Shpallja, shkenca dhe bota metafizike

Allahu e veçoi njeriun nga krijesat e tjera duke i dhënë mendjen, atij i dhuroi edhe shqisat për të njohur botën. Kështu, nëpërmjet mendjes njeriu merr perceptimet, kupton, mediton dhe nxjerr konkluzione. Mirëpo, krahas kësaj, Allahu i Madhërishëm nëpërmjet pejgambereve dërgoi shpallje dhe i furnizoi ata me dije mbi qëllimin e jetës, vlerat dhe kualitetet etike dhe ua besoi detyrën që Shpalljen Hyjnore t’ua komunikonin njerëzve duke ua treguar rrugën e vërtetë.
Ndërkaq, nëpërmjet pesë shqisave, shikimit, dëgjimit, nuhatjes, shijimit dhe prekjes, që i ka si pesë dritare që i janë hapur për të parë botën lëndore, njeriu merr ndijimet. Njeriu përdor edhe teknika të ndryshme shkencore për të njohur më shumë botën lëndore.
Me përparimin e shkencave, njeriu e kupton më mirë natyrën, e studion dhe e njeh më shumë ndërtimin dhe funksionimin e ligjeve në të. Mirëpo, përkufizimi i njohjes vetëm në atë që është materiale, duke e privuar nga pranimi i botës së shpirtit, shpalljes dhe nga të parët përtej botës fizike, është një përkufizim i gjymtë dhe jo i drejtë. Të deklarohet se s’mund të njihet asgjë tjetër veç asaj që mund të kapet përmes shqisave: nëse shihet, preket, dëgjohet etj.; është një pretendim që mbase do t’i shkonte mendjes fëmijërore.
Dituria nuk mund të reduktohet në një burim të vetëm. Mendja, pesë shqisat dhe vrojtimi janë konsideruar burime të dijes që nuk konfrontohen me burimin epistemologjik hyjnor – revelatën/vahjin.
Përkrahësit e shkollës ‘pragmatiste’ tregohen racionalë kur pohojnë pafuqinë e mendjes për të kuptuar të vërtetën, por ata e reduktojnë fuqinë e mendjes vetëm në njohjen e mjeteve për të arritur qëllimet. Ndërkaq, aftësia e mendjes së njeriut, ndonëse është më shumë se kaq, megjithatë ajo është e limituar dhe nuk mund të kuptojë të vërtetën rreth botës metafizike. Prandaj, vetëm nëpërmjet Shpalljes, njeriu duke përdorur mendjen, arrin të mësojë të vërtetën për Zotin.
Ndërmjet shkencës dhe fesë islame, midis racios dhe besimit, nuk ekziston fërkim ose konflikt, por përkundrazi, mund të bëhet fjalë vetëm për bashkëpunim.
Themeli, mbi të cilin bashkohen të gjitha sistemet mendimore, që nuk bazohen në shkencë, por në scientizëm, si: darvinizmi, bihejviorizmi, psikoanaliza frojdiane, materializmi dhe pozitivizmi etj., është refuzimi i fesë me burim nga shpallja dhe i urdhëresave dhe ndalesave të Zotit.
Fakti që ligjet natyrore zbulohen e njihen nuk duhet interpretuar aspak sikur këtej e tutje del e panevojshme të besosh në ekzistencën e një ligjvënësi dhe projektuesi të natyrës. Është e çuditshme se pjesa dërrmuese e shkencëtarëve perëndimorë tregohen mospërfillës dhe skeptikë ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me botën përtej botës lëndore.
Kurani, edhe pse është libër hyjnor dhe ka për qëllim udhëzimin e njerëzimit, kjo s’do të thotë që Kurani të mos ketë vargje të cilat përmbajnë të vërteta rreth botës lëndore. Por, është gabim të pretendojmë se Kurani është një vepër-enciklopedi shkencore. Madje sipas Roxhe Garodit do të ishte një punë fëmijërore të konsiderohet Kurani si enciklopedi, që na liron nga mundimet e rënda gjatë gjurmimeve shkencore dhe teknike, të cilat botën islame në të kaluarën e bënë qendër të kulturës botërore.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi