“Dëshmia Islame (Shehadeti) që kur shkruhet në arabisht është në formë shpate, është ajo që i ka këputur idhujt e rremë të injorancës dhe të padijes në zemrat e atyre që e kanë pranuar të vërtetën hyjnore. Goditja e parë e saj ka qenë fatale për të gjitha ideologjitë dhe të gjitha fetë që ishin korruptuar dhe kishin humbur origjinalitetin e tyre”. (Sejid Naser)

“Shpata e Islamit nuk është shpatë prej çeliku. E di këtë nga eksperienca, sepse shpata e Islamit goditi thellë brenda në zemrën time. Ajo nuk solli vdekje, por një jetë të re, një vetëdijesim dhe një zgjim se kush jam unë dhe për çfarë jam këtu”. (anglezi Ahmed Holt)

Islami filloi në qytetin e vogël të Mekës, që nuk ishte tjetër veçse një udhëkryq i rrugëve të karvanëve. Në Mekë, Muhammedi a.s. i ftoi njerëzit në fenë islame pa përdorur forcën sepse edhe po ta përdorte atë nuk do t’ia dilte i vetëm t’i mposhtte apo t’i binde arabët. Ishte gjuha e Kur’anit fisnik dhe fuqia e madhështia e personalitetit të Muhammedit a.s., si pejgamber i Zotit, që ngadhënjeu dhe përfitoi zemrat e arabëve dhe më vonë edhe të shumë popujve të botës mes të cilëve edhe të popullit shqiptar.

Koncepti i drejtë për Zotin në fenë islame që pohon se Zoti është një Zot, i Vetëm dhe i pashembullt, qe më bindës kundrejt konceptit të Krishterizmit që pretendon se Jezu Krishti është njëkohësisht njeri i vërtetë dhe Zot i vërtetë, duke pohuar një pluroindivdualitet të Zotit: Zoti At, Zoti Bir dhe Shpirti i shenjtë dhe konceptit të bartësve të religjioneve fals. Besimi islam, ngase përputhej dhe pajtohej me logjikën dhe arsyen e shëndoshë, që nga fillimi ka përvetësuar me miliona e miliona të krishterë dhe njerëz të religjioneve të tjera.

Muslimanët kurrë nuk e kanë përdorur forcën për t’i kthyer njerëzit në Islam gjatë historisë, në asnjë skaj të botës. Kështu nisi dhe vazhdoi. Arabët nuk i kthyen me dhunë spanjollët, megjithëse atje sunduan për tetë shekuj. Kurse pas marrjes së Spanjës nga Ferdinandi dhe Izabela, ata që vazhduan të mbesin muslimanë dhe nuk u kthyen në katolikë u vranë.
Shumë misionarë mashtrues dhe orientalistë fanatikë pretendojnë se Islami nuk është përhapur në botë veçse me shpatë dhe se ai i ka nënshtruar njerëzit me forcë ndaj doktrinës së vet. Sipas tyre, sikur të mos ishte forca ushtarake e Islamit, zemrat e njerëzve nuk do të hapeshin ndaj tij dhe as që mendjet e tyre do të bindeshin. Ky pohim, sikurse thotë Thomas Arnold, “është pohim hiperbolik i kishtarëve, se është absolutisht e pamundur që Islami të përqafohet me bindje”.

Të tillëve u bëjmë me dije, sikurse thotë edhe Jusuf El Kardavi, se forca (shpata) mund të hapë apo të pushtojë një vend, por nuk mund të hapë apo të pushtojë zemrën e njerëzve. Hapja e zemrave dhe depërtimi tek ato kërkon që të bindet mendja, të përfitohen emocionet dhe të ndikohet psikologjikisht pronari i tyre. Madje, besimi bazohet në bindje të palëkundshme, pa kurrfarë shtirje apo hipokrizie.

