Zhvillimet më kryesore pas hixhretit


1. Hyrje

Mesazhi islam në periudhën e Mekes ishte i përqendruar kryesisht mbi çështjet e besimit, por përfshinte edhe legjislativin e përgjithshem dhe parimet e moralit. Sepse, pa e patur këtë bazë themeltare karakteri i një njeriu njeriut e ka shumë më të vështirë të përkufizohet në përditshmërinë e tij mbi parimet që lidhen me të lejuarat dhe të ndaluaret, që do të shpalleshin më vonë në Medinë. Historitë janë përdorur shpesh për të shprehur simbolikisht disa të vërteta, por edhe stili retorik dhe argumentativ i Kuranit bazohej mbi cka njihet në mënyrë të natyrshme nga vet njerëzit nëse lihen të lirë. Në këtë formë Shpallja ndihmonte natyrën e njeriut të dal në pah në formë edhe më të gjallë dhe që ky humanitet i njeriut të mos kequdhëzohet nga orientimet e grupeve të interesit.
Pra, si temë kryesore trajtohej fakti se njeriu ka nevojë për udhërrëfim të shpalljes hyjnore dhe se Kurani vërtet është një udhërrëfyes përfundimtarë në rrugën e drejtë.
Në Periudhen e Medines, për shkak të përgjegjësive jetësore, më shumë do të zbresin ajete lidhur me anët vepruese të një personi me përgjegjësi individuale dhe shoqërore.

2. Ndodhia e Hixhretit

Ngjarja e hixhretit ndodhi në vitin 622 në Mekën e asaj kohë, ku oligarkia e këtij qyteti komplotonin kundër Profetit për t’a burgosur, vrarë ose dëbuar (En’Fal: 30). Pas diskutimeve të shumta, ata arriten në përfundimin për t’a vrarë Profetin Muhamed, pasi burgosja ose dëbimi i tij u konsideruan prej anës së tyre si hap jofunksional.
Me të marr lajmin, me lejen e Zotit, Pejgamberi ynë vendosi të emigronte për në Medine në mesditë, në shoqërinë e Ebu Bekrit.
Edhe pse i përndjekur edhe gjatë emigrimit për në Medine, kur arriti në zonën e Xhuhfes, në pikën ku rruga që kishte ndjekur fshehurazi gjatë hixhretit bashkohej me rrugën kryesore për Mekë, Pejgamberi ynë ndjeu mall për vendlindjen.
Në këtë kohë ju shpall ajeti:
Ai (Zoti) që t’ka urdhëruar me Kuran do të të kthejë sërish (në Mekë) (Kasas: 85).
Qëllimi i hixhretit nuk ishte vetë shpëtimi nga torturat dhe vështirësitë, mirëpo ishte e ardhmja e një komuniteti që besonte në shpallje, kërkonte drejtësi dhe përpiqej për mirësi.

3. Zhvillime pas hixhretit

Kur pejgamberi jonë bëri hixhret, sipas kalendarit hënor, ai ishte 53 vjeç. Nga biografia e tij kuptohet lehtë se Hixhreti ishte një linjë kalimtare midis dy epokave kryesore, në lidhje me mesazhin e Islamit; epoka e Mekës dhe epoka e Medinës.
Rrjedha historike e jetëshkrimit të Profetit lë të nënkuptohet se hixhreti përfaqëson dy gjëra kryesore:
1. Kalimi nga një pozicion pasigurie, ku myslimanët përfaqësonin një grup të vogël njerëzish, të rrethuar nga armiqtë dhe të kërcënuar me vdekje, në pozicionin e sigurisë si një fuqie rajonale me një udhëheqje të fortë qendrore, të përkrahur nga një numër i madh ndjekësish dhe aleatësh, që mbronin veten dhe ishin në gjendje të mposhtnin armiqësorët e tyre.
2. Kalimi nga thirrja individuale dhe rajonale, ku fokusi i ftesës së Pejgamberit ishte fisi i tij Kurejshë dhe fiset që rrethonin Mekën, në fazën e institucionalizmit të thirrjes në Islam dhe universalizmit të saj.
Hixhreti, pa dyshim, ndezi dritën e shpresës në zemrat e muslimanëve të hershëm, të cilët me dhanë një shembull të ndritshëm për t’u ndjekur për të gjithë muslimanët, në çdo brez.
Pra, Hixhreti, në thelb, është një proces kalimi në një situatë më të mirë. Nuk ka për qëllim të gjesh një vend të rehatshëm ku të pushosh dhe të ndalosh përpjekjen. Përkundrazi, është një kërkim për një mjedis më të favorshëm për përpjekje të vazhdueshme dhe konstruktive për vendin tënd.
Myslimanët e hershëm e morën hixhretin seriozisht në të gjitha aspektet dhe dimensionet e tij. Ata nuk ndrruan vetëm vendbanimin, por edhe insistuan në braktisjen e gjithçkaje të shëmtuar, që nuk e do Zoti. Dhe, ky është një aspekt domethënës dhe mësim i rëndësishëm për të mësuar nga hixhreti
Menjëherë pasi arriti në Medinë, Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ndërmori një proces gjithëpërfshirës për të krijuar një shoqëri të konsoliduar.

Ai filloi institucionalizimin e shoqërisë në çdo aspekt:
1. Xhamia: Profeti së pari ndërtoi një Xhami për të adhuruar lirshëm Zotin, sepse ai ishte shkaku kryesor për të cilin emigruan. Aty ligjërohej besimi në Zotin Një, Zotin e të gjithë profetëve, dhe unifikimi i njerëzve mbi bazën e ndarjes së drejtësisë dhe mirësisë me njëri tjetrin. Aty mësohej shkrim leximi dhe filluan të arsimoheshin brezat.
Objekti u ngrit në prillin e vitit 623 të eres sonë. Ai vetë punoi në mbajtjen e gurëve dhe ndërtimin e asaj strukture të vogël dhe modeste, ku besimtarët kryenin faljen, kujdeseshin për njëri tjetrin, por edhe kuvendonin çeshtjet me interes të përbashkët.
2. Numërimi i popullsisë: Në vitin e parë gjatë hixhretit Profeti ka realizuar një numërim të popullsisë. Ka pikëpamje të ndryshme se cili ishte numri statistikor I dalë nga ky numërim, megjithatë pranohet mendimi se muslimanët në atë kohë numëroni 1500 veta.
3. Vëllazërimi: Ai krijoi marrëdhënie vëllazërore midis muslimanëve që emigruan nga Meka, që për shkak të hixhretit kishin fituar nofkën “Muhaxhirë” (Emigrantë), dhe banorëve të Medinës, që për shkak të ndihmës që jepnin u quajtën “Ensar” (Ndihmëtarë). Ky sistem barazoi për herë të parë skllavin nga Abisinia me fisnikun kurejshit, nuk kishte më dallime. Ajo që ishte e rëndësishme në këto rrethana ishte krijimi i marrëdhënieve të mira dhe solidare mes të ardhurve dhe vendasve. Në këtë mënyrë u tejkalua çdo lloj diferencimi. Për herë të parë ata u vëllazëruan jo në bazë të fiseve, rajoneve, shtresave shoqërore ose racave, siç kanë pasur më parë para Islamit.
Me këtë rast u shuan hasmëritë ndërvëllazërore mes fisit Evs dhe Hazrexh në Medine. Ata paten luftuar për vite të tëra para hixhretit, megjithëse kishin prejardhje nga I njëjti baba. Kurani, në një rast, ju përkujton pjesëtarëve të këtyre fiseve këtë fakt dhe ju thotë:
“Kujtoni dhuntinë e Zotit për ju, që duke qenë ju në armiqësi mes vete Ai I pajtoi zemrat tuaja, e në sajë të dhuntisë së Tij u bëtë vëllëzër. Ishit buzë greminës së zjarrit kur ju shpëtoi prej saj” (Ali Imran: 103).
4. Jeta e përbashkët ndërkomunitare dhe ndërfetare: Profeti Muhamed gjithashtu krijoi marrëdhënie të mira me komunitetet e tjera që jetojnë në Medinë. Aty gjeti një bashkësi të madhe hebraike si dhe disa fise të tjera arabe që nuk e kishin pranuar Islamin. Profeti përgatiti një traktat ose besëlidhje për marrëdhëniet midis këtyre bashkësive, që konsiderohet i pari traktat i shkruar si kart e të drejtave, që banorët të jetonin në paqe, mirëbesim dhe ndihmim të njëri tjetrit. Në dokumentin e Medines, që tashmë njihet si Kushtetuta e Medines, u përcaktuan marrëdhëniet me njëri tjetrin dhe me të huajt, strukturat administrative dhe gjyqësore, liria fetare dhe të drejtat tjera.
5. Sistemi i Ujit në qytet: Profeti u kërkoi shokëve të gërmonin puse në pjesë të ndryshme të qytetit. Përmendet se më shumë se 50 puse u hapën në qytetin e Medinës dhe kishte ujë të pastër të mjaftueshëm për të gjithë.
6. Bujqësia dhe Kopshtaria: Profeti i inkurajoi shokët të kultivojnë tokën dhe të bëjnë kopshte. Ai u tha atyre se kushdo që do të kultivonte ndonjë tokë të vdekur, do ta zotëronte atë. Shumë njerëz filluan të punojnë dhe të kultivojnë dhe së shpejti kishte ushqim të mjaftueshëm për të gjithë.
Luftimi i varfërisë: Në një periudhë të shkurtër kohore ndodhi që të mos kishte njerëz të varfër në Medinë. Urdhëroi të jepet Sadaka e Fitrit në bazë të kokave të banorëve dhe bëri ligj Zekatin Vjetor në të gjitha llojet e pasurisë, nëse plotësohen kushtet e caktuara. Pranë Xhamisë kishte ndërtuar një objekt të quajtur Suffe ku strehoheshin njerëzit skamnor, në modelin banesave sociale, për në kushte shumë më fillestare.
Të gjithë kishin ushqim dhe strehim të mjaftueshëm dhe Profeti mund t’ju jepte dhurata delegacioneve që vinin.
7. Siguria, Ligji dhe Rendi: Medina u bë qyteti më i sigurt. Kishte shumë pak incidente të vjedhjes, përdhunimit, dehjes ose vrasjes.

4. Përfundim:

Me pak fjalë,
Hixhreti i Profetit na mëson se kudo që të shkojnë myslimanët, ata duhet të sjellin mirësi në atë vend. Duhet të punojnë për mirësinë morale dhe materiale të shoqërisë.
Në kohwn kur rreth 80 milion njerwz janw refugjatw, të zhvendosurit për shkak të konflikteve dhe persekutimeve është më i larti që ka qenë ndonjëherë, ndërsa emergjenca klimatike gjithashtu ka një ndikim katastrofik në zhvendosjen.
Islami kërkon që besimtarët të ndihmojnë dhe mbrojnë njerëzit e cenueshëm dhe ofron një numër mekanizmash për kujdesin dhe mbështetjen e tyre. Për më tepër, është detyrë e muslimanëve të pranojnë dhe mbrojnë refugjatët për aq kohë sa ata kërkojnë mbrojtje.



Kumtesë e lexuar në Tryezën tematike - Hixhreti - Rrethanat historike dhe frymëzimet civilizuese