“Nuk ju ndalon Allahu, ndaj atyre që nuk ju kanë luftuar në fe dhe nuk ju kanë nxjerrë prej shtëpive tuaja, që të silleni mirë ndaj tyre dhe të jeni të drejtë me ta. Me të vërtetë Allahu i do të drejtët”.(1)
Termi xhihad, në mesin e terminologjisë islame, është termi më i deformuar dhe më i shfytyruar prej medias dhe qarqeve të caktuara dashakeqe, që pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Disa janë munduar ta paraqesin si terrorizëm dhe disa të tjerë si luftë e shenjtë, të ngjashëm me luftërat e shenjta të kryqëzatave në periudhën e mesjetës.
Përmes deformimit dhe shfytyrimit të termit xhihad, qëllimi është të sulmohet dhe akuzohet Islami, duke e quajtur fe të dhunës e të imponimit me forcë, por në fakt, Islami nuk ka lidhje as me terrorizmin dhe as me luftën e shenjtë, as nga afër dhe as nga larg. Zoti (xh.sh) thotë në Kuran, i cili është edhe burimi kryesor i gjithë sheriatit dhe dispozitave islame:
“Kush vret dikë, që nuk ka vrarë njeri, apo shkatërron në tokë, është sikur të vrasë njerëzit mbarë dhe kush e ngjall (shpëton) atë, është sikur të ketë ngjallur (shpëtuar) njerëzit mbarë”.(2)
Në lidhje me xhihadin, dr. Jusuf El-Karadavi, në parathënien e librit të tij “Fikhul-xhihad” thotë: “Xhihadi në Islam” është prej temave më të rëndësishme dhe më prekëse, për shkak të vlerës dhe rëndësisë që ka në ruajtjen e identitetit të ymetit dhe mbrojtjen e ekzistencës së tij materiale e shpirtërore dhe të Mesazhit, i cili është arsyeja e ekzistencës dhe vazhdueshmërisë (mbijetuarit).
Por, është prej rreziqeve dhe mungesës së të kuptuarit gjithashtu që të kuptohet xhihadi jo në formën e tij dhe të vendoset jo në vendin që i takon, kështu të lejohet derdhja e gjakut haram, jetëve të pafajshme dhe të lejohen në emër të tij harame (të ndaluara) pasurore e shkatërrime pa të drejtë. Për shkak të kësaj akuzohen myslimanët e Islami, për dhunë, terrorizëm e mësymje, ndërkohë që Islami është i pastër (i pafajshëm) prej kësaj akuze. Kjo ishte ajo, çfarë ndodhi pas 11 shtatorit 2001, ku Islami u bë i akuzuari i parë, si frymëzues i dhunës e i terrorizmit në botë”.(3)
Po, çfarë është në të vërtetë xhihadi, ky term kaq i diskutuar dhe i debatuar në mediet e kohës sonë? Nga ana gjuhësore, fjala xhihad do të thotë: “Të bësh përpjekje, pra të japësh mund, aftësi, zotësi etj.” ose durim në mundime dhe vështirësi. Kjo fjalë dhe derivatet e saj janë përmendur 34 herë në Kuran,(4) si p.sh:
“O ti njeri! Me të vërtetë ti përpiqesh për te Zoti yt dhe atë përpjekje do ta gjesh (do ta arrish)”.(5)
Edhe pse kjo fjalë është bërë e njohur si luftë për triumf të fesë dhe mbrojtje të shenjtërimeve të saj, por më poshtë, do të shohim përmes ajeteve kuranore dhe haditheve profetike, se kuptimi i kësaj fjalë është shumë më i gjerë sesa lufta dhe mbrojtja. P.sh, Imam Ibnul-Kajjim në librin e tij “Zadul-Mead”, numëron 13 lloje xhihadesh: Xhihadi i nefsit, xhihadi i shejtanit, xhihadi i fesadit, i zullumit (padrejtësive) dhe i gjërave të ndaluara në shoqëri, xhihadi i hipokritëve, xhihadi i thirrjes dhe kumtimit, xhihadi i durimit dhe vetpërmbajtjes, xhihadi me armë ndaj armiqve etj.
Ndërsa, sipas sheriatit, disa e kanë përkufizuar xhihadin si: “Të bësh përpjekje dhe mund në luftë, në rrugën e Zotit me jetë, me pasuri, me ide, me gjuhë etj.”.(6)
Shejk Ibn Tejmije thotë: “Xhihadi i urdhëruar mund të jetë me zemër: Vendosmëria për të, me thirrje (dave) në Islam dhe dispozitat e tij, me argumente: Pra ngritja e argumenteve ndaj të pavërtetave, me sqarime: Duke sqaruar të vërtetën dhe duke larguar dyshimet, me ide dhe mendime, në të cilat ka dobi për myslimanët, me trup: Pra, me luftë duke dhënë jetën, kështu që xhihadi është detyrë me synim të arritjes së ndonjë prej këtyre qëllime të lartpërmendura etj.”(7)
Dr. Karadavi, duke përmbledhur thëniet e dijetarëve për xhihadin, shprehet se xhihad do të thotë: “Bërja e myslimanit përpjekje dhe mund në ballafaqim me të keqen, në largimin e së pavërtetës, duke filluar me xhihadin e së keqes ndaj vetes me mashtrimet e shejtanit të tij, së dyti me xhihadin në përballje me të keqen brenda shoqërisë përreth tij, duke mbaruar me largimin e së keqes kudo që gjendet, me aq sa ka mundësi.”(8)
Kurse, dr. Abdulaziz El-Kariu për xhihadin, thotë: “Xhihadi, në kuptimin e tij të përgjithshëm, përfshin komplet jetën e individit dhe të shoqërisë, me të gjitha aspektet e tyre të ndryshme, filozofike, ekonomike, politike, shoqërore dhe konflikti përfshin armiq të shumtë, përfshin nefsin dhe epshet e dëshirat e tij, vesveset e shejtanit, shejtanëve të xhinëve dhe njerëzve, ku vesveset e tyre janë dy llojesh: Njëri lloj ka të bëjë me mbjelljen e dyshimeve dhe lloji tjetër me pasimin e epsheve. I pari luftohet me përhapjen e diturisë dhe akides së saktë, ndërsa lloji i dytë me përhapjen e fisnikërisë, moralit të lartë dhe këshillave ndaj njerëzve për forcimin e besimit të tyre. Të gjitha këto janë prej xhihadit të madh, veçanërisht kur, cytësit e dyshimeve dhe të epsheve, sot po përdorin mjete të ndryshme ndikuese si: mediet, arsimin, ekonominë dhe në pjesën më të madhe, kjo arrihet me mbështetjen e projekteve të personazheve politike, drejtuese dhe zbatuese”.(9)
Kurani famëlartë dhe tradita profetike për luftën, xhihadin dhe paqen
Kuranit famëlartë:
Allahu i Madhëruar, në Kuranin famëlartë, thotë: “Luftoni në rrugën e Allahut, ata të cilët ju luftojnë dhe mos mësyni (tejkaloni caqet), sepse Allahu nuk i do ata që mësyjnë...”10, përmes këtij ajeti, Zoti (xh.sh) tregon se lejohet të luftosh, nëse je sulmuar dhe po të lufton dikush.
“Nuk ka imponim në fe, është sqaruar udhëzimi prej humbjes”.(11)
Alija Izetbegoviqi shprehet kështu: “ Kur është fjala për bindjet e njerëzve, me ndalime dhe me forcë nuk arrihet asgjë.. Kurani e ka përmendur në një fjali të shkurtër “Nuk ka dhunë në fe”, nëse këtë e komentojmë pak më gjerësisht, do të kemi: Në besim, në atë që njerëzit mendojnë, nuk ka dhunë. Sikur idetë të ndaloheshin me kërcënime, rrahje, polici dhe burgje, kjo komunistëve do t’u shkonte për dore, sepse më shumë se të tjerët janë shërbyer me këto metoda. Përvoja e sistemit komunist dhe disfata e tij kanë dëshmuar përgjithmonë - është njëlloj eksperimenti historik - se kjo s’është e mundur”12. Prandaj, në asnjë mënyrë nuk lejohet të ushtrohet presion ndaj dikujt për të besuar.“
Ç’keni ju që nuk luftoni në udhë të Allahut dhe për shpëtimin e të shtypurve: për meshkujt e pafuqishëm, gratë dhe fëmijët ... “(13), pra Allahu e ka bërë shpëtimin e të dobëtve prej kthetrave të tiranizmit, qëllim prej qëllimeve të luftës (pra xhihadit) në Islam.“Nëse anojnë nga paqja, atëherë dhe ti ano drejt saj dhe mbështetju Allahut, Ai është Dëgjuesi i Dijshmi”(14), pra lufta është mjet i përkohshëm dhe nëse paqja është e mundshme, atëherë lufta duhet të ndërpritet.
“Dhe, luftoni idhujtarët mbarë, ashtu siç ju luftojnë juve mbarë”(15), pra bashkohuni të gjithë së bashku në luftë ndaj tyre, ashtu siç janë bashkuar e tubuar të gjithë për t’ju luftuar edhe ju, silluni siç janë sjellë ata me ju.”
“Dhe, përgatituni ndaj tyre, sa të keni mundësi force e kuajsh, për të frikësuar armiqtë e Allahut dhe armiqtë tuaj”(16), kjo është një politikë ushtarake e shteteve të forta dhe të fuqishme, të cilat kanë përvetësuar për vete të gjitha llojet e armëve, të lejuara e të palejuara, e nuk pranojnë dhe nuk lejojnë që shtetet e tjera të bëjnë një gjë të tillë.
“Nuk ju ndalon Allahu, ndaj atyre që nuk ju kanë luftuar në fe dhe nuk ju kanë nxjerrë prej shtëpive tuaja, që të silleni mirë dhe të jeni të drejtë me ta. Me të vërtetë Allahu i do të drejtët”(17), përmes këtij ajeti, Allahu (xh.sh) na tregon se duhet të bëhet dallimi mes atyre që ju luftojnë dhe atyre, të cilët nuk marrin pjesë në luftë dhe as nuk kanë punuar kundër myslimanëve. Madje, urdhëron që të sillemi me drejtësi ndaj këtyre njerëzve.
“Sikur të kishte dashur Zoti yt, nuk ka dyshim se të gjithë njerëzit në tokë, pa përjashtim do të kishin besuar. A, ti do t’i detyrosh njerëzit që ata të jenë besimtarë” ?(18)
Këtu, Zoti (xh.sh) na bën të qartë se Ai i ka krijuar njerëzit të lirë, të besojnë ose të mohojnë, dhe nuk është e lejuar që të ushtrohet presion ndaj askujt, për ta bërë besimtar me dhunë.
Drita profetike:
Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Mos e dëshironi takimin e armikut (luftën) dhe kërkoni Allahut paqen. E nëse takoheni me ta (armikun) duroni dhe dijeni se xheneti është nën hijen e shpatave”.(19)
Pejgamberi (a.s) shikoi një grua të vrarë në një betejë dhe tha: “Kjo nuk duhej të ishte vrarë”, pastaj dërgoi një njeri tek Halidi dhe i tha: “Thuaj Halidit: Në asnjë mënyrë të mos vrasë gra e as shegertë”.(20)
Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Luftoni me emrin e Allahut në rrugën e Allahut. Vrisni ata, që kanë mohuar Allahun, mos plaçkitni, mos mashtroni, mos masakroni dhe mos vrisni fëmijë”.(21)
Pejgamberi (a.s) ka thënë: “Bëni xhihad ndaj idhujtarëve me pasurinë, jetën dhe gjuhët tuaja”.(22_
Xheriri (r.a) transmeton se në Haxhin e Lamtumirës, më tha i Dërguari i Allahut (a.s): “Thuaji njerëzve të heshtin”, pastaj u tha: “Mos u ktheni pas meje jobesimtarë, duke vrarë njëri-tjetrin”.(23)
Halifët Rashidinë:
Jahja ibn Seid tregon se: Ebu Bekri (r.a) nisi ushtrinë për Sham dhe filloi të ecë përkrah Jezid ibn Ebi Sufjan, i cili ishte komandant i brigadës së katërt të kësaj ushtrie. Jezidi i tha Ebu Bekrit: Ose hip, ose unë do të zbres! Ebu Bekri ia ktheu: As nuk do të zbresësh dhe as kam për të hipur. Dua t’i quaj këto hapa në rrugën e Allahut, pastaj i tha: “O njerëz, qëndroni pak t’ju jap 10 këshilla, të cilat t’i mësoni përmendësh:
1. Mos tradhtoni dhe mos plaçkitni.
2. Mos u tregoni të pabesë dhe mos masakroni.
3. Mos vrisni fëmijë.
4. Mos vrisni gra dhe pleq.
5. Mos prisni dhe mos digjni pemë.
6. Mos shkatërroni të mbjellat.
7. Mos mbytni kafshë, përveç nëse detyroheni për të ngrënë.
8. Rrugës nga do të kaloni, do të gjeni njerëz, të cilët janë mbyllur dhe janë përkushtuar nëpër manastire dhe sinagoga. Lërini në punën e tyre dhe në atë që janë përkushtuar.
9. Gjatë rrugës, njerëzit mund t’ju ofrojnë ushqime dhe, në qoftë se hani prej tyre, përmendni emrin e Zotit, bëni Bismilah.
10. Ndërsa, kur të takoheni me armikun, me ushtarët që kanë dalë për t’ju luftuar, ata vritini.
Tani vazhdoni rrugën me emrin e Allahut, Bismilah!”(24)
Zejdi ibn Ebi Vehb transmeton se Umer ibnul Hattabi (r.a) i shkroi ushtrisë duke i thënë: “Mos plaçkitni, mos mashtroni, mos masakroni, mos vrisni fëmijë dhe kijeni frikë Allahun për bujqit, të cilët nuk ju luftojnë.”(25)
Imamë të ymetit:Ibnul Kajjim, në lidhje me luftërat e Pejgamberit (a.s) thotë: “Kush mediton historinë e Pejgamberit (a.s) e kupton se: Ai nuk ka detyruar askënd të besojë dhe se ai ka luftuar atë që e ka luftuar (Pejgamberin (a.s). Kush ka bërë paqe me të, nuk e ka luftuar, për sa kohë e kanë mbajtur paqen dhe nuk e ka thyer besën. Madje, Allahu (xh.sh) e ka urdhëruar ta mbajë besën, për sa kohë ata e mbajnë, duke thënë: “Për sa kohë e mbajnë (besën), mbajani edhe ju (besën)”.(26)
Dhe kur shkoi në Medinë, bëri marrëveshje me hebrenjtë dhe i pranoi ta mbajnë fenë e tyre. Kur ata e luftuan, thyen marrëveshjen dhe filluan të parët ta luftojnë, atëherë i luftoi. Kështu që, edhe kur bëri paqe me kurejshitët për 10 vjet, nuk e filloi i pari luftën, derisa ata filluan të parët ta luftojnë dhe thyen marrëveshjen...”(27)
Ibn Tejmije, rreth kësaj çështjeje thotë: Fjala e Allahut: “Nuk ka imponim në fe, është sqaruar udhëzimi prej humbjes”(28), është tekst i përgjithshëm: Ne nuk imponojmë askënd në fe. Sikur të vritej jobesimtari, derisa të besojë, ky do të ishte imponimi më i madh në fe29.
El-Xhessas:
“Është e ditur në besimin e të gjithë myslimanëve: Nëse banorët e një vendi frikësohen prej ndonjë sulmi të mundshëm të armikut dhe nuk munden t’i bëjnë ballë të vetëm e frikësohen për vendin, jetët dhe familjarët e tyre, atëherë është farz (detyrë) për gjithë ymetin: T’i shkojnë në ndihmë, aq njerëz sa munden ta ndalin sulmin ndaj myslimanëve.
Për këtë nuk ka asnjë ndryshim mendimi në mesin e ymetit. Sepse, askush prej myslimanëve nuk thotë: Lejohet të mos shkosh në ndihmë dhe të derdhet gjaku i myslimanëve e të zihen robër familjarët e tyre. Ndryshimi i mendimit në mesin e tyre është se: Kur, për largimin e armikut, ka njerëz të mjaftueshëm, që i bëjnë ballë dhe nuk frikësohen se ai do të triumfojë: A u lejohet myslimanëve ta ndërpresin xhihadin, derisa ata të besojnë, apo të paguajnë xhizjen? Ibn Umeri, Ata, Amër ibn Dinar dhe Ibn Shubrumete kanë thënë: I lejohet imamit dhe myslimanëve të mos i sulmojnë dhe të mos dalin në luftë.”(30)
Duke u nisur prej asaj që sollëm më lart, prej Kuranit, sunetit të Pejgamberit (a.s), halifëve të Resululllahut dhe thënieve të disa imamëve të këtij ymeti, kuptojmë se xhihadi në Islam është legjitimuar si mbrojtje e shenjtërive dhe jo si mësymje ndaj njerëzve, edhe në qofshin me fe të ndryshme. Sikur xhihadi të ishte ndaj çdokujt, që nuk është mysliman, atëherë përse Allahu ka urdhëruar për paqe me jobesimtarët, madje ka urdhëruar edhe të sillemi mirë ndaj tyre e të jemi të drejtë: “Nuk ju ndalon Xhihadi në Islam është legjitimuar si mbrojtje e shenjtërive dhe jo si mësymje ndaj njerëzve, edhe në qofshin me fe të ndryshme.
Allahu, ndaj atyre që nuk ju kanë luftuar në fe dhe nuk ju kanë nxjerrë prej shtëpive tuaja, që të silleni mirë ndaj tyre dhe të jeni të drejtë me ta. Me të vërtetë Allahu i do të drejtët.”(31)
Xhihadi në Islam është jetë, mbrojtje e gjërave të shenjta dhe pritë ndaj atyre që mësyjnë e tejkalojnë kufijtë, sikur të lihen keqbërësit dhe agresorët të bëjnë çfarë të duan, atëherë jeta në tokë do të shkatërrohej dhe njerëz të pafajshme do të vriteshin. Allahu i Madhëruar thotë: “Sikur të mos i ndalë Allahu njerëzit me njëri-tjetrin, do të shkatërrohej toka”(32), madje xhihadi në këtë këndvështrim është jetë për myslimanët dhe për jomyslimanët, të cilëve u është bërë padrejtësi, kushdo qofshin ata. Në Kuran, Allahu (xh.sh) thotë: “Sikur të mos i ndalë Allahu njerëzit me njëri-tjetrin, do të shkatërroheshin kisha, sinagoga, manastire dhe xhami, në të cilat kujtohet shumë emri i Allahut.”(33)
1 Kur’ani, El-Mumtehine: 8.
2 Kur’ani, El-Maide: 32.
3 Dr. Jusuf El-Karadavi, “Fikhul-Xhihad”, Kajro 2009, botim i Mektebetu Vehbe f. 23-24, (version elektronik, pdf ).
4 Po aty, f. 55.
5 Kur’ani, El-Inshikak: 6.
6 Shiko: “Bedaiu es-sanaiu” të El-Kesani, 7/97, botim i Dar El-Kitab El-Arabij, Bejrut dhe “Ed-Dur El-Mukhtar” dhe “Hashijetu” të Ibn Abidin-it mbi këtë libër, 3/217, botim i Dar Ihja E-Turath El-Arabij, Bejrut, 1272 h.
7 “Metalib Ulin-Nuha, sherh gajetil-munteha” në fikhun Hanbeli, 2/501.
8 Dr. Jusuf El-Karadavi, “Fikhul-Xhihad”, Kajro 2009, botim i Mektebetu Vehbe f. 68. (version elektronik, pdf ).
9 Dr. Abdulaziz El-Kariu ka lindur në Mekë, në vitin 1945 dhe është doktoruar në universitetin “El-Ez’her” në Fikh Es-Sijaseti Esh-Sher’ije”.
10 Kur’ani, El-Bekare: 190.
11 Kur’ani, El-Bekare: 256.
12 Shih: Alija Izetbegoviq, “Kujtime”, Prishtinë 2008, botuar nga AKEA, f. 66.
13 Kur’ani, En-Nisa: 75.
14 Kur’ani, El-Enfal: 61.
15 Kur’ani, Et-Teube: 36.
16 Kur’ani, El-Enfal: 60
17 Kur’ani, El-Mumtehine: 8
18 Kur’ani, Junus: 99.
19 Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi prej Abdullah ibn ebi Eufa.
20 Transmetuar nga Ahmedi prej Ebu Davudi prej Rebah ibnul Rebiu.
21 Transmetuar nga Muslimi prej Burejdes.
22 Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu, i cili edhe e ka saktësuar, Ibn Hibbani dhe Hakimi prej Enesit.
23 Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi prej Xherir ibn Abdullah El-Bexhelij.
24 Shiko: Tabariu, “El-Kamil fit Tarih”, 2/227, 3/226 (version elektronik).
25 Transmetuar nga Seid ibn Mensur në “Sunenihi” dhe Ibn Ebi Shejbe në “Musannefihi”.
26 Kur’ani, Et-Teube: 7.
27 Ibnul Kajjim, “Hidajetul-hajara”, 1/12 (version elektronik).
28 Kur’ani, El-Bekare: 256.
29 Ibn Tejmije, “Kaidetun fi kital el-kuffar”, f.121 (version elektronik).
30 Shiko: El-Xhessas, “Fi ehkam El-Kur’an”, 3/113-114 (version elektronik).
31 Kur’ani, El-Mumtehine: 8.
32 Kur’ani, El-Bekare: 251.
33 Kur’ani, El-Haxh: 40.
Lavdrim Hamja
Dituria Islame 350