Besimtarët sot në mëngjes, në ora 06:10, e kanë falur namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror u mbajt në Xhaminë e “Mustafa Pashës” në Shkup.
Pas faljes së namazi i Fitër Bajramit, myslimanët kanë uruar njëri tjetrin me mesazhe paqeje, mirësie respekti.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, në mesazhin e tij urues me rastin e festës së Fitër Bajramit ka theksuar se kjo festë është ngadhënjim i së mirës ndaj së keqes, i shpirtërores ndaj epshores dhe emocionales, i moralit ndaj amorales dhe të tjera.
“Jemi në kulmin e përjetimit të gëzimit të thellë të festës së Madhe të Fitër Bajramit. Po e përcjellim musafirin tonë të dashur dhe të begatë të bindur se me përkushtimin më të madh ? kryem kushtin themelor të Islamit, agjërimin e ditëve të tij që e përshkon gëzimi i madh, me çka dëshmuam vetëdijen e lartë dhe përkushtimin tonë të madh se lidhja jonë me Zotin është bindje e thellë në zemrat, të menduarit dhe në jetën tonë praktike, konform fjalëve të Allahut të Gjithmëshirshëm kur thotë: ”Që të jeni të devotshëm”. Sot, si asnjëhërë më parë, jemi bindur se muaji i Ramazanit mbolli tek ne bindjen e paluhatshme se dija, meditimi mbi gjithçka që krijoi Zoti janë argumente mbi ekzistencën dhe rrugëtimin e drejtë të njohjes së Tij, sepse në këtë muaj, në Natën e Kadrit zbriti imperativi i Zotit: “Lexo në emër të Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)”, tha Shaqir Fetahu.