Shtatë myftilerët më të shquar në mesin e sahabëve

Shejh Muhamed Hasenejn Makhluf


Hz. Aliu r.a. transmeton se Resulullahu a.s. ka thënë: "Ai që jep fetva pa dije, e mallkojnë melekët e qiejve dhe të tokës:' (Ibën Asakir)
Myftilerët e periudhës së parë (të Islamit) e kuptuan rrezikun e postit, të cilin e kishin pranuar mbi supe dhe, ia dhanë hakun e tij në kulmin e ruajtjes dhe frikës së Allahut.
I pari person në Islam që e kreu këtë detyrë të ndershme ishte zotëria i të dërguarve, hz. Muhamedi a.s., i cili jepte fetva në emër të Alla¬hut nëpërmjet shpalljes hyjnore, që konsiderohej argument dhe fjala e fundit.
Pas tij, ata që dhanë fetva ishin sahabët e tij, të cilët, siç i përshkruan Imam Ibnul-Kajim, ishin "ushtarët e Kuranit, të nënshtruarit e Mëshiruesit, më zemërbutët e ymetit, më të thelluarit në dituri, më të thjeshtit, më elokuentët, më besimtarët, më këshilluesit, më të afërtit me Allahun", në mesin e të cilëve kishte prej atyre që jepnin shumë fetva, pak e mesatarisht.
Numri i atyre që kanë dhënë fetva në mesin e sahabëve, është rreth 130 e ca persona, burra e gra, Allahu qoftë razi me ta!
Ata që shquhen si fetvadhënësit më të mëdhenj, janë shtatë: Omer ibnul Hatabi, Ali ibën Ebi Talibi, Abdullah ibën Mesudi, Aisheja, Zejd ibën Thabiti, Abdullah ibën Abasi dhe Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë razi me ta!
Ebu Muhamed ibën Hazmi ka thënë: "Nga fetvatë e secilit prej tyre, mund të mblidhet një vëllim i madh!"
Ndërkohë, Imam Ebu Bekër ibën Muhamed ibën Musa ibën Jakub, i biri i prijësit të besimtarëve El Memun (që ishte një nga imamët e fesë islame në dije e në hadith), kishte grumbulluar fetvatë e Ibni Abasit, në 20 libra!
E, për sa i përket hz. Omerit r.a., ai ishte personi për të cilin hz. Muhamedi a.s. kishte thënë: "Pasha Atë që e ka shpirtin tim në dorën e Tij, sa herë që shejtani të takon, teksa ti ecën në një rrugë, do të marrë një rrugë, që nuk është rruga jote!"
Ibni Mesudi r.a., në ditën që ndërroi jetë hz. Omeri, tha: "Them se Omeri iku me 9/10 e diturisë!" Dhe thoshte: "Sikur të vendoset dija e Omerit në njërën anë të peshores dhe dija e krejt botës në anën tjetër, dija e Omerit do të peshojë më rëndë!" Ndërsa Said ibnul¬ Musejjib thoshte: "Nuk e di se është dikush më i ditur, pas Resulullahut a.s., sesa Omeri!"
Ndërsa hz. Aliu r.a. është personi, të cilit Resulullahu a.s. i tha: "Ti je prej meje dhe unë jam prej teje!" Ndërsa hz. Omeri r.a. ka thënë: "Ndërroi jetë Resulullahu, duke qenë razi me të!"
Ai ishte një det i thellë në dituri. Ai ka dhënë fetva, që edhe sot merren për shembull, saqë njihet shprehja e tyre: "Çështje që nuk i jep drejtim Ebu Hasani?!" d.m.th, hz. Aliu r.a..
Ndërsa hz. Abdullah ibën Mesudi r.a., ishte i gjashti, ndër gjashtë myslimanët e parë! Ai ishte një ndër lexuesit më të shquar të Kuranit, prej atyre që e mësuan përmendësh Kuranin në kohën e Resu¬lullahut a.s.. Ai emigroi në të dy hixhretet, sikurse u fal drejt të dyja kibleve. Ishte pjesëmarrës në Bedër, në Uhud dhe në Hudejbije. Ndërroi jetë në vitin 32 h. dhe u varros në Bakia. Xhenazen e tij e drejtoi hz. Othmani r.a..
Ndërsa Aisheja r.a., nëna e besimtarëve, ishte gruaja e Resulullahut a.s., prej të cilit mësoi shumë, saqë thuhet se 1/4 e vendimeve islame janë transmetuar prej saj. Për të, dijetari i shtresës së tabiinëve, i quajtur Afan, ka thënë: "Aisheja ishte fakihja më e madhe, më e ditura, më e shquara për mendimet e saj ndër njerëz!"
Ndërsa Urve ibni Zubejr r.a. ka thënë: "Nuk kam parë njeri më të ditur në çështjet e fikhut, në mjekësi dhe në poezi, sesa Aisheja!" Ndërsa Zuhriu thoshte: "Po të mblidhet dituria e Aishes, në krahasim me diturinë e krejt grave të Resulullahut a.s., dija e saj ishte më e dalluar!"
Ndërroi jetë në Medine, në një moshë rreth të shtatëdhjetave, natën e martë, më 17 Ramazan 58 h.. Xhenazen e saj e drejtoi Ebu Hurejra r.a..
Ndërsa Zejd ibën Thabit el Ensari r.a., konsiderohej më i dituri i sahabëve në çështjet e ndarjes së trashëgimisë (El-feraid), sikurse ishte njëri ndër hafëzët e Kuranit në kohën e Resulullahut a.s.. Ndërroi jetë në Medine, në vitin 45 h.. Xhenazen e tij e drejtoi Mervan ibnul-Hakem.
Ndërsa Abdullah ibën Abasi r.a., ishte personi, të cilin Resulullahu a.s. e quajti: "Terxhumani i Kuranit", d.m.th. përkthyesi dhe komentuesi i Kuranit. Për të ishte lutur: Allah, mësoja urtësinë, o Allah, bëje të ditur në fe dhe mësoja komentimin e Kuranit!"
Ai lindi tre vjet para hixhretit. Për të, hz. Omeri r.a. thoshte: "I riu ndër të moshuar, ka një gjuhë që veç pyet, një zemër që veç kupton!"
Ndërsa Tavusi, prej shtresës së tabiinëve, ka thënë: "Kam parë pesëdhjetë sahabë, që kur konsultoheshin me Ibni Abasin dhe e kundërshtonin, ai këmbëngulte me ta, derisa përfundonin te mendimi i tij!"
Ndërsa Mervani thoshte: "Kur e shihja Ibën Abasin, ishte më i bukuri ndër njerëz, kur fliste, më elokuenti dhe, kur komunikonte, më i dituri ndër ta!"
Ndërroi jetë në Taif, në moshën 91 vjeç, në vitin 68 h.. Xhenazen e tij e drejtoi Muhamed ibnul-Hanefije r.a..
Ndërsa Abdullah ibni Omeri r.a., ishte dijetar prej dijetarëve të shquar të Islamit. Ai ishte imam në asketizëm, i ruajtur dhe ndjekës i gjurmëve të Resulullahut a.s.. Emigroi drejt Medinës me babanë e tij, kur ishte 10 vjeç. Pas Bedrit dhe Uhudit, ai ishte pjesëmarrës në të gjitha betejat. Ishte 15 vjeç, kur mori pjesë në betejën e Hendekut. Dijetar, muxhtehid, respektues i përpiktë i traditës profetike, i distancuar nga risitë, këshillues i ymetit. Kur diçka nga pasuria e tij i pëlqente, e jepte sadaka. Fare pak flinte natën, teksa pjesën tjetër e kalonte në adhurim. Resulullahu a.s. e kishte përshkruar në këtë mënyrë: "Ai është një njeri i mirë!"
Jetoi 86 vjet dhe dha fetva për 60 vite. Ndërroi jetë në fillim të vitit 73 h., në kohën e Haxhaxh ibën Jusuf Thekafiut.



* Nga vëlIimi i parë me fetva, i dijetarit të shquar, (dy herë Myfti i Egjiptit), Shejh Muhamed Hasenejn Makhluf (1890-1990)

Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip: Muhamed B. Sytari


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?