Komentimi i kaptinës Muhamed – (VII)

Gjendja e hipokritëve në agoninë e vdekjes



“Vërtet, ata që u kthyen në mosbesim pasi u është bërë e qartë rruga e drejtë, shejtani ua hijeshoi dhe i ushqeu me shpresa të rreme. Kjo, për shkak se ata (hipokritët) iu thoshin atyre (çifutëve) që e urrenin atë që ka shpallur Allahu: “Ne do t’ju bindemi juve në disa çështje!” Por Allahu i di mirë të fshehtat e tyre. E si do të jetë gjendja e tyre kur engjëjt t’ua marrin shpirtin, duke i goditur, rrahur në fytyrat dhe në shpinat e tyre? Kjo, për shkak se ata pasuan atë që shkakton zemërimin e Allahut, dhe e urryen atë që sjell kënaqësinë e Tij. Prandaj, Ai u zhvlerësoi veprat e tyre. Vallë, a mendojnë ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre, se Allahu nuk do t’ua nxjerrë në shesh urrejtjen e tyre? Po të donim, Ne do të t’i tregonim ata, dhe ti, me siguri do t’i njihje nga shenjat e tyre. Por ti do t’i njohësh ata nga toni i fjalëve të tyre. Allahu i di mirë veprat tuaja.” – (Muhamed, 25-30)

Lidhja e këtyre ajeteve me ata paraprakë

Në ajetet paraprake, Allahu xh.sh., sqaroi refuzimin e hipokritëve për të dëgjuar Kuranin dhe për të medituar rreth argumenteve që gjenden në të, sepse zemrat e tyre ishin të mbyllura për ta parë dritën e të vërtetës, kurse tash në këto ajete sqaron me argumente të qarta se këta kanë rënë tashmë në greminat e kufrit. Marrëveshja e fshehtë e tyre me hebrenjtë e Medinës – Benu Kurejdha dhe Benu Nadir, tregon qartë për qëllimet e tyre të ndyra, kundër myslimanëve. Për të treguar për gjendjen e tyre të trishtë në momentet kur engjëjt ua marrin shpirtin, Allahu sqaron se engjëjt i godasin mynafikët fytyrave dhe shpinave të tyre, dhe sqaron se kjo botë ishte vend i sprovave si për mynafikët, ashtu edhe për besimtarët, dhe secili do të shpërblehet në bazë të asaj që ka punuar.

Koment:

25. Vërtet, ata që u kthyen në mosbesim pasi u është bërë e qartë rruga e drejtë, shejtani ua hijeshoi dhe i ushqeu me shpresa të rreme.

Vazhdojmë të jemi në shoqërim me ajetet që flasin për mynafikët-hipokritët, të cilët Kurani famëlartë në të shumtën e rasteve i ka përmendur si njerëz që në zemrat e tyre ka sëmundje dhe urrejtje për myslimanët. Ky ajet, përshkruan gjendjen e mjerë të hipokritëve, të cilëve edhe pse iu paraqitën shumë argumente për të ndjekur rrugën e drejtë, megjithatë, ata pasi që kishin pranuar Islamin formalisht, sërish u kthyen në kufër dhe mohuan me zemra atë që i ka zbritur Muhamedit a.s.. Nuk ka dyshim, se shejtani me intrigat e tij ua hijeshoi mosbesimin e tyre duke i ushqyer me shpresa të rreme, kurse këta e pasuan atë verbërisht, duke e futur veten në mesin e mohuesve.1
Në fakt, hipokritët asnjëherë nuk kishin besuar sinqerisht, por ashtu siç e kemi sqaruar edhe në ajetet paraprake, këtë e bënë të shtyrë nga interesi, e më shumë nga frika që të mos humbnin pasurinë dhe autoritetin në shoqëri. Por duke parë se myslimanët dita-ditës po forcoheshin dhe pasuesit e fesë islame po shtoheshin, më nuk po arrinin ta fshihnin urrejtjen e tyre dhe shpeshherë shfaqnin pakënaqësinë e tyre. Shejtani i mallkuar, i cili u mallkua dhe u përzu nga mëshira e Allahut përgjithmonë, për shkak të kryeneçësisë së tij, u betua për armiqësi të përjetshme ndaj sojit njerëzor. I Lartmadhërishmi na e ka tërhequr vërejtjen për këtë armiqësi të tij ndaj nesh, në shumë ajete kuranore, si f.v., në suren Fatir, ajeti 6, Allahu xh.sh. thotë: “Djalli është armik juaji, pra edhe ju konsiderojeni si armik! Ai i fton ithtarët e vet, për t’i bërë banorë të zjarrit.” , pastaj në suren Jasin, ajetet 60-61: “A nuk ju pata paralajmëruar ju, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuronit djallin, sepse ai është vërtet armiku juaj i hapët!? Por, (Ju porosita) të më adhuronit vetëm Mua, sepse kjo është rruga e drejtë!”, etj..
E, për ata që u larguan nga rruga e drejtë dhe ndoqën intrigat e shejtanit, i Madhërishmi na shpërfaq pamjen e Ditës së Gjykimit, ku shejtani i mallkuar do t’ju drejtohet të gjithë atyre jobesimtarëve që e pasuan atë verbërisht dhe iu thotë: Dhe, kur gjithçka të ketë mbaruar, shejtani do t’u thotë: “Vërtet, Allahu ju premtoi premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por e theva premtimin (ju mashtrova). Unë s’pata kurrfarë pushteti ndaj jush, vetëm se ju ftova, e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më fajësoni mua, por fajësojeni veten! Unë nuk mund të jem ndihmëtar i juaj e as ju nuk mund të jeni ndihmëtarët e mi. Unë distancohem nga e kaluara kur më bëtë
ortak me Allahun (në adhurim). Vërtet, zullumqarët do të kenë një dënim të dhembshëm.” – (Ibrahim, 22).
Ndonëse Katadeja dhe një grup dijetarësh, mendojnë se ky ajet flet për hebrenjtë, të cilët edhe pse e kishin të njohur çështjen e Muhamedit a.s. si pejgamber i fundit, në Tevratin e tyre,2 nuk po gjenin dot forcë ta pranonin atë, sepse urrejtja e tyre nuk i linte ta pranonin faktin që nubuveti- pejgamberia kishte kaluar tek arabët, megjithatë, si mendim nuk ka ndonjë mbështetje, sepse ky ajet dhe ajetet që jemi duke i komentuar kanë të bëjnë kryesisht me mynafikët, ashtu siç e ka theksuar edhe Ibn Abasi, se këto ajete kanë zbritur për mynafikët, të cilët pas besimit, u kthyen sërish në mosbesim, sepse zemrat e tyre vdiqën dhe nuk po e shihnin më të vërtetën.

26. Kjo, për shkak se ata (hipokritët) iu thoshin atyre (çifutëve) që e urrenin atë që ka shpallur Allahu: “Ne do t’ju bindemi juve në disa çështje!” Por Allahu i di mirë të fshehtat e tyre.

Se këto ajete kanë zbritur për të shfaqur haptazi qëndrimet e hipokritëve, shohim nga ky ajet, i cili qet në pah realitetin e hidhur të tyre, teksa thurnin intriga së bashku me çifutët e Medinës, kundër Pejgamberit a.s. dhe myslimanëve. Të dyja palët ishin të bindur se misioni i Muhamedit a.s. do të dështonte, duke menduar se këtë po e bënte vetëm për famë dhe autoritet, prandaj hipokritët sakaq u bënë aleatë me çifutët e fiseve Benu Kurejdha dhe Benu Nadir, për të luftuar kundër myslimanëve.
Ata që urrenin shpalljen pa dyshim ishin çifutët e Medinës, për shkaqet që i përmendëm më parë, e te hipokritët tashmë kishin gjetur edhe aleatët e tyre besnikë në këtë luftë speciale e të fshehtë kundër Muhamedit a.s. dhe myslimanëve. Hipokritët iu kishin premtuar atyre se do t’u bindeshin plotësisht në disa çështje, në mënyrë që nga hebrenjtë të merrnin informacionet e duhura rreth shpalljes hyjnore,3 meqë ata veç e pasonin një libër të shenjtë-Tevratin, ndonëse të devijuar e të shtrembëruar nga vetë ata. Marrëveshja ndërmjet këtyre dy grupeve sillej kryesisht në intensifikimin e armiqësisë ndaj Shpalljes islame, dobësimin e influencës së myslimanëve dhe luftën e përbashkët kundër tyre kur të vinte momenti i duhur.
Kurani famëlartë edhe në shumë ajete të tjera ua zbulon qëllimet dhe tendencat e tyre armiqësore ndaj myslimanëve, si f.v. në suren El-Hashr, ajeti 11, kur në lidhje me ta thotë: “A nuk e ke parë se si hipokritët u thoshin vëllezërve të vet jobesimtarë, nga ithtarët e Librit: “Nëse dëboheni, edhe ne do të dalim me ju dhe, për çështjen tuaj, ne kurrë nuk do t’i bindemi askujt (t’ju luftojmë ose t’ju nënshtrojmë); e, nëse sulmoheni, gjithqysh do t’ju dalim në ndihmë” Allahu dëshmon se ata janë vërtet gënjeshtarë.”
Këto marrëveshje të fshehta, ata i bënin në fshehtësi të plotë, por siç duket, këto dy grupe armiqsh, kishin harruar se këtë ekzistencë e ka krijuar Allahu i Plotfuqishëm dhe Ai e vigjilon çdo proces në të. Atij nuk mund t’i fshihet dot as pëshpërima e mendjes, prandaj për të gjitha këto plane, kurthe e intriga të tyre, e njoftonte të Dërguarin e Vet,4 që të ishte i kujdesshëm dhe të ruhej prej tyre.

27. E si do të jetë gjendja e tyre kur engjëjt t’ua marrin shpirtin, duke i goditur në fytyrat dhe në shpinat e tyre? Ata që ia kthejnë shpinën udhëzimit të Allahut duke mohuar Njëshmërinë e Tij, duke mohuar edhe Ringjalljen dhe llogarinë, do të përballen me skenat më trishtuese e më të llahtarshme, në agoninë e vdekjes. Askush nuk mund ta përshkruajë gjendjen e tyre më mirë se Allahu xh.sh., i Cili nëpërmjet ajeteve fisnike sqaron se kur engjëjt ua marrin shpirtrat jobesimtarëve dhe mohuesve, do t’ua marrin me vrazhdësi e më ashpërsi, dhe është pamje që të ngjeth mishin e të turbullon mendjen. Vetëm të imagjinosh çastin kur engjëlli i vdekjes në shoqërim të engjëjve ndëshkues, i rrahin e i godasin fytyrat dhe shpinat e mohuesve, mjafton për të humbur vetëdijen nga frika dhe tmerri. Allahu i Madhërishëm edhe në ajetin 93 të sures El-En’am, në lidhje me këtë llahtari që do t’i godasë idhujtarët dhe jobesimtarët thotë: “Ah sikur
t’i shihje keqbërësit në agoninë e vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart e tyre (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe ndaj argumenteve të Tij tregoheshit kryeneç”., pastaj ajeti 50 i sures El-Enfal: “E sikur të shihje kur engjëjt ua marrë shpirtin mohuesve, si i godasin në fytyrë dhe në shpinë (duke u thënë): “Shijoni dënimin e Zjarrit përcëllues!”, etj.
Përshkrimi i tmerrit që do ta përjetojnë mohuesit në çastin e vdekjes, ka ardhur si formë e kërcënimit dhe frikësimit nga ana e Allahut për të gjithë ata që me vrazhdësi e arrogancë
sillen ndaj argumenteve hyjnore,5 ashtu siç e sqaron edhe ajeti i radhës.
28. Kjo, për shkak se ata pasuan atë që shkakton zemërimin e Allahut, dhe e urryen atë që sjell kënaqësinë e Tij. Prandaj, Ai u zhvlerësoi veprat e tyre

Idhujtarët, mohuesit dhe pjesëtarët e Ehli Kitabit të cilët u sollën armiqësisht ndaj myslimanëve dhe bënë aleanca të përbashkëta kundër tyre, me këto veprime shkaktuan hidhërimin e Allahut ndaj tyre. Ata pasi që refuzuan ftesën e çiltër për udhëzim në dritën e Islamit, vendosën që me intriga dhe me forcë ta luftonin Islamin, pa zgjedhur mjetet e as metodat. Ata thjesht nuk mund ta fshihnin urrejtjen e tyre ndaj Muhamedit a.s. dhe madje urrenin çdo gjë që sjell kënaqësinë e Allahut siç janë, besimi i pastër në Zotin Një, sjelljet e mira, bamirësia, kryerja e obligimeve fetare me bindje etj.
Për shkak të kësaj ligësie që kishin në zemrat e tyre të sëmura, Allahu ua zhvlerësoi veprat e tyre të mëparshme, pavarësisht që ndër to kishte edhe ndonjë vepër të mirë, siç mund të ishte ndihma ndaj të vobektëve, ndihma e ndonjë hallexhiu etj., por meqenëse ato vepra ishin bërë në kohën kur kishin qenë në shirk dhe kufër, ato do të konsiderohen të asgjësuara, pa ndonjë dobi për vepruesin e tyre, ashtu siç e përshkruan edhe Kurani famëlartë: “E Ne do t’i kthehemi ndonjë vepre që ata e bënë dhe do ta bëjmë atë për hi e pluhur.” - (El-Furkan, 23).6

29. Vallë, a mendojnë ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre, se Allahu nuk do t’ua nxjerrë në shesh urrejtjen e tyre?

Kërcënimet hyjnore ndaj hipokritëve nuk ndalen, por vazhdojnë me të njëjtin intensitet edhe në këtë ajet, ku Allahu xh.sh. i quan ata si njerëz që në zemrat e tyre kanë sëmundje patologjike ndaj myslimanëve. Madje i kërcënon se do t’ua shpërfaq haptazi tërë atë urrejtje që e mbajnë në zemra ndaj tyre. Vallë, a nuk logjikojnë mynafikët se Allahu është i Gjithëdijshëm dhe sheh çdo gjë, se Atij nuk mund t’i fshihet asgjë as nga mendimet, as nga fjalët e as nga veprat e tyre? Vallë a nuk logjikojnë ata se Allahu i Madhërishëm gjithsesi do t’ia bëjë të ditur të dërguarit të Vet, për urrejtjen që mynafikët shpirtprishur e fshehin në zemrat e tyre?!7 Sigurisht se po, sepse ata që ndjekin pasionet e ulëta dhe nuk pendohen, ata gjithsesi do të sprovohen me nxjerrjen në shesh të ligësive të tyre, e në rastin e mynafikëve, urrejtjen e tyre ndaj myslimanëve. Për këtë arsye, Allahu xh.sh. ua bën me dije se Ai përcjell çdo veprim të tyre kur thotë: “Hipokritët druajnë se mos po zbret ndonjë sure që u nxjerr në shesh atë që kanë në zemra. Thuaju: “Ani, talluni, por të jeni të sigurt se Allahu do ta nxjerrë në pah atë të cilës i druheni!” – (Et-Tevbe, 64)
E, për ta përforcuar këtë konstatim, i Madhërishmi në ajetin që pason, pothuajse i zbulon haptazi hipokritët dhe veprimet e tyre të poshtra.

30. Po të donim, Ne do të t’i tregonim ata, dhe ti, me siguri do t’i njihje nga shenjat e tyre. Por ti do t’i njohësh ata nga toni i fjalëve të tyre. Allahu i di mirë veprat tuaja.

Ky ajet, me anë të të cilit Allahu xh.sh. i drejtohet të dërguarit të Vet, ia bën me dije atij se po të donim, do të t’i zbulonim ty ata. Por pa dyshim, ti edhe vetë do t’i njihje mynafikët në mesin tuaj vetëm në bazë të shenjave përshkruese, por megjithatë, i Plotfuqishmi nuk e ka bërë këtë, për hir të mbulojës që Ai me urtësinë e Vet e ka përcaktuar për krijesat e Tij. Allahu xh.sh. e vë në dijeni të dërguarin e Vet, se ti o Muhamed do t’i njohësh ata në bazë të fjalëve që t’i thonë si dhe qëllimeve që i fshehin prapa tyre.8 Nëse i sheh të të kundërshtojnë në diçka për të cilën janë të pajtimit të gjithë myslimanët, duke u shtirë para teje se gjoja po të këshillojnë, dije se ata janë mynafikët, të cilët edhe toni i zërit të tyre, i dridhur, i tradhton. Thuhet se pas zbritjes së këtij ajeti, i Dërguari a.s. i kishte identifikuar të gjithë mynafikët që silleshin si myslimanë, dhe siç dihet, të gjithë ata emra ia kishte besuar në amanet besnikut të tij Hudhejfe ibn Jemanit, i cili po ashtu nuk i publikoi ata emra ndër sahabët, sa ishte gjallë.
Pjesa e fundit e ajetit: “Allahu i di mirë veprat tuaja” përmban në vete premtim dhe kërcënim, përgëzim dhe tërheqje të vërejtjes, sepse Allahut nuk mund t’i fshihet asgjë. Ai i di veprat tona, të fshehtat dhe të hapëtat, dhe në bazë të tyre do të na shpërblejë ose ndëshkojë në jetën tjetër.

POROSIA E AJETEVE (25-30)

- Ata që i kanë vënë vetes perde para syve, nuk do të mund ta shohin të vërtetën dhe nuk do të arrijnë dot tek udhëzimi, sepse shejtani ua ka hijeshuar veprat e tyre të shëmtuara, duke i prangosur brenda mendjemadhësisë së tyre.
- Hebrenjtë, së bashku me hipokritët, po thurnin komplote e intriga ndaj Muhamedit a.s. dhe myslimanëve, duke pritur rastin e volitshëm që të përçanin radhët e tyre, por i Lartmadhërishmi me urtësinë e Vet, për çdo gjë e njoftoi të Dërguarin a.s., që të ishte i kujdesshëm e të mbrohej nga ligësitë e tyre.
- Ata që mohuan Njëshmërinë hyjnore dhe mynafikët, do të ballafaqohen me pamje të tmerrshme e të llahtarshme në çastet e agonisë së vdekjes, kur do t’i dorëzojnë shpirtrat e tyre para engjëjve. Kjo për shkak se shkaktuan hidhërimin e Allahut në këtë botë, duke u rreshtuar kundër Shpalljes dhe të Dërguarit të fundit të Tij.
- Allahu ia kishte përshkruar me shenja mynafikët që i silleshin rrotull Pejgamberit a.s., dhe ndonëse nuk i kishte përmendur me emra, ia kishte bërë me dije se ata do t’i njohësh nga mënyra dhe toni i të folurit të tyre.

- vijon


______________
1. Muhamed el Emin esh-Shenkiti, Advau-l Bejan fi idahi-l Kurani bi-l Kuran, Mekë, 1426 h., vëll. VII, ff. 619-620.
2. Imam Sujutiu, Ed-Durru-l Menthur, Kajro, 2003, vëll. XIII, f. 448.
3. Abdulhamid Kishk, Fi Rihabi-t-Tefsir, Kajro 1988, vëll. 26, f. 5651.
4. Imam el Kurtubij, El-Xhamiu li ahkami-l Kuran, Bejrut, 2006, vëll. IXX, f. 280. (me redakturë të Abdullah Turki).
5. Muhamedin el Emin el Arumij, Hadaiku-r- rrevhi ve-r-rrejhani fi revabi ulumi-l Kurani, Bejrut, 2001, vëll. XXVII, f. 191.
6. Muhamed Mutevel-li esh-Sharavi, Havatiri havle-l Kurani-l Kerim, Kajro, 1991, f. 14343.
7. Abdullah Hajjat, Et-Tefsiru-l Mujesser, Xhedë, 1377 h., vëll. III, f. 16.
8. El-Bahru-l Muhit, vëll. 8, f. 85.



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme