Muhamedi a.s., një pejgamber i përkushtuar ndaj paqes (3)


Karakteri paqësor i Profetit Muhamed a.s.

Ajo që është më e pazakontë në lidhje e Profetin Muhamed a.s. është se, ai ishte po aq fisnik dhe i jashtëzakonshëm jashtë fushës së betejës sa ishte në të. Në Islam, nuk mjafton thjesht të përmbushen ritualet dhe praktikat e besimit pa i shoqëruar me një karakter fisnik. Përmes një karakteri të mirë mund ta zmbrapsë njeriu të keqen brenda vetes dhe të tjerëve. Anasjelltas, një karakter i keq mund të shkaktojë shumë dëm mes shoqi-shoqit. Sipas Kuranit, Profeti a.s. kishte karakterin më të mirë dhe më të madhnue¬shëm, i cili është themeli për arritjen e paqes së brendshme.(1) Kjo pastaj rrezaton si paqe e jashtme dhe është ajo që e bën diplomat të suksesshëm që zgjidh ndërlikimet dhe realizon zgjidhje paqësore për situata të vështira. Aspekti më i jashtëzakonshëm i karakterit të Profetit ishte se ai ishte falës, bujar e i mëshirshëm, jo vetëm për miqtë dhe ndjekësit, por të gjithë ata që haste; ndaj dhe thuhet se kushdo që e takonte një herë do të dëshironte të takohej me të rishtas.(2)
Ndershmëria e tij ishte aq shembullore saqë as armiqtë e tij më ngulmues nuk mund t'i binin mohit për këtë. Mekasit ia jepnin gjërat me vlerë për t'i ruajtur rioshit Muhamed a.s. dhe ky zbatim vazhdoi edhe pasi ai u bë profet. Kemi përmendur se Kurejshët ndërmorën një komplot vrasjeje kundër Profetit a.s. për ta penguar atë të shpërngulej në Medinë. Në këtë periudhë, Profeti a.s. ruante gjërat e vlefshme të shumë jomyslimanëve. Natën e mësymjes, ai ia dha të gjitha këto amanete kushëririt të tij Aliut, për t'ua kthyer pronarëve të ligjshëm - pikërisht te njerëzit që orvateshin ta mbysnin.(3)
Profeti a.s. ishte njeriu më i duruar; durimtar përballë fatkeqësive dhe humbjeve vetjake, durimtar edhe si mësues, edhe me njerëzit që e rrethonin. Veçmas durimit, ai kishte një butësi - një gjendje të sjelljes së ndershme dhe një qetësi përkundër ngacmimeve kur kishte të bënte me njerëz të vrazhdë dhe të pakulturuar. Një herë, një beduin erdhi për t'i kërkuar Profetit disa lekë, ai e tërhoqi gunën e Profetit aq fort sa i la shenjë në qafë. Megjithatë, Profeti a.s. nuk tregoi shenja bezdie dhe kërkoi që beduinit t'i jepej ajo që kishte kërkuar.(4)
Si familjar, Profeti a.s. ishte bashkëshort i vëmendshëm dhe i kryente pjesën e tij të detyrave shtëpiake. Gruaja e tij, Aisheja r.a., tregon se ai i rregullonte teshat dhe këpucët, milte delet dhe shërbente vetë.(5) Ai ishte baba i dashur i katër vajzave, të cilat i trajtonte me shumë dashuri dhe nder, në një kohë kur të kishe vajza quhej gjë e rëndë. Ai ishte gjithashtu një gjysh i përkushtuar. Ai është parë duke mbajtur në krahë mbesën e tij teksa po kryente namazin me xhemat në xhami.(6) Një parashtresë tjetër thotë se ai pa dy nipat e tij të vegjël duke ecur drejt tij në xhami, ndërsa ai po mbante një ligjëratë. Ai u ndal, i mori, i uli pranë tij dhe vazhdoi me ligjërimin e tij.(7) Kjo ishte një sjellje e pashoqe në një shoqëri ku burrat i çuanin gratë e tyre pronë të tyre, vajzat e tyre si detyrim dhe nuk shihej burrërore të tregosh dashuri ndaj carrokëve.
Jeta në shtëpinë e Profetit ishte e përkorë dhe e thjeshtë. Ai ka ngrënë në tokë dhe ka fjetur në tokë, në një dyshek që ka lënë vragë në kurmin e tij. Ai nuk flinte derisa i kishte dhënë të gjitha paratë në shtëpinë e tij në atë shkallë sa ai dhe familja e tij shpesh rrinin pa ushqim. Sidoqoftë, ai ishte jashtëzakonisht i mirëpritur për mysafirët, duke shtrirë cohën e tij që ata të uleshin dhe të ndante gjithçka që kishte. Ai zgjodhi ta jetonte jetën e tij në këtë mënyrë ndonëse atij i ishte ofruar rehati në shumë raste nga shokët e tij.
Në nivel shoqëror, ai vizitonte të sëmurët, sado i vështirë të ishte udhëtimi dhe dëshironte mirëqenien e njerëzve që njihte. Ai ulej me të varfrit dhe u fliste njëlloj, pranonte ftesat e të gjithë atyre që e ftonin: skllevërve apo fisnikëve. Ai madje ishte dashamirës ndaj kafshëve. Është treguar se Profeti a.s. hyri në një fermë dhe pa një deve. Profeti ia fërkoi veshët devesë dhe pyeti se kujt i përkiste. Pronarit, ai i tha. "A nuk do t'i frikësoheni Zotit në trajtimin e kësaj kafshe që Zoti ju ka vënë në dorë? Deveja m'u ankua se e mbani të uritur dhe e mundoni shumë”(8)
Është karakteri, integriteti, ndershmëria e dhembshuria e këtyre përmasave ato që shkrin zemrat më të forta, nismojnë ndryshime shoqërore për mirë, zgjidhin përplasjet dhe rrezojnë paqe. Këto nuk ishin cilësi që jetuan dhe vdiqën me Profetin a.s., por një shembull se si duhet të sillen myslimanët në mbarë botën dhe gjatë gjithë kohës. Pavarësisht se çfarë pozicioni mban një mysliman, mbret apo mëditës, punëtor apo prind, i pjekur apo i ri, ata të gjithë përpiqen të shkërbejnë shëmbëlltyrën e Profetit a.s., sepse për një mysliman, të vetmit njerëz që meritojnë të shkërbehen janë profetët, ku Profeti Muhamed shënon të mbramin dhe përfundimtarin. Për shembullin e jashtëzakonshëm të Profetit a.s., burrështetasi francez i shekullit të nëntëmbëdhjetë, Alphonse de Lamartine, shkroi:

"Nëse madhështia e synimit, vogëlsia e mjeteve dhe arritjet mahnitëse janë tri kriteret e gjenialitetit njerëzor, kush do të guxonte të përqaste çdo njeri të madh në historinë moderne me Muhamedin? Burrat më me zë krijuan armë, themeluan ligje e perandori, e, në mos fare, kurrgjë me tepër se fuqi materiale nuk arritën, të cilat shpesh iu shkërmoqën përpara syve. Ky njeri tundi jo vetëm ushtritë, legjislacionin, perandoritë, popujt dhe dinastitë, por miliona njerëz në një të tretën e botës atëherë, dhe më shumë se kaq tundi altarët, perënditë, fetë, shllimet (idetë), besimet dhe shpirtrat. Durimi i tij në fitore, ambicia e tij, që ishte tërësisht i përkushtuar ndaj një synimi dhe në asnjë mënyrë nuk rrekej për një perandori të tijën; lutjet e pafundme, bisedat e tij mistike me Zotin, vdekja dhe triumfi i tij pas vdekjes, të gjitha këto dëshmojnë jo për një mashtrim, por për një bindje të fortë, e cila i dha fuqinë për të rivendosur një dogmë. ...Filozof, orator, apostull, ligjvënës, luftëtar, pushtues i shllimeve, rivendosës i dogmave racionale, i një kulti pa imazhe; themeluesi i njëzet perandorive tokësore dhe i një perandorie shpirtërore është Muhamedi. Sa u përket standardeve me të cilat mund të matet madhështia njerëzore, mund të pyesim fare mirë, a ka ndonjë njeri më të madh se ai?"(9)
Edhe Michael Hart, një ideolog i njohur amerikan, i cili për më tepër e shihte Islamin si kërcënim për qytetërimin perëndimor, nuk mund ta mohonte madhështinë e gjithanshme të Profetit a.s.. Në librin e tij "100-shi: Një renditje e personave më me ndikim në histori", Hart-i e rendit Profetin Muhamed në vendin e parë. Ai e hap kreun me shënimin, "Zgjedhja ime që Muhamedi të prijë listën e vetave më me ndikim në botë mund të befasojë disa lexues dhe mund të vihet në dyshim nga të tjerët, por ai ishte i vetmi njeri në histori që ishte jashtëzakonisht i arrirë në të dyja aspektet: fetare dhe sekulare.”(10)


________
1. El Kalem, 4.
2. Musharraf Hussain, Seven Steps to Moral Intelligence, 2009, fq. 29.
3. Salahi, 2013, fq. 47.
4. Hadith në Sahih al-Bukhari and Sahih Muslim.
5. Hadith në Sunan al-Bayhaqi.
6. Hadith në Sahih Muslim.
7. Salahi, 2013, fq. 127.
8. Ibid., fq. 136.
9. Alphonse de Lamartine, HiSioire de la Turquie, 1854, fq. 276-77.
10. Michael Hart, The 100: A Ranking of the MoSi Influential Persons in His9oty, 1978, fq. 3.



Phd. Flamur Vehapi
Dituria Islame 389


Artikulli i kaluar
Duaja e Haxhinjve

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?