshirë pastë!), si në çdo gjë tjetër, ashtu edhe në bashkëshortësi, ka dëshmuar se ai është bashkëshorti më i mirë. Madje, ai thoshte: “Më i miri prej jush është më i miri me bashkëshorten. Unë vetë jam më i miri me bashkëshorten time.”(2) (Tirmidhiu dhe Ibën Maxheh, me sened të saktë).
Kur hynte në shtëpi, hynte si më fisniku, më zemërgjeri, nuk hynte duke mbajtur mëri, kujdesej të mos lëndonte ndjenjat dhe emocionet e gruas së tij, sikurse e ndihmonte atë në punët e shtëpisë gjatë kohës së lirë.
Për të lehtësuar marrjen e vendimit të përzgjedhjes së bashkëshortit/es, ai ka dhënë udhëzime për kriteret e vlerësimit të partnerit, duke thënë se, pasuria, prejardhja dhe bukuria, edhe pse janë të rëndësishme, megjithatë nuk janë veti përcaktuese aq sa është formimi i mirë etiko-fetar për një qëndrueshmëri martesore karshi sfidave familjare.
Të krijosh familje do të thotë të plotësosh tërësinë. Kurani fisnik i përshkruan bashkëshortët se janë petk për njëri-tjetrin, secila palë mban ngrohtë tjetrën. Janë dy faqet e një monedhe, plotësojnë njëri-tjetrin, por nuk janë njësoj në çdo gjë, secili ka dëshirat, pasionet dhe synimet që do të realizojë në jetë.
Pra, të respektojmë këtë fakt dhe të pranojmë njëri-tjetrin ashtu siç jemi. Të mbajmë në mend fjalën e Pejgamberit (paqe dhe mëshirë pastë!), për bashkëshortët: “Besimtari nuk urren besimtaren, po nuk e pëlqeu një moral, ia pëlqen një tjetër.”(3) (Muslimi).
Pra, vepro, siç i ka hije për dikë që të meriton, mbaj veten në optimizëm, se qejfi i mirë është ngjitës, dhe shpeshto lutjen: “Zoti ynë, dhurona nga bashkëshortet/tët dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” (El Furkan, 73)


___________________
1. Buhariu, Muhamed bin Ismail, Es-Sahih, (Muhamed Zuhejr bin Nasir en Nasir (red.), bot. 1, Daru tavkin-nexhat, 1422h), kitabun-nikah, tema 2, vëllimi 7, fq.3, nr. 5065; dhe Muslimi, Muslim ibnul Haxhxhaxh, Es-Sahih, (Muhamed Fuad Abulbaki (red.), Beirut: Daru ihjait-turathil-arabi), tema 1, vëllimi 2, fq.1019, nr. 1400.
2. Ibën Maxheh, Muhamed bin Jezid el-Kazvini, Es-Sunen, Shuajb Arnauti (red), botimi i parë 2009, dar: risaletul-alemijeh, tema: husnu muashiretin-nisa`ë, vëllimi 3, fq. 148, nr. 1978; dhe Tirmidhiu, Muhamed bin Isa, el-Xhamiul-Kebir, Beshar Ma`ruf (red), Bejrut: darul-garb el-Islami, 1998, tema: fi fadli ezvaxhin-nebij, vëllimi 6, fq.192, nr. 3895.
3. Muslimi, Muslim ibnul Haxhxhaxh, Es-Sahih, tema:Elvasijjetu bin-nisa`ë, vëllimi 2, fq. 1091, nr. 1469.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Fillon kampanja "Sofra e Ramazanit 2021"