“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi e Allahu ka fuqi për t'u dhënë ndihmë atyre (myslimanëve). (U lejuan të luftojnë). Ata, të cilët vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë!" u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte...” (El-Haxh: 39-40.)
Xhihadi vështruar nga aspekti i obligueshmërisë
Duke u bazuar në Kuran dhe në traditën e Pejgamberit (a.s), dijetarët janë të ndarë në dy mendime rreth obligueshmërisë së xhihadit. Njëri grup janë të mendimit se xhihadi është “farz kifaje" (detyrë kolektive), ndërsa grupi tjetër janë të mendimit se xhihadi është “farz ajn" (detyrë individuale për çdo mysliman).
E saktë për obligueshmërinë e xhihadit qëndron mendimi për “farz kifaje" dhe kjo sigurisht duke u mbështetur në Fjalën e Allahut dhe hadithet e Pejgamberit (a.s). Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Për të dobëtit, të sëmurët dhe për ata, të cilët nuk gjejnë çfarë të kontribuojnë, nuk është gjynah, nëse janë të sinqertë me Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndaj të mirëve nuk ka dënim. Allahu është Falës, Mëshirëbërës. Dhe, as ndaj atyre, të cilëve kur të erdhën, që t'i marrësh me vete, u the: Nuk kam me çfarë t'ju mbart, u larguan dhe sytë e tyre lotonin lot, prej hidhërimit se nuk kishin çfarë të kontribuonin"1.
Këto grupe njerëzish, të dobët, të sëmurë e ata, të cilët nuk kanë mundësi financiare për të kontribuar në rrugën e Zotit, Allahu i ka justifikuar që të marrin pjesë në luftë. Po të ishte xhihadi “farz ajn", atëherë nuk do të kishin pasur mundësi tjetër, veçse të dalin në xhihad.
Përsëri, Allahu (xh.sh) thotë: “Nuk janë të barabartë ata që rrinë prej besimtarëve, përveç atyre me arsye, dhe luftëtarët në rrugën e Allahut, me pasurinë dhe jetën e tyre. Allahu i pëlqen luftëtarët me pasurinë dhe jetën e tyre, ndaj atyre që rrinë, me shkallë. E çdonjërit, Allahu i ka premtuar mirësi dhe Allahu i parapëlqen luftëtarët ndaj atyre që rrinë, me shpërblim të madh"2.
Sikur të ishte xhihadi “farz ajn", atëherë nuk do të kishte vend krahasimi mes atyre që luftojnë dhe atyre që rrinë pa dalë në luftë dhe tjetra, Allahu nuk do t'i kishte premtuar të dy palëve shpërblim të mirë.
Lufta në Islam nuk është legjitimuar, përveçse në mbrojtje të jetës së njerëzve, të nderit, të pasurisë, kur mohohet e drejta e fjalës së lirë dhe në mbrojtje të besimit. Pejgamberi (a.s), në betejën e Bedrit, nuk kishte qëllim të derdhte gjak. Qëllimi i tij ishte të kompensonte humbjet ekonomike të konfiskimit nga ana e idhujtarëve të pasurisë së myslimanëve në Meke.
Myslimanët u lejuan të luftojnë vetëm pas hixhretit të Pejgamberit (a.s), përmes ajetit:
“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi e Allahu ka fuqi për t'u dhënë ndihmë atyre (myslimanëve). (U lejuan të luftojnë). Ata, të cilët vetëm pse thanë: “Allahu është Zoti ynë!" u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte...”3.
“Dhe luftoni në rrugën e Allahut, kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)”4.
Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve bashkëkohorë, mund të themi se xhihadi është “luftë mbrojtëse". Kjo gjë vërtetohet prej historisë së jetës së Pejgamberit (a.s), veprës së Halifëve Rashidinë, të cilët nuk luftuan, përveç idhujtarët dhe jobesimtarët, që kanë luftuar kundër myslimanëve.
Dhe, sigurisht kjo është një gjë, të cilën e kanë legjitimuar të gjitha fetë dhe ligjet njerëzore ndërkombëtare.
Mendimi se xhihadi është luftë mbrojtëse, mbështetet në sa vijon:
Betejat kryesore, gjatë jetës së Pejgamberit (a.s) kanë qenë beteja mbrojtëse dhe të imponuara dhe numri i myslimanëve ka qenë gjithmonë më i vogël, madje në disa raste, shumë herë më i vogël, si p.sh:
- Beteja e Bedrit (idhujtarët erdhën nga Meka, udhëtuan rreth 450 km dhe Pejgamberi (a.s) u ndesh me ta në një distancë jo shumë të largët nga Medina).
- Beteja e Uhudit, (përsëri idhujtarë erdhën nga Meka dhe u ndeshën me myslimanët në rrethina të Medines.
- Beteja e Ahzabit, apo e Handekut, e cila mund të jetë argumenti më i qartë, se Pejgamberi (a.s) ka bërë vetëm lufta mbrojtëse. Mijëra idhujtarë, prej fiseve të ndryshme arabe rrethuan Medinën për ditë të tëra, ndaj një numri disa herë më të vogël besimtarësh myslimanë.
- Paqja e Hudejbijes, të cilën i Dërguari i Allahut e nënshkroi, vetëm për mbrojtur jetën e njerëzve dhe gjakun e tyre, duke u kthyer në rrugë, pa kryer vizitën e Qabesë (umren), edhe pse ishte bërë gati për të, e askush në atë kohë nuk ndalej prej vizitë së Qabesë. Madje, në ato momente ka dhënë mesazhin e madh, se ai është vetëm për paqe, duke thënë: “Pasha Atë, që shpirti im është në dorën e Tij, nuk më kërkojnë plan, që madhëron shenjtërimet e Allahut, përveçse ua kam dhënë atë."(5)
- Çlirimi i Mekës, apo Fethu Meke, kjo ngjarje e madhe, është argumenti më i pakundërshtueshëm, se Islami është paqe, thërret për paqe dhe lufton, vetëm për arritjen e paqes. Madje, transmetohet në mënyrë të saktë, se Pejgamberi (a.s) largoi nga udhëheqja e ushtrisë, Sead ibn Ubade, përpara se të hynte në Mekë, sepse ai kishte thënë: Sot është dita e gjakderdhjes, sot nuk ka shenjtëri. Nga frika, se mund të ndodhte ndonjë gjakderdhje e padëshirueshme, i Dërguari i Allahut e largoi nga detyra Sead ibn Ubade, vetëm për këtë shkak.
- Gjithashtu, edhe halifët dhe sahabët pas Pejgamberit (a.s), kudo dhe kurdo që morën pjesë nëpër beteja, treguan moralin e myslimanit të devotshëm, pasuesit e denjë të Vulës së Profetëve, se xhihadi përdoret vetëm për të ndaluar sulmet, për të mbrojtur të dobëtit dhe të pafuqishmit dhe për të larguar zullumqarët.
- Umer ibnul Hattabi, sapo mori në dorëzim çelësat e Bejtul-Makdisit, u dha garancinë banorëve të saj, se asgjë nuk do të cenohet, apo dhunohet prej pasurive dhe shenjtërive të tyre. Ja çfarë shkruhej në atë marrëveshje:
Bismilahi Rrahmani Rrahim
Të drejtat që robi i Allahut, Omeri, prijësi i besimtarëve u jep banorëve të Iljas(6): “U jep atyre siguri për veten, pasurinë, kishat dhe kryqet e tyre. Për njerëzit e sëmurë, të shëndoshë dhe kushdo qofshin ata. Kishat do të qëndrojnë ashtu siç janë, nuk do të shkatërrohen dhe as nuk do të ndryshohen. Nuk do të konfiskohet asgjë prej pasurisë së kishave dhe as prej pasurisë së tyre. Njerëzit do të jenë të lirë dhe nuk do të detyrohen dhe as nuk do të ushtrohet presion mbi ta për të ndryshuar fenë. Për çdo gjë që është shkruar në këtë marrëveshje, ka besën e Allahut, garancinë e të Dërguarit të tij, të halifëve dhe të gjithë myslimanëve. Dëshmitarë për këtë marrëveshje janë: Halid ibn Velid, Amër ibn As, Abdurrahman ibn Auf dhe Muavije ibn Ebu Sufjan".Marrëveshja u nënshkrua në vitin 15 h-637.(7)
Në lidhje me natyrën e luftës në Islam, shejh Muhamed El-Gazali shprehet kështu: “Lufta, të cilën e ka legjitimuar Islami dhe betejat që ka bërë i Dërguari i Allahut (a.s) dhe shokët e tij, janë lloji më fisnik i xhihadit. Lufta, të cilat janë zhvilluar në Islam, në kohën e Pejgamberit (a.s) dhe halifëve të tij, kanë qenë farz (obligim) për mbrojtjen e së vërtetës, ndalimin e zullumit, ndaljen e sulmeve dhe mposhtjen e tiranëve8.
Çfarë kanë thënë të krishterët për çliruesit myslimanë?
Për të vërtetuar se myslimanët luftën e kanë mjet dhe jo qëllim dhe se kanë ecur në parimet e lartpërmendura, e nuk kanë luftuar për t'i detyruar njerëzit të hyjnë në Islam me dhunë, por sjell disa dëshmi të sinqerta, të cilat janë thënë prej jomyslimanëve.
Patriarku nestorian, Jeshu’a Bavi III, në një letër që i dërgon kryepeshkopit metropolitan Seman, thotë: “Arabët, të cilëve Zoti u ka dhënë pushtet në këtë botë, ju shikojnë në çfarë gjendje jeni dhe e dinë shumë mirë të vërtetën. Por, megjithëkëtë, ata nuk e luftojnë besimin tuaj të krishterë. Madje, sillen butë me fenë tonë, nderojnë klerikët dhe shenjtat, si dhe japin nga mirësia e tyre për kishat dhe manastiret tona”.
Tomas Arnoldi i bën një koment kësaj letre duke thënë: “Kjo letër mban argument të qartë rreth natyrës së qetë dhe paqësore në përhapjen e kësaj feje të re.”(9)
Ndërsa, orientalistja italiane, Laura Veccia Vaglieri duke folur për madhështinë e përhapjes së Islamit, thotë: “Çfarë fuqie e madhe fshihet në këtë fe? Çfarë fuqie të brendshme, prej fuqive të bindjes, mund të triumfojë me këtë fe? Prej çfarë thellësie, prej thellësive të shpirtit njerëzor nxjerr lotin e përgjigjes?”(10)
Ja se si i përshkruan konti Henri Di Kastri myslimanët: “Ata nuk vranë askënd që refuzonte Islamin. Nuk detyruan me shpatë asnjeri të hynte në Islam. Por zemrat hynë të përmalluara, me lirinë e tyre të plotë, ashtu siç rezulton edhe në Kuran, për ndikimin e zemrave dhe të mendjeve.”(11)
Gustave Le Bon ishte i drejtë dhe i sinqertë në thënien e tij: “E vërteta është se popujt e botës nuk njohën kurrë çlirues më të mëshirshëm sesa arabët dhe fe më tolerante sesa feja e tyre”.
Pastori Miçu në librin e tij “Udhëtim fetar në Lindje” thotë: “Është për të të ardhur keq që popujt e krishterë nuk huazuan asgjë nga toleranca e myslimanëve, e cila është shenja e bamirësisë mes popujve, respektimi i besimeve të të tjerëve dhe mos detyrimi me forcë i besimit.”(12)
Robertsoni në librin e tij, “History of the Reign of the Emperor Charles V” thotë: “Myslimanët, me gjithë karakterizimin e tyre të fortë në përhapjen e fesë, popujt që nuk kishin dëshirë ta përqafonin Islamin, i lanë të lirë të kapen me parimet dhe mësimet e fesë së tyre.”(13)
Robertson shkruan:(14) “Pasuesit e Muhamedit (a.s) janë populli i vetëm, që janë bashkuar mes përkushtimit fetar dhe tolerancës së tij. Pra, njerëzit së bashku me kapjen e tyre të fortë për fe, nuk kanë detyruar me forcë askënd të pranojë fenë e tyre.”(15)
Xhihadi vs. Lufta:
Për ta bërë më të qartë dallimin dhe ndryshimin mes xhihadit dhe luftës, po sjell disa pika, të cilat na qartësojnë dallimin mes xhihadit dhe luftës.
Xhihadi është fisnik dhe i fisshëm dhe nuk mund të krahasohet me luftën për shumë arsye. Prandaj, kam dëshirë të bëj një krahasim mes xhihadit dhe luftës, për të parë dallimin e madh, që ekziston mes tyre. Zoti i gjithësisë, Zoti i gjitha krijesave nuk lejon, të merret jeta e njerëzve kot e të derdhet gjaku i pafajshëm.
Ndërkohë që lufta bëhet vetëm përmes forcës së armës dhe dhunës, tek xhihadi forca është e lejuar vetëm në rrethana të përcaktuara qartë dhe është vetëm njëra pjesë e tij, sepse xhihadi bëhet edhe përmes fjalës e mjeteve të tjera, madje edhe me zemër.
Nëse qëllimi i vetëm i luftës është pushtimi dhe sundimi i popujve dhe i shteteve, qëllimi i xhihadit është ndalimi i së keqes dhe i përhapjes së saj, me dorë, me gojë, madje edhe me zemër konsiderohet xhihad.
Në luftë, robërit ose vriten, ose torturohen në mënyrat më makabre. Në xhihad, robërit nuk lejohet të dhunohen në asnjë mënyrë, madje Zoti (xh.sh) ka urdhëruar të sillemi mirë dhe t'i ushqejmë, Ai thotë: “Dhe, u japin për të ngrënë, për hir të dashurisë së Tij, të vobektëve, jetimëve dhe robërve."(16)
Në luftë, pjesa më e madhe e viktimave janë pleq, gra dhe fëmijë, pra të pafajshëm. Në xhihad, asnjë i pafajshëm nuk lejohet të preket, vetëm ai që lufton vritet.
Në luftëra bëhen masakra dhe krime të tmerrshme. Në xhihad është rreptësishtë i ndaluar masakrimi dhe krimi.
Në luftëra bëhen plaçkitje, djegie e përdhunime të frikshme. Në xhihad është e ndaluar plaçkitja, djegia, shkatërrimi i të mbjellave, ndërsa nderi i vajzës-gruas është i paprekshëm, jo vetëm në xhihad, por kurdoherë.
Në luftëra nuk ka mbrojtje të veçantë për objektet fetare, kjo u pa shumë qartë në luftën e Bosnjës dhe në luftën e Kosovës. Në xhihad, objektet e adhurimit, të çfarëdo feje dhe besimi qofshin, janë të paprekshme. Këtë e shohim tek porosia e Ebu Bekrit në përcjelljen e ushtrisë dhe marrëveshja e Omerit për dorëzimin e Bejtul-Makdisit. (Sikur të ishte lejuar prekshmëria e objekteve fetare gjatë xhihadit në Islam, atëherë në të gjitha ato vende, ku myslimanët kanë shkelur, nuk do të kishim asnjë kishë, sinagogë, manastir e çfarëdo objekti tjetër adhurimi. Këtë gjë e shohim fare qartë edhe në Shqipëri e në mbarë Ballkanin, ku 500 vjet sundim të myslimanëve, kishat e vjetra me dhjetëra shekuj janë ende në këmbë dhe nuk janë prekur prej mysli-manëve. E kundërta ka ndodhur me luftërat e jomyslimanëve në vendet islame, ata xhamitë i shkatërruan, i dogjën ose i shndërruan me dhunë në kisha...
Përfundim:
Xhihadi, siç e pamë përmes argumenteve, nuk është luftë pushtuese e as terroriste, por një mjet dhe një e drejtë, që Zoti (xh.sh) ua ka dhënë dhe ua ka lejuar të gjithë atyre që janë dhunuar, për ta përdorur sa herë që lind nevoja për të mbrojtur jetën, vendin, pasurinë dhe gjërat e shenjta, e mbi të gjitha besimin në një Zoti të Vetëm. Sado që mediat dhe qarqe të caktuara përpiqen për ta paraqitur xhihadin si diçka makabre dhe të pashpirt, përmes disa grupeve, që në dukje kanë emra myslimanë, apo me fajësime të padrejta ndaj pasuesve të Muhamedit (a.s), vetëm pse kanë emra myslimanë, mbajnë mjekra, apo si te rasti i grave që vendosin shami në kokën e tyre, nuk do t'ia arrijnë qëllimit, sepse faktet dhe realiteti flasin ndryshe, e fuqishëm i përgënjeshtrojnë këto akuza të pabazë e të pavërteta. Kemi qenë, jemi dhe me ndihmën e Zotit, do të jemi krenarë me parimet, dispozitat dhe mësimet e Islamit, për sa kohë e kuptojmë dhe e zbatojmë në mënyrën e saktë.
_______________
1 Kur'ani, Et-Teube: 91.
2. Kur'ani, En-Nisa: 95.
3. Kur'ani, El-Haxh: 39-40.
4. Kur'ani, El-Bekare: 190.
5. Dr. Muhamed Seid R. El-Bouti, “Fikhus-Sire", Damask 2003, botim i “Darul-Fikr", f. 237.
6. Ilja: emri i qytetit të shenjtë Bejtul Makdis, kuptimi i saj: Shtëpia e Allahut. Shih: Mu'xhemul Buldan, 1/293.
7. Tabariu, 3/609, Jakubij, 2/167.
8. Shiko: Muhammed El-Gazali, “Fikhus-Sireti", Damask 1998, botim i Darul-Kalem, f.208.
9. Tomas, Arnold, “Ed-Dawetu ilel Islam", f. 102.
10. Laura Veccia Vaglieri, “Difa anil Islam" (Në mbrojtje të Islamit), f. 40.
11. Islam havatir ve sevanih, faqe 35.
12. Gustave Le Bon, “Hadaratul arab", f. 162.
13. Lothrop Stoddard, “Hadir alemil islamij", 1/104.
14. William Robertson Smith (1846 – 1894) orientalist skocez.
15. Lothrop Stoddard, “Hadir alemil islamij", 1/104.
16. Kur'ani, El-Insan: 8.
Lavdrim Hamja
Dituria Islame 351