Allahu i lartësuar e urdhëroi të Dërguarin e Tij të falte namazin e tehaxhudit(1)
“Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kur'anin - namazin), është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm”.(2)
Megjithëse ky ligj iu drejtua veçanërisht Profetit (s.a.), ai poashtu u drejtohet të gjithë muslimanëve duke qenë se Pejgamberi (a.s.) është shembulli dhe udhëheqësi i tyre në çështje të tilla.
Ata të cilët e kryejnë rregullisht namazin e natës janë ata vepërmirët dhe ata të cilët i meritojnë më së shumti mirësitë dhe mëshirën e Zotit. Allahu thotë:
“Të devotshmit janë në kopshte e burime. Të kënaqur se kanë shtënë në dorë atë që u dha Zoti i tyre, ata edhe më parë (në Dunja) ishin mirëbërës. Ata qenë të cilët pak flinin natën. Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet”.(3)
Allahu i ngriti dhe i vlerësoi veprat e atyre që e falin namazin e natës.
“E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!” Dhe që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke i bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen)”.(4)
Allahu dëshmon besimin e tyre në shenjat e Tij. Ai thotë:
“Argumentet tona i besojnë, në të vërtetë, ata që kur këshillohen me to, bien në fytyra (bëjnë sexhde), që madhërojnë Zotin e tyre në shenjë falënderimi dhe ata nuk bëjnë kryelartësi, I heqin trupat e tyre prej dyshekëve, duke e lutur Zotin e tyre nga frika dhe nga shpresa dhe nga ajo që Ne ua kemi dhënë (pasuria) atyre, ata japin.(5)
Pra për ata që kanë vepruar nuk di askush për atë kënaqësi (të zemrës e të shpirtit) që u është caktuar atyre si shpërblim.
Allahu shpallë se ata që nuk i zotërojnë këto cilësi nuk janë të barabartë me ata që i zotërojnë:
“(A jobesimtari e ka gjendjen më të mirë) Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet? Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” Po, vetëm të zotët e mendjes marrin mësim.(6)
Hadithet ne lidhje me tehaxhudin
Pjesa e siperme u përqendrua kryesisht në atë çka thotë Allahu rreth atyre që e falin namazin e natës. Por, ka edhe një sërë hadithesh që e përforcojnë rëndësinë e këtij namazi.
Abdulla bin Selem tregon se, kur Pejgamberi (a.s.) shkoi në Medine, njerëzit u mblodhën rreth tij, dhe ky kishte qenë njëri ndër ta. Fjalët e para që i kishte dëgjuar nga Pejgamberi (a.s.) ishin: “O njerëz! Përhapni selamin, ushqeni njerëzit, mbani lidhjet me farefisin dhe faluni gjatë natës kur të tjerët flenë dhe do të hyni në Parajsë në paqe”.(7)
Selman El Farisi tregon se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: Faleni namazin e natës pasi atë e praktikonin të mirët para jush, dhe ai ju sjell juve më afër me Zotin tuaj, dhe ai është pendim për veprat tuaja të këqija dhe i fshin mëkatet tuaja dhe largon sëmundjen nga trupi juaj”.
Sehl bin Sad tregon: “Xhibrili shkoi tek Pejgamberi (a.s.) dhe i tha: “O Muhamed! Jeto sa të duash, por dije se do të vdesësh. Kryej çdo vepër që dëshiron sepse për te do të shpërblehesh. Duaj atë që dëshiron, por dije se do të ndahesh. Dije mirë se nderi i besimtarit është në namazin e natës dhe merita e tij është të qenit i lirë nga nevojat për njerëzit”.
Ebu Derda tregon se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Tre njerëz i do Allahu dhe qesh me ta, dhe i përgëzon ata me lajme të mira; (I pari është) një njeri i cili lufton pas një grupi që tërhiqet dhe vepron kështu me shpirtin e tij për hir të Allahut pavarësisht nëse vritet apo ndihmohet nga Allahu dhe del fitimtar. Allahu thotë: “Vështrojeni robin Tim i cili është i durueshëm me jetën e tij për hatrin Tim”. (I dyti) Një njeri i cili ka një grua të bukur dhe një shtrat të rehatshëm dhe ngrihet gjatë natës. Allahu thotë: “Ai i le dëshirat dhe më kujton Mua dhe nëse do të dëshironte ai mund të flinte”. (I treti) Një njeri i cili udhëton me një grup dhe ata e kalojnë natën zgjuar dhe më pas flenë, por ai akoma e kryen namazin e tij në vështirësi apo në rehati”.
Rregullat e namazit të natës
Veprat e mëposhtme janë sunete për atë që dëshiron të falë namazin e natës:
Para se të bjer për të fjetur, ai duhet ta bëjë nijetin për të falur namaz nate. Ebu Derda tregon se Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kushdo që shkon për të fjetur me nijetin për të falë namaz nate dhe gjumi e kaplon derisa vjen mëngjesi, ai do të llogaritet sikur e ka kryer atë që ka pasur për qëllim dhe gjumi i tij do të jetë një bamirësi për të nga Zoti i tij”.(8)
Pas zgjimit, besimtari duhet ta fshij fytyrën, të përdor misvak, të vështroj qiellin dhe të bëjë duanë e cila është transmetuar nga Pejgamberi (a.s.): “Nuk ka zot tjetër përveç Teje, Madhështia të takon vetëm Ty, kërkoj falje tek Ti për mëkatet e mia dhe kërkoj mëshirën Tënde. O Allah! Ma shto diturinë dhe mos e lako zemrën time pasi Ti më ke drejtuar, më dhuro mëshirën Tënde! Të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Allahut, i cili na e ktheu jetën pas vdekjes dhe vetëm tek Ai është kthimi”.
Më pas duhet të këndojë dhjetë ajetet e fundit të sures Ali Imran, duke filluar me: “Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt.” Më pas duhet të thotë: “O Allah, Ty të takojnë të gjitha falënderimet. Ti je drita e qiejve dhe e tokës dhe çdo gjë që ka mes tyre. Ty të përkasin të gjitha falënderimet. Ti je e vërteta dhe premtimi Yt është i vërtetë. Takimi me Ty është i vërtetë. Xheneti Yt është i vërtetë dhe Xhehenemi është i vërtetë. Pejgamberët janë të vërtetë dhe Ora (Dita e gjykimit) është e vërtetë. O Allah! Ty të jam nënshtruar, Ty të kam besuar dhe tek Ti e kam mbështetur çështjen time. Tek Ti jam kthyer dhe me Ty pajtohem. Tek Ti kthehem për vendimet e mia. Më fal mua dhe mëkatet e mia të mëparshme dhe të mëvonshme, ato që i kam bërë në fshehtësi dhe ato që i kam bërë haptazi. Ti je Allahu dhe nuk ka zot përveç Teje”.
Besimtari duhet ta filloj cijame el-lejl (namazin e natës) me dy rekate të shpejta dhe pas tyre ai mund të falet sa të dëshirojë. Aishja (r.a.) tregon se kur Pejgamberi (a.s.) falej gjatë natës, ai i fillonte namazet e tij me dy rekate të shpejta.(9)
Besimtari duhet të ngrejë edhe familjen e tij. Ebu Hurejra transmeton se Pejgaberi (a.s.) ka thënë: “Allahu e bekoftë atë njeri që ngrihet gjatë natës për t’u falur dhe e zgjon gruan e tij, dhe nëse ajo refuzon, ai e spërkat me ujë fytyrën e saj”.
Gjithashtu, Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Nëse një burrë e zgjon gruan e tij dhe falet gjatë natës, ose ata së bashku falin dy rekate, ata do të llogariten ndër ata njerëz të cilët e përkujtojnë Allahun vazhdimisht”.(10)
Ummu Seleme tregon se Pejgamberi (a.s.) u ngrit gjatë natës dhe tha: “Lavdërimi i takon vetëm Allahut. Çfarë gjurmësh zbresin me natën dhe ç’thesare zbresin gjatë saj. Kush do t’i zgjojë banoret zonja të dhomave (d.m.th. gruan e tij) për namaz? Sa shumë të veshur të kësaj bote do të jenë të zbathur në botën tjetër”.(11)
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se i Dërguari i Allahut (a.s.) e pyeti Aliun dhe Fatimen: “A nuk po faleni (gjatë natës)? Ali tha: “O i Dërguari i Allahut (a.s.), ne jemi në duart e Allahut. Nëse Ai dëshiron të na ngrejë ne, ne ngrihemi.” Pejgamberi (a.s.) u largua kur ai tha kështu. Më pas ata arritën ta dëgjonin atë duke goditur kofshën e tij dhe duke thënë: “Me të vërtetë që njeriu është shumë kundërshtues”.(12)
Nëse ndonjë ndihet shumë i përgjumur, ai duhet ta ndërpres namazin dhe të flejë. Aishja (r.a.) tregon se O i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “nëse ndonjëri prej jush ngrihet gjatë natës për t’u falur dhe këndimi i Kur’anit i ngatërrohet për shkak se nuk është i ndërgjegjshëm për atë që thotë atëherë ai duhet të shtrihet”.(13)
Enesi (r.a.) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) hyri në xhami dhe pa një litar të varur mes dy shtyllave. Ai pyeti: “Çfarë është ky?” njerëzit i thane sa ai është për Zejneb bintu Xhahshin, e cila kur lodhej mbahej në te (që të qëndronte për t’u falur). Pejgamberi (a.s.) tha: “Hiqeni atë litar. Ju duhet të faleni për aq kohë sa keni fuqi dhe nëse lodheni ju duhet të shtriheni për të pushuar”.(14)
Besimtari nuk duhet ta mbingarkoj veten me namaz nate dhe duhet të falet aq sa ai është i arsyeshëm dhe të mos e braktis atë praktikë nëse nuk ka ndonjë nevojë të madhe për të vepruar kështu.
Aishja (r.a.) tregon se O i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Bëni vepra të mira sipas mundësive tuaja. Betohem në Allahun se Ai nuk lodhet së dhëni shpërblim nëse ju nuk lodheni duke bërë vepra të mira”.(15)
Gjithashtu, Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aishja (r.a.) se i Dërguari i Allahut (a.s.) u pyet: “Cila është vepra më e mirë tek Allahu?” Ai u përgjigj: “Ajo që kryhet në mënyrë të vazhdueshme, madje edhe nëse është e vogël”.
Po ashtu, Muslimi transmeton se Aishja (r.a.) ka thënë se i Dërguari i Allahut (a.s.) ishte i vazhdueshëm në veprat e tij, nëse bënte diçka ai do ta bënte atë vazhdimisht. Abdullah bin Omeri tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) i ka thënë atij: “O Abdullah! Mos u bëj si filani e filani që e kishin zakon ta falin namazin nate dhe pastaj e ndërprenë atë”(15)
Buhariu dhe Muslimi gjithashtu transmetojnë nga Abdulla bin Mesudi se i kishin thënë të Dërguarit të Allahut (a.s.) se një burrë flinte deri në mëngjes. Nisur nga kjo ai tha: “Shejtani ka urinuar në veshët e atij njeriu”. Ata gjithat transmetojnë nga Selim bin Abdullah bin Omer, nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut (a.s.) i ka thënë të atit të tij: “Abdullahu do të ishte një burrë i mirë nëse do të falte namazin e tehaxhudit”. Me pas Selimi tregon: “Pas asaj Abdullahu nuk flinte gjatë natës përveç një kohe të shkurtë të saj”.
Koha e këshilluar për tehaxhud
Namazi i natës mund të falet në pjesën e parë të natës, në të mesmen ose në atë të fundit, por pas namazit farz të jacisë. Kur e përshkruante namazin e Pejgamberit (a.s.) Enesi thoshte: “Nëse ne dëshironim ta shihnim atë duke u falur gjatë natës, ne mund ta shihnim atë duke u falur. Nëse dëshironim ta shihnim atë duke fjetur gjatë natës, ne mund ta shihnim atë. Disa herë ai agjëronte aq shumë ditë sa që ne mendonim se ai agjëronte gjatë gjithë muajit. Disa herë ai nuk agjëronte për aq shumë ditë sa që ne mendonim se ai nuk do agjëronte gjatë atij muaji”. (16)
Lidhur me këtë çështje Ibn Haxheri thotë: “Nuk kishte ndonjë kohë të caktuar në të cilën Pejgamberi (a.s.) do të falte namazin e natës, por ai do të kryente atë që ishte më lehtë për të”.
Koha më e pëlqyer për tehaxhudin
Më e mira është që namazi i natës të shtyhet në pjesën e tretë të saj. Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Zoti ynë zbret në qiellin më të ulët gjatë pjesës së tretë të natës duke thënë: “Kush është ai që më lutet Mua dhe Unë t’i përgjigjem atij? Kush kërkon falje nga Unë që ta falë atë?”(17)
Amër bin Abese tregon se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.) duke thënë: “Njeriu afrohet më së shumti tek Zoti i tij gjatë mesit të pjesës së fundit të natës. Nëse dikush është në mesin e tyre që e përkujtojnë Allahun e Lartësuar në atë kohë le të veproj ashtu”.
Njëherë, Ebu Muslimi e pyeti Ebu Dherrin: “Cili namaz nate është më i miri?” Ai tha: “Ai (që falet) në mes dhe pjesën e fundit të natës, dhe shumë pak e zbatojnë atë”(18)
Abdullah bin Amër tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Agjërimi më i dashur tëk Allahu është agjërimi i Davudit. Namazi më i dashur tek Allahu është namazi i Davudit. Ai flinte në gjysmën e natës dhe do të falej në pjesën e tretë të saj dhe pastaj flinte në të gjashtën e saj. Ai agjëronte një ditë dhe nuk agjëronte ditën tjetër”.(19)
Numri i rekateve që kryhen gjatë tehaxhudit
Namazi i tehaxhudit nuk përfshin një numër të caktuar rekatesh që duhet të kryhen dhe nuk ka asnjë maksimum të tillë të caktuar. Madje ai do të quhej edhe nëse ndokush do të falte vetëm një rekat namaz vitër pas namazit të detyrueshëm. Samura bin Xhundub thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s.) na urdhëroi të falim namaz nate, pak ose shumë, dhe të falnim të fundit namazin e vitrit”.(20)
Enesi tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Namazi në xhaminë time është i barabartë dhe dhjetëmijë namaze (në ndonjë vend tjetër).
Namazi në xhaminë e shenjtë është i barabartë me njëqind mijë namaze (ndokund tjetër). Namazi në fushëbetejë është i barabartë me një milion namaze (në ndonjë vend tjetër). Ajo çka është më tepër e vlefshme, janë dy rekate të robit (të Allahut) gjatë mesit të natës.
Ajs bin Muadhi tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Namazi i natës patjetër që duhet të falet, madje edhe nëse gjatësia e tij është aq sa mund të mjelësh një dele. Çdo gjë që falet pas namazit farz të jacisë është pjesë e tehaxhudit”.(21)
Është e pëlqyeshme të falen njëmbëdhjetë ose trembëdhjetë rekate. Ndokush mund të zgjedhë ose t’i falë bashkë ose t’i ndajë ato. Aishja (r.a.) thotë: “I Dërguari i Allahut (a.s.) asnjëherë nuk fali më shumë se njëmbëdhjetë rekate gjatë muajit të ramazanit apo jashtë tij. Ai falte katër regate, dhe mos pyesni se sa të përkryer e të zgjatur ishin ata! Pastaj ai falte katër rekate, dhe mos pyesni se sa të përkryer e të zgjatur ishin ata! Më pas ai falte tre regate. Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut (a.s.), a fle para se të falësh vitrin?” Ai u përgjigj: “O Aishe, sytë e mi flejnë po zemra ime jo”. Ky hadith transmetohet nga Buhariu dhe Muslimi, të cilët gjithashtu transmetojnë se El Kasim bin Muhamed pohoi se e kishte dëgjuar Aishen të thotë: “Gjatë natë i Dërguari i Allahut (a.s.) falte dhjetë regate dhe më pas ai falte vitrin me një rekat”.
Falja kaza e tehaxhudit të humbur
Muslimi transmeton se Aishja (r.a.) ka thënë: “Nëse Pejgamberi (a.s.) e humbte namazin e natës për shkak të dhimbjes apo diçka tjetër, ai falte dymbëdhjetë rekate gjatë ditës”.
Omeri tregon se i Dërguari i Allahut (a.s.) ka thënë: “Kushdo që flenë gjatë pjesës së tij të plotë (gjatë namazit të natës pa e falur atë kur e ka bërë zakon) ose një pjesë të tij, ai duhet të falet mes agimit dhe namazit të drekës dhe kështu do të llogaritet si ai që është falur gjatë gjithë natës”(22)
____________________
1. Një namaz vullnetar që falet në kohën mes jacisë dhe sabahut. Është e pëlqyeshme të falet në pjesën e tretë të natës
2. El Isra, 79
3. Edh Dharijat, 15-18
4. Furkan, 63-64
5. Es Sexhde, 14-16
6. Ez Zumer, 9
7. Transmeton Hakimi, Ibn Maxhe dhe Tirmidhiu, i cili e quan hasen dhe sahih
8. Ky hadith transmetohet nga Nesaiu dhe Ibn Maxhe me një zinxhir të vërtetë transmetimi
9. Transmeton Muslimi
10. Transmetohet nga Ebu Davudi dhe të tjerët me një zinxhir të saktë transmetimi
11. Transmeton Buhariu
12. Transmeton Buhariu dhe Muslimi
13. Transmeton Muslimi
14. Transmeton Buhariu dhe Muslimi
15. Transmeton Buhariu dhe Muslimi
16. Transmeton Ahmedi, Buhariu dhe Nesaiu
17. Transmeton “Grupi”
18. Transmeton Ahmedi me anë të një zinxhiri të besueshëm
19. Transmeton “Grupi” përveç Tirmidhiut
20. Transmeton Taberaniu dhe Bezari
21. Transmeton Taberaniu dhe të gjithë përcjellësit e tij janë të besueshëm përveç Muhamed bin I’shakut
22. Transmeton “Grupi”, përveç Buhariut
Pjesë e shkoqitur nga libri “Fikhus Sunneh”