Allahu xh.sh thotë në librin e Tij, i cili është rrëfyesi më i saktë: "E robërit e Allahut janë ata që ecin nëpër tokë qetë, e kur atyre u drejtohen me fjalë injorantët, ata thonë: paqe”. (El Furkan, 63).


Ky është një prezantim kur’anor, në të cilin përshkruhet personaliteti i robërve të Allahut xh.sh., I Cili i sqaroi virtytet dhe cilësitë e këtij grupi të zgjedhur prej njerëzve, të cilët i bëri mostër që duhet të pasohet dhe shembull që duhet ndjekur.
Robërit e Zotit janë ata që i përkasin vetëm Allahut xh.sh. Nëse vërtet ekzistojnë robër të shejtanit, idhujve, epsheve apo të dinarit e dërhemit-e lidhur me këtë Muhamedi a.s., ka thënë: "Është zhgënjyer robi i dinarit, robi i dërhemit dhe i pasionuari pas veshjes luks. Nëse i jep diçka-ai kënaqet, nëse nuk i jep-hidhërohet, është zhgënjyer dhe është alivanosur, nëse goditet-nuk shpëton”. Nëse ekzistojnë robër të gotës e dollisë, nëse ekzistojnë robër të alkoolit dhe drogës, nëse ekzistojnë robër të dhënë pas grave dhe epshit, atëherë ta dini se ekzistojnë edhe robër të Allahut xh.sh. Këta janë robër të Allahut xh.sh., te të cilët shejtani ka dështuar të depërtojë, edhe pse mundohet të depërtojë e me mashtrim t'i sundojë ata. "Ai tha: Pasha madhërinë tënde, kam për t'i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë. Përveç atyre që janë të sinqertë prej robërve të Tu." (Sad, 82-83).
"Në të vërtetë ti nuk ke kurrfarë fuqie ndaj robërve të Mi. Mbrojtja e Zotit tënd është e mjaftueshme." (EI Isra, 65).
Përveç kësaj, ata janë robër të sinqertë dhe të zgjedhur. U treguan të sinqertë në fenë e tyre për Allahun, e Allahu i zgjodhi për të përfaqësuar fenë e Tij. A dëshiron të jesh prej robërve të Zotit? A dëshiron t'i përkasësh Allahut xh.sh.? A dëshiron të jesh ndonjëri prej tyre? A dëshiron të jesh anëtar në këtë xhemat- bashkësi, dhe të jesh rob prej robërve të vetëm të Allahut? Atëherë kuptoji meritat, veçoritë dhe cilësitë e tyre! Dije se kush janë robërit e Allahut, dhe mundohu të jesh njëri prej tyre! Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me fjalë goje, çështja nuk është vetëm hipotezë. Sa hipoteza të shumta që ka e sa kuptime të mrekullueshme kemi! Ka shumë që thonë: Unë jam prej robërve të Allahut, por veprat e tij flasin dhe tregojnë ndryshe, dhe sikur i thonë atij: Ti je nga robërit e shejtanit, e nuk je prej robërve të Allahut. Kjo, sepse robërit e Allahut kanë virtyte, cilësi dhe veçori, të cilat i përmendi Allahu në këto ajete. E sa nevojë kemi ne të jetojmë në hijen e këtyre ajeteve tok së bashku. Veçori e parë e robërve të Allahut është se ata ecin ngadalë në tokë. Shiko se si e filloi Allahu xh.sh., përshkrimin e cilësive të robërve të Tij: “...që ecin në tokë ngadalë..."- A tërë kjo konsideratë vetëm në ecje?! Mënyra e ecjes, veçoria e ecjes, por që kanë vlerë tek Zoti xh.sh.


Robërit e Zotit ecin qetë në tokë


Po për arsye se ecja tregon personalitetin, rrëfen atë që fshihet brenda prej ndjenjave dhe moralit. Mendjemëdhenjtë tiranë ecjen e tyre e kanë të veçantë, ndërsa besimtarët modestë e kanë ecjen e tyre që i karakterizon. Pra, çdonjëri ecën duke treguar atë që ka në personalitetin e tij.
Robërit e Zotit ecin qetë në tokë, ata janë modestë, të qetë e të lehtë, ecin me një qetësi dhe dinjitet. Ata nuk tregohen të dhunshëm e as mendjemëdhenj ndaj askujt, nuk ecin duke u lavdëruar sikurse vagabondët askush prej robërve të Allahut nuk ecën duke thënë: O, Tokë, zgjerohu, sepse nuk është askush si unë! Jo, ai ecën sikurse ai që e di se prej toke ka dalë, në të do të kthehet, sikurse thotë Zoti në Kur’an: "Prej saj (tokës) Ne ju krijuam, në të do t'ju kthejmë dhe prapë prej saj do t'ju nxjerrim edhe një herë”, (Ta Ha, 55).
Zoti i Madhëruar na porosit me porosi të urta në kaptinën "El Isra". Ndalimi nga ecja duke u lavdëruar, zgjeruar e nënçmuar njerëzit, është një nga këto porosi. "...e ti nuk mund ta çash (tokën) sado që të rrapëllosh me këmbët tua (ti nuk mund t'i arrish lartësitë e kodrave), sado që ta zgjatësh qafën tënde e ta ngresh kokën tënde, nuk mund të arrish asgjë. Pra, ec me modesti, nëse dëshiron që të të dojë Allahu, e gjithashtu edhe njerëzit. Kjo, sepse Allahu nuk e do atë që mburret e lavdërohet. Për këtë arsye Kurani famëlartë, në tre ajete na rrëfen porosinë e Lukmanit dhe këshillën e tij drejtuar djalit të tij, kur i thotë: "Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që lavdërohet shumë. Të jesh i matur në ecjen tënde, ule zërin tënd, se zëri më i egër është zëri i gomarit!” (Llukman, 18-19)
Mos shtrembëro fytyrën tënde ndaj njerëzve d.m.th. mos fol me njerëz duke e kthyer fytyrën në anën tjetër dhe mos i bëj njerëzit te të flasin ty duke qenë të kthyer në anën tjetër, po kthehu drejt tyre dhe fol me ta me fytyrë drejt tyre.
El-Muhtal - është ai person që shfaq mendjemadhësinë në veprat e tij, ndërsa El-Fehur - është ai që e shfaq mendjemadhësinë në fjalët e tij, duke thënë me mburrje, p.sh.: Unë jam filani, i biri i filanit, apo biri i filan familjes. Allahu nuk e do as mburravecin dhe as mendjemadhin, veçse e do robin modest, i cili e respekton veten e tij dhe ne asnjë moment nuk përbuz askënd prej njerëzve.


”...ata të cilët ecin me qetësi në tokë..."


Ecje e qetë nuk do të thotë ecja sikur i rraskapitur a i sëmurë, siç bëjnë disa që i atribuojnë vetes mirësinë dhe takvallëkun, dhe të cilët shtiren duke ecur si të rraskapitur a të lodhur. Jo! kurrsesi, sepse as Pejgamberi a.s., e as shokët e tij r.a., nuk ishin të tillë.
Transmeton Aliu r.a., se Pejgamberi a.s., kur ecte dukej sikur po zbriste nga një vend i lartë teposhtë, e kjo është ecja e Pejgamberëve të vendosur, njerëzve seriozë dhe trima. Në një rast tjetër thotë Ibn Kajim nga Ebu Hurejre r.a.: "Nuk kam parë njeri më të bukur se Pejgamberin a.s., sikur dielli pasqyrohej në fytyrën e tij, dhe nuk kam parë dikë të ketë ecur më shpejt se ai a.s., sikur toka i hapej para tij, dhe ne shpejtonim e lodheshim që ta arrinim, ndërsa ai nuk ndiente lodhje.”
Kështu, pra, Pejgamberi a.s., nuk ecte si i lodhur dhe as ngadalë, e shpejtësia nuk domethënë ajo që e humb dinjitetin, po ishte ecje mesatare, jo te ecur të shpejtë ekstrem, e as të ngadalësuar të mërzitshëm. Kjo është
ecja e besimtarëve, ecje që tregon fuqi dhe në të njëjtën kohë modesti.
Omeri r.a., njëherë pa një djalosh duke ecur si i lodhur, dhe i tha: "A je i sëmurë?” Djaloshi tha: ”Jo!" "Atëherë mos ec kështu", - i tha Omeri r.a., dhe e drejtoi me shkopin e tij. Pra e urdhëroi atë të bënte ecje të besimtarëve modestë. Njëra prej grave të ashabëve i pa disa djelmosha të rinj duke ecur si të lodhur e të rraskapitur dhe pyeti se kush ishin ata. I thanë se ata ishin robër që bënin ibadet, e ajo tha: "Pasha Allahun, Omeri, kur ecte, shpejtonte pak, kur fliste - dëgjohej, kur godiste - shkaktonte dhembje, e ai ishte vërtet rob që bënte ibadet. Pra fjala (ecin qetë) nuk do të thotë se ata ecin si të lodhur. Jo, Islami nuk e do njeriun që ecën si i lodhur dhe i sëmurë. Omeri r.a., i pa disa njerëz duke u falur me devocion, të cilët shtireshin duke i lëkundur kokat e tyre, e drejtoi kokën e tij me shkop dhe u tha: "O Filan, ngrije kokën e mos na e vdis fenë tonë ta marrtë Allahu shpirtin, se devotshmëria është në zemra e nuk është në lëkundjen e qafës!"
Kjo është që duam ta tregojmë rreth kuptimit të fjalës ecje e ngadaltë. (Ata të cilët ecin në tokë ngadalë e qetë..) d.m.th. ecin qetë me modesti dhe fuqishëm, dhe ecje mesatare në varësi nga mundësia e tyre. Kujdesi i tërë është që njeriu të mos ecë në tokë me mburrje a mendjemadhësi. Pejgamberi a.s., tërhiqte vërejtjen për këtë cilësi të ligë: "Kush e shenjtëron veten e tij dhe kush ecën me mburrje e mendjemadhësi, e takon Allahun xh.sh., të hidhëruar ndaj tij”. Gjithashtu lidhur me këtë ka thënë: "Para jush, përderisa një



njeri ishte duke ecur me mburrje, i veshur me rroba të bukura, saqë i pëlqeu vetja e tij, Allahu e fundosi në tokë, dhe ai valëvitet në të deri në Ditën e Kiametit.”
Pra, ecën i veshur me rroba me mburrje, i pëlqen vetja e tij, kokëlartë, reklamues i vetes, fytyrëvrenjtur. Allahu e fundosi në tokë, ashtu sikur e fundosi Karunin kur u paraqit para popullit të tij me mendjemadhësi për pasurinë e tij, e Allahu e fundosi.
"Po, Ne atë dhe pallatin e tij i shafuam në tokë, Veç Allahut nuk pati ndonjë që ta mbronte e as vetë nuk pati mundësi të mbrohej.” (Kasas, 81).
Përse atëherë njerëzit tregohen mendjemëdhenj? Përse bëhen tiranë? Përse ngrihen mbi të tjerët? Sikur ta shikonin veten e tyre, atëherë ata do të vërenin atë që thoshte Imam Gazali - se Babai i tyre është uji, e Gjyshi i tyre dheu. Apo siç thotë Allahu xh.sh.: “...e krijimin e njeriut e filloi nga balta, pastaj beri që pasardhësit e tij të rrjedhin prej një pike uji të dobët (ndyrë)...” (Sexhde, 7-8).
Ka thënë Hasani: "Çuditem për atë që pastrohet nga nevoja e madhe çdo ditë, e si i tregohet mendjemadh Krijuesit të gjithësisë”.
Thotë një poet i devotshëm: “Mos ec në tokë vetëm se me modesti - se sa popuj janë nën ty që ishin më të zotët se ti. Nëse je në mirësi, pushtet e fuqi - sa njerëz vdiqën që ishin me të fortë se ti”.
Mos ec në tokë me mburrje, njihe veten, o njeri, tregohu modest ndaj Allahut, sepse atë që tregohet modest për hir të Allahut, Allahu e ngre. Ai mendon se është i pavlerë, por te njerëzit është i respektuar. Ndërkaq, atë që tregohet mendjemadh, Allahu e ul. Ai mendon se është i madh, por te njerëzit është i urryer dhe i vockël.
Nëse njeriu mundohet që, me mendjemadhësi, mburrje dhe lavdërim të rritet para njerëzve, e kundërta është me se e mundur. Kjo, sepse kjo gjë vetëm sa e bën të pavlerë te njerëzit, dhe e bën që njerëzit ta urrejnë ashtu siç e urren edhe Allahu xh.sh. Për këtë arsye besimtari duhet të jetë modest, dhe ashtu si tha Aishja r.a.: "Ibadeti më i mirë për besimtarët është modestia." Ashtu, siç ishte Muhamedi a.s., njeriu më modest, pavarësisht nga pozita e tij tek Allahu si dhe tek njerëzit, ashtu edhe besimtari duhet të mësojë modestinë dhe të ecë me maturi. Kjo është cilësia e parë e robërve të Allahut.
E lusim Allahun xh.sh., që të na bëjë prej robërve të Tij, "Të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë atë me të mirën prej tyre.
Të tillë janë që Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë, dhe të tillë janë ata të mençurit!” (Ez-Zumer, 18).


 


Dr. Jusuf Kardavi
Shqipëroi nga Gjuha arabe: Mr. Adnan Bërbatovci.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip