Komentimi i kaptinës Muhamed (II)


Kufri dhe Imani në peshojën e Ahiretit


“Atyre që nuk besojnë dhe që pengojnë (njerëzit) nga rruga e Tij, Allahu do t’ua asgjësojë veprat e tyre. Ndërsa atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe e besojnë atë që iu shpall Muhamedit, e cila është e Vërteta prej Zotit të tyre, Ai atyre do t’ua mbulojë të këqijat e tyre dhe do t’ua përmirësojë gjendjen. Kjo, sepse ata që nuk besojnë ndoqën të pavërtetën, kurse besimtarët ndoqën të Vërtetën e ardhur nga Zoti i tyre. Kështu ua sjell Allahu shembujt njerëzve.” – (Muhamed, 1-3).

Shkaku i zbritjes së ajeteve (1-2)

Transmeton Ibn Ebi Hatimi nga Ibn Abasi të ketë thënë:
Jobesimtarët e përmendur këtu janë banorët e Mekës, ndërsa ajeti i dytë që flet për besimtarët, ka për synim ensarët e Medinës.(1)
- Ibn Abasi në një transmetim tjetër thotë: Ky ajet ka zbritur për parinë e kufrit në Bedër, (për ata që furnizuan me ushqim ushtrinë e idhujtarëve në Bedër) e ata ishin dymbëdhjetë burra: Ebu Xhehli, Harith ibn Hishami, Utbe ibn Rebiah, Shejbe ibn Rebiah, Ubejj bin Halefi, Umejje bin Halefi, Munebbih ibnul Haxhaxh, Nubejh ibnul Haxhaxh, Ebul Bahteri ibn Hisham, Zem’ah ibnul Esvedi, Hakim bin Xhizam dhe Harith ibn Amir bin Nevfel.(2)

Koment

1. Atyre që nuk besojnë dhe që pengojnë (njerëzit) nga rruga e Tij, Allahu do t’ua asgjësojë veprat e tyre
2.
Fillimi i kësaj sureje, i ngjason nisjes së një sulmi të furishëm e të ashpër ndaj jobesimtarëve, sepse vetë asgjësimi dhe zhvlerësimi i veprave të jobesimtarëve për shkak të kufrit të tyre, tregon më së miri për seriozitetin e këtij kërcënimi hyjnor. Ata që nuk besojnë dhe tallen me fenë e Allahut, qofshin ata nga idhujtarët ose nga pasuesit e Librave të shenjtë, që mohojnë Njëshmërinë e Tij dhe që pengojnë të tjerët në rrugën e Allahut, nuk kanë pse të shpresojnë në mëshirën e Tij. Zaten, vetë nisja e kësaj sureje, me përmendjen e jobesimtarëve qysh në shprehjen e parë të saj: “atyre që nuk besojnë”, si dhe kotësia e veprave të tyre, qartëson se ata që i kanë shpallur luftë Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, fundin do ta kenë tragjik, sepse dënimi i Ahiretit, vërtet do të jetë i dhimbshëm për ta.
Jobesimtarët e përmendur në këtë ajet, nuk janë thjesht mohues dhe mosbesues vetëm për vete, përkundrazi, këta janë thirrës dhe nxitës në kufr-mosbesim. Ky ajet, kur i përshkruan jobesimtarët, nuk i synon ata vetëm fizikisht, por me këtë synon të gjitha ato ideologji të mbrapshta nëpër shekujt e kaluar po edhe sot, siç janë shoqatat, shtëpitë mediatike të globalizmit modern, ideologjitë ekstremiste, rrymat ateiste, si dhe përpjekjet e të gjitha forcave të errëta, qoftë në në Lindje qoftë në Perëndim, që synojnë shpëlarjen e trurit, fshirjen e iden- titetit dhe robërimin e mendjeve.
Kur këtyre u shtohet skllavërimi modern i njerëzve nëpërmjet sistemeve bankare të bazuara në kamata të shumëfishta, përhapja dhe mbështetja perfide e disa lëvizjeve degjeneruese për gjoja të drejtat e njerëzve dhe të disa grupeve të caktuara që thërrasin në shthurjen e familjes së natyrshme, pa përjashtuar këtu edhe idetë që vijnë ndesh edhe përbrenda vetë shoqërisë myslimane, të cilat fenë duan ta paraqesin ashtu siç u konvenon atyre, qofshin ato rryma ekstremiste apo neoliberale, bëhet e qartë se qëllimi i vetëm i tyre është që njerëzit, t’i largojnë nga besimi i pastër duke futur huti dhe dyshime në fenë e tyre.(3)
Krejt këto dredhi të liga e të ulëta, shpërfaqin ambiciet e sëmura të këtyre njerëzve të cilët dëshirojnë t’i fusin edhe të tjerët në vallen e tyre të mohimit dhe mosbesimit, për t’i shpënë në pa kthim drejt greminave të Xhehenemit: “Ata dëshirojnë që edhe ju të mos besoni sikurse nuk besuan vetë dhe të bëheni të njëjtë.” – (En-Nisa’ë, 89).
Por edhe përkundër këtyre përpjekjeve të tyre për shkatërrim në tokë, duke mbjellë fesad e amoralitet, megjithatë, ne nuk guxojmë të dorëzohemi, por duhet të jemi syçelë, duke edukuar gjeneratat e reja për rreziqet që bart me vete ky lloj globalizmi modern dhe imitimi i verbër i të tjerëve. Veprat e këtij grupi do të jenë të asgjësuara nesër në Ahiret, ashtu siç e thekson këtë edhe në shumë ajete të tjera kuranore si: “Shembulli i veprave të atyre që nuk besuan është si hiri, të cilin me puhi e shkapërderdh era në ndonjë ditë të stuhishme, e ata nuk mund të reali- zojnë asgjë nga veprat që kanë bërë, e ky është ai dështimi i madh.” – (Ibrahim, 18), pastaj: “Ata, veprat e tyre i asgjësuan në këtë botë dhe në botën tjetër, nuk kanë ndonjë mbrojtës.” – (Ali Imran, 22); dhe: “Ata që nuk besuan, shpenzojnë pasurinë e tyre për të penguar nga rruga e Allahut. Ata do të shpenzojnë atë dhe ajo do të bëhet dëshpërim i tyre, e madje ata do të mposhten. E ata që mohuan, do të përmblidhen vetëm në Xhehenem.” etj.
2. Ndërsa atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe e besojnë atë që iu shpall Muhamedit, e cila është e Vërteta prej Zotit të tyre, Ai atyre do t’ua mbulojë të këqijat e tyre dhe do t’ua përmirësojë gjendjen.
Pasi që i Lartmadhërishmi në ajetin paraprak tregoi se çfarë i pret jobesimtarët, dhe si atyre do t’u asgjësohen veprat e tyre, duke mbetur pa asgjë, kur të ballafaqohen me drejtësinë hyjnore, tash ky ajet, tregon se si do të jetë gjendja e besimtarëve në Ahiret. Vetë termi “atyre që besuan”, shfaq madhështinë dhe krenarinë e këtij grupi të shpëtuar, të cilët për asnjë çast nuk u luhatën në besimin e tyre të pastër në Zotin Fuqiplotë, duke bërë përveç kësaj edhe vepra të mira që i afrojnë tek Allahu xh.sh..
Pas besimit të pastër në Krijuesin, ata po ashtu besuan me bindje të plotë se Kurani që i ka zbritur Muhamedit a.s. është Fjalë e Zotit dhe dritë shpëtimi e udhëzimi për ta.
Besimtarët në Kuran gjetën prehjen e tyre shpirtërore. Nëpërmjet udhë- zimeve të tij, ata shpëtuan nga kthetrat e kufrit dhe, duke kërkuar falje prej të Madhërishmit, e pastruan veten nga gabimet e kaluara. Dihet se ai që hyn në Islam, i fshihen të gjitha gjynahet e kaluara, dhe për ta fillon një jetë e re plot shpresë, ashtu siç ka premtuar i Madhërishmi: “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepra të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, dhe falë shumë.” – (El-Furkan, 70).
Ky është udhërrëfyesi kuranor, ku në ajetet e tij shohim se sa herë që janë përmendur bashkërisht Imani dhe veprat e mira, menjëherë pas tyre kanë ardhur fjalët “magfiret-falje” dhe “el exhru- shpërblimi”, si f.v. në ajetin 50 të sures El-Haxh: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, do të kenë falje (të mëkateve), furnizim të begatshëm (në Xhenet)”, dhe ajeti 7 i sures El-Ankebut: “Po ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne me siguri do t’ua shlyejmë të këqijat dhe do t’i shpërblejmë më së miri për atë që vepruan”.(4)
Këta besimtarë të sinqertë, duke e pasur në zemra Fjalën e Allahut - Kuranin famëlartë, e rregulluan jetën e tyre në këtë botë, por mbi të gjitha ia përgatitën vetes vendin meritor në Xhenet. Prandaj, ashtu siç e pamë nga shkaku i zbritjes së ajetit të dytë, fjala besimtarë këtu nënkupton besimtarët e çdo kohe në përgjithësi, por ensarët dhe muhaxhirët në veçanti...
3. Kjo, sepse ata që nuk besojnë ndoqën të pavërtetën, kurse besimtarët
ndoqën të Vërtetën e ardhur nga Zoti i tyre. Kështu ua sjell Allahu shembujt njerëzve.
Ata që janë mohues të së vërtetës dhe pengojnë në rrugën e Allahut, do ta përjetojnë ndëshkimin e Ahiretit në skëterrat e Xhehenemit, sepse kishin ndjekur të kotën dhe të pavërtetën. Atyre u erdhën qindra argumente që të përudheshin, por të shtyrë nga mendjemadhësia, nuk deshën t’i ndriçonin zemrat e tyre me nurin e fesë së Allahut.
Ndërsa besimtarët, zemra e të cilëve u ndriçua me dritën e Imanit, duke e ndjekur të Vërtetën që u erdhi nga Zoti i tyre, do të jenë të shpërblyer me Xhenet, duke shijuar kënaqësitë e tij të përjetshme.
Për ta arritur tërë këtë, besimtarët duhet ta kenë bindjen e paluhatshme në Allahun si Krijues i tërë kësaj ekzistence, të bëjnë vepra të mira, të mbështeten tek Ai në çdo situatë, të kërkojnë falje nga i Madhërishmi për ndonjë veprim të pamatur a mëkat nga e kaluara, dhe natyrisht, ta japin krejt mundin e tyre që ta realizojnë qëllimin më fisnik në këtë jetë, të arrijnë kënaqësinë e Tij.
Ja, në këtë mënyrë ua sjell Allahu i Madhërishëm shembujt njerëzve, që ata të vetëdijesohen e të ndjekin rrugën që i shpie në shpëtim, dhe i largon nga e kota dhe e pavërteta.
Sigurisht, lufta në mes Imanit dhe kufrit do të vazhdojë deri në përfundimin e jetës në këtë botë, sepse gjithmonë do të ketë forca të errëta e mendje të liga, që do të përpiqen të devijojnë njerëzit nga e vërteta. Rruga drejt Allahut nuk është aspak e lehtë.
Ajo kërkon guxim, sakrificë, por mbi të gjitha zemër e mendje të hapur, që të pasohet e vërteta në çdo kohë.
Megjithatë, në besim nuk ka imponim, por bindje dhe vullnet të lirë, dhe secili e pason atë që dëshiron, por nesër në Ahiret, vetëm njëri grup do të jenë të shpëtuar, e ata do të jenë këta njerëz të cilët Kurani famëlartë i ka përshkruar në këtë ajet: “Është e vërtet se ky Kuran udhëzon për atë rrugë që është më e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se do të kenë shpërblim të madh.” - (El-Isra’ë, 9).
Ndërsa ata që nuk besuan dhe ishin mendjemëdhenj e arrogantë ndaj të së vërtetës, të tillët Kurani i përshkruan në këtë mënyrë:
“Ndërkaq, për ata që nuk e besojnë botën tjetër, Ne kemi përgatitur
për ta një dënim të rëndë.” – (El-Isra’ë, 10).(5)

Porosia e ajeteve (1-3)

- Veprat e atyre që mohuan Allahun, e fyen të Dërguarin e tij dhe penguan të tjerët në rrugën e Allahut, do të jenë të asgjësuara, dhe të tillët i pret dënimi i dhimbshëm në zjarrin e Xhehenemit, sepse ata e pasuan të kotën, të shtrembrën dhe errësirën që vjen me shirkun dhe kufrin.
- Ata që besuan Allahun, bënë vepra të mira dhe e pasuan Muha- medin a.s. duke qenë të paluhatshëm në bindjet dhe besimin e tyre, ata janë banorë të Xhenetit, dhe do të jenë nën hijen e mëshirës së Allahut përgjithmonë, sepse ndoqën dritën e së vërtetës, dhe Fjalën e Allahut dhe Kuranin si udhëzim hyjnor.
- Lufta në mes të vërtetës dhe të kotës, do të jetë vazhdimisht e ndezur, sepse armiqësia e shejtanit ndaj njeriut daton qysh nga krijimi i Ademit, kur djalli i mallkuar shfaqi mendjemadhësi dhe theu urdhrin e Krijuesit. Andaj njeriu duhet të jetë gjithmonë i kujdesshëm nga intrigat e shejtanit, sepse ai me çdo kusht përpiqet të na largojë nga rruga e drejtë, duke na i zbukuruar e hije- shuar të këqijat.

- vijon –


1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n- nuzuli, Bejrut, 2020, f. 234.
2. Imam Kurtubiu, El-Xhamiu li ahkamil-l Kuran, Kajro, 1947, vëll. 16, f. 223; Dr. Vehbe ez-Zuhajli, Et-Tefsiru-l Munir, Damask, 2009, vëll. 26, f. 399.
3. Ebu Bekër el Kadi, Te’emmulat imanije fi sureti Muhamed, Aleksandri, 2019, ff. 38-40.
4. Dr. Vehbe ez-Zuhajli, Et-Tefsiru-l Munir, Damask, 2009, vëll. 26, f. 401.
5. Dr. Hasen Muhamed Baxhude, Te’emmulat fi sureti Muhamed, Mekë, 1979, f. 56.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme