Përsëritja e tregimeve në Kuranin famëlartë


Allahu i madhërishëm e zbriti Kuranin famëlartë sistematikisht, gjatë 23 viteve të plota. Delegacione të ndryshme arabe vinin tek i dërguari i Zotit për të pranuar Islamin, ku besimtarëve u lexonte nga Kurani aq sa ishte e mjaftueshme për ta. U dërgonte fiseve të ndryshme nga kaptinat e Kuranit. Sikur rrëfimet të mos përsëriteshin, atëherë rrëfimi për Musain do të binte në dorë të një fisi, rrëfimi për Isain në një fis tjetër, rrëfimi i Nuhit në tjetër, e kështu me radhë. Deshi Perëndia që me urtësinë dhe mëshirën e tij që të përhapen këto tregime në të gjitha anët e botës, të përforcohen në zemër, kurse audienca të shtojë njohuritë dhe kujdesin

I Urti i Mëshirshëm i renditi qëllimet më të shenjta në kaptinat e Tij më të rëndësishme, veçanërisht në kaptinat më të gjata, ku çdo kaptinë në vete simbolizon Kuran të vogël, duke ia lehtësuar rrugën secilit, pa e privuar askënd. Përsëriti monoteizmin, ringjalljen, es’hatonin, historinë e Musait -paqja e Zotit qoftë mbi të.
Duke ia shtuar kësaj se zbritja e Kuranit, që zgjati plot dy dekada, distanca kohore e zbritjes së ajeteve në mes vete ishte e largët dhe arrinte vite të tëra. Ajo për të cilën dëshiroj të sinjalizoj këtu është se ne kur e lexojmë në tërësi, komplet, në formën e tij në mus’haf, kur e lexojmë të radhitur, nuk hasim në ndonjë distancë të gjatë kohore mes ajeteve, edhe pse sipas distancës kohore ato kanë vite të tëra që i kanë ndarë. Në të nuk hasim përsëritje reale nga kuptimi i fjalës, por në realitet gjejmë dukuri tjetër e cila meriton analizë dhe studim, ngase është bukuri artistike e të shprehurit.
Dijetari Seid Nursi potencon: “Kurani famëlartë prezanton lloje nga mrekullia e tij e përkryer, po ashtu edhe të përsëritjes elokuente në fjali apo fjalë, edhe atë, duke i udhëzuar shtresat nga të adresuarit në disa kuptime, me shumë mësime: në këtë ajet apo tregim është e nevojshme përsëritja. Pasi që Kurani është libër lutjesh dhe ftese, siç është libër përkujtimi dhe njësimi, e gjithë kjo e kërkon përsëritjen. Çdo gjë e përsëritur në Kuran, duke filluar nga ajeti apo tregimi, përfshin kuptim dhe mësim të ri.”
Komentuesi bashkëkohor, Muhamed Rashid Rida, potencon: “Një tregim përsëritet në Kuran, mirëpo në përsëritjen e tij ka përfitim, dhe në secilën përsëritje ka dobi që nuk e gjen tek tjetra dhe në total nuk ekziston kontradiktë me njëratjetrën, sepse statusi i zbritjessë saj është për mësim, këshillë dhe ndikimi në zemra dhe mendje.”
Nga ky prononcim i komentuesit Muhamed Rashid Rida kuptojmë se përsëritjet e numërta që erdhi në pozicionet të ndryshme në Kuranin famëlartë me qëllim që besimtari të shtojë besimin se shpeshtësinë që e sheh në Kuran çdo herë vjen me risi, me formulim të ri. Si për shembull, tregimi rreth Musait (a.s.), i cili u zhvillua në kaptinën el Kasas, rrëfimi i njëjtë nuk ngjason në kontekstin e tij të përgjithshëm me kaptinën Ta-ha.

SHEMBUJ NGA KURANI

Në Kuranin fisnik ekzistojnë tregime të cilat përsëriten më tepër se një herë. Ka ajete të njëjta që potencohen në disa kaptina, poashtu fjalë të njëjta të cilat theksohen në vende të ndryshme.
Për sa u përket tregimeve kuranore, që në fillim dëshiroj të theksoj se nuk mund ta kuptojmë natyrën e përsëritjes së tyre përpos se atëherë kur të arrijmë të kuptojmë se cili është motivi i tyre dhe kush i rrëfen ato?!
Kur do ta kemi të qartë përgjigjen e këtyre pyetjeve, se me tregimet nuk kemi për qëllim humbjen e kohës, sepse ato i rrëfen Krijuesi dhe se tregimet kuranore nuk janë si tregimet tona apo tregimet që rrëfehen nëpër romane të ndryshme.
Në Kuran thuhet: “Ne me të shpallur të këtij Kurani po të rrëfejmë ty (Muhamed) më të bukurin rrëfim, edhe pse para tij ishe nga të painformuarit.” (Jusuf: 3)
Ndër temat që janë më dominante dhe që shtrohen në Kuran janë temat që flasin për monoteizmin, me të gjitha perimetrat e tij, duke filluar që nga besimi në Zot; si në kaptinat mekase, ngjashëm edhe në kaptinat medinase.
Meqë qëllimi i tregimeve në Kuran është për të vërtetuar Monoteizmin, Islamin si fe të vetme të shpallur nga Zoti, Ditën e Gjykimit, tregimet mbi pejgamberët etj., me plot bindje them se natyra e Kuranit e kërkon përsëritjen për t’u vulosur qëllimet e larta në zemrat e besimtarëve; nga ana tjetër, ua tërheq vërejtjen kundërshtarëve për pasojat e kundërshtimit të tyre.
Tregimet vijnë për të vërtetuar këtë qëllim, siç deklaron edhe Sejid Kutbi në komentin e tij: “Fi dhilalil Kuran - Në hijen e Kuranit”, ku mes tjerash thotë:
“Disa herë prezantohet zhanri i profetëve që ftuan në të njëjtën fe dhe popujt që përgënjeshtruan religjionin e vetëm; është imediate që ky fenomeni të përsëritet në vende të ndryshme.”
Në vazhdim do të ofrojnjë pasqyrë të qartë në lidhje me 3kaptinateKuranit: el A’raf, HuddheEsh-Shuara, në të cilat përsëritet rrëfimi i njëjtë. Protagonistët kryesorë në të tre kaptinat janë: Nuhi, Hudi, Salihu, Shuajbi, paqja e Zotit qoftë mbi ta, me popujt e tyre.Këtë e bëj me të vetmin qëllim që të shihet unifikimi mes të dërguarve të Zotit, se si ata në periudha të ndryshme folën me një zë.

DEKLARATA E NJËSHMËRISË

Të gjithë të dërguarit e Zotit erdhën me të njëjtën formulë: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut -La ilahe il-l Allah”.
Në kaptinënel-A’raf dhe Hud shohim se çdo i dërguar e shqipton këtë formulë: “O populli im, adhurojeni (një Zot) Allahun, ju nuk keni zot pos Tij, a nuk po frikësoheni?!”(El-A’raf: 65)
Në kaptinën esh-Shuara vjen shprehja të cilën e përsërit çdo i dërguar: “Unë jam për ju pejgamber besnik. Kini frikë (dënimit të) Allahut e më dëgjoni mua. Unë për këtë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim; shpërblimi për mua është vetëm prej Zotit të botëve. Pra (edhe një herë Ju them), frikësohuni prej Allahut e më dëgjoni mua!” (Esh-Shuara: 107-110)
Në të tre kaptinat shihet qartë se të dërguarit e Zotiterdhën me një moto dhe se feja e Allahut për të gjitha gjeneratat është Islami, edhe pse ndryshojnë popujt, vendet, kohërat dhe rrethanat. Llojshmëria ka qëllimin e vet.
Zbritësi i këtij libri është Allahu fuqiplotë, i Cili e di natyrën e krijesave dhe dëshirën e tij në performancë! Nisur nga ky parim, rrëfimi unifikon mes përsëritjes së kërkuar dhe llojshmërisë së dëshiruar. Unifikohet shprehja të cilën e shqipton i dërguari dhe llojshmëria e cila pason në shprehje!

TË ADHUROHET NJË ZOT

Gjithçka që ekziston në gjithësi dëshmon se ekziston fuqia absolute dhe se çdo gjë asaj i nënshtrohet. Duke marrë parasysh se njeriu është nga krijesat më të lartësuara dhe më të veçuara, të cilin Perëndia e bëri mëkëmbës në Tokë, ia nënshtroi natyrëndhe i fali arsyen dhe gjuhën për të artikuluar ide, i cili është i aftë për të gjetur Krijuesin. Andaj, nga mëshira e Tij, Zoti i lartësuar i dërgoi njerëzimit profet, të cilët e ftojnë në adhurimin e Zotit një dhe duke i treguar arsyen e ekzistencës së tij.
Në kaptinën el A’raf dëgjojmë zërin e çdo profeti që bëri këtë ftesë, të adhuruarit e Allahut fuqiplotë:
Nuhi (a.s.) tha: “O populli im, adhurojeni Allahun, nuk keni zot tjetër pos Tij. Unë kam frikë për dënimin tuaj në një ditë të madhe!”(El A’raf: 59)
Hudi (a.s.) tha: “O populli im, adhurojeni (një Zot) Allahun, ju nuk keni zot pos Tij, a nuk po frikësoheni?!” (El- A’raf: 65)
Salihu (a.s.) tha:“O populli im, adhurojeni Allahun (Një); nuk keni zot tjetër pos Tij”(El A’raf: 73)
Shuajbi (a.s.) tha: “O populli im, adhurojeni Allahun (Një), ju nuk keni zot tjetër pos Tij”(El-A’raf: 85)
Reagimi i masës ndaj kësaj ftese Mënyra e reagimit të masës ndaj çdo profeti është e njëjtë:
Populli i Nuhit (a.s.) tha: “Paria nga populli i tij tha: “Ne po të shohim (në këtë që na thërret) plotësisht të humbur!” (El- A’raf: 60)
Populli i Hudit (a.s.) tha: “Ne po të shohim mendjelehtë dhe të konsiderojmë vërtet rrenacak!” (El- A’raf: 66)
Populli i Salihut (a.s.): “Krerët kryelartë nga populli i tij u thanë atyre që ishin më të dobët e që kishin besuar: “A e dini se me të vërtetë Salihu është i dërguar nga Zoti i tij? Ata kryelartët thanë: “Ne jemi mohues (jobesimtarë) të asaj që ju i besuat.” (El-A’raf: 75-76)
Populli i Shuajbit (a.s.) tha: “O Shuajb, ne do të dëbojmë ty dhe së bashku me ty edhe ata që besuan nga fshati ynë, ose patjetër të ktheheni në fenë tonë”. Ai (Shuajbi) tha: “A edhe nëse ne nuk e dëshirojmë atë (kthimin)?” (El-A’raf: 88)

INTERVENIMI HYJNOR

Meqë masa iu kundërvu ftesës së profetëve për besim dhe adhurim të Zotit, pas humbjes së shpresës së çdo profeti, pason intervenimihyjnor; ndërkaq Allahu me fuqinë e tij absolute shpëton profetët dhe besimtarët që i besuan:
Me Nuhin (a.s.): “Po ata e përgënjeshtruan atë (Nuhin), e Ne e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në anije, ndërsa ata që i përgënjeshtruan faktet tona i fundosëm. Vërtet, ata ishin popull i verbër.”(El - A’raf: 64)
Me Hudin (a.s.) : “Ne me mëshirën Tonë e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të, dhe i shkulëm nga rrënja ata që i përgenjështruan argumentet Tona dhe nuk ishin besimtarë.” (El-A’raf: 72)
Me Salihun (a.s.): “Atëherë ata përjetuan tërmetin dhe u gdhinë në shtëpitë e tyre kufoma të ngrira. Ai u zmbraps prej tyre e tha: “O populli im, unë ju komunikova dërgesën e Zotit tim, ju këshillova sa munda, por ju nuk i përfillni këshilluesit.” (El-A’raf: 78-79)
Me Shuajbin (a.s.): “Ata (popullin e padëgjueshëm) i kapi tërmet i fortë dhe aguan në shtëpitë e tyre kufoma të gjunjëzuara. Ata që e përgënjeshtruan Shuajbin, sikur nuk ekzistuan fare aty; ata që e konsideruan Shuajbin rrenacak, vërtet ishin të dështuarit.”(El A’raf: 91-91)
Në të gjitha rastet unifikohet shkatërrimi, ndërkaq ndryshon vetëm mënyra!Këtë e has si në kaptinën Hud, ashtu edhe në kaptinën esh-Shuara.
Meqë rrëfimet në të tre kaptinat janë të njëjta, ku në shikim të parë të duket se e tëra përsëritet, mirëpo, ajo për çdo herë vjen me shprehje ndryshe – në tërësinë e saj –pamja e saj ndryshon nga dy kaptinat tjera. Çdo kaptinëfokusohet në një segment, po i njëjti rrëfim ekspozohet me qëllim të tjetër, i cili ndryshon nga pozicioni tjetër!

PIKAT KONVERGJENTE NË TË TRE KAPTINAT

Monoteizmi (et-Teuhid): është prezent në maketin e tregimit në të 3kaptinat.
I Dërguari i Zotit (Profeti): çdo i dërguar vjen me të njëjtën shprehje dhe me të njëjtën kauzë.
Masa (el-Melee): çdo popull e përgënjeshtron të dërguarin e tij , duke iu kanosur, kërcënuar dhe dëbuar nga vendlindja.
Allahu i shpëton të dërguarit e Tij dhe ata që besuan, duke i dënuar pabesimtarët.
Me ekzistimin e këtij uniteti, i cili përfshihet në këtë fortifikatë në (3) kaptinat, mirëpo masatndryshojnë prej sures në sure, nga ndryshimi i vetë qëllimit në të dhe përqendrimi në pikën e dëshiruar.

EPILOGU I ÇDO KAPTINE

Në kaptinën el A’raf qëllimin e dëshiruar të rrëfimit e tregon thënia hyjnore: “Këto janë fshatra për të cilat po të tregojmë disa nga lajmet e tyre. Atyre u patën ardhur të dërguarit e tyre me argumente (me mrekulli), por ata nuk i besuan asaj të cilën më parë e kishin gënjyer. Ja, kështu vulos Allahu zemrat e atyre që nuk besojnë. Ne te shumica e tyre nuk gjetëm zbatimin e premtimit, e gjetëm shumicën e tyre jashtë bindjes (respektit).”(El-A’raf: 100-102 )
Në kaptinën Hud qëllimin e finalizojnëajetet: “Këto janë disa nga lajmet e vendeve që po t’i rrëfejmë ty; disa prej tyre ekzistojnë ende, e disa janë shkatërruar. Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ata vetvetes i bënë padrejtësi. E kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk u ndihmuan asgjë zotat e tyre, të cilëve u luteshin pos Allahut, dhe nuk fituan tjetër pos shkatërrim.Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm e i ashpër.”(Hud: 100- 102)
Për sa i përket kaptinës eshShuara,theksi bie mbi ajetin që përfshihet në çdo tregim: “Edhe në këtë (ngjarje) ka argumente, po shumica e tyre nuk u bënë besimtarë. E Zoti yt, pa dyshim është Ai i plotfuqishmi dhe i mëshirshmi.”(Esh-Shuara: 190- 192)
Duke pasur parasysh ndryshimin e qëllimit nga qëllimi i tregimit, ndryshon gjatësia dhe masat e tij.Po ashtu ndryshojnë nuancat; edhe pse në fund rrëfimi është i njëjtë!
Rrëfimi në kaptinën el-A’raf: vjen i shkurtër në dallim nga kaptina Hud. Më së tepërmifokusohet në thirrjen e të dërguarit, kurse përgënjeshtrimi vjen shkurtazi. Qëllimi i rrëfimit është se gënjeshtarët janë këmbëngulës në gënjeshtër, sado që të dërguarit të ofrojnë argumente.
Rrëfimi në suren Hud: përpos qëllimeve të shumta që ka kaptina, rrëfimi vjen i detajuar. Të gjitha rrëfimet në kaptinën el-A’raf përfshihen në katër faqe, kurse në kaptinën Hud ato përfshihen në shtatë faqe, sepse detajimi ka për qëllim të vërtetojë realitetin e shpalljes: “Këto janë disa nga lajmet e vendeve që po t’i rrëfejmë ty; disa prej tyre ekzistojnë ende, e disa janë shkatërruar.Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ato vetvetes i bënë padrejtësi. E kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk u ndihmuan asgjë zotat e tyre, të cilëve u luteshin, pos Allahut, dhe nuk fituan tjetër pos shkatërrim. Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm e i ashpër”(Hud: 100- 102)
Ka dallim të thellë mes kaptinës elA’raf dhe kaptinës Hud në segmentin e detajimit, por kjo nuk është spontane, ngase gjatësia e debatit, kundërshtimit dhe përgënjeshtrimi i profetëve nga popujt e tyre ka për qëllim forcimin e zemrës së Muhamedit (a.s.) dhe besimtarëve, kur shohin se qëndrimi i kurejshitëve nuk dallon nga injoranca paraprake:
“Të gjitha këto që t’i rrëfyem ty nga lajmet e pejgamberëve janë që të forcojnë zemrën tënde, dhe në to të ka ardhur e vërteta e këshilla, si dhe përkujtime për besimtarët.” (Hud: 120)
Në dallim nga kaptina el-A’raf, hapësirë më të madhe në këtë kaptinë zënë ajetet që flasin për masat ndëshkuese kundrejt gënjeshtarëve, ngase këto ajete shpjegojnë ndëshkimin e Zotit se si i dënon tokat zullumqare:
“Këto janë disa nga lajmet e vendeve që po t’i rrëfejmë ty; disa prej tyre ekzistojnë ende, e disa janë shkatërruar.Ne nuk u bëmë padrejtësi atyre, por ato vetvetes i bënë padrejtësi. E kur erdhi urdhri i Zotit tënd, atyre nuk u ndihmuan asgjë zotat e tyre, të cilëve u luteshin, pos Allahut, dhe nuk fituan tjetër, pos shkatërrim.Ja, kështu është ndëshkimi i Zotit tënd, kur dënon vendet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm e i ashpër.” (Hud: 100- 102)
Rrëfimi në kaptinënesh Shuara vjen shumë i shkurtër dhe kalon me një frekuencë shumë të shpejtë Fragmentet e shkurtra ngjasojnë si me u ndalë para semaforit, ngase qëllimi final është ekspozimi (ajeti) i përfshirë në çdo rrëfim dhe nuk ka për qëllim zbërthimin e tregimit, ngase ai nuk i ndihmon situatës, por mjaftojnë goditjet e shpejta me ndikim të fortë!
Mjafton të potencojmë këtu “Historinë e Nuhit (a.s.)”në të 3kaptinat:
Në kaptinën el-A’raf përshkruhet në shtatë rreshta, të cilët përbëjnë 76 fjalë.
Në kaptinën Hud përfshin dy faqe e ca rreshta.
Në kaptinën esh-Shuara ky tregim përfshin dhjetë rreshta, që përbëjnë 91 fjalë.
Përsëritjaështë nga mrekullitë e Kuranit famëlartë, që t’i ekspozojë temat të cilat renditen në të për këshillim, edukim dhe mësim.
Edhe pse tregimet për pejgamberët duken sikur përsëriten, në të vërtetë, ato nuk janë përsëritje, por në secilin rast, tregimin duhet kundruar nga një këndvështrim i veçantë, për ta kuptuar përse sillet ai tregim.
Meqë ky Kurani ka zbritur për tÇu lexuar në përjetësi, recitimi i tij për çdo herë është pjesë e ibadetit me të cilin njerëzimi i afrohet Krijuesit.Andaj, në përsëritje manifestohet vërtetësia e Kuranit se është nga Zoti, ngase edhe pse këto tregime përsëriten, janë shumë precize dhe në harmoni të plotë, pa kurrfarë kundërshtimi në përmbajtjeapo divergjencë në përshkrimin e ndodhisë që rrëfehet.
Llojshmëria vetvetiu është për bukuri; mbi të gjitha, ajo e largon nga shpirti mërzinë! “Allahu e shpalli të folmen më të mirë, librin, të ngjashëm në mrekulli, të përsëritur herë pas here (me këshilla e dispozita), që prej (dëgjimit të) tij rrëqethen lëkurët dhe zemrat e tyre. Ky (libër) është udhëzim i Allahut, me të udhëzon atë që do. E atë që Allahu e lë të humbur, për të nuk ka ndonjë udhëzues.” (Ez-Zumer: 23)



Shkruan: Doc.Dr. Abdulxhemil Nesimi
Fakulteti i Shkencave Islame-Shkup


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Bashkësia Islame e Kosovës shënon 40 vjetorin e përkthimit të parë të Kuranit në shqip