Akaidi është besimi pa farë dyshimi në të gjitha që Allahu xh. sh. i ka shpallur nëpërmjet melekut Xhibril, manifestuar nëpërmjet maksimës së sharteve të imanit, I njohur si Amentu bil-lahi.

Hyrje

Myslimanët e parë nuk janë preokupuar me polemika e debate të nxehta rreth çështjeve të besimit, sepse përgjigjet i merrnin nga Kurani dhe pejgamberi Muhammed a.s.. Me kalimin e kohës dhe me zgjerimin e kufijve, i vërejmë nismat e para të preokupimit me çështje besimore, madje qysh në periudhën e lumtur (asrus-seadeh), për të kaluar nëpër periudha të ndryshme, me një intensitet të ulët. Këto tema u intensifikuan sidomos në kohën e sundimit të Osmanit dhe Aliut r.a., me temat si: cilësitë e Allahut, liria dhe joliria, pozita e mëkatarit të rëndë etj. Në këtë kohë çështjet zgjidheshin aty për aty dhe jo në mënyrë sistematike. Ndër shkollat e para dhe më aktive në periudhën e parë formative është shkolla mutezilite (u shfaq në shekullin I-II h.), shkolla tradicionaliste (shek.I-II h.), pastaj kemi shkollën e mesme, të matur, atë hanefite/ maturidite (shek.II-III h.), esharite (shek. III h.) etj. Nëse në fillim shkenca e akaidit ishte preokupim i të rebeluarve, me Imam Ebu Hanifen, Imam Maturidiun dhe Imam Eshariun kjo shkencë u bë digë e fuqishme brenda ehli-s-sunetit kundrejt përçarjeve, përplasjeve dhe sulmeve kundër Islamit.

A. Përkufizimi I akaidit

Përkufizimi i akaidit është çështje e rëndë dhe komplekse, duke marrë parasysh tërë atë trashëgimi të shkollave apo individëve të pavarur. Megjithatë, mund të përmblidhen përkufizimet gjuhësore dhe përmbajtjesore, ato sipas qëllimit apo sipas tematikës. Tërë urtësia e përkufizimit të akaidit varet nga ajo si do ta kuptojmë rolin dhe rëndësinë e lëndës që studiojmë, e cila ndahet në tri grupe kryesore:
1. Akaidi – Besimi;
2. Fikhu – Dispozitat, aplikimi praktik dhe;
3. Ahlaku – Mirësjellja morale.

Akaidi është në rendin e parë, sepse në besim bazohen të gjitha, edhe aplikimi praktik edhe mirësjellja morale.

Përkufizimi gjuhësor:
Shprehja më e shtrirë është fjala Akaid. Ajo është shumësi i fjalës akide. Vjen nga folja: akade - ja’kidu - akdun, që në përkthim do të thotë: të lidhësh, të lidhësh fort, të bësh nyje.

Përkufizimi përmbajtjesor: Shprehja Akaid në aspektin terminologjik do të thotë: besim, doktrinë, mësim, dogmë, fe.
Akaid do të thotë edhe: besimi dhe çdo gjë që lidhet me gjashtë shtyllat e besimit (Zoti, emrat, cilësitë, melaqet, librat, pejgamberët, Dita e Gjykimit dhe caktimi i Tij). Akaidi studion çdo gjë që është jashtë mundësisë së vrojtimit shqisor.(1)
Akaidi është besimi pa farë dyshim në të gjitha që Allahu xh. sh. i ka shpallur nëpërmjet melekut Xhibril, manifestuar nëpërmjet maksimës së sharteve të imanit, i njohur si Amentu bil-lahi. Akaidi është doktrina në të cilën përpunohen bazat e besimit islam. Në përgjithësi, shkenca mbi besimin islam, respektivisht shkenca e akaidit është shkenca bazore, e cila kërkon nga ne kujdesin njerëzor, qoftë ka të bëjë me studimin, hulumtimin e të tjerëve apo me veprimin e tyre. Kjo sidomos fiton në rëndësi nëse e kemi parasysh faktin se jetojmë në mjedisin ku ekzistojnë fe të ndryshme, grupime dhe ideologji të shumta dhe individë me ndikim, të cilët përpiqen t’i orientojnë myslimanët në mashtrim.(2)

Meqë shpesh nuk bëhet dallimi i mjaftueshëm ndërmjet akaidit dhe kelamit, do të ofrojmë përkufizimin më të plotë, duke thënë se: Dispozitat e besimit i quajmë parime themelore të fesë (usulud-din), kurse shkenca që merret me parimet e besimit quhet ilmul-akaid. Parimet e besimit islam janë korrekte e të sakta dhe mund të dëshmohen me dëshmi logjike. Shkenca e cila na njeh me të vërtetat e besimit islam, me dëshmitë e sakta logjike, quhet ilmul-kelami.(3)

B. Periodizimi I shkencës së akaidit

Sipas mendimit më të pranuar ekzistojnë tri periudha kryesore të historisë së mendimit teologjik mysliman:
1. Periudha e parë. - Kjo fazë paraqet fazën normative dhe formative dhe ende është sistem pararacional. Sepse është zhvilluar sipas forcës së përjetimit dhe të jetuarit të Porosisë shpirtërore hyjnore dhe pejgamberike.
2. Periudha e dytë. - Kjo fazë paraqet fizionomi të re, qëndrim më rigoroz ndaj urtësisë burimore islame. Teologjia myslimane tashmë na paraqitet si shkencë e veçantë, me të cilën fillon faza interpretuese, nga rrënja universale e së cilës do të mbijnë shumë filiza. Kjo fazë do të shënojë edhe nxitjen e takimit të fesë dhe mendjes, por edhe të Islamit dhe trashëgimisë së huaj. Zhvillim do të fillojë por nuk do të përfundojë për shkak të braktisjes së ixhtihadit.
3. Periudha e tretë. – Kjo fazë paralajmëron kohë më të mira për mendimin teologjik mysliman. Fillon në fund të shek. XIX dhe gjatë shek. XX. Karakteristikë e kësaj faze është se do të ndërtojë diskurs të ri kritik ndaj mendimit teologjik, duke u hapur urtësisht dhe largpamësisht ndaj të gjitha të arriturave pozitive që ka krijuar shpirti krijues bashkëkohor, nën rigorozitetin e kërkesave autentike të urtësisë tradicionale të Islamit.

C. Burimet e akaidit

Shkenca e akaidit është dituri origjinale islame, e cila doli si rezultat i zhvillimit të diskutimeve që kishin të bënin me Kuranin, si rezultat i perceptimit të Islamit nga jashtë dhe brenda, në kontakt me besimet, kulturat dhe trashëgiminë botërore. Shtrirja e Islamit në të katër anët e botës i detyroi myslimanët të mendojnë rreth vetes dhe asaj që i rrethon. Brezat e parë ofruan përgjigjen e tyre, të njohur si ilmul-kelam, ilmut-tefsir, ilmul-hadith, ilmul-fikh etj. Dijetari mysliman nga Egjipti, Ahmed F. El-Ehvani pohon se ilmul-kelami është dituri burimore, që bazohet në frymën e burimeve islame të Kuranit e Hadithit dhe në burimet plotësuese të Ixhmait dhe Kijasit etj. Kemi edhe burimet pozitive (konvencionale), eksperimentale, ku bëjnë pjesë arsyeja dhe shqisat.

Ç. Burimet parësore të akaidit

Në burimet parësore të akaidit bën pjesë Kurani (me tefsirin) dhe Hadithi.

1. Kurani famëlartë

Kurani është burimi bazë dhe kryesor i akaidit islam. Ai është shpallje e Allahut, të dhuruar Muhammedit a.s. për gati 23 vite pejgamberike. Pjesa kryesore e ajeteve është e natyrës së besimit. Kurani përbëhet prej 114 sureve dhe mbi 6000 ajeteve dhe paraqet vazhdimësinë e misionit pejgamberik që nga Ademi a.s. e deri te Muhammedi a.s. Ajetet e shpallura shkruheshin sipas urdhrit të Muhammedit a.s. dhe mbaheshin në mend. Ruajtja e dyfishtë e Kuranit, nëpërmjet shkrimit dhe mbamendjes, provon se Kurani është përcjellë burimisht nga brezi në brez dhe mund të shërbejë për shkencën e akaidit si burim i sigurt në mënyrën më të plotë. Te Kurani kemi edhe një nënburim, tefsirin - komentin e Kuranit. Muhammedi a.s. ishte mufesiri i parë, por mufesirët e mirëfilltë pas tij do të lindin më pastaj, si nevojë e perceptimit të drejtë të Kuranit. Kur mufesiri nuk gjen shpjegim meritor në Kuran ose në hadithet e Muhammedit a.s. atëherë ai u drejtohet as’habëve. Nëse edhe këtu nuk gjenin rrugëzgjidhje, atëherë i drejtoheshin pasurisë së gjuhës arabe etj. Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk bën të komentohet Kurani. Ky rregull që vlen për tefsirin, vlen edhe për ilmul-akaidin dhe nënproduktin e tij ilmul-kelamin.(4)

2. Hadithi i Muhammedit a.s.

Suneti, i shënuar dhe i përcjellë nëpërmjet Hadithit paraqet burimin e dytë normativ të doktrinës islame në përgjithësi dhe akaidit islam në veçanti. Kurani thotë: “E bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, ashtu që të mëshiroheni.” (Ali Imran: 132).
“O ju që besuat, përgjigjuni (thirrjes së) Allahut dhe të të Dërguarit kur ai (i dërguari) ju fton për atë që ju jep jetë....”. (El-Enfal: 24).
Rëndësia e hadithit për akaidin është e kategorisë së parë, sepse Muhammedi a.s. nuk i ka mësuar e këshilluar njerëzit me të vërtetat fetare besimore vetëm verbalisht, por këto mësime i ka aplikuar dhe komentuar me ndërgjegje të lartë në të gjitha fushat e jetës me shembull vetjak dhe me aplikim praktik. Hadithi në shkencën e akaidit ndahet në tri grupe: mutevatir, meshhur dhe ahad. Për dallim prej dy kategorive të para, hadithi ahad në akaid nuk konsiderohet provë në çështjet e besimit. Me këtë mendim pajtohet edhe autori bashkëkohor egjiptian Muhamed El-Gazaliu (vd. 1996), i cili thotë: “Transmetimet ahad nuk e kanë të drejtën e kundërshtimit të gjërave nga Kurani dhe suneti i të Dërguarit të Tij ose t’i vërë të vërtetat e fesë nën dyshim dhe akuzë.”(5)

D. Burimet dytësore të akaidit
Ndër burimet dytësore të akaidit islam janë edhe arsyeja dhe shqisat, të cilat në filozofi dhe shkencat eksperimentale janë burime thelbësore. Këto burime janë dytësore dhe nuk mund të shërbejnë si burime të drejtpërdrejta për përcaktimin e parimeve islame e të bazave të besimit islam. Këto të dhëna janë më tepër material ndihmës për shpjegimin e bazave dhe për komentimin dhe vërtetimin e tyre.

1. Ixhmai

Ixhmai (Konsensusi) bën pjesë në burimet dytësore, plotësuese të akaidit / kelamit islam. Ai është mënyrë komentimi dhe plotësimi i zbrazëtirave në marrjen e një vendimi. Ixhmai paraqet vendimin unik të të gjithë dijetarëve autoritativë të një epoke për ndonjë çështje të caktuar. Ai paraqet një lloj kuvendi, forumi për komentimin autoritativ të parimeve dhe normave fetare. Rëndësia e tij qëndron në faktin se ai, si metodë elastike dhe demokratike, mundëson plotësimin e vazhdueshëm të sistemit besimor, moral dhe juridik. Ixhmai në akaid / kelam ndihmon në gjetjen e shpjegimeve dhe interpretimeve më të drejta e jo në nxjerrjen e një akti normativ.

2. Kijasi

Kijasi (Analogjia) gjithashtu bën pjesë në burimet dytësore të akaidit/kelamit islam. Kijasi gjykimin e paraqet në bazë të analogjisë së parimit të dhënë në Kuran, në Sunet dhe në Ixhma, që një rast i ri të përfshihet me parimin e njëjtë ose është i ngjashëm me atë shembull për shkak të karakteristikës së përgjithshme thelbësore, të quajtur shkak (el-il le). Kijasi në akaid / kelam kryesisht ka filluar të hyjë me Imam El-Gazaliun dhe paraqet kthesë në këtë shkencë. Edhe kijasi në çështjet besimore nuk ka rol normativ, por interpretues, sqarues dhe shpjegues.

E. Burimet suplementare të akaidit
Akaidi, krahas burimeve parësore dhe atyre dytësore, ka edhe burimet suplementare, që ne i njohim me emrat: arsyeja dhe shqisat. Është e qartë se arsyeja dhe shqisat nuk shërbejnë si burime të drejtpërdrejta për përcaktimin e parimeve dhe ritualeve fetare, por si material anësor për shpjegimin e parimeve, për shpjegimin dhe vërtetimin e tyre edhe nga ana racionale. Imam El Maturidiu i ka dhënë rëndësi këtij burimi. Kurani është mbi arsyen dhe arsyeja nuk mund të dominojë zemrën dhe frymën (ruh) as nuk mund ta zëvendësojë ndërgjegjen dhe ndjenjat, as nuk mund të japë mendimin përfundimtar për çështjet eskatologjike (gajbit), por arsyeja është instrumenti i përfaqësimit në Tokë. Ekuilibri mes burimeve parësore, dytësore dhe suplementare është ruajtur gjatë kohës pejgamberike dhe pjesërisht gjatë kohës sahabike, duke u zbehur gjithnjë e më shumë nëpër histori.(6)

Ë. Emërtimet e shkencës së akaidit / kelamit

Çështja e emërtimit të akaidit është pak e ngatërruar, si rezultat i shkollave apo sekteve të ndryshme, por megjithatë emërtimet kryesore janë profilizuar gjatë historisë dhe kanë krijuar emrin dhe traditën e tyre. Ndër emërtimet e para është:
- El-Fikhul-ekber (Fikhu më i madh) është emërtim shumë i vjetër dhe buron nga Imam Ebu Hanife;
- Ilmul-kelam (Dituria mbi të folurit) është shprehje e vjetër. E gjejmë edhe te Farabiu. Sipas të gjitha analizave, është emërtimi më i qëndrueshëm.
- Ilmu usulid-din (Dituria mbi parimet e fesë) është emërtim i hershëm. E gjejmë te El-Eshariu.
- Ilmul-akaid (Dituria mbi bindjet) është emërtim i shekullit IV/X dhe e përdorin dijetarët e mëdhenj si Tahaviu (Akaidut-Tahavijjeh), Nesefiu (Akaidun-Nesefijjeh), Gazaliu (ElKavaidul-akaid) etj. Kjo shprehje sidomos ka përdorim në botën hane fite-maturidite. Kohëve të fundit, sidomos nga pasuesit e vehabizmit, po imponohet shprehja akide (njëjësi i akaid), e cila determinon njëkuptimësi, që është konform bindjes jomedhhebiste. Është e qartë se rrugët për ta njohur Islamin janë të shumta dhe se shprehja akaid është më e drejtë dhe më e pranueshme. Kemi edhe disa emërtime gjithashtu në përdorim, si: Ilmut-tevhid, Ilmunnadhar vel-istidlal, Evsafud din, Ilmulhakaik, Ilmul-ibtidai vel-intihai etj.(7)

F. Vendi dhe roli i shkencës së akaidit

Shkenca e akaidit është bazore sepse nuk mund të flitet për shkenca të tjera (tefsir, hadith, fikh etj.) pa dëshmuar dhe provuar ekzistencën e Zotit dhe derivatet e këtij besimi (engjëjt, librat, të dërguarit, ditën e fundit, caktimin).
Imam Maturidiu rëndësinë e akaidit e shprehu kështu: “Dituria (fikhu) mbi fenë është tevhidi, që ka më shumë rëndësi se dituritë juridike...”.(8) edhe dijetari bashkëkohor, Tarik Ramadan, mendon se “akaidi është shkencë elite, në frymën dhe suazat e së cilës do ta shtrijnë aktivitetin edhe shkencat e tjera.”(9)
Akaidi është themel i fesë dhe bazament i të gjitha shkencave të tjera; të gjitha shkencat e tjera islame janë të nevojshme për akaidin / kelamin, sepse “ai është epror ndaj shkencave të tjera nga temat që trajton, nga argumentet që përdor, si dhe nga qëllimi që ndjek.”(10)
Sipas disa dijetarëve akaidi dhe nënshkenca e tij, kelami, përcakton përdorimin e filozofisë në shpjegimin dhe mbrojtjen e doktrinës religjioze. Kelami është rezultat i nevojave të brendshme të mësimit islam, e jo rezultat i ndikimeve të huaja. Rëndësia e kësaj shkence është thelbësore edhe në aspektin praktik: nëse besimi ynë është korrekt edhe veprat tona do të jenë korrekte. Në të kundërtën, nëse falemi apo agjërojmë por jemi në mosbesim, çdo gjë do të shkojë koti.

G. Ehlus-sunneti vel-xhemati

Në akaid / besim i përkasim ehlissunnetit vel-xhematit. Pjesëtarë të këtij drejtimi janë ata që pasojnë rrugën e Pejgamberit a.s. (Kuranin dhe Sunetin) duke mos u dhënë prioritet gjerave të tjera në çështjet e besimit dhe në çështjen e dispozitave fetare. Quhen ehlus-sunnet (pasues të sunnetit) për arsye sepse e ndjekin sunetin e Muhammedit a.s. dhe quhen xhemat sepse përbëjnë shumicën në komunitetin e myslimanëve.
Në ehlis-sunnet vel-xhemat bëjnë pjesë pasuesit e katër medhhebeve
të gjithëpranuara (hanefij/maturidij, shafiij/esharij, malikij, hanbelij). Mirëpo, themeluesit dhe përfaqësuesit kryesorë të ehlis-sunnet vel-xhematit janë Imam Maturidiu (vd. 333 h.) dhe Imam Eshariu (vd. 324 h.).(11)
Marrë në përgjithësi, ehlis-sunnet vel-xhematin e përbëjnë ehlul-hadithët (tradicionalistët, grupin më rigoroz), ehlun-nadhar elilmijj (maturiditë dhe esharitë) dhe ehlul-keshfi vel-vixhdan (sufitë).(12)
Duke e marrë parasysh se diskutimet dhe polemikat për pikëpamjet e ndryshme besimore kanë shkaktuar zhvillimin e kësaj shkence, në pamundësi që të lëshohemi në interpretimet e shumta, ne do të kufizohemi vetëm brenda shumicës, ehlus-sunnet vel-xhematit, sidomos të medhhebit hanefij-maturidij si shumicë dërrmuese e myslimanëve, duke u bazuar sidomos në mendimet e imamëve autoritativë. Veprat më të rëndësishme nga fusha e akaidit janë: El-Fikhul-ekber nga Imam Ebu Hanife, Kitabut-tewhid nga Imam El-Maturidiu, Akaidut-tahavijjeh nga Imam Tahaviu dhe Kitabul-luma nga Imam El-Eshariu etj.


____________________
(1) Nexhat Ibrahimi, Vepra 9, Shkup, 2009, fq. 28 dhe 134.
(2) Safet Durguti, Uvod u nauku akaida, Travnik, 1999.
(3) Nexhat Ibrahimi, Vepra 3, Vepra 3, Shkup, 2009, fq. 47. Këtë shpjegim e ofron edhe Hasan Kafija Prushçak në veprën e tij Ez’her’ur-revdat sherh
revdat’il-xhennat.
(4) Nexhat Ibrahimi, Vepra 3, fq. 79-81).73-79.
(5) Nexhat Ibrahimi, Vepra 3, fq. 79-81; Muhammed El-Gazali, Pesë temat e arta të Kuranit, Shkup, 2009.
(6) Nexhat Ibrahimi, Vepra 3, po aty, fq. 82-84 dhe 84-86.
(7) Nexhat Ibrahimi, Vepra 3, po aty, fq. 87-94.
(8) Imam Maturidu, Jeta, vepra dhe mësimi, Prishtinë, 2003, fq. 65.
(9) Tarik Ramadan, Biti evropski mysliman, Sarajevo, 2002, fq. 313.
(10) Nexhat Ibrahimi, Vepra 3, po aty, fq. 119.
(11) Kemaluddin A. El Bejadij, Isharatul-meram min ibaratil-imam, Kajro, 1949/1368 h., vazhdim i shënimit 1, fq. 298.
(12) Kemaluddin A. El-Bejadij, po aty. Gjerësisht për ehlussunnetin dhe xhematin lexo: Orhan Bislimaj, Akaidi hanefij, Prizren, 2008 fq. 39-47.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?