Muhamedi a.s., shtetari i parë mysliman

Muhamedi a.s. ishte politikan, shtetar, komandant ushtrie, por ai dallonte dukshëm nga politikanët, shtetarët e ushtarakët tjerë, sepse synimet e tij ishin në dobi të njerëzisë, pa dëshirë të imponohet personalisht në politikë dhe pa përfituar privilegje për vete dhe për popullin e vet, por për të gjithë.

Nëse nocioni halif domethënë zëvendësues i Pejgamberit të Zotit, apo zbatues i asaj që Pejgamberi e ka sjellë, atëherë duhen ditur disa fjalë edhe për Pejgamberin e Zotit, i cili sipas burimeve islame, Kuranit, është model, yrnek i myslimanëve në çdo pikëpamje, nga besimi e morali deri te politika e ekonomia, nga mësuesi e edukatori deri te shtëpiaku e fqinji.
Muhamedi a.s. hartoi kushtetutën e parë të gjallë, duke e vënë në funksion qysh në mesjetën e hershme, në një vend ku tribalizmi e anarkia ishin realitet dhe virtyt, vlerë dhe krenari. Ai vuri rend e disiplinë, ku përparësi ishte mësimi e edukimi: “Muhamedi a.s. si personalitet është modest, i dashur, miqësor dhe i sinqert; i matur dhe korrekt në kontakt dhe afarizëm me njerëzit tjerë. Kjo e bënë atë njeri model dhe të përktyer.”

1. Pejgamberi a.s., themelues dhe organizator i shtetit të parë islam

Muhamedi a.s. pas arritjes në Medinë së pari e ndërtoi xhaminë, e cila shumë shpejt do të kryejë rolin e xhamisë dhe të shumë institucioneve tjera. Përveç faljes së namazeve, xhamia u shndërrua në qendër arsimore, ku shteti i ri vuri themelet intelektuale e arsimore të shtetit; ajo u shndërrua në qendër kulturore, sepse aty zhvilloheshin konsultime të shumta të karakterit kulturor; ajo u shndërrua në qendër politike, sepse aty priteshin delegacione të huaja, diskutoheshin tema të brendshme të politikës së jashtme dhe të brendshme; ajo u bë vendtubim debatesh, këmbim mendimesh e përvojash me tematikë të gjithanshme. Xhamia u bë qendër sociale, ku bëhej risocializimi i personave të ndryshëm në afate të shkurtra apo edhe të gjata, por edhe parlament për zgjidhjen e problemeve individuale (meshkuj e femra), fisnore e rajonale.
Problemet me idhujtarët mekas, me hebrenjtë dhe familjet e armiqësuara ishin të përhershme. Edhe fiset mike sot deri dje ishin në armiqësi. Duke i vëllazëruar mekasit dhe medinasit, Muhamedi a.s. eliminoi shumë probleme të mundshme të natyrës fetare, racore, fisnore, shoqërore. Vëllazërimi eliminoi edhe fanatizmin dhe përkushtimin fisnor, si karakteristika të mesjetës. Këtë bukur e tha Imam Gazaliu: “Rëndësia e këtij vëllazërimi është në kapërcimin e përkushtimit fisnor, sepse lojaliteti dhe përkushtimi mund të jenë vetëm në Islam.”
Vëllazërimi në Medinë siguroi unitet politik dhe shpirtëror. U vu themeli i shoqërisë së re, asaj islame, që e dallonte nga shoqëritë e deriatëhershme. Shteti i ri nuk bazohej në përkushtimin fisnor edhe pse fisninë e pranonte si vlerë njerëzore. Islami bazohej në vlera mbinacionale, në shpirtin si ide dhe fisninë si dhënie kuptim të përshpirtmes. Orinetalisti Montgomery Watt e vërejti bukur këtë gjë, duke shkruar: “Islami ofroi një sistem ekonomik, shoqëror dhe politik. Në këtë sistem, religjioni përbënte pjesën integrale, meqë ofronte idetë mbi të cilat ka zënë fill tërësia.”
Muhamedi a.s. eci një hap më tutje, duke planifikuar të krijojë bazë juridike për jetën e re në Medinë, si ndërmjet myslimanëve me përkatësi të ndryshme fisnore ashtu edhe të popujve tjerë dhe feve të ndryshme. Kjo do t’i mbronte banorët e Medinës si ndërmjet veti ashtu edhe nga popujt e jashtëm. Ky dokument quhet Kushtetuta e Medinës apo Sahifa, Karta e Medinës.

2. Pejgamberi a.s. si politikan dhe diplomat

Muhamedi a.s. zhvilloi një politikë të matur dhe të mprehtë me shtetin e tij në Medinë kundrejt të tjerëve. Marrëveshja në Hudejbie në vitin 6 hixhri është dëshmi e konstatimit të sipërm. Njerëzit ishin të lirë të lëvizin, të tregtojnë, duke u kujdesur nga aktiviteti ushtarak kundër njëri-tjetrit. Kjo marrëveshje, përkundër dyshimit të disa qarqeve në dobinë e saj, i ndihmoi myslimanët, kurse këtë e vërejti edhe orientalisti M. Watt, i cili tha: ”Marrëveshja në Hudejbi ishte e favorshme për strategjinë afatgjate të Muhamedit a.s., edhe pse për një moment ka lënë të kuptohet si dëshpëruese për pasuesit e vet për shkak të mossuksesit të dukshëm të fushatës.” Ai tha gjithashtu: “Duke lidhur marrëveshje me mekasit, si palë e barabartë, ka arritur të fitojë edhe njohje publike të pozitës së vet.”
Edhe Ibn Hishami u shpreh pozitivisht për Hudejbinë: “Deri atëherë nuk kishte fitore më të madhe se kjo.”
Gjatë kohës së paqes Muhamedi a.s., si prijës i shtetit të ri dhe si pejgamber i Zotit, kontaktoi me liderët e fiseve përreth dhe të vendeve tjera madje edhe t’i ftojë në Islam. Një nga ato thirrje ishte edhe ajo drejtuar Nexhashiut, mbretit të Abisinisë: “... Të ftoj në miqësi në emër të Allahut dhe të më pasosh mua, të besosh Shpalljen që më është shpallur, sepse unë jam i dërguar i Allahut. Unë të ftoj ty dhe ushtrinë tënde tek Allahu xh.sh. Unë ta përcolla ftesën dhe të këshillova, ndaj pranoje...”.
Muhamedi a.s. qoftë personalisht nëpërmjet shkresave, qoftë nëpërmjet delegacioneve, ka kontaktuar me shtetet fqinje apo tjera, ka këmbyer vlera dhe mendime dhe në raste të caktuara kanë dhënë rezultate. Ai rregullisht përdorte institucionin e këshillimit (shura), sikur ndodhi me rastin e Betejës së Bedrit, Hendekut etj.

3. Pejgamberi a.s. si komandant

Si prijës dhe kryetar i shtetit islam Muhamedi a.s. u tregua mjaft i mirë. Por, as si ushtarak nuk dështoi. Në disa ekspedita e luftëra tregoi shkathtësi të shkëlqyeshme. Bedri në vitin 2 h., Uhudi në vitin 3 h., pastaj Hajberi në vitin 7 h. kundër fisit Ben? Kurejdha, Mu’ta në vitin 8 h., fushata në Taif në vitin 8 h., Tebuki në vitin 9 h. dhe beteja të tjera tregojnë në urtësinë dhe shkathtësinë e artit ushtarak. Këtë e përshkruan bukur edhe dijetari bashkëkohor mysliman: “Së këndejmi, asnjë betejë nuk ka dështuar për shkak të mungesës së urtësisë së tij, moskujdesit ushtarak apo edhe mospërcaktimit të pozitës strategjike. Ajo që ndodhi në Uhud dhe Hunejn ishte vetëm një çast i dobësisë në radhët e ushtrisë së tij apo edhe si moszbatim i urdhrave të tij, potezave dhe planeve të tij, që për ta ishte detyrë rigoroze nga aspekti ushtarak.”
Muhamedi a.s. me strategjinë e re, urtësinë dhe largpamësinë e vet, vendosi standard të ri në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm. Dikur lufta ishte sinonim i plaçkitjes, grabitjes, vrasjes, djegies, padrejtësisë, dhunës ndaj femrave dhe të sëmurëve. Me Islamin lufta u bë sinonim i paqes, mirësisë, drejtësisë, mësimit e jodhunës: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë. Dhe luftoni ata kudo që t’i zini, dëboni prej vendit ata sikurse ju përzuan ata juve. Provokimi (fitneja) është më i rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Qabes) deri që ata t’ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj pabesimtarëve. E nëse heqin dorë (nga provokimi), Allahu është Ai që fal dhe që mëshiron. Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të aplikohet feja vetëm për Allahun. E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë.“ (El-Bekare, 190-193)
Muhamedi a.s. futi edhe luftën diplomatike, luftën pa armë, të cilën sot e njeh politikla botërore. Është e njohur thënia e Muhamedit a.s.: “Lufta është dinakëri”. Por, kjo nuk domethënë gërenjeshtra, mashtrime, por strategji dhe taktikë kundrejt idhujtarëve dhe kundërshtarëve tjerë. Këtë e pranoi edhe orientalisti tashmë i cekur, M. Watt: “Pa kombinim të jashtëzakonshëm të cilësive të Muhamedit është pak e besueshme se zgjerimi do të ndodhte dhe sigurisht mundësia ushtarake arabe do të konsumohej në sulmet mbi Sirinë dhe Irakun pa pasoja të mëtejshme...“.

* * *

Muhamedi a.s. ishte politikan, shtetar, komandant ushtrie, por ai dallonte dukshëm nga politikanët, shtetarët e ushtarakët tjerë, sepse synimet e tij ishin në dobi të njerëzisë, pa dëshirë të imponohet personalisht në politikë dhe pa përfituar privilegje për vete dhe për popullin e vet, por për të gjithë. Luftoi kundër të keqes dhe idhujtarisë. Gënjeshtra dhe eksploatimi i të dobtëve u sulmua rreptë, kurse u krijua hapësirë për mirësi dhe ndihmë.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme