Pejgamberët në lutjet e tyre


Në Librin e Allahut, shohim madhështinë e lutjes në jetën e mësuesve të mëdhenj të njerëzimit, si një dëshmi e mrekullueshme që na fton të mos hezitojmë e të mos lëmë pas dore këtë sekret të madh që na është dhënë në komunikimin tonë të përhershëm me Zotin e gjithësisë.
Kushdo që lexon në Kuranin famëlartë, do të gjejë në shumë vende shembuj të spikatur të lutjeve plot përkushtim të pejgamberëve të dërguar, sipas rrethanave dhe situatave të ndryshme në jetën e tyre.
Përtej larmisë së këtyre lutjeve, ka një mësim të madh, që na drejtohet në çdo kohë e situatë dhe që është se njeriu, përtej pozitave dhe gradëve të besimit dhe përkushtimit në jetë, përherë është nevojtar për Zotin, dyert e të Cilit nuk mbyllen kurrë për robin e Tij, edhe jobesimtar të jetë! Zoti thotë: “O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd”.(1)
Mësojmë dhe kuptojmë se lutja është një mundësi e madhe për të ndryshuar realitetet dhe vështirësitë e jetës sonë, pa të cilat kjo jetë s’do kishte kuptim dhe për të cilën Allahu i Madhëruar na mëson se: “Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhënë Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve.”(2)
Kështu, njeriu është i ftuar që të mësojë artin e lutjes, të edukohet me Zotin e tij, të respektojë urdhëresat, të largohet nga ndalesat, të kontrollojë burimet e rizkut të tij dhe mbi të gjitha, të jetë prezent me zemrën e tij, jo i hutuar a i shpërqendruar në lutje. Sepse, siç kemi mësuar nga edukatorët tanë se prej etikës së lutjes, është prezenca e zemrës dhe që njeriu të mos jetë i hutuar, sepse është transmetuar se Resulullahu a.s. ka thënë: “Allahu i Madhëruar nuk i përgjigjet lutjes së robit, nga një zemër e shpërqendruar.”(3)
Ndërsa prej kushteve të saj, është burimi hallall i rizkut, sepse Resu-lullahu a.s. i tha Sadit r.a.: “Le të jetë ushqimi yt i pastër, të të përgjigjet lutja jote!”(4),(5)
Nga një vështrim i shpejtë në Librin e Allahut, shohim madhështinë e lutjes në jetën e mësuesve të mëdhenj të njerëzimit, si një dëshmi e mrekullueshme që na fton të mos hezitojmë e të mos lëmë pas dore këtë sekret të madh që na është dhënë në komunikimin tonë të përhershëm me Zotin e gjithësisë, që na fton: “Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.”(6)
Në këtë kontekst, dua të vendos para duarve tuaja disa shembuj të përzgjedhur nga duatë e ndryshme të shumë prej të dërguarve të Allahut xh.sh. në kohë të hershme dhe për shkaqe të ndryshme, si një mësim i urtë për secilin prej nesh, që të mos frenohemi kur është koha për t’u drejtuar nga Zoti ynë për çdo gjë në jetë. Ndoshta, ky është edhe një prej shkaqeve, që i Dërguari i Allahut a.s., i udhëzonte sahabët e tij, që për çdo situatë, të drejtoheshin nga dyert e lutjes: “Resulullahu (paqja e Allahut qoftë mbi të) na mësonte istiharen (namazin me lutjen për qartësimin e përzgjedhjes në jetë) në të gjitha çështjet, njësoj siç na mësonte suret e Kuranit...”(7)
Hz. Ademi a.s. dhe nëna jonë, Hava: “Ata thanë: ‘O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit...”(8)
Hz. Nuhu a.s.: “(Nuhu) tha: ‘O Zoti im, më ndihmo, sepse ata më quajnë për gënjeshtar!”(9)
Po ashtu përmendet duaja e tij, a.s., në një moment të thirrjes së tij dhe kundërshtive të forta të popullit të tij idhujtar: “Dhe Nuhu tha: ‘O Zoti im, mos lër mbi tokë asnjë femohues, sepse, nëse Ti i lë, ata do t’i shpien në humbje robërit e Tu dhe do të lindin vetëm kriminelë dhe jobesimtarë! O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret, ndërsa keqbërësve shtoju vetëm shkatërrim...”(10)
Hz. Junusi a.s.: “(Kujtoje) Dhununin (Junusin) kur iku i zemëruar e mendoi se Ne nuk do ta dënojmë, andaj thërriti nga errësira: ‘S’ka zot tjetër, përveç Teje! Qofsh i lavdëruar! Me të vërtetë, unë kam gabuar.”(11)
Hz. Ibrahimi a.s.: “Kur Ibrahimi u lut: ‘Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!’ Allahu tha: ‘Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.’ Eh, sa vendbanim i keq që është ai!”(12)
Hz. Ibrahimi a.s, dhe i biri, hz. Ismaili a.s.: “Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabesë, u lutën: ‘O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë!
Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e haxhit dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë librin dhe urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”(13)
Hz. Luti a.s.: “Ai tha: ‘O Zoti im, më ndihmo kundër popullit që bën mbrapshti.”(14)
Për këtë, Resulullahu thoshte: “E mëshiroftë Allahu Lutin, ai ishte mbështetur te një shtyllë e fortë!”(15), që nënkupton mbështetjen e tij në Allahun e Madhëruar dhe lutjen e tij drejtuar Zotit të gjithësisë për ta shpëtuar nga zullumet e popullit të tij.
Hz. Zekerija a.s.: “Atëherë Zekerija iu lut Zotit të vet e tha: ‘Zoti im! Dhuromë nga ana Jote një pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je Dëgjues i lutjes!”(16)
Hz. Sulejmani a.s.: “Ne e vumë në provë Sulejmanin dhe vendosëm në fronin e tij një trup, por ai iu drejtua Zotit dhe tha: ‘O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje! Me të vërtetë, Ti je Dhurues i madh!’ Pastaj, Ne ia nënshtruam atij erën që të frynte me urdhrin e tij, andej nga të donte ai...”(17)
Po ashtu në Kuran është regjistruar edhe lutja e tij a.s., në momentin kur dëgjoi milingonën duke dhënë kushtrimin e saj: “Kur arritën në luginën e milingonave, një milingonë tha: ‘O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, duke mos ju parë.”(18) Këtu, hz. Sulejmani a.s., iu drejtua Allahut të Madhëruar me një lutje falënderimi, që është përjetësuar në Shpalljen hyjnore: “Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj dhe tha: ‘O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të
cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!”(19)
Kanë thënë: “Kjo është prej duave më gjithëpërfshirëse dhe prej më të përshtatshmeve për gjendjen e tij a.s., duke parë dhuntitë e Allahut xh.sh., prej mbretërisë madhështore dhe mirësisë së dukshme.”(20)
Hz. Shuajbi a.s.: “Paria arrogante e popullit të tij tha: ‘O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë ose do t’ju dëbojmë nga qyteti ynë ty me gjithë ndjekësit e tu.’ Shuajbi tha: ‘Edhe pse e urrejmë atë?! Nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi nga ajo, atëherë do të shpifnim gënjeshtra kundër Allahut. Ne nuk mund të kthehemi në të, përveçse po të dojë Allahu, Zoti ynë. Ai përfshin çdo gjë me dijeninë e Vet dhe tek Ai ne mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë.”(21)
Hz. Jusufi a.s.: “Ai tha: ‘O Zoti im, më shumë e dua burgun se atë ku më shtyjnë ato. Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).”(22)
Hz. Musa a.s.: “Kështu, Musai u dha ujë kafshëve të tyre e pastaj u kthye te një hije dhe tha: ‘Zoti im, çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!”(23)
Hz. Isa a.s.: “O Allah, o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes – Zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!”(24)
Është për t’u theksuar se të gjithë të dërguarit e përmendur në Kuran me lutjet e tyre, dëshmon për mënyrat se si i janë drejtuar Zotit, me përjashtim të hz. Muhamedit a.s., të cilin e mëson Vetë Allahu i Madhëruar se si e çfarë të lutet, si për shembull: “Thuaj (o Muhamed): ‘O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë. Ti bën që nata të hyjë te dita dhe që dita të hyjë te nata. Ti e nxjerr të gjallën prej së vdekurës dhe të vdekurën e nxjerr prej së gjallës. Ti i jep kujt të duash pa kufij.”(25)
Po ashtu, spikat edhe lutja e melekëve a.s.: “Ata (melekët), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: ‘O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues! O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti. Dhe shpëtoji ata nga e keqja! Atë që Ti e shpëton nga e keqja atë Ditë, Ti e ke mëshiruar; e ky, me të vërtetë, është shpëtimi i madh!”(26)
Në librat e shumtë të haditheve, mësojmë me qindra lutje, të transmetuara nga i Dërguari i Allahut, si një mundësi më shumë për të mësuar se si t’i drejtohemi Zotit tonë, por edhe si një udhëzues praktik, që na mëson mbi të gjitha shpirtin e lutjes dhe na frymëzon drejt mos ndarjes nga kjo mirësi, dera e së cilës nuk na mbyllet asnjëherë në jetë!


___________
1. Fatir, 15.
2. Ali Imran, 186.
3. Transmetuar nga Tirmidhiu dhe Ahmedi, nga Ebu Hurejra r.a.
4. Transmetuar nga Taberaniu në “Es-Sagir”, nga Sad ibën Ebi Vekkas r.a.
5. El-Alame Ebil-Kasim El-Kushejri, “Er-Risaletul-Kushejrije”, botimi i tretë, Darul-Khajr, Damask, 1997, f. 267.
6. El-Bekare, 186.
7. Transmetuar nga Imam Bukhariu e të tjerë, nga Xhabir ibën Abdilahu r.a.
8. El-Araf, 23
9. El-Muminun, 26.
10 Nuh, 26-28.
11. El-Enbija, 87.
12. El-Bekare, 126.
13. El-Bekare, 127-129.
14. El-Ankebut, 30.
15. Transmetuar nga Imam Buhariu, nga Ebu Hure- jra r.a.
16. Ali Imran, 38.
17. Sad, 34-36.
18. En-Neml, 18.
19. En-Neml, 19.
20. Abdurrezak ibën Abdelmuhsin El-Bedr, “Fikhul-ed’ijeti vel- edhkar”, botimi i parë, Mektebetu Daril-Minhaxh, Rijad, 1434 h., f. 836.
21. El-Araf, 88-89.
22. Jusuf, 33.
23. El-Kasas, 24.
24. El-Maide, 114.
25. Ali Imran, 26-27. 26. Gafir, 7-9.



Dituria Islame 378


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Dr. Violeta Smalaj - Prindërimi