Nata e Kadrit si histori dhe epokë e vetëdijes njerëzore

Para Ademit alejhi selam kishte vend, ndoshta para tij nuk kishte kohë, sepse historia njerëzore filloi me Ademin, paqja e Zotit qoftë mbi të dhe pasardhësit e tij, dhe nga ajo ditë njeriu filloi të regjistroj ndodhitë, praktikisht nga regjistrimi i ndodhive filloi historia. Në këtë mënyrë ne themi, para hixhretit të profetit Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të, dhe pas hixhretit (migrimit të tij nga Mekka në Medinë). Apo periudha para (lindjes së ) Jezusit/Isa a.s. ose pas Jezusit, paqja e Zotit qoftë mbi të, që shënon një periudhë të rëndësishme kohore. Para shpalljes së Kur’anit fisnik dhe pas shpalljes së Kur’anit fisnik në Muajin Ramazan që shënon një nga ndodhitë më impozante dhe më të rëndësishme për besimin islam.
Kur shikojmë përpara, mendojmë për të ardhmen, dhe kur mendojmë për të ardhmen, duhet të lexojmë historinë, ndërsa historia është e përbërë nga dy pjesë, ngjarje dhe rezultate, kështu që ngjarja vazhdon, dhe është pjesë e historisë dhe rezultati mbetet, ajo pozicionohet dhe banon në të ardhmen, kështu që e kaluara nuk mund të ndahet nga e ardhmja.
Nuk është e mundur të kuptohet historia pa një studim gjithëpërfshirës të ngjarjeve në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe një studim më të thellë në mënyrë më të saktë të atyre që bënë historinë (personalitet) dhe kjo nuk është e mundur të kuptohet pa një përfshirje të plotë të ideve që mbizotëruan në atë moment, sepse jeta në tërësinë e saj nënkupton idetë, njerëzit dhe ngjarjet.
Koha nuk bën asgjë, por njerëzit janë ata që ndikojnë në kohë, dhe të flasësh për kohën abstrakte është joserioze, sepse nuk ka kohë të kaluar, të tashme dhe të ardhme pa njeriun, dhe sikur të mos ishte njeriu, koha nuk do të kishte vlerë madje ajo nuk do të kishte kuptim. Koha është vetëdija e njeriut për zhvillimin e historisë, dhe vetëdija e vërtetë është veprimi, ndërsa veprimi materializohet në histori.
Në botën tjetër (ar.ahiret) njeriu do të ndiejë vendin por vetëdija për kohën do të pushojë së funksionuri, do të ndalet, sepse është zhvendosur në një vend që ka kritere tjera, ndoshta nuk do të ketë kohë por do të jetë përjetësi në një vend. Çuditërisht vendi egziston poashtu edhe vetëdijeta njerëzore egziston por koha nuk do të ketë më kuptim, ngaqë roli i njeriut përfundon së qenuri mëkëmbës i Zotit në ahiret, ngaqë çdo gjë atje ka ndryshuar dhe është krejtësisht ndryshe.

Ramazani këtë vit është në prag të përfundimit dhe kjo është rezultat i vetëdijes njerëzore për kohën (ditët e numëruara) ndërsa në një vend tjetër në Kur’anin fisnik, Zoti i lartësuar thotë : „ që të plotësoni periudhën e pritjes“ ..sikur ramazani na thotë ..koha po ecën shpejtë dhe vetëm ata që janë të pranishëm në kohë me mendjen e tyre janë të vetëdijshëm për këtë fenomen kaq të rëndësishëm.
Dhjetë ditët e fundit të ramazanit, gjatë çdo viti për besimtarët myslimanë shënojnë një periudhë shumë të rëndësishme ku ata me shumë devotshmëri dhe dinjitet i përkushtohen edhe më shumë adhurimeve duke kërkuar mirësitë e Natës së Kadrit, natë e cila shënon kontaktin mes qiellit dhe tokës, mes Zotit dhe njeriut, profetit të fundit të njerëzimit, Muhammedit, paqja e Zotit qoftë mbi të. Kjo natë kaq madhështore është jetike për besimtarët për faktin që filloi shpallja e Kur‘anit fisnik „Ne e zbritën atë në Natën e Kadrit“. Dhe fjala „kadr“ nënkupton një nder i lartë, dhe një pozicion i shkëlqyeshëm, praktikisht një „Natë e Bekuar“ sipas Kur’anit fisnik..“ Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar“, që në vete ngërthen kuptimet e mirësive të shumta të panumërta. Madje Kurani fisnik ka përmendur domethënien e këtyre mirësive të shumta „ Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj“... andaj sadopak ky fragment kuranor duhet të provokoj vetëdijen tonë rreth vlerës, dobisë dhe rëndësisë së shfrytëzimit të kohës gjatë kësaj periudhe kaq të rëndësishme dhe jetike për besimtarin.
Mirësitë e përsëritjes së kësaj Nate Madhështore për çdo vit, janë të shumta, në këtë kontekst janë edhe rekomandimet e Profetit të Mëshirës për ta kërkuar dhe jetësuar atë, siç nënvizohet në shumë hadithe ku thuhet „ kërkojeni në dhjetë dhiteshin e fundit“. E sikur të mos përsëritej çdo vit nuk do të kishte kuptim rekomandimi i profetit Muhammed, paqja e Zotit qoftë mbi të, për ta kërkuar dhe jetësuar këtë natë të madhe... e përsëritja e saj nënkupton përsëritjen e mirësive të shumta të saj që flasin për vlerën e saj si pikënisje e shpalljes së Kur‘anit fisnik.
Ajo që e bënë madhështore Natën e Kadrit, është fakti që ndërlidhet me nderin e Kur‘anit fisnik që nënkupton që shënimi i kësaj nate në mënyrë festive me adhurime dhe madhërime ndaj Zotit praktikisht don të thotë festë madhështore për shpalljen e Kur‘anit fisnik, për të përfituar nga mirësitë dhe bekimet e saj duke medituar dhe soditur, duke lexuar dhe jetësuar mësimet e Kur‘anit fisnik.
Afrimiteti ndaj Zotit të Lartësuar në Natën e Kadrit duhet realizuar sipas metodologjisë së shëndoshë që burojnë nga Kur‘ani fisnik si tërësi, mes tjerash..evitimi i të këqijave, ndërtimi dhe përmirësimi i raporteve ndërnjerëzore, ruajtja e dinjitetit njerëzor, nderit dhe pasurisë së tyre, zbatimi dhe jetësimi i praktikës dhe adhurimeve fetare, mishërimi i tyre në jetën e përditshme, kujdesi për jetimët, të varfërit, të sëmurët, gratë e veja, të shtyrët në moshë, të pastrehët.. ushqeni të varfrit, të sëmurët, të pastrehët, gëzoni fëmijët me paketat e bajramit në formë të dhuratave nga çdo xhami, shtëpi e lagje, aty do ta gjeni Zotin e Lartësuar.
Nata e Kadrit është një thirrje e vërtetë dhe e qartë për t'iu afruar Krijuesit përmes kontaktit me shpirtin dhe pajtimit me të, dhe përmes pasqyrimit të bukurisë së saj të ngrohtë në komunikimin me ekzistencën e qenieve.
Nata e Kadrit na mëson dashurinë dhe mirësinë ndaj të tjerëve.. sa fe e bukur që është kjo..e cila fton në altruizëm "Askush nga ju nuk beson derisa të dojë për vëllain e tij atë që do për veten e tij. Hadith që transmetohet nga Imam Buhariu dhe Muslimi. Fe e cila e ndërlidhë drejtësinë, sinqeritetin dhe vetëdijen me bamirësinë “ Kurrë nuk do të arrini sinqeritetin e plotë me besim (as kënaqësinë e lumtur në Xhennet) derisa të mos e jepnimë të dhimbshmen (më të dashurën) e pasurisë suaj. Çkado që jepni (për Zotin), All-llahu atë e di.“ thuhet në Kur‘anin fisnik, Ali Imran,92.
Nga kjo konstatojmë që historia është e lidhur me lëvizjen e njeriut, dhe qenia njerëzore është e dy llojeve, i pavetëdijshëm në tërësi sipas konceptit Kur‘anor, dhe i vetëdijshëm i drejtë. I pari nuk është i vetëdijshëm për rolin e tij si qenie njerëzore, ndërsa i dyti ka një pozicion në histori, dhe ai ka një sens për kohën dhe rëndësinë e saj, kështu që ai regjistron një prani intelektuale dhe praktike, ose ndonjëherë shënon vetëm një prani intelektuale, dhe herën tjetër një prani praktike.
Andaj të dashurit e mi, të shënojmë praninë tonë intelektuale dhe praktike në Natën e Kadrit për të vazhduar edhe më tej pas muajit të ramazanit në shumë sfera dhe drejtime.
Zoti ua shpërbleftë agjërimin dhe ua plotësoftë të gjitha dëshirat dhe lutjet!


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme