Sfidat rreth identitetit të imamit


Kriza e identitetit të imamit apo kriza e besimit të njeriut aktual


Nga modestia, thjeshtësia, pavëmendja apo edhe nga vetëkritika e tepruar, e shumë herë edhe nga naiviteti e inferioriteti, imamë dhe punëtorë tjerë fetarë, kanë pikëpamje të njëanshme, mbase të kufizuar ndaj raportit ndërmjet Islamit dhe shoqërisë moderne, imamit, njeriut modern dhe shoqërisë në të cilën jeton ai.

Duhet hulumtuar e mbase edhe duke gjetur shkase dhe shkaqe, arsye dhe justifikime, se përse shoqëria moderne dhe personazhi i saj, njeriu, njeriu mysliman, dëshirojnë ta dëbojnë fenë dhe ta rregullojnë jetën e tyre pa fe, pa fenë islame, pa bashkësinë islame, me ligjet botërore, njerëzore. Përse? Mos të tillët mendojnë se me fenë islame diç nuk është në rregull?! Mos mendojnë se në-me bashkësinë islame diç nuk është në rregull?! Mos njeriu mysliman është larguar nga vetvetja, është tëhuajësuar nga vetvetja, përkatësisht u largua nga natyra e tij burimore dhe nuk ka mekanizëm të vërejë ç’po ndodh me të dhe rreth tij?
Duhet shtruar pyetjen në mos shoqëria moderne është e dëmshme për jetën e njeriut apo e kemi gabim? Nëse do të thoshim po, modernizmi është i dëmshëm për njeriun, atëherë si do të duhej të sillej populli mysliman dhe imami si prijës fetar i tyre dhe a mund të bëhet diç që kjo gjendje të ndryshohet nga negativja në pozitive, nga e keqe në të mirë. Natyrisht se po, mund të bëhet. Besimi ynë islam, i bazuar në Kuran dhe Hadith, dhe në shkencat pozitive si antropologjia, sociologjia, etika, psikologjia, filozofia, arti e tjera, mund të ofrojnë kornizë, të cilat do ta ndihmojë njeriun dhe bashkësinë e tij moderne që t’u kthehet vlerave të humbura, natyrës së tij burimore (fitra), nga është katandisur kohë më parë dhe të shpëtojë nga vulgarizimi i materializmit, konzumerizmit, relativizmit, hedonizmit e tjera, nga e cila botë, nga njeriu, vijnë thirrjet dramatike se njeriu është në krizë të thellë të vetvetes, duke iu robëruar vlerave më të ulëta sesa është dinjiteti i tij. Njeriu humbi kompasin ndaj të mrekullueshmes, transcendentes, ndaj kohores, të shenjtës dhe hyjnores dhe u futë në cekëtinën e profanes, materiales, epshores.
Nëse i kemi parasysh këto të dhëna, atëherë është për t’u habitur përse imami, teologu islam, juristi islam, disa prej tyre lejojnë, synojnë madje dëshirojnë ta verifikojnë, ta vënë së sprovë identitetin e tyre imamor?! Mos vallë e bëjnë këtë për profite shoqërore në dobi të funksionit të imamit apo për ta gjallëruar funksionin e imamit, i cili sipas modernistëve kaherë është vjetruar dhe shndërruar në një godinë të fosilizuar, e cila nuk e çon para çështjen e besimit?! Edhe pse disa imamë do ta donin Islamin t’ia përshtatin kërkesave të modernes, shekullares, megjithatë kjo do të ishte e tepërt, e paqëndrueshme, sepse përshtatja e hyjnores e transcendentales me nevojat e shoqërisë moderne do ta bënte njeriun edhe më të parëndësishëm për atë shoqëri, sepse ideologjitë ndërrojnë shpesh, kurse fetarja e shpirtërorja mbesin si fanari që goditet nga dallgët e detit, por qëndron në këmbë fuqishëm dhe krenar.

Identiteti apo paidentiteti

Njeriu nga vetë natyra e tij shpesh pyet vetveten: Kush është ai dhe përse është i tillë? Përse duhet të jetojë, të besojë, të punojë, të martohet, të vdesë? Ndodh që ndonjë njeri i pa baraspeshuar ta sakrifikojë veten si pasojë e mosdhënies përgjigje optimiste ose mos gjetjes së përgjigjes që e mban aktiv e të motivuar në jetë. Ai nuk e gjen veten. Si i tillë ai është i vdekur në pikëpamje shoqërore, kështu që vdekja fizike nuk shihet si e madhe, e befasishme. Ai është asgjë dhe një hiç në sytë e vetes. Kështu e mëson kultura e tij, kështu e mëson mjedisi ku mëson, punon apo jeton. Depresioni, kriza shpirtërore e orientojnë të tillin drejt tragjedisë personale ose grupore. Shoqëria e ngatërron edhe më shumë, sepse ajo është e orientuar drejt profitit, dominimit, eksploatimit, e jo drejt humanitetit, solidaritetit e dashurisë. Njeriu vetëm e vetëm i edukuar drejt, formon unin e tij dhe botën e shikon si vlerë, e jo si ideal. Ai nuk hamendet dhe nuk dorëzohet para botërores. Formon unin e fuqishëm dhe i dorëzohet vetëm Krijuesit absolut. Sfidat tjera i kupton seriozisht dhe si të rrezikshme, por nuk iu nënshtrohet edhe kur humb. Identiteti është vlerë që i përket njeriut të pjekur dhe nga ky identitet i pjekur varet sa do të jetë njeriu i pavarur, sa do të jetë vetvetja. Sepse, njeriu i tillë nuk i përshtatet rrethanave shoqërore, por ndërton rrethana të reja në bazë të së vërtetës, të nderit, drejtësisë, të bukurës dhe mirësisë dhe atë nëpërmjet dy fazave, fazës së ndërtimit të identitetit dhe fazës së posedimit të identitetit. Të dy fazat janë të goditura vazhdimisht ndërmjet vlerësimit të vetvetes dhe vlerësimit nga të tjerët. Për shkak të problemeve me mjedisin, pak imamë ndërtojnë identitet vetjak në xhemat, por më tepër i nënshtrohen identitetit të mëhershëm, atij tradicional xhemator, që i imponohet nga rrethi. Ky konflikt identiteti kalon ose nëpërmjet akomodimit ose nëpërmjet asimilimit. Akomodimi në këtë rast nënkupton që njeriu e ndryshon vetveten nën ndikimin e proceseve shoqërore dhe ato i pranon si gjë të kryer. Kur imami bie në këtë gjendje, ai noton bashkë me ujin dhe si ta ketë fatin më tutje, me shumicën. Të tillët mendojnë se duhet ndjekur kohën, modernen etj. Asimilimi nënkupton në këtë rast përballjen me risinë e caktuar, analizimin e saj dhe marrjen e një qëndrimi lidhur me këtë. Këtë gjendje të re e kupton, e bënë të pranueshme për mënyrën e jetës së tij, dhe nuk e harron identitetin e vet. Asimiluesi nuk noton me shumicën drejt teposhtës, por çdo gjë e mendon, e verifikon dhe e pranon atë që i duhet, përkatësisht e refuzon atë që e dëmton. Mbase ka edhe mënyra tjera, të cilat duhet studiuar dhe verifikuar në mënyrë teorike e empirike.

Çka e bën imamin imam?!

Është e vështirë një përgjigje e plotë në këtë konstatim-pyetje të sipërme, por një përgjigje e mundshme do të mund të ishte: Imami që me vetëdije të plotë e me ndërgjegje të lartë e ndien dhe e përjeton veten në rrugën e tij jetësore është imam. Këtë do të duhej ta fuqizonte edhe rrethi ku jeton dhe të dëshmojë për të. Kjo vlen edhe për imamin dhe identitetin e tij. Si i pari i lagjes apo i vendbanimit të caktuar imami duhet të shquhej nga të tjerët, por me çka të shquhet nga të tjerët dhe si ta bëjë këtë? Imami ka një identitet, që nuk ndahet, që nuk tretet, e jo dy, siç ndodh te disa fe tjera: një identitet njerëzor (botëror) dhe një identitet imamor (hyjnor), një sakral e një profan, një parësor e një dytësor, një për shehër e një për fshat, një për shtëpi, e një për pazar. Imami me mendimin dhe veprimin e tij përqendrohet rreth një bote, një bote reale, dhe një bote tjetër besimore, të ahiretit. Imami nuk vepron ndryshe me botën reale, empirike dhe ndryshe me gjendjet tjera. Ai e kupton xhematin e tij, sepse edhe vetë është njeri, por xhemati më pak e kupton atë sepse ata nuk janë imamë. Imami duhet ta pranojë modernizmin si mjet udhëtimi, vegël për veprim, por jo si ideal, si pikësynim. Këtë imami duhet t’ia thotë por edhe t’ia demonstrojë xhematit të tij. Pranimi i pakusht i modernizmit nga disa nuk ka dhënë dhe nuk do të jap rezultate, sepse modernizmi është i mangët në thelb. Imami në vetvete duhet të jetë i gatshëm për sfidat e jetës dhe para të tjerëve të paraqitet me frymë optimiste, të hapur, konstruktive, të komunikojë me rrethin dhe të ofrojë platformë të sigurt. Fjalori i tij herë-herë represiv, kërcënues dhe shantazhues nuk do të jap rezultate. Fjalori i tij lajkatar, premtues e puthadorë ndaj ofertave të modernizmit nuk do të jap rezultate. Imami duhet të ruaj funksionin e imamit çfarë ishte, modern për kohën e vet në kuptimin tekniko-teknologjik, por konservativ në kuptimin moral. Modernizimi i dhunshëm i imamit dhe bashkësisë së tij do ta degradojë funksionin e imamit, do ta bëj të papranueshëm edhe për xhematin dhe do ta thellojë krizën e identitetit të tij. Imami ishte, është dhe duhet të jetë prijës në shoqëri, para sfidave ideore e teknike-teknologjike, duke ofruar për orientues dhe kriter të përshpirtshmen dhe të moralshmen. Vetëm këto vlera (e përshpirtshmja dhe e moralshmja) nuk plaken, nuk vjetrohen, nuk u skadon afati, ngase burimin e kanë te Krijuesi. Çdo gjë tjetër është kalimtare dhe i kthehen origjinës, kohores, shkatërrimit, tokës.

Imami dhe shekulli XXI

Duam apo nuk duam, duhet ta pranojmë se imamët gjatë historisë ishin personat kryesorë fetarë në Islam, më të besueshmit në shpjegimin e fjalës së Zotit. Me këtë fakt, do të pranojmë se ata janë bashkë krijues të ndërtesës së quajtur umet, të cilën e kanë përcjell iniciativa, burimi, shkathtësia dhe ndryshimet. Për këto lëvizje kërkohet besim i përhershëm dhe sensi për të kuptuarit e ambientit dhe kohës së veprimit. Në mungesë të kësaj vëmendjeje, është reaguar zakonisht me vonesë, sikurse reagimi ndaj zbehjes së besimit, ndaj shekullarizimit të jetës sonë, praktikimit më të vogël të fesë, dominimit të formalizmit në jetën fetare etj. Reagimi i mëvonshëm nuk pengon gjë lëngatën që ka nisur më herët por vetëm mjekon, përpiqet ta ngadalësojë lëngatën e pranishme tashmë shumë kohë. Edhe kur ndodhën reagimet ato u bënë në mënyrë të vaktë, me ngjyrime pasive, me ton të ngjirur. Disi imamët turpëroheshin pa nevojë për turpet e atyre që do të duhej ata të turpëroheshin. Fitohej bindja e gabuar se puna e imamit nuk jep rezultate edhe kur punohet. Harrohej se rezultatet nuk vijnë aty për aty por më vonë. Së pari bëhet mbjellja e më vonë kryhet korrja.
Me ndërrimin e brezave të besimtarëve nuk bënë të humbet fija e lidhjes mes tyre, brezave të vjetër që po ikin dhe brezave të rinj që po vijnë. Nëse imamët bëjnë gabim në hapa, gjetja e fijes lidhëse të humbur mes brezave do të bëhet edhe më e vështirë dhe do të marrë kohë. Lufta për pasues të fesë (xhematëve të rinj) duhet të mbetet prioriteti ynë. Mësim-besimi duhet të intensifikohet, madje të bëhet strumbullar i të gjitha aktiviteteve. Shtypi fetar, ligjëratat fetare, namazet e përbashkëta, aktivitetet e femrës, çdo gjë duhet të lidhet me mësim-besimin. Të rinjtë tanë janë e ardhmja e fesë jo vetëm në ligjëratat e shkrimet tona, por para së gjithash në veprimet tona.
Aktiviteti i imamit duhet të dal edhe jashtë xhamisë. Kërkimi i njerëzve të rinj duhet të bëhet ide qendrore, qoftë edhe nëse na ikë ndonjë gabim. Më mirë gabim duke lëvizur sesa jo gabim duke fjetur. Njerëzit e rinj duhet ta duan imamin, jo pse imami mban orë dore të shtrenjtë, jo pse imami vozitë veturë të shtrenjtë, por pse i njeh hallet e tyre dhe ka propozime për zgjidhjen e halleve të tyre. Humbja e besimit tek imami është thuajse katastrofë, me peshën që dikur e sot e kanë ateizmi, shekullarizimi, laicizmi e izma të ndryshëm anti islam.
Imami në shekullin XXI duhet të jetë i ditur, i urtë, i informuar, nismëtar dhe bashkëpunues. Asnjë metodë nuk është e vetëmjaftueshme, kështu që kombinimi i metodave mund të jap rezultat. Ndryshimi vetvetiu nuk sjell zgjidhje, andaj ndryshimet duhet bërë me dije fetare e shkencore, urtësisht, larg interesave egoiste të individëve të fuqishëm.



Dituria Islame 315


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dersi i xhumasë - Ligjeruës Myftiu Naim ef. Tërnava, Tema: Punët e hajrit