Misteri i përgatitjes së gjeneratës së parë të Islamit, që me besim në vetvete të nisë procesin e pushtimit të botës së atëhershme, fshihej në komunikimin interaktiv e të jashtëzakonshëm të Pejgamberit a.s., me ndihmën e të cilit ndërtoi proceset mendore të tyre, duke i aftësuar që në mënyrë të pavarur t’i përpunojnë të gjitha të dhënat e jetës, që në fillimet e tyre.
Atmosfera në qarqet e tyre është cilësuar nga pjesëmarrja kualitative dhe shkëmbimi i sinqertë i ideve, të cilat Pejgamberi a.s., me kujdes i ka inkuadruar, duke u dhënë fjalive të shprehura kuptime të reja dhe duke i mësuar të pranishmit që të gjejnë këndvështrime të reja dhe të freskëta, duke vëzhguar gjërat.
Seminaret moderne dhe që moti tejet të komercializuara, funksionojnë në parimin e punishteve në të cilat sillen teza të caktuara; pjesëmarrësit ndahen në grupe, mbledhin informata, formojnë mendime të ndara, i prezantojnë, ndërsa trajneri i seminarit i moderon me kujdes grupet e ndryshme të pjesëmarrësve dhe pa imponim i formëson konkluzionet finale.
Të shikojmë atmosferën e një seminari të tillë të mbajtur para katërmbëdhjetë shekujve.
PUNISHTJA (WORKSHOP) I
Me çfarë ta mahnitim botën?
I Dërguari i Allahut, a.s., njëherë i pyeti sahabët e tij:
“Cilët besimtarë ju mahnitin më së tepërmi në iman?”
Ata u përgjigjën: “Melekët.”
Ai tha: “Po, si të mos besojnë kur janë tek Zoti i tyre?”
Pastaj thanë: “Pejgamberët.”
Ndërsa, Pejgamberi, a.s., tha:
“Po, si të mos besojnë kur u parashtrohet Shpallja?”
Pastaj thanë: “Atëherë, ne.”
Pejgamberi, a.s., tha: “Po, si të mos besoni, ndërsa unë jam në mesin tuaj? Por, mahnitem me imanin e atyre besimtarëve që do të vijnë pas jush dhe do t’i gjejnë faqet (e shkruara) e do të besojnë atë që është në to.” (Buhariu)
Në hadithin e lartpërmendur e kemi trajnerin i cili vendos tezën e punës: - “Po, si të mos besojnë kur janë tek Zoti i tyre?”
Pjesëmarrësit e seminarit, duke ndenjur ulur, formonin një rreth, duke siguruar kështu interaksion më të mirë dhe më të përzemërt. Shohim se një grup u deklarua për kategorinë e krijesave jashtëtokësorëve, kur është fjala për besimin e fortë i cili mahnit, duke i vënë në radhë të parë melekët. Trajneri, (a.s.), inicion procesin e formimit të mendimit të ri me një pyetje të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë:
E si të mos besojnë kur janë te Zoti i tyre?, duke nënvizuar se imani/besimi i melekëve është i pritur, sepse i shërbejnë Zotit të tyre në afërsinë e Tij. Dhe pa e fshehur, çuditet në kuptimin se çfarë ka aty për t’u mahnitur?!
Mendimi i shfaqur i radhës në tezën e vendosur është: - “Pejgamberët.”
Pejgamberi a.s. përsëri e ka të përgatitur kundërpyetjen: - “Po, si të mos besojnë kur u zbritet Shpallja?”, duke potencuar se është tejet reale që të besojë ai i cili është i dërguar i Allahut të Madhërishëm në procesin e komunikimit të mesazhit qiellor njerëzve, gjegjësisht dëshmitar i drejtpërdrejtë i Shpalljes.
Mendimi i tretë i paraqitur në këtë punishte intelektuale është: - “Atëherë, ne”, gjegjësisht thanë se konsiderojnë që imani i tyre, d.m.th. i sahabëve të Pejgamberit a.s., është i denjë për t’u mahnitur.
Trajneri, Muhamedi a.s., avancon qëndrimin e shtruar me nënpyetjen e paepur: - “Çfarë ka që të mos besoni, ndërkaq që unë jam në mesin tuaj?”, me të cilën thyen plotësisht bindjen e sahabëve për veçantinë e hierarkisë vertikale në procesin e besimit, duke orientuar linjën e mendimit të tyre në rrafshin horizontal, në drejtim të ardhmërisë, dhe këtë me konkluzionin në vijim: “Por, mahnitem me imanin e atyre besimtarëve që do të vijnë pas jush dhe do t’i gjejnë faqet (e shkruara) e do të besojnë atë që është në to.”
Kjo punishte intelektuale e Muhamedit a.s. është e pasur me shembuj kulmorë të aspekteve interaktivo-komunikative gjatë edukimit të një grupi njerëzish në një ambient historik. Teza e vendosur e punës është e dizajnuar në mënyrë të përkryer socio-psikologjike, pasi që prezanton vlerat në konverzacionin e punës së dy kategorive më të rëndësishme për njeriun: besimin dhe mahnitjen si dëshira të paralashtësisë kundruall të cilave dëshirohet të pozicionohet me mençuri. Pyetja më e shëndoshë socio-psikologjike të cilën një person mund t’ia bëjë vetes është: Me çfarë unë mund ta mahnit botën dhe cilët janë hapat që duhet t’i bëj në këtë drejtim?
Në këtë rast konkret Muhamedi a.s. ndërton proceset mendore të sahabëve në dy hapa: Së pari, i lëshon me këmbë në tokë dhe i liron nga iluzionet për veçantinë personale, për faktin e vetëm që rregullisht janë shumë afër Pejgamberit a.s., e pastaj i orienton në realizimin e domosdoshëm të përsosjes së imanit të tyre përmes veprave mahnitëse dhe mentalisht i lidh me pasardhësit e tyre të largët ideologjikisht, duke potencuar tërë kërkesat e kontekstit historik të tyre, përveç tjerash, mungesën e të qenit dëshmitarë të drejtpërdrejtë të Shpalljes, në praninë e të cilit ata kënaqen. Kështu që, në fund të këtij seminari njëditor, sahabët kanë pasur ndjenjën e qartë të obligimit që deri në atomin e fundit të fuqisë të digjen për idenë e Islamit, nëse dëshirojnë që t’ua lehtësojnë pasardhësve të tyre ideologjikë identifikimin me këtë ide.
Kjo punishte intelektuale e Pejgamberit a.s. bart në vete elemente të qarta (reality check), gjegjësisht kontrollin e nivelit të tyre të kuptimit (jo)real të vetes në kontekstin konkret historik.
Nga tërë ky seminar neve na janë transmetuar vetëm fragmente të bisedës dhe atmosferës, por prapë kemi imazhin e qartë me pasqyrë reale të gjendjes e mendjes së grupit që kanë marrë pjesë në diskutim dhe na bëhet i qartë niveli dhe kapaciteti i Pejgamberit a.s.
Edhe pse tek ne nuk kanë arritur informatat për një varg të hollësive të imëta, ngase seminari i përmendur në kuptim të ndonjë batute humoristike që ka ndodhur, pas komentimit të shkurtër dhe të mprehtë, variacionet e përgjigjeve të mundshme në nënpyetjet e Pejgamberit a.s., përshkrimi i enës me hurma të freskëta, e cila ka qarkulluar në atë atmosferë pune, klithmat e gëzuara të fëmijëve në afërsi, mjaullima e këndshme e maces së Ebu Hurejres r.a. në mëngët e tij... ne i marrim me mend, i supozojmë në imagjinatën tonë, sepse për ne është i rëndësishëm secili detal që na mahnit e që në ndonjë mënyre ka marrë pjesë në rritjen e këtyre gjigantëve moralë.
PUNISHTJA (WORKSHOP) II
Ekuivalent në botët tjera
Natyrisht, ekzistojnë transmetime të tjera që na zbulojnë hollësi të reja të rëndësishme të punishteve intelektuale të Pejgamberit a.s. Shikoni tjetrën në vijim.
Pejgamberi a.s. i pyeti sahabët: “Është një pemë, gjethet e së cilës nuk bien dhe është e ngjashme me myslimanin. Cila është ajo pemë?”
Njerëzit menduan në pemët e shkretëtirave, ndërsa Abdullah b. Omeri r.a. tregon: “Më ra ndërmend që kjo është palma. Desha ta përmend, por i vërejta aty sahabët e vjetër dhe ngurrova të përgjigjesha. Pas heshtjes së tyre, Pejgamberi a.s. tha: ‘Kjo është palma’. Ia përmenda këtë babait tim, ndërsa ai më tha: ‘Sikur të thoshe palma, do të ishte më e dashur për mua se kjo e kjo’.” (Buhariu dhe Muslimi)
Përsëri e kemi të vendosur tezën e punës në një atmosferë intelektuale, me pjesëmarrje të njerëzve me mosha shumë të ndryshme.
Në transmetim përmendet djali i Omer b. Hatabit r.a., i cili atëbotë ishte djalosh i ri, se si ia përcjell përshtypjet babait nga ai seminar. Por, po ashtu potencohet dëshira apo keqardhja e Omerit r.a., përse djali i tij nuk e shfrytëzoi rastin që ta mahniste Pejgamberin a.s. me mendjemprehtësinë e tij dhe përmendet në një transmetim: “Sikur ta thoshe përgjigjen, do të gëzohesha më shumë sesa dhurata prej njëqind devesh!”
Edhe këtu shohim një dëshirë natyrale dhe të fortë të prindit që fëmijën e tij ta prezantojë publikisht përmes diturisë, por shohim edhe klimën e qartë intelektuale në të cilën dituria vlerësohet lart.
Teza e punës në këtë rast është e lidhur edhe me njohjen e kulturës së gjerë, domethënë me kuptimin e botës bimore në krahasimin e cilësive të një bime së caktuar me cilësitë e karakterit të myslimanit.
PUNISHTJA (WORKSHOP) III
Bankroti emocional
Punishtja intelektuale në vijim përsëri ngazëllen me thjeshtësinë gjeniale kreativitetin dhe prakticizmin.
Ebu Hurejre r.a. transmeton se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “A e dini kush është falimentues (bankrotues)?”
Sahabët u përgjigjën: “I falimentuar tek ne është ai i cili nuk ka as të holla, as mall.”
Muhamedi a.s. tha:
“I falimentuari i umetit është ai që vjen Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim dhe zekat, por ka sharë njërin, ka shpifur për të, ka marrë nga pasuria atij, ka derdhur gjakun (ka plagosur) e këtij, ka goditur atë tjetrin... Dhe secilit prej tyre do t’i jepet pjesa e veprave të mira të tij, por nëse i zhduken veprat e mira të tij para se t’ua lajë borxhin të gjithëve, atëherë do të merret prej veprave të këqija e të tjerëve dhe do t’i barten atij dhe më pastaj së bashku me to do të hidhet në zjarr.” (Muslimi)
Pejgamberi a.s. (trajneri) sjell tezën: “A e dini kush është i falimentuari (i bankrotuari)?”, dhe pret interaksionin.
Edhe pse nuk kemi qasje në të gjitha mendimet e të gjithë pjesëmarrësve në diskutim, e cila do të na jepte kuptim më të gjerë të hollësive të tyre të gjykimit, një përgjigje e dokumentuar në këtë transmetim është e mjaftueshme për poentimin e Pejgamberit a.s.
Mendimi mbizotërues i pjesëmarrësve të kësaj punishteje intelektuale është i shprehur me formulimin: “I bankrotuar tek ne është ai që nuk ka as të holla as mall”, e që Muhamedit a.s. i dha të kuptojë se kuptimet e kësaj fjale janë të reduktuara në kokat e bashkëkohësve të tij në kategorinë e thatë ekonomike.
Trajneri, Muhamedi a.s., e pranon atë përgjigje dhe e plotëson duke e zgjeruar kuptimin e emrit “i bankrotuar” në kontekst të ri, joekonomik, i cili nënkupton humbjen e veprave të mira përmes arsyetimit (gjykimit) të gabuar dhe reaksionit të papjekur emocional.
Pejgamberi a.s., duke komunikuar me pjesëmarrësit e kësaj punëtorie, në mënyrë interaktive në tezën e dhënë, sjell në botën e njerëzve të kohës së tij dhe në vokabularin e tyre kategori të reja mendore siç janë bankroti intelektual dhe emocional, duke i mësuar sahabët, por edhe tërë botën, se shumë më i rrezikshëm është bankroti emocional dhe intelektual sesa ai financiar. Me këto ‘monedha’ gjuhësore për të cilat nuk mendon dhe as nuk i shfrytëzon intelektuali i shekullit XXI, ka ndryshuar marrëdhënia e bashkëkohësve të Muhamedit a.s. ndaj vlerave konvencionale. Ngase njeriu i cili në jetë, prioritetin e tij më të madh e ka që mos të bankrotojë intelektualisht dhe emocionalisht nga droja kur bëhet fjalë për bankrotin financiar, i vendos drejt konceptet në listën e vlerave jetësore.
Bazuar në forcën e aspekteve interaktivo-komunikative, qasjes edukative të Muhamedit a.s. përmes punëtorive praktike të tij, nuk është aspak e çuditshme që gjeneratat e para të myslimanëve kanë pushtuar botën e njohur atëherë dhe kanë mahnitur me mendjemprehtësi dhe zemër të madhe.
Prof. dr. Edin Tule
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
(Autori është teolog dhe psikolog i mirënjohur, i cili mban seminar në tërë botën për IE (inteligjencën emocionale), si dhe është komentues i Kuranit fisnik në aspektin socio-psikologjik.)