Edhe më vonë, kur Islami filloi të përhapej në qendrat më të vjetra të qytetërimit njerëzor me një shpejtësi të paparë, nuk pati armatë të kalorësve të panumërt sepse nuk ekzistonte një ushtri e tillë në Arabi. Shkrimtari spanjoll Ignjacin Ulagi shkruan: “Duhet besuar absolutisht se ato pushtime fantastike dhe me përmasa aq të mëdha s’do të arriheshin me shpatë. Arma më e fortë, në duart e arabëve, ishte Islami. Sukseset e arabëve janë arritur duke i falënderuar forcës së ideve të reja, besimit të ri, të cilin e bartnin ata, që i përvetësonin dhe i bënin për vete njerëzit dhe popujt e tjerë. Në të vërtetë popujt e tjerë u pushtuan (ngadhënjyen) nga Islami, e jo nga arabët”.

Rozhe Garodi thotë se njeriu nuk mund të kuptojë një zgjerim aq të madh në perceptimin e mjeteve të luftës dhe të pushtimit ushtarak. Prandaj ai mund të jetë vetëm ajo që sot e quajmë “revolucion kulturor”, d.m.th një ndryshim historik. Georg Sale, përkthyes i Kur’anit në gjuhën angleze, shkruan: “Atyre që mendojnë se feja islame është përhapur me shpatë, iu them se mashtrojnë vetveten”.

Kur’ani fisnik tregon se ndryshimi tek një popull mund të arrihet vetëm përmes vullnetit të brendshëm të bijve të atij populli dhe, më pas, pasojnë faktorët e jashtëm që ndikojnë pozitivisht në atë ndryshim: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli përderisa ai popull nuk e ndryshon vetveten” (Er Ra’d: 11)

Sipas pretendimeve tendencioze, njerëzit u detyruan dhe u shtrënguan me tehun e shpatës që të zgjedhin mes Islamit apo mbytjes, pra ose të bëheshin muslimanë ose do t’iu këputej qafa! Këto gënjeshtra i hedhin poshtë mësimet e Islamit, i përgënjeshtron realiteti historik dhe vetë historianët objektivë orientalistë.

Konfrontimet dhe luftërat mes muslimanëve dhe njerëzve të librit nuk ishin për shkak të fesë së tyre dhe nuk synonin që t’i detyronin ata të hynin me forcë në Islam, sepse kjo gjë është e papranueshme në Islam. Konfrontimet që ndodhën më vonë përfaqësojnë një qëndrim politik, një kundër reagim ndaj qëndrimit të shtetit islam.

Mësimet e Islamit e mohojnë kategorikisht detyrimin në fe. Askush nuk konsiderohet musliman i vërtetë nëse nuk bazohet në bindje të thella dhe në liri për të zgjedhur. Nuk lejohet që dikush të detyrohet me forcë të bëhet musliman, sepse Zoti nuk e pranon një gjë të tillë. Allahu i Gjithëfuqishëm thotë: “S’ka shtrëngim në fe, sepse tashmë është dalluar e drejta nga e shtrembra!” (El Bekareh: 256).

Edhe ajeti tjetër që është shpallur në formë pyetëse mohuese thotë: “Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” (Junus: 99).

I Dërguari i Zotit, Nuhi a.s., sikurse na rrëfen Kur’ani fisnik, i tha popullit të tij: “Ai (Nuhu) tha: ‘O populli im, mendoni pak! Nëse unë mbështetem në një provë të qartë që më ka ardhur nga Zoti im dhe, nëse nga ana e Tij më ka ardhur një mëshirë, e cila është fshehur nga sytë tuaj, a mund t’ju bëjmë ta pranoni me detyrim (provën), kur ju e urreni?” (Hud: 28).

Lufta kurrë nuk ka qenë mjet për t’i detyruar njerëzit që të pranojnë Islamin. Lufta ka qenë mjet për t’i larguar muslimanët nga Islami që nga koha e Ebu Xhehlit në Mekë. Thomas Arnold thotë: “Të krishterët që jetojnë ende në vende muslimane janë dëshmi më e mirë e kësaj tolerance.”

Për fund, kujtojmë se vetë Muhammedi a.s. hyri në aleancë me fise të krishtera, mori përsipër që t’i mbronte ata dhe ua njohu atyre lirinë e fesë, duke i lejuar klerikët e krishterë që të ushtronin të drejtat dhe ndikimin e tyre tek ithtarët e vet.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Program fetar dedikuar ardhjes së Muhamedit a.s. si mëshirë për botën