Sa herë që na vjen muaji i Ramazanit, na ngjall kujtime të bukura për jetë islame, për adhurime të sinqerta ndaj Allahut, për solidaritet ndaj të tjerëve, për xhami të mbushura përplot për teravi etj.
Ky muaj i bekuar na sjell ndjenja që të kënaqin e të ngjallin shpirtin, dhe kjo për faktin se është i begatshëm dhe fisnik. Të tillë e ka quajtur pejgamberi a.s., të tillë e ka përjetuar dhe të tillë duhet ta përjetojmë edhe ne.
- Kur afrohet ky muaj, në ne myslimanët krijohet një ndjenjë e cila nuk është e njëjtë tek të gjithë. Kjo ndjenjë ndryshon në saje të qasjes që ne i bëjmë këtij muaji të bekuar, saktësisht se si e shohim atë.
- Nga ajo që kam mundur të marr nga fusha e gjerë në të cilën jetojnë myslimanët, kam gjetur se në kohën para Ramazanit ka tri grupe myslimanësh: - ata që këtë muaj e presin me gëzim të madh dhe e agjërojnë me përkushtim;
- ata që nuk i gëzohen këtij muaji, por që e agjërojnë me përtesë dhe pa përkushtim dhe
- ata tek të cilët Ramazani nuk zgjon kurrfarë ndjenje, thjesht për ta është një muaj si të tjerët ,nuk e agjërojnë fare.
Ardhjes së Ramazanit i gëzohemi
I dërguari ynë i fundit, Muhamedi a.s., afrimit të Ramazanit i gëzohej shumë dhe sa afrohej ky muaj, i përgatiste shpirtërisht shokët e tij duke i përgëzuar e duke u thënë: ”Para jush keni një muaj madhështor, fisnik e të begatshëm, agjërimin e tij Allahu jua ka bërë obligim…”.
I Dërguari a.s. i gëzohej shumë Ramazanit, sepse është muaji në të cilin Allahu i lartësuar zbret mëshirën dhe faljen e Tij në mënyrë më të veçantë se në muajt e tjerë. Këtij muaji i gëzoheshin edhe ashabët dhe i gëzohet çdo mysliman që jeton për ta fituar kënaqësinë e Allahut, faljen dhe Xhennetin e Tij. Ramazani është mundësia më e mirë gjatë gjithë vitit për t’u afruar tek Allahu, për tu bërë më të devotshëm. Kjo për faktin se në këtë muaj dyert e të mirave janë të hapura, dyert e Xhenetit janë të hapura, dyert e Xhehnemit janë të mbyllura, shejtanët janë të prangosur. Të gjitha këto janë shenja që vërtetojnë se të mirat dhe begatitë janë të shtuara në një masë shumë të madhe përkundrejt të këqijave, që janë të reduktuara.(1)
E si të mos i gëzohemi këtij muaji kur në të namazet synete kanë shpërblimin e farzeve, ndërsa një namaz farz ka vlerën e shtatëdhjetë namazeve farz që falen jashtë Ramazanit.
Si të mos i gëzohemi kur ky muaj do të na bëhet mburojë nga zjarri i Xhehennemit. Pejgamberi a.s. thotë: ”Agjërimi është mburojë”(2)
Dhe: ”Agjërimi është mburojë nga zjarri siç është parzmorja mburojë në luftë”(3)
Këtë muaj Allahu e ka lartësuar duke bërë që në dhjetëditëshin e fundit të tij të jetë edhe Nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. Allahu thotë në Kuranin fisnik: ”Nata e kadrit është më me vlerë se një mijë muaj”. (El-Kadr: 3)
Me të vërtetë obligimi i këtij muaji me agjërim është një e mirë e madhe dhe një begati e pafund, me të cilën Allahu i Mëshirshëm na ka begatuar ne.
Allahu i bëftë të mundur grupit të parë, atyre që i gëzohen Ramazanit, ta
presin shëndoshë, ta shfrytëzojnë në maksimum dhe nga ai të dalin të falur.
Agjërojnë, po…..!!!
Para këtij muaji të begatshëm gjejmë një grup tjetër myslimanësh, të cilët kanë vendosur të agjërojnë, po që nuk i gëzohen ardhjes së tij. Të tillët besojnë në obligueshmërinë e agjërimit të këtij muaji, por, kur agjërojnë, këtë nuk e bëjnë me përkushtim e dashuri, veçse me përtaci e lodhje. Këta myslimanë në agjërimin e tyre kanë shume defekte, të cilat s’do mend se mund t’ua çojnë tërë mundin kot dhe nga agjërimi të mos përfitojnë gjë përveç lodhjes për një muaj rresht. E them me keqardhje, por besoj se ne këtë grup veten e gjejnë një numër i madh i myslimanëve.
- Në përpjekjet për të gjetur defektin nga i cili vuan ky grup, kam gjetur se gati i tërë problemi qëndron në synimin-nijetin, i cili pa dyshim është kushti i parë për t’u pranuar çdo adhurim. Ja ku e shoh unë problemin: shumë agjërues nga ky grup e fillojnë agjërimin, por atyre u mungon synimi për të cilin është bërë obligim agjërimi. Po cili është ky synim? Allahu xh.sh. thotë: ”O ju që besuat, agjërimi ju është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”. (El Bekare:183)
Me agjërim synohen: devotshmëria, ruajtja nga dënimi, fitimi i kënaqësisë së Allahut, pasurimi i shpirtit me vlera të larta morale.(4)
Ky synim i lartë nuk është në kokën e asnjërit prej agjëruesve të këtij grupi, andaj si mund t’i kënaqë agjërimi kur ata nuk agjërojnë me synimin që duhet ta ketë agjërimi.
Fillohet agjërimi me një përtaci dhe plogështi të madhe, sepse nuk është kuptuar synimi dhe urtësia e tij. Shembulli i agjëruesve të tillë është sikur shembulli i nxënësit përtac, i cili qëndron i mërzitur dhe i lodhur mbi libër me të filluar leximin, dhe kjo për faktin e thjeshtë se nuk e kupton rëndësinë e dijes-studimit. Për të pasur agjërim të dashur e të lehtë dhe për të qenë i falur nga Allahu xh.sh., duhet të besohet fuqishëm në faljen dhe rezultatet pozitive të agjërimit. Zatën, Pejgamberi a.s. e ka kushtëzuar besimin dhe bindjen me mëshirën e Allahut dhe faljen e Tij që kjo të ndodhë në praktikë. Ka thënë Pejgamberi a.s.: ”Ai që agjëron ramazanin me besim të plotë dhe bindje në faljen e mëkateve, atij do t’i falen mëkatet e mëparshme…”(5)
Të njëjtët para, të njëjtët në Ramazan, të njëjtët edhe pas tij. Agresivë dhe të dhunshëm para dhe gjatë Ramazanit, pa asnjë ndryshim pozitiv. Agjërueshëm e me fjalor të ndyrë, me fjalë boshe tërë ditën, - kjo nuk i takon një agjëruesi të denjë. Kjo nuk bën të ndodhë duke e ditur shumë mirë hadithin e Pejgamberit a.s., në të cilin thuhet: ”Ai që nuk braktisë fjalën dhe punën e keqe, nuk ka nevojë të rrijë pa ngrënë e pa pirë (të lodhet koti)”.(6)
Pas këtij hadithi duhet të vijë nënshtrimi i plotë ndaj Allahut kur agjërojmë. Agjërimi është ibadet, e nëse ibadeti nuk bëhet siç e kërkon Allahu xh.sh., atëherë mundi ka shkuar kot dhe vetëm e kemi lodhur veten.
Zot, Ty të nënshtrohemi plotësisht
Allahu xh.sh. ka obliguar agjërimin dhe këtë të vërtetë të madhe e pranon grupi i dytë që e kemi në shqyrtim. Por nuk është agjërimi i vetmi obligim që ne kemi në këtë muaj ndaj Allahut të Lartë, janë edhe disa të tjera obligime në krye të të cilave qëndron namazi. Pavarësisht nga fakti se i vetmi Zot i Cili na e ka obliguar agjërimin, na e ka obliguar edhe namazin, gjejmë të tillë që gjatë gjithë Ramazanit nuk falin asnjë namaz. Kjo është absurde dhe plotësisht e papranueshme. Më vjen pak keq nëse ndonjë lexues nuk ndihet mirë duke lexuar këta rreshta, për shkak se do ta gjejë veten në këtë grup, por kjo është e vërteta dhe ajo duhet pranuar edhe nëse është e hidhur.
Me agjërimin e Ramazanit për një muaj, nuk i kemi kryer obligimet ndaj Allahut për tërë vitin . Me faljen e namazit të teravisë gjatë këtij muaji, nuk e kemi kryer namazin për një vit. Namazi është obligim pesë herë në ditë gjatë gjithë vitit, dhe vetëm kështu duhet ta kuptojmë. Ata që mundohen ta mashtrojnë Allahun, e kanë mashtruan vetveten, edhe nëse këtë nuk e kuptojnë.
U bëj lutje të gjithëve që e gjejnë veten ne këtë grup, të pendohen dhe të thonë: Zot, Ty të nënshtrohemi plotësisht.
Të jetë muaji i Ramazanit një fillim i ri pas të cilit Allahu dhe i Dërguari i Tij të bëhen më të dashurit në zemrat tona, sepse vetëm kështu e kemi besimin të plotë.
Ramazani muaj si të tjerët
Tërë ajo që u tha deri tani, do të duket e lehtë kur duhet ta pranojmë një realitet tjetër të hidhur: myslimanë që nuk e agjërojnë fare ramazanin.
U mbetem me borxh nëse nuk e sqaroj se nuk e kam fjalën për ata që i ka lejuar Allahu xh.sh., siç janë: të sëmurët, udhëtarët, në moshë të shtyrë, gratë shtatzëna etj. të cilët duhet ta kompensojnë më vonë. Fjala është për myslimanët e rritur të shëndoshë, të cilët thjesht nuk duan të agjërojnë.
Ata që nuk e agjërojnë Ramazanin, duhet te jenë në njërin prej dy grupeve:
- Të tillë që nuk besojnë detyrueshmërinë e agjërimit të Ramazanit, dhe
- Të tillë që besojnë detyrueshmërinë e agjërimit të Ramazanit, por që pa
ndonjë arsye të vlefshme nuk e agjërojnë këtë muaj.
- Ata që mohojnë detyrueshmërinë e agjërimit të muajit të Ramazanit, me vetëdije të plotë dhe të lirë nga çdo inponim, kanë dalë nga feja, ata janë pabesimtarë. Nëse atyre u janë shpjeguar qartë pasojat e mohimit-fjalëve të tyre, dhe ata prapëseprapë kanë vazhduar të mohojnë, atëherë ata janë pabesimtarë dhe duhen trajtuar si të tillë. Në këtë rast nuk u themi myslimanë që nuk agjërojnë, por u themi pabesimtarë prej të cilëve nuk pritet të agjërojnë, po, edhe nëse agjërojnë, nuk u pranohet, sepse Allahu nuk e pranon agjërimin e një pabesimtari.
- Mohimi i agjërimit të Ramazanit është pabesim, sepse detyrueshmëria e tij është e vërtetuar qartë me ajete kuranore, prej tyre ajeti 183 nga kaptina El-Bekare, i cituar më lart. Mohimi i kësaj detyrueshmërie është mohim i ajetit, kurse mohimi i ajetit uranor është kufër-pabesim.
- Çdo njeri, i cili me bindje të thellë beson në tërë atë me të cilën është dërguar Muhamedi a.s. dhe pa dyshuar aspak në të, është besimtar. Andaj ai që nuk e agjëron Ramazanin po beson se është obligim-farz, i tilli është besimtar, por duke braktisur agjërimin, ai bën një mëkat tepër të madh. Të tillët duhet të fillojnë agjërimin sepse, sa kohë që besojnë se e kanë obligim, duhet penduar tek Allahu për mëkatin e bërë. Ky muaj që po vjen, është një
mundësi e mirë që t’i dëshmojnë Allahut besimin e tyre me vepra të
mira.
I nderuar lexues, tani që ke lexuar kë- ta rreshta modestë, uroj që veten ta kesh gjetur në grupin e parë, sepse këtij grupi i ka prirë Muhamedi a.s., por nëse jo, vendos që tani të jesh në atë grup, sepse vetëm aty gjendet shpëtimi, pranimi dhe falja.
Allahu na e bëftë të mundur ta presim Ramazanin, ta agjërojmë atë si duhet dhe të na e pranojë!
_____________________
Fusnotat:
1. Dr. Jusuf El-Kardavi, Hutabu Shejh El-Kardawi, vëll i parë, faqe 214, viti i bot. 1997 Kajro.
2. Këtë fjali e gjejmë në disa hadithe që trans. grup
sahabesh prej tyre: Ebu Hurejra r.a. në dy Sahihet.
3. Transmetojnë: Ahmedi, Nesaiu, Ibni Maxhe,
Ibni Huzejme dhe Ibën Haban nga Othman bin
ebi El’As, siq e gjejmë në Sahihun El-Xhamius
Sagir nr.: 3879.
4. Dr. Vehbet Ez-Zuhejli, Et’Terfsirul Vexhiz ala
Hamish El-Kur’anil Adhim, fq.29, viti i bot:
1996-Damask.
5. Mutefekun alejhi, trans. Ebu Hurejra r.a.
6. Transmetonjë: Buhariu. Ebu Davudi, Tirmidhiu,
Nisaiu dhe Ibni Maxhe nga Ebu Hurejra r.a.
Muharrem Tërnava