Deponimi i emocioneve


Si të përgjigjemi, p.sh., në shpullën politike, por njëkohësisht t'i shmangemi imazhit të umetit si plakë vajtore e cila parashikon dhe mallkon? Si ta amortizojmë lëndimin emocional individual/kolektiv dhe ta kanalizojmë përmes planit afatgjatë si dhe t'i shmangim seancat standarde të mazohizmit emocional?

Procesi i deponimit (magazinimit) të emocioneve është shumë i ngjashëm me procesin e deponimit të lajthive nga ketri në zgavrën e tij. Deponimit i paraprin pastrimi i zgavrës nga papastërtitë e ndryshme të mbetura, pastaj pason ruajtja e rregullt e furnizmit të mjaftueshëm jetësor.
Zgavra në dru në këtë rast është inkubator i llojit të veçantë për pjekjen e ushqimit të ruajtur deri te periudha e përdorimit të gjërave të deponuara. Aktiviteti i përditshëm i ketrit, shkathtësia dhe puna e tij deri te kufiri i kolapsit fizik janë vendimtarë për mbijetesën e tij edhe gjatë periudhës së rëndë dimërore.
Në mënyrë analoge me çfarë u tha më lart, personi i cili dëshiron të deponojë në bazat e veta intelektuale-emocionale mendime dhe emocione mjaftueshëm të forta, më parë duhet ta pastrojë mendjen dhe zemrën nga mbeturinat e autoriteteve të rrejshme, paragjykimet, stereotipet, iluzionet dhe frikësimet iracionale, derisa paralelisht me këtë proces rrjedh procesi i zgjerimit dhe pastrimit të depove të përmendura.

Procesi i inkubacionit dhe llojet e inkubatorëve

Inkubacion, lat. incubare, d.m.th. të rënët klloçkë - klluç, ndërsa inkubatori sipas definicionit është aparat me temperaturë të caktuar për ngrohjen e ajrit, i cili nevojitet në procesin e përkujdesit të foshnjave të lindura para kohe. Inkubatori si aparat funksionon në mënyrë që absorbon (lat. absorber – pi me gllënjka, me gërça, thith) ajrin nga jashtë në sistemin e tij, e sjell deri në temperaturën precize, që me të të trajtojë, p.sh., fëmijët apo kafshët e lindura para kohe (fëmijët, vezët etj.) në hapësirën e vet.
Tërësisht ngjashëm me punën e inkubatorit në kujdesin intensiv të spitaleve vepron edhe, p.sh., inkubatori intelektual. Ligjëruesi gjatë fjalës së tij drejtuar auditoriumit të caktuar në hapësirën e mbyllur që quhet amfiteatër (apo banesa në të cilën e lexoni këtë punim), krijon klimën e veçantë intelektuale-emocionale brenda kësaj hapësire përmes transmetimit të ideve të caktuara dhe emocioneve, të cilat hyjnë në mendjen dhe zemrën e auditoriumit, ku absorbohen dhe inkubohen e që pas një kohe të caktuar të kthehen ndaj transmetuesit me temperaturë krejtësisht tjetër në formë të informacionit kthyes ose mbresës.
Në të njëjtin parim funksionon edhe business inkubatori, i cili nënkupton mjete dhe institucione që ndihmojnë ndërmarrjet e vogla në fazën fillestare të zhvillimit, domethënë në periudhën kur më së lehti mund të lëndohen, përmes seminareve të shkurtra biznesore dhe institucioneve për zhvillimin ekonomik.
Internet inkubatori po ashtu nënkupton përpjekjet e institucioneve, të cilat ndihmojnë gradualisht në transformimin e ideve të internetit, ende të pazhvilluara, në realitetin biznesor. Për shembull, faza fillestare e punës së një internet inkubatori (të institucionit apo firmës) është përcjellja e nevojës
së shfrytëzimit të internetit, servisimin e së njëjtës përmes intervenimit shtëpiak, zgjidhja e problemeve të tyre dhe ndihmesa në integrimin e magjistrales informative.


Inkubatorët në Kuran


Inkubacioni, gjegjësisht procesi i pjekurisë së përvojave, fazave të absorbuara më parë, është trajtuar me imtësi në Kuran.
Krijuesi i botëve i përshkruan gratë e përkryera të xhenetit dhe thotë:
“Si të ishin ato vezë të mbuluara.” (Es - Saffat, 49)
Umu Seleme, r.a., e ka pyetur Muhamedin, a.s., për shpjegimin e këtij krahasimi për çfarë ai është përgjigjur se hyritë janë të brishta sikurse cipa brenda vezës, e cila gjendet nën lëvozhgën e saj (Ibn Kethiri)
Margaritari i guaskës është inkubator në të cilin thërrmijat e pluhurit irritojnë një sistem të kafshës (guaska), duke shkakuar reaksion të këtij sistemi në formë të tajimit të materies sedefite me të cilën ky sistem me durim e mbështjellë irritantin, duke e transformuar me kujdes në brendinë e saj në gur të çmuar.
Për vetë Kuranin (por edhe për shpalljet e tjera) mund të flitet si inkubator, i cili ngroh zemrat dhe i përgatit për misione të mëdha.
E njëjta fjalë “el-meknun” është përdorur gjatë përshkrimit të Kuranit:
“...Në Librin e ruajtur.” (El-Vakia, 78)
- të cilin mund ta prekin vetëm ata që janë të pastër. Natyrisht, jo vetëm në kuptimin e marrjes së abdesit, por në kuptim që vetëm zemrat e inkubuara mjaftueshëm mund të depërtojnë në kuptimet e fshehura me mbulesë, sikurse vezët në çerdhen e zogut.
“...Ai ju krijon ju në barqet e nënave tuaja...” (Ez-Zumer, 6)
Në këtë inkubator, sikurse procesi në vezë, materia e lëngët bëhet eshtra dhe mish, ndërsa në kualitetin e formimit të saj rol të madh luan gjithçka, nga kualiteti i ushqimit të nënës, gjendja e saj intelektuale dhe emocionale, e deri te zërat jashtë inkubatorit, të cilët arrijnë deri tek veshët e fëmijës, duke formësuar inteligjencën muzikore të tij.
“Dhe atë e kafshoi (e gëlltiti) peshku, mbase ai ishte që e meritoi qortimin.” (Es-Saffat, 142)
Çfarë ndodh me njeriun kur e gëlltit një sistem shtazor?
Si të sillet në këtë sistem derisa nuk gjen dalje praktike?
Çfarë nëse sytë adaptohen në errësirën e këtij sistemi dhe personi mësohet në këtë mjedis? A mund të përmendet balena si metaforë për shtetin si organizatë ose situatë e caktuar shoqërore-politike moderne?
Në versetin e mëparshëm të Librit e kemi shembullin e balenës si inkubator inkurajues i pjekjes së qëndrimeve të caktuara të jetës së një pejgamberi të gjunjëzuar. Ka të bëjë me pejgamberin Junus, a.s., i cili e kishte obligim të ndryshojë shprehitë dhe praktikën e popullit të vet, por shumë shpejt u dëshpërua nga njerëzit për shkak të pritjeve të mëdha personale. Kjo qasje e gabuar në misionin e tij, si rezultat i qëndrimit mental të gabuar, të miratuar më herët, bëri që shumë shpejt të lodhet, të gjunjëzohet dhe t'i adresohet mallkimit dhe negativizmit.
Junusi, a.s., pas absorbimit të të dhënave të shumta jetësore në punë me njerëzit dhe pas artikulimit të qartë të dëshpërimit personal, sipas urdhrit të Dëshmitarit më të Mirë, përfundon në barkun e balenës, pa dyshim i sjellë në rrugë pa krye, nga e cila duhet të gjejë dalje.
Junusi, a.s., shpejt kupton çfarë ndryshimi pritet nga ai dhe e ndryshon profilin psikologjik të personalitetit të tij, duke refuzuar në tërësi rolin e gjykatësit, duke u fokusuar në radhë të parë në kualitetin e komunikimit dhe duke u dhënë mjaft kohë dhe hapësirë njerëzve që të mos e zhgënjejnë. Ky
qëndrim i ri i pranuar qartë artikulon në formë të pendimit dhe merr shansën e re që të formësojë me energji të re në hapësirën dhe kohën e caktuar.
Balena e Junusit, a.s., si sistem shtazor është metaforë e bukur për një sistem shtetëror të caktuar, p.sh. BeH postdejtonike, e cila përmes gjithë kufizimeve të saj edhe sfidave ekonomike dhe politike mund të shërbejë si inkubator për pjekuri të një gjenerate të tërë, e cila do të rritë sistemin e
përmendur vetëm nëse i ndryshon qëndrimet mentale të gabuara (negativiste).


