(Sekretet e pendimit të sinqertë dhe të pranuar)

Hyrje

Një ndër pejgamberët që Allahu xh.sh. i ka përmendur në Kuran është edhe Junusi a.s.. Rrëfimi i tij përmendet në disa kaptina,(1) në të cilat, përveç të tjerash, flitet edhe për lutjen e tij. Është lutje e veçantë, e cila njihet sipas emrit të tij,(2) për shkak të lidhjes me një ngjarje shumë interesante nga jeta dhe misioni i tij. Junusi a.s. ishte dërguar te një popull, i cili refuzonte besimin e vërtetë. I thërriste, por nuk i përgjigjeshin. Dikur mendoi se askush nuk do t’i përgjigjej, andaj, i pakënaqur me këtë gjendje, u largua prej tyre duke i kërcënuar se së shpejti do t’i përfshinte dënimi i Zotit. Ashtu edhe ndodhi. Dënimi i Allahut xh.sh. erdhi, dhe kur ata e panë, u penduan, duke besuar dhe duke bërë lutje që Allahu xh.sh. t’i falte. Ndryshe nga rastet e tjera, kur besimi në momente të tilla nuk iu bënte dobi,(3) popullit të Junusit a.s. për urtësinë që ne nuk e dimë,(4) i bëri dobi, i shpëtoi.(5)
Por, Junusi a.s. ishte larguar dhe nuk kishte duruar sa duhet.(6) Kishte bërë diçka që ne nuk e dimë se çka,(7) e për të cilën ishte qortuar nga Allahu xh.sh.. U largua prej popullit të vet dhe hipi në anije. Gati sa nuk u fundosën shkaku i valëve dhe barrës. Hodhën short, por në të tri shortet Junusi a.s. qe ai që duhej të hidhej në det. Ashtu edhe veproi. U hodh në det dhe erdhi peshku dhe e kapërdiu. Ishte urdhër i Allahut xh.sh., që ta kapërdinte por mos ta dëmtonte. Duke qenë në bark të peshkut, Junusi a.s. filloi të lëvizte. Ndjeu se ishte gjallë, andaj duke qenë në atë errësirë, që siç thonë komentuesit nuk ishte një por tri errësira: errësira e natës, errësira e detit dhe errësira e barkut të peshkut, ra në sexhde8 dhe u lut që Allahu ta shpëtonte. Allahu xh.sh. ia pranoi lutjen dhe e shpëtoi.
Ja si na e përshkruan Allahu xh.sh. këtë në Kuran:
“(Kujtoje) Dhen-Nunin (Junusin) kur iku i hidhëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: LA ILAHE IL-LA ENTE, SUBHANEKE,
INNI KUNTU MIN EDH-DHALIMINE! “S’ka zot tjetër përveç Teje! I dëlirë je nga të metat! Me të vërtetë, unë kam gabuar!” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija, 87-88)
Pra, Junusi a.s. e tha këtë dua dhe shpëtoi. Ishte thellë në det, në barkun e peshkut, i pashpresë - sipas kalkulimeve njerëzore - për të shpëtuar, por ja që një dua me plot sinqeritet e nga thellësia e zemrës dhe ai shpëtoi.
Atëherë, çfarë e bën këtë dua kaq të fuqishme, çfarë sekretesh fshihen në të?
Para se të shpalosim detaje të mësimeve madhështore që fshihen në këtë dua, do të doja të flisja për rëndësinë e saj, për ta provokuar edhe më shumë kureshtjen tonë për domethëniet dhe kuptimet e saj madhështore.

Rëndësia e lutjes

Në ajetet e mësipërme mësuam se fundi i Junusit a.s. ishte shpëtim. E gëlltiti peshku, e dërgoi thellë në det, qëndroi sa qëndroi, por në fund, tha duanë dhe shpëtoi.
“Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga brengosja. Kështu, Ne i shpëtojmë besimtarët.” (Enbija, 88)
Në këtë ajet, shihet se jo vetëm Junusi a.s., por të gjithë besimtarët që besojnë dhe luten, shpëtojnë. Shejh Sa’di duke e shpjeguar këtë ajet thotë: “Është premtim dhe sihariq për secilin besimtar që ka rënë në ndonjë vështirësi a hall se Allahu xh.sh., për hir të besimit të tij, ka për ta shpëtuar prej tyre dhe ka për t’ia larguar e lehtësuar ato, mu ashtu siç ka vepruar me Junusin a.s.”(9)
Këtë na e mëson edhe Muhamedi a.s., i cili ka thënë:
“A t’ju lajmëroj për lutjen që nëse dikush prej jush, i cili është sprovuar me mërzi a bela të kësaj dynjaje, e thotë i largohet sprova? Lutja e Junusit a.s.:10 “La ilahe il-la Ente, Subhaneke, inni kuntu min edh-dha-liminë!” - Nuk ka tjetër zot pos Teje! Qofsh i lëvduar! Unë jam prej të padrejtëve!”(11)
Në një transmetim tjetër qëndron:
“Nuk ndodhë që dikush të lutet për diç me lutjen e Junusit a.s., që e tha sa ishte në barkun e peshkut, e që të mos i plotësohet: La ilahe il-la Ente, Subhaneke, inni kuntu min edh-dhaliminë! Nuk mundet që njeriu mysliman t'i lutet Zotit përveç se Allahu do t’i përgjigjet atij.”(12)

Kuptimi i lutjes dhe sekretet e saj

Në lutjen e Junusit a.s. kemi manifestim të qartë të besimit të pastër dhe të fuqishëm në Allahun xh.sh., për të thënë më qartë, këtu shprehen tri elemente që kësaj falje dhe këtij shpëtimi i japin kuptim:
1. Pranimi i uluhijjetit, respektivisht asaj se i tërë adhurimi i takon vetëm Allahut xh.sh.;
2. Zhveshja e Allahut xh.sh. nga çdo e metë dhe mangësi; dhe
3. Pranimi i gabimit duke u shprehur fajtor për atë që ka bërë.(13)
Këto tri elemente garantojnë faljen, sepse paraqesin thelbin e pendimit. Për këtë shkak, konsiderohet si fjala që Allahu xh.sh. e do më së shumti. Aliu r.a. ka thënë:
“Fjala që Allahu e do më së shumti është thënia e robit duke qenë në sexhde: I kam bërë vetes padrejtësi (me mëkate), andaj më fal!”(14)
Por, krahas tyre ka edhe diçka tjetër me rëndësi që ka ndikuar në falje. Është gjendja e Junusit a.s., para se të gëlltitej nga peshku.
Në Kuran, Allahu xh.sh. na tregon për një tipar të Junusit a.s., pa të cilin do të mbetej në barkun e peshkut deri në vdekje.
“Dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e tij deri në Ditën e Ringjalljes.” (Saffat, 143-144)
Dijetarët kanë shpjeguar se bëhet fjalë për të kaluarën e Junusit a.s., i cili në ditët e mirëqenies ishte shumë falënderues për Allahun xh.sh., e rikujtonte, e madhëronte, i bënte tesbih.(15)
Për këtë shkak, Muhamedi a.s. na ka mësuar që, për të na ndihmuar Allahu xh.sh., në ditë të vështira, duhet të jemi mirënjohës, falënderues e adhurues në ditët e mirëqenies.
“...njihe Allahun në mirëqenie (gjendje të mirë pasurore), Të njeh në vështirësi!16”

Mësimet

1. Junusi a.s., është prej pejgamberëve të zgjedhur të Allahut xh.sh.. Rrëfimi i tij është mësim për ne. Ai nuk parqet as provën më të vogël për ta ulur pozitën e tij. Për këtë shkak, Muhamedi a.s. ka thënë: “Asnjë robi nuk i takon të thotë se jam më i mirë se Junusi, i biri i Meta-s.”(17)
Pas shpëtimit, Junusi a.s., iu kthye misionit dhe vazhdoi në kryerjen e detyrës deri në vdekje. Ja si e përshkruan Allahu xh.sh.:
“E Zoti i tij e zgjodhi dhe e futi me punëdrejtët.” (Kalem, 50)
Allahu e pastroi nga çdo gjë që mund ta njollosë atë dhe e vuri në rang me të sinqertit, ata që bëjnë vepra të mira, që flasin mirë, që kanë nijet të pastër dhe biografi të mirë.(18)
2. Rëndësia e besimit në shpëtim në të dyja botët.
3. Rëndësia e qëndrueshmërisë në fe dhe lutjes në ditët e mira për shpëtim në ditët e vështira.
4. Rëndësia e pendimit të sinqertë dhe pranimit të fajësisë në faljen e mëkatit.
5. Konfirmimi se mëkati është zullum që njeriu i bën vetvetes.
6. Përballimi i barrës në mision. Rrëfimi i Junusit a.s. është mësim se si ne nuk duhet të largohemi nga kjo detyrë vetëm pse hasim në vështirësi e refuzim.19
7. Vlera dhe rëndësia e tesbihut – adhurimit të Allahut duke thënë: subhanallah, elhamdulilah, Allahu ekber!
8. Thënia e kësaj lutje tekstualisht.


________________
1. Shih: Kurani: Junus, 98; Enbija, 87-88; Saffat, 139-148; Kalem, 48-50.
2. Në hadithin që do ta përmendim më poshtë do të vërejmë se si Muhamedi a.s. e ka klasifikuar këtë lutje si ‘Lutja e Junusit a.s.’
3. Sa për ilustrim krahasoje këtë me rastin e Faraonit. Shih kaptinën Junus, 90- 91.
4. Shih: Abdurrahman es-Sa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, (Kuvajt: Xhemijjetu Ihjai etturath el-islamij, ed.5, 2000), f. 494- 495.
5. Shih: Kurani, Junus, 98.
6. Shih: Kurani, El-Kalem, 48.
7. Shih: Abdurrahman es-Sa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, vep. cit, f. 718.
8. Ismail bin Kethir, Kasas el-Enbija, ver. Muhamed b. Sejjid b. Abdu Rabbirr-rresul, (Kajro: Mektebetu Ebu Bekir es-Siddik, 2001), f.253; 254.
9.Shih: Abdurrahman es-Sa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami
el-Mennan, vep. cit, f. 718.
10. Prova për emërtimin e kësaj lutje sipas emrit të Junusit a.s.
11. Hadithi është i saktë. Shih: Sahih el-xhami', nr. 2605.
12. Hadithi është i saktë. Shih: Sahih et-Tirmidhi, nr. 3505.
13. Shih: Abdurrahman es-Sa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, vep. cit, f. 718. Se çfarë rëndësie ka pranimi i fajit gjatë pendimit kthehu te lutja e Ademit a.s. Hasan Basriu ka thënë: “Allahu xh.sh. e shpëtoi thjesht pse Junusi a.s. e pranoi fajësinë.” Shih: Sa’d Jusuf ebu Aziz, Kasas el-Kur’an – durusun ve iber, (Kajro: Dar el-fexhr li etturath, 1999), f. 201.
14. Musennef ibën ebi Shejbe, 29842.
15. Shih: Ismail bin Kethir, Kasas el-Enbija, vep. cit., f.254; AbduRrahman esSa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, vep. cit, f. 977.
16. Hadithin e shënon Imam Ahmedi në Musned, nr. 2803. Ahmed Shakiri dhe Shuajb Arnauti e kanë saktësuar.
17. Hadithin e shënon Buhariu, nr. 3412.
18.Shih: Abdurrahman es-Sa’di, Tejsiru el-Kerimi err-Rrahman fi tefsiri Kelami el-Mennan, vep. cit, f. 1228.
19.Shih: Shih: Sa’d Jusuf ebu Aziz, Kasas el-Kur’an, vep. cit., f. 206.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme