Hipokritët dhe besimtarët nga këndvështrimi akaidologjik
“Prej tyre (hipoktitëve) ka që bëjnë sikur të të dëgjojnë ty, por posa largohen prej teje, u drejtohen të diturve e u thonë: “Çfarë tha ai (Muhamedi) më parë?” Këta, janë ata zemrat e të cilëve ua ka vulosur Allahu dhe të cilët pasojnë epshet e veta. Kurse atyre që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton edhe më udhëzimin dhe i bën të devotshëm. Vallë, a po presin ata gjë tjetër veç Kiametit, që do t’ju vijë befas, ndërkohë që parashenjat e tij tashmë kanë ardhur?! E si presin t’u bëjnë dobi këshillat kur Kiameti të ketë ardhur? Atëherë, dije se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, kërko falje për gjynahet tua, për besimtarët e për besimtaret! Allahu i di mirë lëvizjet dhe vendqëndrimi tuaj.” (Muhamed, 16-19)
Shkaku i zbritjes së ajetit (16)
- Transmeton Ibn Mundhiri nga Ibn Xhurejxhi të ketë thënë: Tek i Dërguari i Allahut tuboheshin së bashku edhe besimtarët edhe hipokritët. Besimtarët e dëgjonin dhe e kuptonin plotësisht, kurse hipokritët po ashtu e dëgjonin, por s’kuptonin gjë, prandaj kur dilnin nga ndenja, këta të fundit i pyesnin besimtarët: Çfarë tha ky (Pejgamberi a.s.) më parë?! Për këtë arsye dhe për demaskimin e hipokritëve, zbriti ky ajet.(1)
- Po ashtu transmetohet nga Mukatili të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut gjatë hytbeve të tij i kritikonte hipokritët, e kur këta dilnin nga xhamia, e pyesnin Abdullah ibn Mesudin me ironi e tallje: “Çfarë tha Muhamedi pak më parë?!”(2).
Lidhja e këtyre ajeteve me ata paraprakë
Pas përmendjes së gjendjes së besimtarëve dhe të mohuesve në këtë botë dhe në Ahiret, Allahu i Madhërishëm në këto ajete flet për gjendjen e mjerë në të cilin gjenden hipokritët. Ata përveçqë i fut në radhën e jobesimtarëve, i cilëson edhe si injorantë e të paditur, sepse nuk kuptonin e as nuk përfitonin asgjë nga fjalët e Pejgamberit a.s.. Pas kësaj i Madhërishmi i kërcënon haptazi hipokritët që nëse nuk marrin mësim dhe nuk udhëzohen, para se t’u vijë Kiameti, atëherë, fati i tyre do të jetë zjarri i Xhehenemit. Në anën tjetër, Allahu i Gjithëmëshirshëm e porosit të Dërguarin a.s. që t’i mbështetet vetëm Atij, të kërkojë falje për vete dhe për besimtarët.
Koment:
16. Prej tyre (hipokritëve) ka që bëjnë sikur të të dëgjojnë ty, por posa largohen prej teje, u drejtohen të diturve e u thonë: “Çfarë tha ai (Muhamedi) më parë?” Këta janë ata zemrat e të cilëve ua ka vulosur Allahu dhe të cilët pasojnë epshet e veta.
Në mesin e jobesimtarëve, është edhe një grup i veçantë që Kurani famëlartë i ka quajtur mynafikë-hipokritë, e të cilët nesër në Ahiret, do të jenë në humnerën më të poshtme të Xhehenemit, për shkak të dyfytyrësisë dhe hipokrizisë së tyre. Në lidhje me ta, Allahu xh.sh. thotë: “S’ka dyshim, mynafikët (hipokritët) do të jenë në shtresën më të ulët (në fund) të Zjarrit dhe për ta kurrë nuk do të gjesh mbrojtës” – (En-Nisa’ë, 145)
Mynafikët haptazi shfaqen si besimtarë, por në heshtje punojnë kundër Islamit dhe kundër myslimanëve. Këta e fshehin besimin e tyre të vërtetë, duke përhapur intriga, shpifje dhe duke mbjellë përçarje në mesin e shoqërisë myslimane. Mbase për këtë arsye, në Kuran përveç dhjetëra ajeteve që flasin për hipokritët, kemi edhe një sure të tërë që i është kushtuar këtij grupi të humbur jobesimtarësh.
Hipokritët në kohën e Pejgamberit a.s., kur ishin në xhami ku ligjëronte ai, shtireshin sikur po e dëgjonin me vëmendje, por në fakt, as që interesoheshin të kuptonin diçka prej fjalëve të Resulullahut s.a.v.s., dhe posa largoheshin prej tij, me përçmim e shpoti i pyesnin sahabët e mëdhenj si Ibn Abasin, Abdullah ibn Mesudin etj., se çfarë tha ai, pa ia përmendur fare emrin të Dërguarit a.s..3 Këta sikur donin ta përçonin një mesazh përçarës në mesin e sahabëve se nuk po kuptonin asgjë nga ajo që po thoshte Muhamedi a.s.. Këta të devijuar, kishin zemra të sëmura dhe të mbushura plot mllef e urrejtje ndaj myslimanëve, ashtu siç i përshkruan Kurani famëlartë:
“Në zemrat e tyre ka sëmundje dhe Allahu ua ka shtuar edhe më sëmundjen...” (El-Bekare, 10), ndërkohë që hipokrizinë dhe dyfytyrësinë e tyre ua ka shpalosur edhe në ajetin e 14 të sures El-Bekare: “...Por kur veçohen me shejtanët (parinë) e vet, thonë: Ne, pa dyshim, jemi me ju. Ne vetëm po tallemi (me besimtarët).”
Pikërisht për shkak të këtij qëndrimi përbuzës e përçmues, Allahu xh.sh. i përshkruan këtë kategori të devijuarve si njerëz që Ai ua ka vulosur zemrat me damkën e kufrit. Ndryshku që i ka kapluar zemrat e tyre nuk i lejon ta ndjejnë ëmbëlsinë e imanit, sepse ata pasojnë epshet dhe egot e tyre, dhe nuk mund të udhëzohen në rrugën e drejtë.(4)
17. Kurse atyre që ndjekin rrugën e drejtë, Ai ua shton edhe më udhëzimin dhe i bën të devotshëm.
Kundruall këtij grupi njerëzish të prishur e jobesimtarë, tash i Madhërishmi na e përshkruan grupin e njerëzve të udhëzuar-besimtarët, të cilët i ndriçuan zemrat e tyre me dritën e imanit. Këta e kërkuan udhëzimin dhe e gjetën atë në Islam. Zemrat e tyre gjetën prehje e qetësi në këtë ëmbëlsi imanore, prandaj Allahu xh.sh. si dhuratë për ta, ua shtoi edhe më shumë udhëzimin duke i bërë të devotshëm e të përkushtuar në besimin e tyre të pastër në Zotin Një.
18. Vallë, a po presin ata gjë tjetër veç Kiametit, që do t’ju vijë befas, ndërkohë që parashenjat e tij tashmë kanë ardhur?! E si presin t’u bëjnë dobi këshillat kur Kiameti të ketë ardhur?
Kërcënimi hyjnor kundër hipokritëve vazhdon edhe në këtë ajet, ku i Madhërishmi në formë përbuzjeje për ta thotë: mos vallë ata po presin diç tjetër pos Kiametit, i cili do t’ju vijë befas, ndonëse ardhjen e tij fare nuk e besojnë. Vallë përse nuk ndalen të mendojnë se sa prej parashenjave të kësaj dite tashmë veç kanë ardhur, disa prej të cilave, idhujtarët dhe mynafikët i kishin parë me sytë e tyre, sepse prej këtyre shenjave është edhe vetë ardhja e të Dërguarit a.s., për ç’gjë vetë Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: “Jam dërguar, e unë dhe Kiameti jemi (afër) sikur këta dy, duke bërë me shenjë për gishtin tregues dhe atë të mesëm.”(5)
Edhe përkundër shumë shenjave paralajmëruese për ardhjen e Kiametit, asgjë nuk iu bën dobi mohuesve, sidomos hipokritëve. Në Kuranin famëlartë, kemi edhe shumë ajete të tjera që flasin në lidhje me këtë tematikë, se asnjë këshillë nuk i kthjell dot mendjet e turbulluara të mohuesve, deri në momentin kur ta shohin me sytë e tyre, si f.v. ajeti 23 i sures El-Fexhr: “Atë ditë, njeriu do të ndërgjegjësohet, por sa do t’i vlejë atij ky ndërgjegjësim?”. Pra, kur të vijë çasti (Kiameti), askujt nuk do t’i bëjë dobi besimi e as ndërgjegjësimi për atë që tashmë ka ikur në pa kthim.
19. Atëherë, dije se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, kërko falje për gjynahet tua, për besimtarët e për besimtaret! Allahu i di mirë lëvizjet dhe vendqëndrimin tuaj.
Pas gjithë kësaj, tash Allahu fuqiplotë i drejtohet të Dërguarit të Vet, duke e porositur që të jetë i qëndrueshëm, i pathyeshëm dhe të kërkojë falje për vete dhe për besimtarët në përgjithësi.
Ajeti në fjalë, vjen si fuqizim për Pejgamberin a.s., sepse Allahu xh.sh. dëshiron t’ia bëjë të qartë atij se, kur të shohësh dhe kuptosh gjendjen e të dyja grupeve, të besimtarëve dhe të mohuesve (në këtë rast të hipokritëve), atëherë dije se ashtu siç të kemi mësuar Ne, nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe vazhdo i palëkundur në thirrjen tënde për besim në Zotin Një. Dije se Kiameti të cilin idhujtarët dhe hipokritët po e mohojnë, do të ndodhë në një moment të caktuar që vetëm Allahu e di, dhe pas çastit të fundit do të pasojë Ringjallja, prandaj kërko falje për vete, kërko falje edhe për besimtarët dhe besimtaret, sepse isftig fari yt për ta, iu sjell atyre qetësi shpirtërore dhe i bën ata edhe më të vendosur në rrugën e hakut: “dhe lutu (kërko falje) për ta, sepse lutja jote është qetësim për ta.” – (Et-Tevbe, 103).
Imam Tirmidhiu përcjell nga Ebi Musa el Eshariu një transmetim se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu ia ka zbritur ymetit tim dy siguri” dhe e lexoi ajetin: “Por Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa ti je në mesin e tyre dhe, Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata, përderisa kërkojnë falje” (El-Enfal, 33), dhe pastaj tha: “Kur unë të vdes, do t’ua lë pas meje istig farin, deri në Ditën e Gjykimit.”(6)
Në lidhje me kërkimfaljen e Pejgamberit a.s. për vete, dijetarët janë unanimë se i Dërguari a.s. është i mbrojtur nga gabimet dhe mëkatet e mundshme, dhe se thirrja për kërkimfalje drejtuar Pejgamberit a.s., në fakt synon besimtarët apo ymetin islam në përgjithësi.(7) Ndërkohë, për të gjithë besimtarët e tjerë, istig fari është i domosdoshëm, sepse ne nuk jemi të mbrojtur nga gabimet e as nga mëkatimi, dhe gjatë përditshmërisë sonë, mund të gabojmë, herë pa vetëdije, e herë me të. Nga ky këndvështrim, istig fari konsiderohet si një ndër mirësitë më të mëdha që i janë dhënë këtij ymeti, sepse istig fari, përveçqë është një prej formave të adhurimit, po ashtu është edhe shkak për shumë mirësi dhe begati të Allahut ndaj nesh, siç na i përshkruajnë edhe këto ajete kuranore: “Unë u thashë: “Kërkojini falje Zotit tuaj, se Ai vërtet është Falës i madh. Ai do t’ju lëshojë nga qielli shi të bollshëm. Do t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët, dhe do t’ju mundësojë të keni kopshte dhe lumenj.” (Nuh, 10-12),
Dijetarët myslimanë, nëpër librat e tyre, kanë folur shumë për dobitë e isfig farit, i cili ndër të tjera është shkak për fitimin e kënaqësisë së Allahut, ia largon brengat dhe pikëllimet, i sjell qetësi në zemër dhe në shpirt, ia ndriçon fytyrën, bëhet shkak për dhurimin e rrizkut, ia gjallëron zemrën dhe bëhet shkak për fshirjen e gjynaheve. Përveç kësaj, istigfari ndalon edhe nga përgojimi, gënjeshtra dhe bartja e fjalëve të kota, e afron njeriun me botën tjetër e të bën më të devotshëm, etj..
I Dërguari i Allahut në çdo ndenje të tij ka shqiptuar shumë herë istig farin dhe pendimin. Në një transmetim, ai citohet të ketë thënë: “O ju njerëz, pendohuni te Zoti juaj, sepse unë kërkoj falje dhe pendohem tek Allahu me shumë se shtatëdhjetë herë gjatë ditës”(8), e në një transmetim që është përcjellë nga Umeri r.a. thuhet se vetëm gjatë një ndenje me të, i kemi numëruar mbi njëqind herë istgfaret e tij në këtë formë: “Rabbi-gfirli ve tub alejje inneke Ente Tevvabu-r- Rrahim”-“O Zot, më fal dhe më mëshiro, sepse Ti vërtet je Falës dhe Mëshirues!”(9)
Ka shumë forma të istigfarit të përcjella nga i Dërguari i Allahut, por këtë e ka quajtur ‘Zotëria i Istigfareve’: “Allahumme Ente rabbi, la ilahe il-la Ente! Halakteni ve ene abduke, ve ene ala ahdike ve va’adike, masteta’atu! Eudhu bike min sherr-rri ma sana’atu , ebu’u leke bi ni’ëmetike alejje, ve ebu’u bi dhenbi, ig fir li! Fe innehu la jag firudh-dhunube il-la Ente!” – “O Allah, Ti je Zoti im, nuk ka të adhuruar tjetër përveç Teje, Ti më ke krijuar dhe unë jam robi Yt, do të qëndrojë besnik ndaj marrëveshjes dhe premtimit Tënd, sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtjen Tënde nga e keqja që kam vepruar. Unë pranoj se më ke begatuar me dhunti, i pranoj mëkatet e mia, prandaj më fal, ngase mëkatet nuk i fal askush tjetër përveç Teje!”(10)
Pjesa e fundit e ajetit 19: “Allahu i di mirë lëvizjet dhe vendqëndrimin tuaj”, na përforcon edhe më tepër bindjen se Allahu është i Gjithëdijshëm, Ai sheh dhe dëgjon gjithçka. Ai di për veprat, lëvizjet dhe veprat tona ditën, po edhe për vendqëndrimin tonë natën, e sipas një mendimi, Ai i di lëvizjet dhe angazhimet tona në këtë botë, po edhe vendqëndrimin tonë të përhershëm në Ahiret.(11)
Si vërtetim të këtyre konstatimeve, vijnë edhe ajeti 60 i sures El-En’am: “Është Ai që jua merr shpirtrat natën (ju vë në gjumë) duke e ditur ç’keni bërë ditën...”. dhe ajeti 11 nga surja Hud: “Nuk ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos furnizohet (me rrizk) nga Allahu. Ai e di vendbanimin dhe vendprehjen e saj. Gjithçka gjendet në një Libër të qartë (Levhi Mahfudh).”
Porosia e ajeteve 16-19
- Shumë prej mynafikëve në Medinë, si Abdulah ibn Seluli, Rufa’ate bin Tabuti, Harith ibn Amër, Malik bin Duhshum e të tjerë, prezantonin ditën e xhuma në hytbet e Pejgamberit a.s., dhe kur dëgjonin se në to përmendeshin mynafikët, e kthenin kokën anash, prandaj kur dilnin jashtë, i pyesnin me tallje sahabët se çfarë tha ky (pra, Muhamedi a.s.) gjatë hytbes së tij. Këta me këtë veprim, shprehnin jo vetëm injorancën e tyre, por shfaqnin, mbase edhe pa dashje inatin e tyre ndaj myslimanëve. Mbase për shkak të këtyre qëndrimeve të liga, Allahu i përshkruan se Ai ua ka vulosur zemrat e tyre me kufër, prandaj edhe nuk besojnë, por ndjekin epshet dhe humbëtirën e tyre, deri sa të ballafaqohen me vdekjen dhe Ahiretin.
- Në shumë vende në Kuran, Allahu i Madhërishëm, sjell shembuj krahasues, për gjendjen e jobesimtarëve, në këtë rast hipokritëve dhe të besimtarëve, qoftë në këtë dynja, qoftë në Ahiret. E në këtë grup ajetesh, kur përmend besimtarët, i cilëson dhe i përshkruan ata si njerëz që kërkojnë udhëzimin, e Allahu pasi ua shton edhe më tepër udhëzimin, ua dhuron edhe devotshmërinë, nëpërmjet së cilës ata shijojnë ëmbëlsinë e besimit në Allahun Një.
- Përkundër shumë argumenteve lëndore e metafizike se kjo gjithësi e ka Krijuesin e vet-Allahun xh.sh., jobesimtarët dhe hipokritët nuk besojnë, derisa t’ju vijë momenti i Kiametit, mirëpo atëbotë, besimi i tyre nuk do t’iu vlejë, ashtu siç nuk i vlejti as Faraonit teksa po fundosej nën dallgët e harlisura të detit.
- Besimi i paluhatshëm në Zotin Një, është bazament dhe çelës i suksesit në këtë botë, e njëkohësisht garanci e shpëtimit në botën tjetër. Kur njeriu beson me bindje të pastër se Allahu është Krijuesi i tij, jeta e tij merr kuptim dhe domethënie të plotë. Vetëm duke qenë i pajisur me këtë besim, ai arrin ta deshifrojë sekretin dhe urtësinë e ardhjes së tij në këtë botë.
- Istigfari është dhurata më madhështore e Allahut për besimtarin. Kërkimfalja ia hap dyert e mëshirës çdo besimtari mëkatar, i cili pas gabimit dhe mëkatit të bërë, i drejtohet me kërkimfalje Krijuesit të vet, pendohet sinqerisht dhe vazhdon rrugëtimin e tij në paqe deri sa ta zë vdekja. Se çfarë rëndësie ka istig fari për një besimtar, na tregon vetë Pejgamberi a.s. kur thotë: “Kërkoni falje te Allahu sepse edhe unë kërkoj falje nga Ai shtatëdhjetë herë (e në një transmetim tjetër: njëqind herë) në ditë!”
- Allahu është i Gjithëdijshëm dhe asgjë nuk mund t’i fshihet Dijes së Tij. Ai di për çdo lëvizje tonë dhe për çdo veprim që e bëjmë qoftë ditën, qoftë nën errësirën e natës. Ai gjithashtu është i njoftuar hollësisht për punët tona në këtë dynja, dhe për vendqëndrimin tonë në Ahiret, sepse është i Gjithëdijshëm dhe me Madhështinë e Tij e mbikëqyr dhe e rregullon tërë këtë ekzistencë.
- vijon –
1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, f. 234.
2. Et-Tefsirul- Munir, vëll. XXVI. f. 429.
3. Mustafa ibnu-l Adevijje, Et-Tes’hil li te’vili-t-tenzil-Tefsir xhuz’u Ahkaf fi sualin ve xhevabin, Mekë, pa vit botimi, f. 127.
4. Për më gjerësisht rreth mynafikëve, shih: Grup autorësh, Mevsuatu- tefsir el mevdui lil Kurani-l Kerim, Riad, 2019, vëll. 33, ff. 285-318.
5. Transmeton Buhariu nga Enes bin Maliku dhe Sehl bin Sa’d es- Saidij, nr. (4936), (5301) dhe (6504) - (hadith sahih), dhe Muslimi nga Enes bin Maliku nr. (2951) dhe nga Sehl bin Sa’d es-Saidij, nr.
(2950) - (hadith sahih).
6. Tirmidhiu, hadithi nr. (3082); Shih po ashtu Tefsirin e Ibn Kethirit, Rijad, 1999, vëll. IV, f. 49, (redaktuar nga Sami ibn Muhamed es-Selame).
7. Tefsiri i Kurtubiut, El-Xhamiu li ahkami-l Kuran, Kajro, 1947, vëll. XVI, f. 242; Shih edhe: Te’emmulat fi sureti Muhamed, ff.182-183.
8. Transmeton Buhariu, nr. 6307.
9. Transmetojnë Ebu Davudi (1516); Tirmidhiu (3434); Ibn Maxhe
(3814) etj..
10. Transmeton Buhariu-kapitulli “Vlera e istigfarit”, 12/375, nr. (6306).
11. Imam Sujutiu, Ed-Durru-l menthur fi tefsiri bi-l me’thur, Kajro, 2003, vëll. XIII, f. 433.
Sabri Bajgora