Agjërimi - definicioni, kushtet dhe llojet e tij

Fjala agjërim në kuptimin etimologjik (gjuhësor) do të thotë: përmbajtje (e vetes nga diçka), lënie, braktisje, largim në përgjithësi, pavarësisht se a është prej ushqimit dhe pijeve apo prej veprave dhe fjalëve.
Agjërimi në kuptimin terminologjik fetar domethënë “heqje dorë nga gjërat që prishin agjërimin`, realisht ose juridikisht në kohë me njet të caktuar, nga ata që detyrohen për agjërimin”.

Sqarimi i definicionit

Heqja dorë nga gjërat që prishin realisht agjërimin, pavarësisht nëse bëhet fjalë për ushqime, pije apo marrëdhënie seksuale me bashkëshorten, dhe çdo gjë që çon në ejakulim, ose futja e ndonjë gjëje nëpërmjet hyrjeve të natyrshme (si goja, hunda etj.), çfarëdo qoftë prej ushqimeve, pijeve, ilaçeve apo diçka tjetër, si ndonjë gur, metal etj.. Ndërsa ai që ka ngrënë ose pirë apo ka përdorur diçka prej gjërave të tjera që e prishin agjërimin - për shkak të harresës, sepse nuk i kujtohet se është agjërueshëm, - llogaritet se e ka prishur agjërimin analogjikisht. Megjithatë, në bazë të dispozitave ligjore të Allahut, ai llogaritet agjërues, si shpërblim dhe mëshirë nga Allahu xh.sh..
- Në kohë të caktuar - Kjo kohë është prej agimit të vërtetë deri në perëndimin e diellit, me nijet të caktuar, duke qenë mysliman, sepse jomyslimani nuk është i obliguar; gjithashtu femrat në fazën e menstruacionit ose pas lindjes nuk e kanë detyrim agjërimin. Zaten Allahu xh.sh. atyre ua ka ndaluar agjërimin për mëshirë ndaj tyre, ngase menstruacioni dhe ditët pas lindjes, janë sëmundja që e mundojnë femrën dhe dobësojnë fuqinë e saj, siç është e njohur.

Kushtet e agjërimit

Kushtet obligative:
1. Islami. Sepse jomyslimani së pari është i detyruar të pranojë Islamin dhe pastaj, kur të besojë-pasojnë detyrimet/ obligimet në përgjithësi, një prej të cilave është agjërimi.
2. Mendërisht i shëndoshë - (aftësia psikike), për arsye se ai që është me të meta psikike, nuk obligohet për asgjë, sepse i mungon kushti i detyrimi/obligueshmërisë dhe të kuptuarit e urdhëresës.
3. Mosha madhore; njeriu është i rritur kur të dijë se çfarë dobie ka prej asaj që bën ose nuk bën nga veprat dhe percepton kuptimin e bindjes apo kundërshtimit.
Ibni Sirini ka thënë:
“Fëmija urdhërohet për faljen e namazit kur arrin të dallojë të djathtën e tij prej të majtës, kurse urdhërohet për të agjëruar kur mund ta përballojë agjërimin”.
Ndërsa Hixham ibn Urveh ka thënë: “Babai im i urdhëronte fëmijët për namaz kur mund ta kuptonin atë, e për agjërim, kur mund e përballonin atë”.
4. Arritja e njohurisë për detyrimin e agjërimit të Ramazanit - Kjo ka të bëjë me personin që është bërë mysliman në një vend joislam ku nuk ka pasur kush e njofton me obligimin e agjërimit të Ramazanit. Njohuria realizohet me lajmërimin e dy burrave apo një burri e dy grave, ose një burri të drejtë. Kur njoftohet, ai nuk obligohet për të bërë kaza (kompensim) ato që kanë kaluar më parë. Ndërsa ai që përqafon Islamin në një shtet islam dhe nuk ka ditur për detyrimin e agjërimit të Ramazanit, po më pastaj e ka mësuar këtë, detyrohet të bëjë kada (të plotësojë) agjërimin që i ka kaluar pas pranimit të Islamit, pavarësisht nëse ka ditur apo jo për detyrimin. E tërë kjo është thënë mbështetur në rregullën se nuk ka arsyetim në një vend islam për mosdije të rregullave dhe dispozitave apo normave të argumentuara me fakte autentike, siç janë namazi, zekati, braktisja e alkoolit, prostitucionit etj.

Kushtet obligative për zbatimin e agjërimit

1. Shëndeti, duhet ditur se të sëmurit i lejohet të mos agjërojë në Ramazan, për shkak të sëmundjes së tij, dhe ditët e paagjëruara t’i agjërojë - pasi të shërohet.
2. Vendqëndrimi (të mos jetë udhëtar); dihet se udhëtarit i lejohet të mos agjërojë në Ramazan për shkak të udhëtimit të tij të ligjshëm, dhe ditët e paagjëruara t’i agjërojë pas Ramazanit.

Kushtet e vlefshmërisë së zbatimit

1. Nijeti. Agjërimi është adhurim dhe pa nijet (vendosje), nuk ka adhurim, sepse nijeti është dallues në mes zakonit dhe adhurimit. Esenca e nijetit është që ai të bëhet natën, d.m.th. nijeti duhet të bëhet para agimit, edhe vetë akti i vendosjes për agjërimin e ditës së nesërme, ose ngrënia e syfyrit llogaritet nijet. Sepse nijet është vendosje me zemër për të kryer adhurimin, dhe nuk kërkohet të shprehet patjetër me gojë. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka agjërim për atë që nuk ka vendosur për të agjëruar gjatë natës”.
Por nuk prish punë edhe vonimi i nijetit deri para se të arrijë dielli në zenit. Transmetohet prej Seleme ibn El-Ekvei r.a. se Pejgamberi a.s. një njeri që kishte pranuar Islamin e pati urdhëruar që të thërriste në popull dhe të porosiste që kush kishte ngrënë, le të agjëronte pjesën e mbetur të ditës, kurse ai që nuk kishte ngrënë ose pirë diçka, le të agjëronte, sepse sot është dita e ashureve (10 Muharrem).
Në këtë aspekt nuk ka dallim në mes agjërimit të Ramazanit dhe atij nafile. Transmetohet prej Aishes, e cila ka thënë: “Hyri Pejgamberi a.s. tek unë dhe tha: “A keni diçka (prej ushqimit)? I jemi përgjigjur: jo, e ai tha: “Pra atëherë unë jam agjërueshëm”.
Kështu veprohet edhe me nedhrin-premtimin e caktuar, si p.sh. kur thotë njeriu: Për Zotin, do ta agjëroj ditën e enjtes së ardhshme, për shkak se agjërimi është konfirmuar për atë ditë.
Për sa i përket agjërimit kada të Ramazanit ose agjërimit nedher (të premtuar) të përgjithshëm, ose kaffaretit, duhet bërë nijet patjetër natën, para agimit.
2. Për sa i përket pastrimit të gruas prej hajzit (të përmuajshmeve - menstruacionit) dhe pas ditëve të lindjes (lehonisë-nifasit), kuptohet se kemi të bëjmë me faktin që hajzi dhe nifasi të kenë përfunduar në momentin e fillimit të agjërimit në agim, dhe nuk është fjala për pastrim (me ujë) nga hajzi dhe nifasi. Allahu xh.sh. ia ndaloi agjërimin femrës me të përmuajshme ose në ditët e caktuara pas lindjes, në shenjë mëshire për të.
Shkaku i tërë kësaj është se: Dëshmia e një pjese nuk ndahet nga tërësia e muajit të Ramazanit dhe kjo nëpërmjet pamjes së hënës apo njoftimit për fillimin e muajit të Ramazanit. Allahu xh.sh. thotë: “E kush e dëshmon prej jush këtë muaj, le të agjërojë”.

Llojet e agjërimit

Agjërimi farz

Agjërimi farz është dy llojesh:
a) Farzi në kohën e caktuar, siç është agjërimi i muajit të Ramazanit për çdo vit për besimtarët;
b) Farzi që nuk ka kohë të caktuar, p.sh.: plotësimi (bërja kaza) e ditëve të muajit për ata që nuk kanë agjëruar ditët e Ramazanit për ndonjë arsye ose pa arsye - Kefaret (mbulesa), siç është kefareti i thyerjes së betimit, premtimit, i dhiharit, i mbytjes pa qëllim, agjërimi i atij që nuk ka mundësi për të prerë Kurban nëse ka vendosur për haxhin Kiran dhe umren etj.

Agjërimi vaxhib

Edhe ky lloj agjërimi është disa llojesh:
1. Agjërimi nedhër (i premtuar).
Kur myslimani të premtojë të agjërojë disa ditë të caktuara, ose agjërimin e kushtëzon me realizimin e ndonjë çështjeje, e cila ndodh, atëherë duhet të zbatojë premtimin e dhënë, në pajtim me Urdhrin e Zotit xh.sh.:
“Pastaj le të heqin papastërtinë e tyre, le t’i zbatojnë premtimet e veta dhe le të sillen (bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë”. (El-Haxhxh, 29).
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kush premton për të dëgjuar e nderuar Zotin xh.sh., le ta bëjë atë, e kush premton për të kundërshtuar, të mos e kundërshtojë Atë”.
2. Agjërimi nafile (vullnetar)
Ai që ka prishur agjërimin nafile pa pasur ndonjë pengesë të arsyeshme, si hajzi - ciklet mujore të grave, nifasi në ditët pas lindjes, dhe pa ndodhur ai agjërim në ditë të ndaluara, si në ditën e Fitër Bajramit, të Kurban Bajramit dhe të tri ditëve vijuese të tij, - është i deturuar ta kompensojë atë agjërim. Allahu xh.sh. thotë:
“Mos i çoni kot veprat tuaja”. (Muhamed, 33).
Aishja r.a. ka thënë: “Unë dhe Hafseja ishim agjërueshëm, dhe na u ofrua një ushqim i mirë, të cilin e lakmuam shumë, dhe hëngrëm. Në atë çast erdhi Pejgamberi a.s. dhe Hafseja shpejtoi para meje, sepse ishte e bija e babës, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, ne ishim agjërueshëm dhe na u ofrua një ushqim që e donim shumë, dhe e kemi prishur (fjala është për agjërimin nafile)... Atëherë Pejgamberi a.s. ka thënë: Bëjeni kaza, kompensoni një ditë tjetër në vend të saj”.
3. Agjërimi në I’tikafin e premtuar
Ai që premton se do të qëndrojë në I’tikaf 10 ditë dhe të agjërojë, obligohet për këtë duke qenë në I’tikaf - në përmbushjen e premtimit.

Agjërimi synet

1. Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte
Transmetohet prej Ebi Katades r.a., i cili ka thënë: U pyet Pejgmaberi a.s. për agjërimin e ditës së hënë, dhe tha: “Në këtë ditë kam lindur dhe në të jam dërguar (pejgamber)”.
Transmeton Ebu Hurejra, i cili thotë: Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Veprat paraqiten (mbërrijnë) tek Zoti xh.sh. në ditën e hënë dhe në ditën e enjte, dëshiroj që veprat e mia të paraqiten tek Zoti xh.sh. duke qenë unë agjërueshëm”.
2. Agjërimi i ditës së Arafatit
Transmeton Ebi Katade se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Agjërimi i ditës së Arafatit llogaritet tek Zoti xh.sh. se do t’i falë një vit para dhe një vit pas (është fjala për mëkatet e tyre)”.
Imamul-Haremejni ka thënë: “Të falura janë mëkatet e vogla”. Kadi Ijad ka thënë: “Ky mendim është i ehli-sunetit dhe xhematit, e për sa u përket mëkateve të mëdha, nuk fal asgjë, përveç tevbes ose Mëshirës së Allahut”.
Ndërsa Imam Neveviu ka thënë: “Këtu është fjala për mëkatet e vogla, e në rast se nuk ka mëkate të vogla, atëherë shpresohet se do t’i zvogëlohen mëkatet e mëdha, e nëse nuk ka (as të tilla), atëherë i ngrihen shkallët e shpërblimit”.
Madhheri ka thënë: “Është thënë falje gabimesh për vitin që vjen. Fjala është se do ta ruajë nga mëkatet në atë vit; është thënë gjithashtu se i jepet prej rahmetit (mëshirës) dhe shpërblimit aq sa do të jetë falje e mëkateve të bëra për vitin e kaluar dhe vitin që pason”.
Ndërkaq, Ahmeti, Ebu Davudi, Nisaiu kanë transmetuar se: “Pejgamberi a.s. ka agjëruar ditën e nëntë prej Dhul-Hixhxhes”. Kjo mund të kuptohet se Pejgamberi a.s. e ka agjëruar ndonjëherë këtë ditë.
Është transmetuar nga Ebu Hurejre se Pejgamberi a.s. ka ndaluar agjërimin e ditës së Arafatit për ata që ndodhen në Arefat, në mënyrë që të mos dobësohet haxhiu për t’u lutur dhe që të mos sillet keq me të pranishmit.
3. Agjërimi i ditës së dhjetë të muajit Muharrem (ditës së Ashureve)
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“...dhe agjërimi i ditës së dhjetë (ashureve) llogaritet tek Zoti, se do t’i falë gabimet për vitin e mëparshëm”.
Ibni Abbasi r.a. ka thënë: “Nuk kam vënë re që Pejgamberi a.s. të ketë veçuar agjërimin e ndonjë dite duke lavdëruar atë mbi ditët tjera, përveç ditës së ashureve dhe të këtij muaji, do të thotë të muajit Ramazan”.
Gjithashtu transmetohet prej tij se ka thënë: “Kur Pejgamberi a.s. agjëroi këtë ditë dhe porositi për agjërimin e saj, i është thënë: O i Dërguari i Zotit, këtë ditë e madhërojnë hebrenjtë dhe të krishterët, - atëherë Pejgamberi a.s. tha: “Nëse jam gjallë deri në vitin tjetër, do të agjëroj edhe ditën e nëntë (d.m.th. së bashku me të dhjetën)”.
Tajibiu ka thënë: “Pejgamberi a.s. nuk jetoi deri në vitin e ardhshëm, sepse ndërroi jetë dhe kaloi në botën e amshueshme më 12 Rebiul Evvel, kurse agjërimi i ditës së nëntë të muajit Muharrem mbeti synet, edhe pse Muhamedi a.s. nuk arriti ta agjëronte atë ditë, por kishte vendosur për agjërimin e saj”.
Et-Turbeshti ka thënë: “Me këtë veprim kishte për qëllim shtimin e një dite, që rruga e Pejgamberit a.s. të mos ishte në përputhje me atë të hebrenjve dhe të krishterëve. Kjo është më e preferueshme, sepse zë vendin e përgjigjes në fjalën e tyre se këtë ditë e madhërojnë hebrenjtë”.
Transmeton Ibn Abbasi se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Agjëroni ditën e nëntë e të dhjetë dhe mos u ngjasoni hebrenjve”.
4. Agjërimi i ditëve të bardha
Kjo do të thotë: Agjërimi i ditëve 13, 14 dhe 15 të çdo muaji hënor, në të cilat zbardhet nata prej dritës së hënës (ngase hëna është e plotë).
Pejgamberi a.s. ka praktikuar agjërimin e këtyre ditëve dhe i ka porositur shokët dhe ymetin e tij që të agjërojnë këto ditë. Ebu Hurejra thotë: “Shoku im i dashur më ka porositur për tri gjëra, që nuk do t’i lë derisa të jem gjallë: Agjërimin e tri ditëve për çdo muaj, faljen e dy rekateve të namazit duha në kohë të paradites, dhe faljen e vitrit para se të fle”.
Transmeton Ebi Dherri, të cilit Pejgamberi a.s. i kishte thënë: “O Ebu Dherr, nëse agjëron tri ditë të çdo muaji, atëherë agjëro ditë 13, 14 dhe 15”.
Meqenëse një vepër e mirë shpërblehet me 10 sosh, me përjashtim nëse Allahu i shton më tepër nga bujaria e Tij, kush agjëron tri ditë të çdo muaji, është sikur të agjërojë tërë vitin, dhe për këtë falënderimi i qoftë Allahut xh.sh.
5. Agjërimi i gjashtë ditëve të Shevvalit
Parimisht ky agjërim duhet të zbatohet në muajin Shevval, kurse më së miri është të fillohet në ditën e dytë të Fitër Bajramit dhe të mos ndërpritet.
Transmetohet prej Ebi Dherit se Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Kush agjëron muajin e Ramazanit dhe e përcjell me agjërim të gjashtë ditëve të muajit Shevval, është sikur të agjërojë tërë vitin (ka shpërblim sikur të agjërojë tërë vitin)”.

Agjërimi i papëlqyer ose i urrejtur

Ky agjërim ndahet në dy lloje:
Mekruh Tenzihij: Konsiderohet kur më me rëndësi është të lihet ai agjërim sesa të agjërohet, sepse është i argumentuar me argument jo të prerë. Është e dobishme të lihet, sepse është në kundërshtim me agjërimin synet.
Mekruh Tahrimij: Është agjërimi veprimi i të cilit urrehet, sepse argumentohet me argument jo të prerë, dhe është në kundërshtim me agjërimin vaxhib.
Te fukahenjtë (dijtarët e fikhut) përdorimi i fjalës mekruh në formë të papërcaktuar, ka për qëllim “mekruh tahrimen”.

Agjërimi Mekruh Tenzihij

1. Agjërimi vetëm i ditës së Xhuma, duke ditur se dita e xhuma është ditë feste, është ditë kur bashkohen myslimanët, ditë vizite e farefisit. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Mos e veçoni natën e xhumasë me kiam (namaz nate) prej netëve të tjera, dhe as mos e dalloni ditën e xhuma me agjërim prej ditëve të tjera, përveç nëse ndonjëri prej jush ka qenë duke agjëruar në ndonjë agjërim”.
2. Agjërimi i ditës së dhjetë të Muharremit (ashureve) të vetmuar, përveç nëse i shtohet dita e nëntë ose dita e njëmbëdhjetë, siç u theksua më sipër prej fjalës së Pejgamberit a.s.: “Nëse e pres vitin e ardhshëm, do të agjëroj edhe ditën e nëntë”, d.m.th. me ditën e dhjetë të muajit Muharrem.
3. Agjërimi i ditës së dyshimtë (fjala është për natën e Ramazanit).
Kjo ditë ka të bëjë me atë njeri i cili nuk ka agjëruar vullnetarisht (nafile), dhe jo me atë që ka qenë duke agjëruar dhe i është përputhur me atë ditë (ditën e dyshimit). Nuk është mekruh as për personin që e ka parë hënën e re të muajit Ramazan, po Kadiu nuk e ka pranuar dëshminë e tij. Thuhet se kjo vlen edhe për vetë myftiun e jo për të tjerët, duke u frikësuar se popullata do të mendojë se është mirë ta fillojë Ramazanin një ditë ose me më shumë ditë përpara dhe mund të ndodhë në popull ajo që ndodhi tek ithtarët e librit (ehlu-kitabët), me shtimin e ditëve të agjërimit, që është prishje e garancisë së agjërimit dhe humbje e qëllimit të tij.

Agjërimi mekruh tahrimij ose i ndaluar

1. Agjërimi i ditës së parë të Fitër Bajramit si dhe i ditës së parë të Kurban Bajramit.
Transmeton Ebi Seid El-Hudriu r.a., i cili ka thënë: “Pejgamberi a.s. ka ndaluar agjërimin e ditës së parë të Fitër Bajramit dhe ditës së parë të Kurban Bajramit”.
2. Agjërimi i ditëve të Teshrikut - 11, 12 dhe 13 të muajit Dhul-hixhxhe, dita e dytë, e tretë dhe e katërt e Kurban Bajramit. Pejgamberi a.s. për këto ditë ka thënë: “Ditët e teshrikut janë ditët e ngrënies, pirjes dhe të dhikrit (të përmendurit e Allahut)”.
3. Agjërimi i tërë vitit përveç ditëve të ndaluara, për shkak se kjo e dobëson personin përkatës për kryerjen e obligimeve fetare dhe përfitimin material, i cili është mjet jete, po, nëse këto nuk përbëjnë pengesë, agjërimi i tërë vitit konsiderohet mekruh tenzihij.
Kjo është e njohur prej shumë të parëve dhe të fundit që ndjekin rrugën e Pejgamberit a.s., sepse ata agjëruan pandërprerë për vite të tëra, përveç ditëve të ndaluara a të urrejtura, dhe se ata kuptuan ndalimin e agjërimit të vitit prej hadithit të Pejgamberit a.s., për ata që kanë vështirësi për kryerjen e obligimeve në përgjithësi (fetare dhe jetësore).
4. Keraheti tarhimij - Agjërimi nafile i femrës pa lejen e burrit të saj. Është të agjërojë nafile gruaja, nëse burri i asaj është i pranishëm dhe nuk i ka dhënë leje, sepse ndoshta burri ka nevojë për të. Nëse i ka dhënë leje burri për agjërim, atëherë burrit nuk i lejohet të ndërhyjë në agjërimin e saj. Kështu është edhe nëse burri është i sëmurë ose udhëtar, ngase nuk ka nevojë për gruan e tij (fjala është për marrëdhënie seksuale).
Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Nuk i lejohet gruas të agjërojë nafile kur burri është i pranishëm, përveçse me lejen e tij, as ajo nuk lejon hyrjen e askujt në shtëpi, përveçse me lejen e burrit”.



(Pjesë nga libri “Dispozitat e Agjërimit” të autorit Vehbi Sulejman Gavoçi, të përkthyer nga Ekrem Simnica, botim i Shtëpisë botuese “Dituria Islame” më 2009)


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme