Paradoksi i braktisjes së tokës së çliruar


Në një vorbull enigmatik të ngjarjeve më të rënda që tundeshin stoikisht në "baltën" e tokës sonë, e që pakkush arrinte të rrëfente se si do të përmbyllej fati i këtij trualli të trashëguar, mu atëherë, Kosova mrekullisht, e fitoi mëvetësinë e saj.
Në të 17-ën ditë të shkurtit "më të gjatë" të 2008-ës, veshët e këtij populli të përvuajtur u lumturuan nga lajmi që doli nga shtëpia e popullit dhe kuvendarët e saj, ku kumbueshëm u deklarua: "Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik." Kjo ishte deklarata e pritur më gjatë në dy shekujt e fundit në nënqiellin tonë. Ajo stampoi mahnitshëm aspiratën shekullore dhe na tha se ne shqiptarët e Kosovës u ribëmë, më në fund të zotët dhe titullarët e tokës sonë.
Pavarësia e shtetit tonë përbënte përfundimin e një episodi të gjatë të aspiratave të dëlira, por edhe të përvuajtjeve e të sakrificave të shtrenjta që ofruan breza të shumtë për lirinë e ëndërruar. Ajo nuk erdhi si fryt i ndonjë tentative aventureske apo bixhozi politik të një grumbulli njerëzish që vendin e çliruan aksidentalisht. Jo, kurrsesi. Ishin pena, gjaku, e djersa e këtij populli ato që trokitën me përulësi në "portën hyjnore" të Zotit tonë, e prej Tij pastaj u bekuam, andaj triumfuam. Ajo që ngjau, nuk ishte asgjë më shumë se sa jetësim i një premtimi nga Krijuesi ynë i Urtë, që përsëritshëm në Librin e tij fisnik e tha: "E ti kurrsesi mos e mendo Allahun si të pakujdesshëm ndaj asaj që veprojnë mizorët." (Ibrahim, 42).
Vitet na ecin, dhe tashmë jemi në prag të motmotit të 15-të, të mëvetësimit tonë, që në versionin më optimist, s'ndiejmë më nevojën që të sakrifikojmë ende gjakun e bijve tanë për dheun e kësaj toke. Meqenëse, ne ishim të gatshëm që të sakrifikoheshim për tokën tonë dhe të mos e boshatisnim, edhe kur këndej pari shkelte thundra e agresorit pushtues, atëherë të vetëdijesohemi e të qëndrojmë sot në këtë tokë, mbase vetëm ne e dimë se si e kemi çliruar. Pra, ta duam e ta ruajmë çdo pëllëmbë të saj të çliruar gjer në amshim.
Na duhet pak ta kursejmë ngazëllimin pas triumfit historik, dhe gjersa këto ditë po shënojmë të ekzaltuar e me pietet 15-vjetorin e shtetësisë sonë, duhet të përpiqemi që të rigjejmë motive fisnike për të sendërtuar pa hile çdo cep të këtij shteti, që po hapëron i ndruajtur në krah me kombet që mbase "kanë harruar" kohën kur ato janë pavarësuar.
Brezi i ri që po rritet, e i cili nuk ka shijuar asgjë nga tmerret e fundshekullit të kaluar, duket se qëndrimin në këtë tokë po e sheh si paaftësi, ngecje e qyqari. Të pafuqishëm për të hedhur fajin mbi mungesën e lirisë, një pjesë e këtij populli, kërkon me llupë ndonjë pretekst fantom veç sa për alibi, që dheut të çliruar tash e 25 vjet, t'ia kthejë shpinën pa u matur dy herë. Është ky një varfërim edukative mungesë ndërgjegjësimi për atdhedashurinë e çiltër, në saje të së cilës mbijetoi e pastaj edhe u formua shteti ynë. E për më tepër, një frymë e tillë moskokëçarëse e brakiisëse, s'mund të gjejë kurrë asnjë provë justifikuese në burimet tona islame.
Duke gjurmuar në shkëndija: profetike, vërejmë se i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s. të vetmen arsye që e gjeti për ta lëshuar atdheun e tij të shenjtë-Mekën, ishte fakti se ai nga aty po përzihej e po syrgjynosej nga fisi e populli i tij. Atje, në Medinë ku ai u arratis, nuk shkoi për një jetë më të mirë e as për rehati familjare. Shkoi, ngase u detyrua. I pikëlluar nga largimi, iu drejtua Mekës prej një kodrine të saj duke thënë: "Sa vend i bukur e i dashur për mua që je, eh sikur populli im të mos më përzinin prej teje, unë nuk do të banoja askund tjetër (në tokë)." Këso arsyesh për braktisjen e vendit, brezi ynë, tash e dy decenie duket se nuk i zotëron. Por, ndoshta Zoti e paska vënë në sprovë brezin e shekullit të kaluar që ta fitojë lirinë, e brezin aktual, po e vë në sprovë nëse po arrin që ta ruajë e ta manifestojë atë liri në tokën e çliruar. Brezi i kaluar tragjedinë arriti ta shndërrojë në triumf, liri e në fund edhe paqe, ndërsa brezi aktual "lirinë" po e kupton si mundësi braktisjeje të tokës së çliruar dhe arratisje larg pellgut gjeografik të shqiptarëve. Kjo mendësi, sprovën e tillë e shndërron në fatkeqësi e arratisjen prej atdheut e vulosë si ligësi.



Editorial
Dituria Islame 386/387


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Ish-Myftiu Dr. Rexhep Boja: Një Shembull i Liderit dhe Atdhetarit të Përkushtuar