Shoqërimi me Kuranin në Ramazan


Kur’ani fisnik është Fjala e mrekullueshme e All-llahut Fuqiplotë. Ai është baza dhe themeli i fesë, mendimit dhe civilizimit islam. Siç njofton vetë Kur’ani, ai zbriti në muajin e Ramazanit, si udhëzim dhe orientim për njerëzit. Zoti e zbriti atë që njerëzimi ta lexojë, ta studiojë dhe me të ta zbulojë botën dhe sekretet e saj. Në raport me leximin e tij, njerëzit mund të ndahen në të tillë që vetëm e lexojnë si libër, për sevape dhe përfitime shpirtërore, dhe të tillë që e lexojnë dhe lejojnë që Kur’ani t’i lexojë ata, t’i lexojë edhe mendimet dhe preokupimet e tyre.
Kur’ani famëlartë është një Libër i hapur, që fton për t’u lexuar, për t’iu kthyer e për ta vështruar me mendim të thellë. Kushdo që i qaset atij, e lexon dhe mediton rreth porosive gjithkohore të tij, ai ka një mendje dhe zemër të hapur. Ata që nuk e lexojnë dhe nuk meditojnë rreth tij, Kur’ani i sfidon duke i pyetur se mos, vallë, zemrat i kanë të mbyllura me dry: “Vallë, a nuk mendojnë ata për Kur’anin, apo në zemrat e tyre ka dryna?”(1)

Vlera e leximit të Kur’anit në Ramazan

Koha më e mirë, më e përshtatshme dhe më përfituese për shoqërim dhe angazhim me Kur’anin është në muajin e bekuar të Ramazanit, në të cilin muaj u bë shpallja e tij. All-llahu i Madhërishëm në Kur’anin famëlartë thotë: “Në muajin Ramazan ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra).”(2) Krahas agjërimit gjatë muajit të Ramazanit, angazhimi dhe shoqërimi me Kur’anin fisnik është edhe një specifikë tjetër e këtij muaji. Është interesant se në Kur’an, muaji Ramadan, përmendet vetëm njëherë. Me këtë, sikur ka dashur All-llahu xh.sh. të na tregojë për specifikën dhe veçorinë e kohës që kalojmë në këtë muaj, sikur të ishte një mundësi që ofrohet vetëm një herë në jetë!
Madje, sipas ajeteve të agjërimit, ku mbarojnë me mesazhin “ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni”(3), agjërimi ynë, pos tjerash, i dedikohet edhe si mirënjohje dhe falënderim Krijuesit për dërgimin e udhëzimit dhe zbritjen e Kur’anit, dritën e pashuar deri në Kijamet.
Për vlerën e leximit dhe studimit të Kur’anit në Ramazan flasin të dhëna të shumta nga tradita profetike dhe nga përvoja e të parëve tanë të ndershëm.
Pejgamberi a.s. në një hadith thotë: “Agjërimi dhe Kur’ani do të ndërmjetësojnë për njeriun në Ditën e Gjykimit. Agjërimi do të thotë: O Zot! E kam privuar nga ushqimi dhe pija, prandaj më lejo që të ndërmjetësojë për të! Ndërsa Kur’ani do të thotë: E kam privuar nga gjumi i natës, prandaj më lejo që të ndërmjetësojë për të! Kështu që ata të dy do të ndërmjetësojnë.”(4) Po ashtu ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i All-llahut fiton një sevap dhe ky sevap i shumëfishohet dhjetëfish.”(5)
Imam Tirmidhiu shënon një hadith kudsij nga Ebu Seidi r.a., në të cilin All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kënd e largon Kur’ani nga përmendja Ime dhe kërkimi prej Meje, Unë kam për t’i dhënë atij më shumë se ç’më lusin dhe ç’më kërkojnë të tjerët. Kurse vlera e fjalëve të All-llahut në raport me fjalët e të tjerëve, është sa vlera e Allahut në raport me krijesat e Tij.”(6)
Pra, ai i cili nuk ka shumë kohë që ta lus All-llahun xh.sh., për nevojat dhe hallet e tij, duke qenë se është i zënë me leximin dhe këndimin e Kur’anit, Zoti do t’i jap atij më shumë se sa u jep atyre që e lusin vazhdimisht me dua dhe forma të tjera, të cilët në çdo lutje dhe kërkesë shprehin hallet dhe nevojat. Kjo është një nxitje shumë e fuqishme për lexuesit e Kur’anit që mos të shqetësohen se nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i bërë dua All-llahut, sepse Ai ka garantuar se ka për t’i plotësuar të gjitha nevojat e tyre për shkak të meditimit dhe kapjes së tyre pas Fjalëve të Tij. Sihariqi bëhet edhe më i madh kur këto Fjalë hyjnore bëhen ushqim dhe freski ditore gjatë ditëve të begata të Ramazanit.
Fakti që Muhammedi a.s. gjatë Ramazanit angazhohej më shumë me Kur’anin, madje së bashku me Xhibrilin a.s. e përsërisnin atë, flet shumë për vlerën dhe rëndësinë e shoqërimit me Kur’anin në këtë muaj të bekuar.(7)

Si duhet ta lexojmë sot Kur’anin?

Kur’ani nuk është një tekst i vdekur, por një komunikim i gjallë. Ai thirr në jetë dhe jep jetë. Përmes tij, zemrave të vdekura u vjen shpirti, sytë e qorruar të zemrës ndriçojnë, veshët e shurdhër fillojnë të dëgjojnë, kurse gjuhët memece fillojnë të thonë të vërtetën.(8)
Duhet të pranojmë se sot ka muslimanë që e lexojnë Librin në mënyrë selektive, madje edhe të dhunshme dhe të ngurtë. Ky është një defekt në raport midis nesh dhe librit tonë të shenjtë. Fletët e tij lexohen sikur të ishin letra të dedikuara dikujt tjetër, e jo neve. Sikur ato letra të ishin relikte të shpallura për njerëz dhe popuj të tjerë të së kaluarës! Mësimet, udhëzimet, historitë, këshillat dhe qortimet duhet t’i lexojmë sikur të jenë dërguar enkas për ne, sepse edhe ashtu janë dërguar. Kur’ani është për të gjitha kohët dhe për të gjithë botët, pra, ai është universal dhe mesazhet e tij janë të përbotshme. Ai duhet të lexohet si një tërësi. Sikur ky Kur’an t’iu ishte shpallur sot gjermanëve ose japonezëve, ata sot nuk do të linin çast pa folur për të dhe me të.
Zoti i Madhërishëm thotë: “Ne, në të vërtetë, ua kemi përcjell atyre një shkrim hyjnor, të cilin e kemi shpjeguar gjerësisht, për të qenë udhëzim dhe mëshirë për njerëzit që do të besojnë.”(9)
Në muajin Ramazan është koha më e mirë që të kapërcejmë ngurtësinë mendore dhe të fusim botëkuptimet kur’anore në mendjet, zemrat dhe ndërgjegjet tona, duke synuar kështu, në radhë të parë, dashurinë e All-llahut, dëlirësinë shpirtërore, dashurinë e diturisë dhe të etikës. E, fryt i kësaj, pa dyshim, do të ishte formimi i një pikëpamjeje kur’anore për veten dhe botën.(10)
Në kohën tonë bashkëkohore kemi numër të madh hatmesh, leximesh e mësimesh përmendësh të Kur’anit, por nuk kemi për hatër të Kur’anit respektim të tjetrit, familjes, shoqërisë, botës, xhamisë, rendit, namazit, duasë, prindërve, gruas, etj. Kemi kuantitet, e shumë pak kualitet, respektim të lartë të Mus’hafit, e fare pak të mësimeve, përmbajtjes dhe normave të tij.
Recipienti, gjegjësisht lexuesi i Kur’anit, sot është bërë perde ndaj rrethit ku jeton e vepron dhe pengon që drita e Kur’anit të depërtojë në sistem dhe në çdo pore të jetës shoqërore. Faj kemi dhe ai nuk është i Librit të Allahut, por eksplicitë i yni, i njerëzve të papërgjegjshëm, të cilët, po përdor një metaforë, me zemrën e Kur’anit, Jasinin, lëndojnë kalbin dhe zemrën e njeriut.
Problemi i njeriut bashkëkohor në raport me Kur’anin është se ai beson në fjalët e Kur’anit, beson se është i vërtetë, i drejtë dhe i saktë, si dhe beson se për çdo shkronjë të tij, kur lexohet, fitohet nga dhjetë sevape, por nuk beson se Kur’ani mund t’ia rregullojë jetën atij, se mund t’ia përmirësojë kualitetin e shëndetit dhe të punës, se mund të jetë rregullator dhe udhëzim drejtë sukseseve në fe, teknologji, inxhinieri, shkencë, kulturë, gjuhë, sport, si dhe në rregullimin e marrëdhënieve brenda familjes dhe shoqërisë. Me fjalë të tjera, njeriu i sodit beson se Kur’ani ka rregull të mahnitshëm brenda vetes, por nuk beson se ai mrekullisht mund t’ia rregullojë jetën atij në dynja dhe në Ahiret. Ky është problemi ynë me Kur’anin sot.
Se Kur’ani posedon rrugëdalje dhe zgjidhje për çdo gjë të jetës sonë, nuk ka asnjë dilemë. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Në Libër asgjë nuk kemi lënë mangët.”(11) “Ne ty ta shpallëm Librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët.”(12)
Me Kur’anin mund të ecësh drejtë dhe mund të bashkëjetosh bukur, vetëm nëse e lexon dhe mëson, jo për kuantitet, por për kualitet dhe kënaqësi. Ai nuk u zbrit vetëm për ta lexuar gjuhët, apo për ta mësuar mendjet, por për ta mësuar dhe për të vepruar me të, me aq sa të jetë e mundur. Nëse vazhdojmë ta ruajmë Kur’anin me të gjithë autoritetin e tij, do të mund ta ruajmë mesazhin dhe vizionin e tij. Kur’ani, ashtu siç ai vetë e përshkruan veten, është libër udhëzues, dritë mbi dritë. Ai nuk erdhi që ta kufizojë njeriun apo ta ulë atë, porse t’ia falë lirinë dhe ta lartësojë atë. Le t’ia japim mundësinë Kur’anit që ai të na lexojë ne, ndërsa ne, pastaj, t’i flasim vetvetes dhe botës me gjuhët shëruese të tij. Si përgjigje përfundimtare ndaj pyetjes së parashtruar më lartë, themi se Kur’ani duhet lexuar për të mirën e njerëzimit, gjegjësisht, në radhë të parë për muslimanët dhe më pas për tërë botën.


______________
(1) Kur’an: 47:24.
(2) Kur’an, 2:185.
(3) Kur’an, 2:185.
(4) Imam Ahmedi, nr. 6589.
(5) Imam Tirmidhiu, nr. 2910.
(6) Muhamad Zakariyya Kandhalawi, Fadail-ul-a’mal – punët e vlefshme, Tetovë, 2018, fq. 11.
(7) Imam Buhariu, nr. 1809.
(8) Mustafa Islamoglu, Vetëdija mbi imanin, Sira, Prishtinë, 2016, fq. 48-49.
(9) Kur’an, 7:52.
(10) Abdulhamid Ebu Sulejman, Botkuptimi kur’ranor, Logos-A, Shkup, 2018, fq. 195.
(11) Kur’an, 6:38.
(12) Kur’an, 16:89.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme