Përkujtimi i Israsë dhe Miraxhit

Ai (Muhammedi) vërtet pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En Nexhm,18).

Në jetën e kësaj bote pati shumë ngjarje e ndodhi të ndryshme. Përkujtimi ndaj disave përfundoi me vetë përfundimin e tyre, ose pas një kohe. U harruan sikur të mos kishin qenë fare, për arsye se në to nuk gjendeshin elemente të ne- vojshme për një përkujtim të përhershëm. Nuk ishin aq të rëndësishme dhe nuk zgjonin ndonjë intere- sim të madh, ose patën të bëjnë me ndonjë person të parëndësishëm.
Një ndër përkujtimet më madhështore në historinë islame, dhe më të gëzuara për myslimanët anekënd botës, pa dyshim se është përkujtimi i “Natës së Israsë dhe Miraxhit”, kur Allahu xh.sh. e ngriti, e nderoi dhe e respektoi robin e Vet, Muhamedin a.s., përmes të cilit Allahu xh,sh. u dhuroi robërve të Tij shumë të mira dhe begati që askujt tjetër para tij nuk i kishte dhënë.
Gjatë kësaj nate madhështore myslimanët e tërë botës tubohen nëpër xhami e amfiteatro, dhe aty përkujto-jnë detajet e kësaj ngjarjeje të jashtëzakonshme e të papërsëritur në historinë e njerëzimit. Kujtojnë këtë ngjarje që i ka ndodhur të Dërguarit të Zotit para 14 shekujsh, dhe nxjerrin këshilla e shembuj, sjellin ndër-mend kujdesin e Allahut xh.sh. ndaj të Dërguarit të Tij fisnik, dhe janë të vendosur se do të largohen nga çdo amoralitet, do të pasurohen me sjellje të lavdëruara, si dhe do të përtërijnë betimin e tyre para Zotit të Lart-madhërishëm, sinqeritetin ndaj të Dërguarit të Tij dhe qëndrimin në fenë e Allahut.
Israja dhe Miraxhi, pas Kuranit, është një nga muxhizet më të dalluara të Pejgamberit të Allahut, Muhamedit a.s., e cila e ngacmon logjikën e njeriut normal dhe e bën të meditojë më tepër rreth Krijuesit të Gjithësisë dhe fuqisë së Tij të pakufishme. Ndërsa, për besimtarin paraqet stimulim për forcimin e besimit dhe ngritjen e shkallës së vetëdijes së tij fetare.
Allahu xh.sh. e ndihmoi dhe e përkrahu të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s., me shumë muxhize-mrekulli. Disa nga ato mrekulli kanë qenë në formë materiale e konkrete, të cilat i panë edhe njerëzit kur ato ndodhën, siç qenë p.sh.: rrjedhja e ujit nga gishtat e bekuar të tij, vranësira që i bënte hije pa u ndarë nga ai, çarja e Hënës për hir të tij, si dhe shumë mrekulli të tjera. Mirëpo, Muhamedi a.s. pati edhe një mrekulli të mad-he, të cilën njerëzve nuk iu dha mundësia ta shohin kur ajo ndodhi, siç qe p.sh.: arritja e tij në Sidretu-Munteha, për të parë argumentet e Allahut në qiej. Pejgamberi a.s. arriti në vendin më të lartë, madje edhe se vetë meleku më i afërt tek Allahu xh.sh., Xhibrili a.s. Te Sidretu-Muntehaja, Xhibrili a.s. qe ndalur, kurse Pe-jgamberi a.s. pati vazhduar më tutje.
Pasi jemi duke folur për këtë mrekulli të madhe, Isranë dhe Miraxhin, duhet thënë se Allahu xh.sh. e veçoi vetëm të Dërguarin e tij, Muhamedin a.s. me këtë veçori, sepse nuk pati asnjë të dërguar tjetër përveç tij që u ngjit në qiell e arriti deri te sferat më të larta, e që u kthye prej andej në të njejtën natë, për të vazhduar prapë jetën në tokë.(1)

Ç’është Israja dhe Miraxhi?

Isra quhet udhëtimi i Muhamedit a.s. në një pjesë të natës prej Mesxhidi-Haramit (Qabesë) në Mekë, deri në Mesxhidi-Aksa, në Kudsi Sherif-Palestinë.Ndërsa Miraxh quhet ngjitja e të Dërguarit të Allahut prej Mesxhidi-Aksasë në sferat e larta qiellore.

Kur ndodhi Israja dhe Miraxhi?

Ekzistojnë shumë mendime për atë se kur ka ndo-dhur Israja dhe Miraxhi, por ajo që dihet mirë është se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur para shpërnguljes së të Dërguarit të Allahut për në Medine. Sipas historianit të njohur Ibn Sa’d, kjo ka qenë diku tetëmbëdhjet muaj para shpërnguljes së Muhamedit a.s., në muajin Rexheb.

Si ndodhi Israja dhe Miraxhi?

“Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi-Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi-Aksa (Bejti Mukaddes), rrethinën e të cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi (i fjalëve të Muhamed-it), Pamësi (i punëve të Muhamedit).” (El Isra, 1).
Në këtë citat të Kuranit përmendet edhe qëllimi i këtij udhëtimi, që siç thuhet ishte që Muhamedit a.s. t’i bëhej e mundshme t’i kuptonte dhe t’i përjetonte disa nga argumentet e Krijuesit Fuqiplotë, të shikonte gjëra e ngjarje të çuditshme, nëpërmjet të cilave manifestohet fuqia e Allahut xh.sh.
Ka shumë transmetime që e përshkruajnë këtë ndodhi: Pasi iu pastrua zemra të Dërguarit të Allahut në Mekë, ai u nis për në Bejtul-Makdis-Palestinë, me Burakun (mjet udhëtimi) e në përcjellje të Xhibrilit. Pas arritjes në këtë vend, ai e lidh Burakun për hallken e derës së xhamisë, dhe aty fal namaz bashkë me pe-jgamberët tjerë, ku bëhet edhe imam i atyre.
Sipas disa dijetarëve, këtë namaz Muhamedi a.s. e ka falur bashkë me pejgamberët, por pasi ka zbritur prej Miraxhi.
Megjithatë, pas faljes, bashkë me Xhibrilin a.s. niset për në sferat e larta qiellore, dhe në qiej takohet me pejgamberët e mëparshëm, të cilët i përshëndet, e edhe ata ia kthejnë përshëndetjen, si dhe i dëshirojnë mirëseardhje dhe e rikonfirmojnë besimin në pejgam-berinë e tij. Ai u takua me Ademin a.s., Jahjanë, Isain, Harunin, Musain a.s., dhe në qiellin e shtatë edhe me Ibrahimin a.s. Pastaj ngrihet në Sidretu-Munteha, pikën më të lartë, e pastaj në horizontet tjera të Alla-hut xh.sh.(2)

Çka pa Pejgamberi a.s. gjatë këtij udhëtimi?

Gjatë këtij udhëtimi Muhamedit a.s. iu treguan disa forma të denimit të mëkatarëve, si p.sh.: ngrënësit e pasurisë së jetimëve dënoheshin me ngrënien e gurit të zjarrtë, e që u dilte poshtë, nga porta e trupit, pastaj pa se si zinaqarët – lavirët kishin para tyre mish të majmë e të mirë dhe të pastër dhe mish të ligë e të qelbur, e megjithatë ata zgjedhnin mishin e qelbur e të ligë, kurse s’merrnin nga mishi i mirë. I çuditur nga ajo që pa, Pejgamberi a.s. e pyeti Xhibrilin a.s. se kush ishin këta njerëz. Xhibrili a.s. iu përgjigj se ata ishin kurorëshkelësit, që lanë mishin e mirë dhe hallall, dhe morën mishin e qelbur e haram.”(3)
Nga gjërat tjera që pa janë edhe njerëzit me thonj prej bakri, me të cilët çirrnin fytyrat dhe krahërorët e tyre. Kur e pyeti Xhibrilin a.s. se kush ishin këta, ai tha: “Këta janë ata që përgojojnë të tjerët, dhe që flasin mbi nderin e grave”.
Pastaj, Pejgamberi a.s. thotë: “Kaluam pranë një gru-pi njerëzish që e coptonin mishin nga pjesët e trupit të tyre, dhe e përtypnin, e edhe u thuhej: “Hani, ashtu si e keni ngrënë mishin e vëllaut tuaj!” E pyeta Xhibrilin kush janë këta, e ai më tha: “Këta janë përgojuesit.”
Ai kishte parë disa njerëz që me gërshërë i prisnin gjuhët dhe buzët e tyre, e saherë që i prisnin ato rikthe-heshin ashtu siç kishin qenë më parë. “E pyeta Xhibri-lin kush janë këta. Ai tha: “Këta janë njerëzit që bëjnë përçarje në popull dhe janë të vetëdijshëm për të.”
Pamje tjetër ishte: “Nga një shkëmb i vogël doli një dem i madh. Ai dëshironte të kthehej atje nga kishte dalë, por nuk kishte mundësi. “Ç’është kjo, o Xhibril?”, e pyeta, e Ai më tha: “Ky është njeriu që flet një fjalë të rëndë, pastaj pendohet për atë që ka thënë por nuk ka mundësi ta kthejë prapa.(4)
Të gjitha këto thënie të Pejgamberit a.s. e thërrasin njeriun që ta thotë të vërtetën, dhe fjalës t’ia ruaj she-jntërinë e saj, e që Allahu i Lartmadhërishëm po këtë e ka dashur nga secili, pra që ta ruajë fjalën, nderin, moralin, dhe pozitën e lartë që e ka.
Sa e sa shembuj kemi në shoqërinë tonë, njerëz të cilët flasin nevojë e pa nevojë, pastaj njerëz të atillë që përgojojnë njerëzit e vyeshëm dhe të mirë. Sepse ai që ia bën gropën vëllait të vet, vetë do të jetë viktima, e pas zgjimit të ndërgjegjes mundohet ta mohojë dhe të pendohet për atë që e ka thënë, por atëherë nuk ka mundësi ta bëjë.
Muhamedi a.s. kishte parë edhe një grup njerëzish që mbillnin, dhe në të njëjtën ditë korrnin. Posa e korrnin, kthehej (mbjellja) siç ishte. “Ç’është kjo kështu, o Xhibril?”, kishte pyetur Pejgamberi a.s.? “Këta janë luftëtarët në rrugën e Allahut xh.sh. - vepra e mirë shpërblehet shtatëqind herë. Çdo gjë që kanë sakrifi-kuar ose kanë bërë, i shoqëron. Ndërsa Allahu është kujdestari më i mirë.”, i qe përgjigjur Xhibrili a.s.
Pastaj kishte ardhur në një luginë, ku ishte një erë e freskët dhe e këndshme, erë myshku, e aty dëgjoheshin edhe zëra. “Ç’është kjo, o Xhibril, pyeta.”, e ai u përg-jigj: “Ky është zëri i Xhenetit, që thotë: “O Allah, më jep atë që më ke premtuar, të plota janë dhomat e mia, drita ime, mëndafshi im, vendqëndrimi im, margaritari im, gurët e mi të çmuar, argjendi dhe ari im, gotat e mia, toka dhe gurët e mi, mjalti im, uji im, qumështi im, pijet e mija, shërbëtorët e mi janë të shumtë, prandaj më dhuro, o Zot, atë që më ke premtuar!” E Allahu i Madhëruar i thotë: “Yti është secili mysliman e mys-limane, secili besimtar e besimtare, secili nga ata që kanë besuar pejgamberët e Mi, ka punuar mirë dhe nuk më ka bërë shok ose rival. Kush frikësohet prej Meje, ai është i sigurt, ai që më lutet, atij do t’i pranohet lutja. Kush më huazon diçka, unë do t’ia kthej, e kush mbështetet në Mua, Unë i mjaftoj. Unë jam Zoti. Hyjni tjetër nuk ka, dhe unë nuk e shkel premtimin Tim. Të shpëtuar janë besimtarët e vërtetë, ndërsa i Lavdëruar është Allahu, Krijuesi më i mirë”. “I kënaqur jam”, tha Xheneti.(5)

Në Miraxh u bënë farz pesë kohë namaz

Këtë natë Pejgamberit a.s. i jepet dhurata shumë e çmuar për popullin e vet, ashtu që edhe ata të kenë rast ta përjetojnë Miraxhin, pra iu bë obligim namazi. Obligimi i tij u desh të bëhet drejtpërsëdrejti nga qielli, e jo si obligimet tjera. Vetë fakti që këtë obligim Pe-jgamberi a.s. e mori në këtë shkallë kaq të lartë, flet për rëndësinë që ka ai për Ymetin e tij. Falja e tij përfaqëson obligimin bazë në Islam, menjëher pas dëshmisë se: “Nuk ka zot tjetër pos Allahut, dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij.”
Pasi Pejgamberi a.s. u kthye prej këtij udhëtimi, të nesërmen për këtë i lajmëroi edhe mekasit. Me këtë rast disa besimtarë të luhatshëm, që ende nuk u ishte thelluar imani në zemrat e tyre, nuk e besuan, ndërsa pabesimtarët filluan të talleshin edhe më tepër, duke e nënçmuar Pejgamberin a.s. për një gënjeshtër të çuditshme. Ata filluan luftën e tyre psikologjike kundër tij dhe besimtarëve, duke thënë se një rrugë që ne e ka-lojmë për disa javë, ky pretendon ta ketë kaluar brenda një pjese të natës.
Përkujtimi i kësaj ndodhie ka dobi të shumta, edhe pse ne përmendëm shumë pak gjëra që kishte parë Pe-jgamberi a.s. gjatë këtij udhëtimi të papërsëritshëm. Ky përkujtim i kësaj nate mbeti në kujtesën e njerëzve deri në ditët e sotme, e do të mbetet deri në Ditën e Kiame-tit, sepse Zoti xh.sh. jo vetëm që e përmendi në Kuranin famëlartë, por edhe një kaptinë të tërë e titulloi me këtë emër, “El Isra”.
Në jetën e kësaj bote pati shumë ngjarje e ndodhi të ndryshme. Përkujtimi ndaj disave përfundoi me vetë përfundimin e tyre, ose pas një kohe. U harruan sikur të mos kishin qenë fare, për arsye se në to nuk gjendeshin elemente të nevojshme për një përkujtim të përhershëm. Nuk ishin aq të rëndësishme dhe nuk zgjonin ndonjë interesim të madh, ose patën të bëjnë me ndonjë person të parëndësishëm. Kur mësojmë për pesonalitetet e kësaj ngjarjeje, e që ishin: Muhamedi a.s.- i Dërguar i Zotit për të gjithë njerëzinë; Xhibrili a.s.- bartësi i të gjitha shpalljeve te të gjithë pejgam-berët, mandej skena në të cilën ndodhi dhe u zhvillua ngjarja si: Meka dhe Qabeja, Jerusalemi dhe Mesx-hidi-Aksaja, pastaj edhe qiejt e lartë deri në Sidretu Munteha, domosdo se ndikojnë në madhështinë dhe respektin e kësaj ngjarjeje, që të mbetet kujtim i përher-shëm në zemrat dhe mendjet e njerëzve.(6)



(1) Muhamed Muteveli Esh-Sha’ravi, Mrekullia e madhe Israja dhe Miraxhi, Shtëpia bobtuse “Dituria Islame” Përktheu: Resul Rexhepi, Sadik Mehmeti, 2005, f. 7.
(2) Bashkim Aliu. Mozaiku Islam, Furkan 2014, Shkup, f. 117.
(3) Vehbi Sulejman Gavoçi, Pejgamberi Muhamed a.s. -Jeta dhe vepra-Furkan Shk-up, 1994, f. 114.
(4) Amër Halid, Gjurmëve të të Dashurit tonë, Shkup, 2006, f. 171.
(5) Kështu fliste Muhamedi a.s. 1.Përktheu Jahir ef. Beqiri, Prishtinë, 1994, f. 45.
(6) Sherif Ahmeti, Ko-mente dhe mendime Islame, Prishtinë, 1995, f. 152.



Isa Tërshani
Dituria Islame -296


Artikulli radhës
Israja dhe Miraxhi.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip