Haxhi 2022: Maroku reagon ndaj rritjes së çmimeve dhe kufizimeve të moshës

Shumë marokenë janë ankuar në mediat sociale për rritjen e dukshme të kostos së Haxhit të këtij viti.
Ministri i Marokut për Çështjet Islame ka thënë se ministria e tij nuk i ka shtuar asnjë "qindarkë" logjistikës së Haxhit, në një seancë parlamentare të hënën.
Çmimi i Haxhit për vitin 2018 në Marok ka qenë 46,551 MAD (4,704 dollarë), ndërsa sot ka arritur në 63,000 MAD (6,405 dollarë).
Duke folur në një seancë dëgjimore në parlament, Ahmed Toufiq iu drejtua pyetjeve që kanë të bëjnë me rritjen e çmimeve nga Haxhi i mëparshëm, si dhe kufizimin e sapo futur të moshës për haxhinjët.
Toufiq tha se banesat në Mekë dhe Medinë - destinacionet kryesore për Haxh - nuk i kanë kaluar çmimet e vitit 2019. Detajet tjera janë shërbimet të panegociueshme, shtoi ai, duke mos specifikuar natyrën e saktë të këtyre shërbimeve.
Ministri tha se Haxhi është obliguar në Kuran me një kusht: të jesh në gjendje të kryesh pelegrinazhin. Kjo do të thotë që, përveçse të jenë në gjendje të mirë shëndetësore për të kaluar ritualet e haxhit, pelegrinët myslimanë duhet të jenë në gjendje t’i përballojnë edhe shpenzimet financiare të udhëtimit.
Lidhur me çështjen e moshës, ministri tha se vendimi për të përjashtuar haxhinjtë mbi moshën 65 vjeç nga pjesëmarrja në Haxh ishte një vendim sovran i Arabisë Saudite. Ai shtoi se ky vendim vlen për të gjithë botën islame dhe jo vetëm për Marokun .
Meqenëse njerëzit mbi 65 vjeç janë më "të brishtë dhe të prirur për t'u sëmurë", argumentoi Toufiq në justifikimin e kufizimit të moshës, ata mund të jenë të rrezikuar gjatë pelegrinazhit.
Ai shtoi gjithashtu se nëse një grua është nën kufirin e moshës, ndërsa burri i saj është mbi 65 vjeç, të dyve do t'u rezervohet një vend kur të hiqet kufiri i moshës në të ardhmen.
Komentet e Toufiqit vijnë pasi shumë marokenë vazhdojnë të përdorin rrjetet sociale për të shprehur pakënaqësinë e tyre me rritjen e dukshme të çmimeve të Haxhit. Duke e krahasuar koston e haxhit të këtij viti me vitet e mëparshme, shumë kanë frikë se Haxhi së shpejti do të jetë ekskluziv vetëm për njerëzit e pasur.