Tridhjetë vite punon 500 metra nën tokë, asnjëherë nuk e ka prishur Ramazanin


Ky grup burrash po bëhen gati për një ditë të gjatë pune në thellësitë e tokës, në një minierë në qytetin e Zenicës në Bosnje.
Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, ka plot minatorë këtu, që pavarësisht punës së tyre të vështirë, mbajnë agjërimin. Minatorët vishen dhe thërrasin një ashensor që do t’i ulë deri në 500 metra poshtë sipërfaqes së tokës. Kjo është puna e tyre. Në duar minatorët mbajnë një çantë me ushqime.
“Për dikë që nuk do të mbajë agjërimin, është përherë e thjeshtë të gjejë një justifikim. Ne punojmë fort, këtu është vapë, por sërish ne mbajmë agjërimin dhe është Zoti ai që na jep forcën për të përballuar kushtet e vështira”-thotë Salih Doglod, një prej minatorëve.
Në këto thellësi të mëdha, askush s’mund të shohë kur perëndon dielli, e këta besimtarë ‘konsultojnë’ orët e tyre, për të gjetur momentin kur mund të prishin agjërimin.
Pas ngrënies, vjen një lutje.
Disa prej këtyre minierave në Bosnje janë të vjetra dhe pak të mirëmbajtura. Në vitin 2014, raporton Associated Press, Fuad Hadzic i shpëtoi një shembjeje në minierë. Thotë se ai incident thjesht i forcoi besimin në Zot, pasi nga ajo shembje 33 minatorë u lënduan, ndërsa 5 humbën jetën.
“Shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por mund të them se ne si njerëz besuam dhe Zoti lart na shpëtoi”-thotë Hadzic.
“Unë punoj prej 30 vitesh në këtë minierë dhe me ndihmën e Zotit, kam mundur të mbaj Ramazan çdo vit, nuk e gjej fare të vështirë”-shtoi ai.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi