“I lartësuar është Allahu, që i mundësoi robit të vet (Muha-medit a.s.) që brenda një nate të udhëtojë nga Mexhidul-Ha-rami (Qabeja) deri te Mesxhidul-Aksaja (Kudsi), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, në mënyrë që njerëzve t’u tregojmë disa nga argumentet tona. Vërtet Allahu dëgjon dhe sheh çdo gjë” (El Isra, 1).
Ajo çka është interesante nga jeta e Pejgamberit a.s është fakti se ajo është e stërmbushur me ndodhi, ngjarje dhe mësime. Prej fëmijërisë e deri te vdekja e tij dijetarët kanë vërejtur urtësitë dhe dobitë e ndodhive të jetës së tij, e sidomos pas shpalljes. Këtë na e tregoi edhe Allahu në Kuranin famëlartë, ku tha: “Vërtet ju keni shembull të mirë të Dërguarin e Zo-tit...” Prandaj, edhe ndodhia e Israsë dhe Miraxhit ishte e tillë, sepse nga kjo ngjarje lindën mësime e obligime që myslimanët me to do jetojnë deri në Ditën e Gjykimit.
Domethënia e fjalës Isra dhe Miraxh
Fjala Isra në aspektin gjuhësor do të thotë “ecje natën”, ndërsa në terminologjinë fetare me këtë fjalë kemi për qëllim udhëtimin tokësor të Pejgamberit a.s. brenda natës, nga Meka (Qabeja) deri në Palestinë (Mesxhidul-Aksa). Ndërsa, fjala “Miraxh” në aspektin gjuhësor do të thotë “ngjitje lart”, e në terminologjinë fetare me fjalën miraxh kuptojmë udhëtimin (ngritjen lart) e Pejgam-berit a.s. nga toka (saktësisht nga Mesxhidul-Aksa) drejt horizontit qiellor, deri në Sidretul-Munteha, atje ku Zoti i Madhërishëm nuk ia mundësoi arritjen askujt tjetër përveç robit të Tij, Muhamedit a.s. Pra, Israja dhe Miraxhi është udhëtimi i Muhamedit a.s. nga Meka në Kuds, dhe nga aty në horizontet qiellore, me ndihmën e Allahut të Madhërishëm.
Ndodhia e Israsë dhe Miraxhit
Kjo ndodhi, sipas shumicës së historianëve, kishte ndodhur në vitin e 12-të të pejgamberisë, në natën e 27-të të muajit Rexhep, një vit para se Muhamedi të shpërngulej prej Mekës për në Medinë.(1) Historianët kanë vërejturse kjo ngjarje kishte ndodhur në një kohë shumë delikate, në një kohë që kur Muhamedi a.s. u sprovua më shumë se çdoherë. Para kësaj kishte ndodhur vdekja e dy personave të dashur të Pejgam-berit a.s., prej të cilëve ai gjente mbrojtje dhe përkrahje shumë të madhe. I kishte vdekur Ebu Talibi dhe Hatix-heja r.a. Para kësaj ngjarje ndodhi edhe bojkoti i tij nga
mushrikët e asaj kohe, të cilët vendosën që në asnjë mënyrë të mos bashkëpunohet apo bashkëjetohet me Muhamedin a.s. Pikërisht atëherë pengohej respektimi i fesë, pengohej namazi në Qabe, ndodhnin tortura dhe persekutime ndaj Muhamedit a.s dhe pasuesve të tij. Pas gjithë këtyre sprovave që Pejgamberi a.s. ballafaqo-hej, erdhi udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit, si një ngjarje, ndodhi, ndihmë e jashtëzakonshme për Muhamedin a.s. Ai u ftua për një vizitë të jashtëzakonshme te Krijuesi i Gjithësisë. Aty do takohej me pejgamberët e mëhershëm, të cilët do ta përkrahin dhe mbështesin në rrugën e Tij të pejgamberllëkut. Aty, me sytë e tij, Muhamedi a.s. do ta shihte Xhenetin, Xhehenemin, e shumë gjëra tjera që për ne janë të njohura vetëm përmes shpalljes.
Mësimet që burojnë nga ndodhia e Israsë dhe Miraxhit
Israja dhe Miraxhi, ndodhi e rëndësishme për myslimanët.
Allahu Fuqiplotë, rëndësinë e kësaj ngjarjeje jo vetëm që e regjistroi në Kuranin famëlartë, por edhe një kap-tinë të tërë e emërtoi me këtë emër, dhe kjo për t’i bërë besimtarët të kuptojnë se Allahu Fuqiplotë ndodhitë e tilla e të jashtëzakonshme i bëri vetëm për të Dërguarit e Tij. Dijetarët islamë këtë ngjarje e konsiderojnë si muxhize (mrekulli) që iu dha Muhamedit a.s. në kohërat më të vështira të Tij.(2)
Përforcimi i Muhamedit a.s. në rrugën e pejgamberllëkut të tij.
Siç e përmendëm edhe më lart, ndodhia e Israsë dhe Miraxhit ndodhi atëherë kur Muhamedi a.s. kaloi kohërat më të vështira të jetës së Tij. Prandaj, ajo që kishte parë dhe kishte përjetuar me rastin e Miraxhit vërtet ishte një përforcim dhe inkurajim i vazhdimit të misionit të tij drejt udhëzimit të njerëzimit. Ai edhe pse ishte i paluhatur në këtë rrugë, por ky rast e qetësoi dhe e rifreskoi për t’i tejkaluar të gjitha vështirësitë dhe pengesat që përballet me to. Kjo për arsye se e kuptoi që ndihma e Zotit është afër tij në çdo moment.
Trimëria e Muhamedit a.s.
Nuk ishte lehtë për Muhamedin a.s. për ta kumtuar atë udhëtim dhe atë që kishte parë në Miraxh, sidomos kur dihet fakti se popullata në atë kohë nuk dinin që ta pranonin “Zotin Një” e lëre më pranimin a atyre gjërave që kishte përjetuar dhe kishte parë Muhamedi a.s., e të cilat mendja e njeriut nuk mund t’i akceptojë (përveçse përmes shpalljes). Për këtë arsye disa dijetar kanë vënë në pah trimërinë e Muhamedit a.s. për t’u ballafaquar me kurejshitët, dhe për t’ua sqaruar atyre këtë ndodhi mbinatyrore që i kishte ndodhur.
Pas vështirësive vjen lehtësimi.
Disa nga dijetarët konkludojnë se Zoti xh.sh. pas çdo vështirësie çon lehtësime. Muhamedi a.s. kaloi në etapa të vështirësive, sprova të rënda, bojkote e tortura të ndryshme, mirëpo në fund Zoti e nderoi me ftesën që ia bëri për vizitën e tij në qiell, në ato sfera qiellore ku nuk kishte arritur asnjë njëri. Sikur Zoti dëshiroi t’ia konfirmojë ndihmën e Tij të pakontestueshme për misionin e tij.
Dallimi i besimtarëve të vërtetë nga ata të luhatshmit.
Israja dhe Miraxhi ishte ndodhi që mendja e njeriut nuk mund ta akceptonte lehtë, sepse ishte prej çësht-jeve enigmatike për mendjen e njeriut. Prandaj, për ata besimtarë që zemrat e tyre ishin të stërmbushura me iman, ky nuk ishte problem për ta besuar atë, ndërsa ata që nuk ishin besimtarë të vërtetë, ata filluan ta shfaqnin dyshimin dhe skepticizmin e tyre. Ebu Bekri r.a., me të dëgjuar për këtë rast, para parisë së kure-jshitëve deklaroi: “Nëse këtë e ka thënë i Dërguari i Allahut, atëherë ai e ka thënë të vërtetën, dhe kjo është e vërtetë.”(3)
Prandaj, Muhamedi a.s. pas kësaj ndodhie me lehtësi dalloi besimtarët e vërtetë nga të dyshimtit, dhe filloi përgatitjet e tij për hixhret, si dhe formimin e shtetit. Ai vazhdoi misionin e tij me njerëz të sin-qertë, stoikë dhe të paluhatshëm në rrugën e tyre drejt përhapjes së fjalës së Allahut xh.sh.
Rëndësia e namazit.
Zoti i Madhërishëm me urtësinë e Tij ka zgjedhur kohën e duhur dhe vendin e përshtatshëm për obli-gueshmërinë e të gjitha normave që konsiderohen të rëndësishme. Prandaj, edhe rëndësia e namazit, si shtyllë e fesë, kuptohet nga mënyra e obligueshmërisë së tij.(4)
Për të gjitha normat tjera Allahu ka zbritur ajete kuranore në tokë, ndërsa për obligueshmërine e namazit Allahu Fuqiplotë e ka marrë Pejgamberin a.s. dhe e ka ngritur në sferat dhe horizontet qiellore, dhe më pas ia ka obliguar atë, atij dhe Ymetit të tij. Për këtë arsye dijetarët islamë theksojnë se namazi është i vetmi ibadet që është obliguar në sferat qiellore, për të sinjalizuar lidhjen e besimtarit me Zotin xh.sh, si dhe ngritjen shpirtërore para Zotit.
Rëndësia e luftimit të dukurive negative.
Pejgamberi a.s. në Miraxhin e tij, sa ishte në vizitë në sferat e larta qiellore, pa disa njerëz që vuanin dënimet e tyre, e që ishin për vepruesit e dukurive negative si p.sh.: amoralitet, kamatë, ngrënie të pasurisë së jetimit, etj. Dijetarët islamë theksuan se Zoti i Madhërishëm dëshiroi që Muhamedin a.s. për së afërmi ta njoftojë për rëndësinë e luftimit të këtyre dukurive, të cilat shkatërrojnë shoqërinë, ose, në të kundërtën, çdo veprues i këtyre dukurive do ta marrë shpërblimin meritor para Zotit xh.sh.(5)
Rëndësia dhe vlera e Mesxhidul-Aksasë te myslimanët.
Edhe zgjedhja e Mesxhidul-Aksasë për Miraxh në vete ka një mesazh shumë domethënës. Dr. Muhamed Ali Es-Salabi thotë: “Nga kjo ndodhi kuptohet rëndësia e Mesxhidul-Aksasë për myslimanët, dhe kjo nga fakti se ishte vendudhëtim, dhe aderim i Pejgamberit a.s për Miraxhin. Gjithashtu, ajo ishte kibla e myslimanëve për periudhën mekase. Dhe, ky ishte një sinjal dhe indik-acion për myslimanët që ta donë Mesxhidul-Aksanë, sepse ajo është e shenjtë dhe e bekuar fetarisht.”(6)
Unifikimi i qëllimeve të legjislacioneve hyjnore.
Misioni i Muhamedit a.s. ishte i ngjashëm me mi-sionet e Pejgamberëve të mëhershëm, sepse të gjithë Pejgamberët e Zotit thirrnin në besimin në Zotin Një, dhe adhurimin e Tij. Prandaj, takimi i Muhamedit a.s. me Pejgamberët e tjerë gjatë udhëtimit të tij në hori-zontet qiellore, siç ishin: Ademi a.s, Isai a.s, Jahajai a.s, Jusufi a.s, Idrisi a.s, Haruni a.s, Musai a.s, dhe Ibrahimi a.s., ishte një mbështetje dhe konfirmim prej tyre për mesazhin dhe pejgamberllëkun e Muhamedit a.s. Në fund, theksojmë se nga e gjithë ajo që u tha më lart mund të kuptojmë se historia e Muhamedit a.s. duhet të mësohet me përpikëri, dhe duhet kuptuar se ndodhitë që kanë ndodhur në jetën e tij nuk janë vetëm ngjarje historike, por ato janë ndodhi që në vete ngërthejnë dobi dhe mesazhe të shumta për shoqërinë dhe Ymetin islam në përgjithësi.
(1) Es-siretu Nebevije fi Davil-Kurani ve Suneti (1/417-418) Muhamed bin Muhamed Ebu Shehbeh.
(2) Es-siretu Nebevije fi Dav El mesadir El aslijeh (1/281), pr.dr. Mehdi Rizkullah Ahmed.
(3) Transmeton Hakimi në Mustedrek (3/62-63).
(4)Sepse namazi është bërë obligim sa Pejgamberi a.s. ishte në Miraxh.
(5) Es-siretu Nebevije f. (220-236) Muhamed Muteveli Esh-sharavi.
(6) Es-siretu Nebevijeh- Ard vekai ve tahlil Ah-dath (1/390) Dr. Alij Muhamed Es-Salabi.
Mr. Ekrem Maqedonci