Alkimistja emocionale


A thua Merjemja, nëna e Isait, a.s., është alkimistja emocionale më e njohur për shkak se ka ditur që sasinë shumë të madhe të klimës shoqërore negative të kohës së saj ta inkubojë dhe të përpunojë në diç të jashtëzakonshme fisnike dhe pozitive?
Përse në versetin më poshtë përmendet shprehja “freskoje syrin” (fjala “karr” arabisht nënkupton: freski, ftohtësi, gëzim) në kontekstin e gëzimit dhe a thua kjo shprehje fsheh një fakt fiziologjik?
“Ti, pra, ha dhe pi e qetësohu...” (Merjem, 26)
Alkimia emocionale është proces i transformimit të frustrimeve, përvojave negative dhe fyerjeve në emocione të vlefshme dhe fisnike, në të njëjtën mënyrë me të cilën alkimisti e shndërron plumbin në flori. Alkimistja më e njohur emocionale në Kuran, por edhe në historinë e njerëzimit, është Merjemja, nëna e Isait a.s..
Merjemja, sipas këshillës së Krijuesit, shpifjen kolektive për nderin e saj për shkak të shtatzënisë mbinatyrore e ka amortizuar me heshtje, d.m.th. me absorbimin e vetëdijshëm të të gjitha ofendimeve dhe shpifjeve si dhe me inkubimin e kësaj përmbajtjeje emocionale në temperaturën e lartë të re belimit, fyerjeve dhe dhembjes. Përmbajtja e përmendur pas përpunimit në inkubatorin e zemrës dhe mendjes së saj, pa asnjë konsum të shfrenuar të energjisë, e orientoi me kujdes në edukimin e djalit të saj, duke shmangur me mjeshtëri kurthet e vetëcfilitjes, arsyetimit dhe veprimit defansiv.
Merjemja nuk është personi i vetëm në Kuran të cilës i është rekomanduar heshtja në gjendjen e trazirave më të mëdha shpirtërore, si model më i mirë i deponimit (magazinimit) të fëmijëve emocionalë-intelektualë, të lindur para kohe.
Kjo na flet që trupi i njeriut mund të shndërrohet në inkubator për kultivimin e mendimeve dhe emocioneve, por edhe në inkubator për arritjen e pjekurisë së nevojave për të folur në procesin e përgatitjes për misionin pejgamberik, e që kjo është në heshtjen treditore që ka bërë Zekerijai a.s..
“Është e vërtetë se njeriu është i prirur të jetë i padurueshëm. Pse kur e godet ndonjë e keqe, ai ankohet së tepërmi. Ndërkaq, kur e gjen e mira, ai bëhet tepër koprrac. Përveç atyre që falen.” (El-Mearixh, 19-22)
Rëndësia e alkimisë intelektuale-emocionale është theksuar edhe në versetet e mësipërme, në të cilët potencohen reaksionet e përgjithshme të shumicës së njerëzve në të dhënat e jetës e kjo është shqetësimi në vështirësi, si dhe kryelartësia dhe vetëkënaqësia në të mirën.
Përveç atyre që falen. Ndërkaq ata që falen (musal-linjtë) janë njerëz që namazin e kuptojnë si inkubator dhe për çdo ditë në pesë termine ua ekspozojnë mendimet dhe emocionet e tyre temperaturës së veçantë të bindjes, e cila është krijuar si rezultat i ridefinimit të fenomeneve të të mirës dhe të keqes.
Kurani në shumë vende thekson tërë relativitetin e termave të së mirës dhe të së keqes (El-Bekare, 216; En-Nisaë, 19), duke na mësuar vëzhgimin e nuancuar në të gjitha situatat e jetës (dhembja-lumturia, vdekja-jeta, sëmundja-shëndeti, armiqësia-miqësia etj.).
Nuk ka inkubim të emocioneve të forta dhe të fuqishme pa mendime të forta dhe të fuqishme, sepse emocionet nuk krijohen në vakuum, por i ndjekin mendimet ashtu siç zogjtë e vegjël e ndjekin nënën e tyre në natyrë. Mendime dhe emocione të forta nuk ka pa shqetësim, ndërsa shqetësim nuk ka pa kataklizma. Bërthama e planetit Tokë, nga e cila jemi të krijuar, është e përbërë nga llava e lëngët, e ndezur flakë dhe e trazuar. Themeli i qenies njerëzore është shqetësimi i brendshëm - si forcë lëvizëse e tij më e madhe, e cila e bën që të veprojë i frustruar dhe i pakënaqur ose e nxit që të kapë arritjet më të mëdha. Ventilët shkarkues të planetit Tokë i ndihmojnë asaj që të mbetet në një copë për shkak të vlimit të paimagjinueshëm të llavës, por të domosdoshme të saj, e cila gjëmon dhe gufon në bërthamën e saj, duke ndikuar në lëvizjen e Tokës, rritje të jashtëzakonshme dhe “shpërthime tërbuese” të kohëpaskohshme, vullkane dhe tërmete.
Njerëzit shqetësimin e vet e trajtojnë me një gamë të gjerë të qasjeve që nga luga, gota, shkopi i peshqve, reketës sportive, zhurmës së diskotekës e deri tek shpata, pushka dhe pena, të gjitha në varësi nga niveli i arsimimit. Mu për këtë, Krijuesi i teston njerëzit me material të mirë - virtyte, me sprovat më të mëdha të mundshme, mos vallë në mendjet dhe zemrat e tyre krijohet temperatura e lartë e mjaftueshme, e nevojshme për mprehjen e tyre dhe për krijimin e potencialit depozitues të mjaftueshëm.
Për këtë, dhembja intensive të cilën e përjetojmë kur nervat tona tendosen deri te kufiri i plasaritjes është mënyra më e mirë e zgjerimit të kapacitetit tonë intelektual dhe atij emocional.
Nëse e trajtojmë shqetësimin (ankthin) në mënyrën si e bëjnë musal-linjtë (falësit e rregullt), shqetësimi bëhet vorbull konstruktive e energjisë, e cila ndikon në hovin e gjymtyrëve tona dhe në shpejtësinë kognitive.


Martesa si inkubator


Martesa është inkubator i përkryer për absorbimin e gjitha shqetësimeve (anktheve) të mundshme, të cilat i bart në zemrën tonë bashkëshortja jo e përkryer. Vonesat, xhelozia, kundërvënia e përhershme, teket, “mushkonjat”, mohimi i begative, josensibiliteti, vrazhdësia etj., janë elemente të përsosura dhe të pashmangshme për përpunim në inkubator, i
cili quhet jeta martesore. Bashkëshortët, të cilët shqetësimet personale, të shkaktuara me vonesat kronike të bashkëshortes, p.sh., i kanalizojnë përmes edicionit të librave të caktuar të xhepit, do të shohin se lexojnë nga 1000 faqe në interval të shkurtër kohor, duke amortizuar në këtë mënyrë pritjen e tyre.
Bashkëshortet, të cilat ankthet e tyre, të shkaktuara nga kuptimi se jetojnë pranë siluetave të zbehta mashkullore, pa ambicie dhe vetëdije kolektive, i kanalizojnë në arsimim shtesë dhe kultivimin e mendimeve dhe emocioneve fisnike, inkubojnë me mençuri përvojën martesore përmes rritjes personale.
Asia, gruaja e faraonit, si njëra nga dy gratë më të zgjedhura të botës, është shembulli më i mirë i bashkëshortes, e cila, duke iu falënderuar reaksioneve të mençura për bashkëjetesë me personifikimin e padrejtësisë dhe tiranisë, një martesë fatkeqe transformoi në inkubator të përkyer në të cilin i përpunoi (procesoi) të gjitha negativitetet dhe padrejtësitë dhe këtë energji të proceduar e drejtoi në lutje dhe në vizion të qartë të ardhmërisë:
“...Zoti im, më bëj një vend pranë mëshirës Tënde në Xhenet, më shpëto prej faraonit e brutalitetit të tij dhe më shpëto prej popullit mizor!” (Et-Tahrim, 11)


Procesi i qarjes në inkubacion


Inkubacioni nënkupton fleksibilitet, përshtatje dhe ndjenjë për nuanca, mu sikurse martesa apo çfarëdo forme e organizimit njerëzor.
Rëndësia e nuancave më së qarti është skicuar në larmishmërinë e krijimtarisë së Allahut të Madhërishëm (p.sh. ngjyrat, llojet e polenizatorëve, ylberi, gjenetika etj.), por edhe në versetet e qarta në Libër:
“...Edhe kopshtie me hardhi, ullinj e shegë të ngjashme (në dukje) e të llojllojshme (në shije)...” (El-Enamë, 99)
Ndjenja për nuanca është e kushtëzuar me sensibilitetin e personit, ndërsa sensibilitet nuk ka pa lëmim (retifikim) të brendshëm. Mjetet kryesore për mprehje të brendshme janë sprovat, ndërsa argument që sprovat janë efikase janë lotët.
Kurani në shumë vende thekson rëndësinë e qarjes në ndërtimin e personalitetit:
“E po qeshni dhe nuk po qani?” (En-Nexhm, 60)
“Dhe duke qarë hidhen me fytyra...” (El-Israë, 109)
“...Kur u lexoheshin atyre ajetet e Zotit, binin në sexhde dhe qanin.” (Merjem, 58)
Madje edhe Dëshmitari i Lartësuar nxjerr në pah se Ai është i Cili i lëviz këto procese të rëndësishme në ngritjen e shëndoshë dhe stabile të njeriut:
“Dhe Ai bën për të qeshur dhe bën për të qarë.” (En - Nexhm, 43)
Zemrën si inkubatori më i rëndësishëm, Iblisi dëshiron ta nxjerrë nga funksioni përmes mbylljes së ventilave kryesorë me shtresat (sedimentet) e mëkateve të zeza dhe pastaj proceset e absorbimit dhe inkubacionit janë të pamundësuar. Është interesant të vëzhgohet Xhehenemi si inkubator me temperaturë jashtëzakonisht të lartë, i projektuar për gjallërimin e zemrave të vdekura. Nëse bjerr mundësinë për t’i njohur inkubatorët e shumtë gjatë hapërimit tërë jetën, kështu që nuk i shfrytëzojmë për pjekurinë e organit më fisnik të njeriut, në fund gjithmonë pret inkubatori i pashmangshëm, i cili tret edhe gurin më të fortë siç e tret djathin, e lëre më të djegurat (shkrumbin) prej të cilave nuk kemi hequr dorë.
Ja verseti i cili pason flet për qarjen si proces për zbutjen e zemrave të ngurtësuara dhe natyralizimin e materialit njerëzor të Xhehenemit:
“Le të qeshin pak (në dynja) e le të qajnë shumë (në botën tjetër)...” (Et-Teube, 82)
Çfarë mund të jenë lotët dhe cili është përkufizimi i vajit (qarjes)?
Në kuptimin e pastër shkencor qarja (vaji) sipas definiconit është proces i mënjanimit të substancave të dëmshme (toksike), të cilat grumbullohen gjatë periudhës së stresit.
Kështu, lotët pos që sensibilizojnë dhe dëshmojnë në mprehjen e botës së brendshme personale, gjegjësisht ndërtimin e deponisë luksoze dhe të pastruar për foshnjet tona intelektuale dhe emocionale, të lindura para kohe, po ashtu reduktojnë stresin dhe efektet, siç është tensioni i lartë dhe humbja e flokëve.
Përse në versetin: “Ti pra, ha dhe pi e qetësohu (fresko syrin)...”, (Merjem, 26) pos udhëzimit praktik për t'u sjellur në situatat stresogjene, e kjo është këshillë e Zotit, Merjemes që gjatë futjes së ushqimit në organizmin e saj të jetë e gëzuar dhe e relaksuar, përmend shprehjen interesante “fresko syrin” në kontekstin e gëzimit dhe a thua Krijuesi Kreativ në këtë shprehje e ka fshehur edhe një fakt fiziologjik?
Përgjigjja është pozitive pasi që lotët e pikëllimit janë të nxehtë dhe të njelmët, ndërsa lotët e gëzimit janë të ftohtë dhe të ëmbël, gjë që e kanë argumentuar shkencëtarët.
Por, jo vetëm kjo! Shkencëtarët kanë bërë eksperimente me synimin që të kuptojnë cili është dallimi në mes lotëve të shkaktuar nga irritimi (p.sh. grirjes së qepës) dhe lotëve të shkaktuar nga emocionet e thella, p.sh. të stimuluar me ndonjë pamje pikëlluese (melodramë)?
Kanë konstatuar që lotët e provokuar nga melodrama, domethënë të shkaktuar nga ndikimi i emocioneve të sinqerta, bartin në vete shumë më tepër material toksik sesa kur kemi të bëjmë me lotët që janë rezultat i irritimit të thjeshtë.
Njerëzit të cilët nuk mund të qajnë për arsye të ndryshme, ballafaqohen shumë më rëndë me stresin jetësor. Duke e ditur këtë, na bëhet i qartë theksimi i Krijuesit për rëndësinë e të qarit (vajit) në shumë versete.
A thua fshehtësia e forcës së madhe psikologjike të brezit të parë të myslimanëve ka qenë në faktin se kanë pasur net jashtëzakonsht të trazuara emocionale (p.sh. qarja në namazin e natës) dhe përditshmëri jashtëzakonisht të kthjelltë dhe aktive?


Konkluzion


Për deponimin e çfarëdo gjëje, në veçanti emocioneve, nevojitet lëvizje e përhershme, gjegjësisht udhëtime. Kompoenta themelore e inkubatorëve biznesorë dhe internet inkubatorëve është edukimi dhe këshillimi (konsultimi) i përhershëm. Inkubatori më i rëndësishëm i Muhamedit a.s. në periudhën mekase ka qenë Miraxhi, i cili ndodhi gati për 12 vjet të absorbimit të përvojave të ndryshme të shumta (dhembje, stres, goditje, bojkotime, shpifje, vdekje etj.) në konflikt me popullin e tij. Miraxhi, gjegjësisht udhëtimi nëpër shtatë qiej dhe takimi me pejgamberët e mëparshëm në këtë rrugë, ka pasur për qëllim pikërisht konsultimin (këshillimin) dhe shkëmbimin e përvojave me kolegët e të njëjtit profesion! Secili udhëtim mund të jetë rast për konsultim dhe mbindërtim si rezultat i reflektimit të shpejtë, i nxitur me dinamikë më të madhe të jetës.
Procesi më i rëndësishëm në secilin inkubator është lëshimi i lotëve (gjakut dhe djersës).
Në mënyrë që për çdo moment të jemi në gjendje të derdhim lotin, duhet të jemi të përgatitur për të udhëhequr jetë proaktive, e cila me vete bart shumë rreziqe, dashuri të pakthyera, përvoja të këqija, dhembje dhe sakrifica.
Emocionet e deponuara duhet t'i dhurojmë pa egoizëm dhe për çdo ditë t'i harxhojmë deri në fund, në mënyrë që gjatë natës të absorbojmë energjinë e re dhe të veprojmë rishtazi dhe më aktivisht edhe më tej. Deponimi tejet i gjatë i mendimeve dhe emocioneve kërcënon njësoj sikur deponimi tepër i gjatë i lajthive, me procesin e kalbëzimit. Meqë jeta është ajo që na ndodh derisa presim rastin ideal, Muhamedi, a.s. paralajmëron:
“Faleni namazin sikur të jetë i fundit!” (Ahmedi), duke na mësuar që, nëse për çdo namaz duhet të investojmë 100% koncentrim dhe përpjekje, asgjë nuk është ndryshe as me secilën ditë tonën, kontakt, mendim ose emocion.



Prof. dr. Edin Tule
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi
Takvim - kalendar 2020


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Rikthimi te rrënjët, vakëfi dhe historia që u ringjall në konferencë