Abstrakt

Njeriu si krijesa më e përsosur, të cilin mendja dhe intelekti e dallojnë nga krijesat e tjera, - gjithnjë, madje që nga krijimi i njeriut të parë, Ademit a.s. e këndej (dhe kështu do të mbetët deri në fund), ka ndier nevojën e tij të patjetërsueshme për të besuar Zotin (i nevojë e parë) dhe për të organizuar jetën e tij në kuadër të mësimeve dhe rregullave përkatëse porosi nga Zoti i tij (si nevojë e dytë). Pikërisht për këto nevoja, si dhe për t’i dalë në ndihmë njeriut dhe për të mos e lënë në humbje e në errësirë, Zoti u dërgoi njerëzve shpallje e pejgamber, më të cilët i udhëzoi dhe i drejtoi në besim e në jetë.

Fjalët çelës: Zoti xh.sh., besimi, feja, shpallja, pejgamberët

Origjina e njeriut dhe historia e tij në Tokë

Për historinë e njeriut, se kur u gjend ai mbi sipërfaqen e Tokës, nuk kemi të dhëna të faktuara kalendarike, pra as data e as periudha të njohura kohore. Kurani dhe Suneti, si dy referenca kryesore të Islamit, nuk na kanë ofruar kurrfarë të dhënash sa i përket kësaj çështjeje, e që nënkupton se mendimet që qarkullojnë në qarqe të ndryshme shkencore e akademike rreth kohës së fillimit të jetës njerëzore në Tokë nuk janë tjetër vetëm se hipoteza. Më qartësisht, është jashtë mundësive tona që ta përcaktojmë saktësisht se kur këmba e njeriut shkeli për herë të parë në Tokë; para mijëra vitesh, dhjetëra mijëra vitesh, qindra mijëra vitesh, miliona vitesh...
Natyrisht se kjo nuk nënkupton që ne t’i ndalim kërkimet dhe hulumtimet në këtë fushë. Këto përpjekje duhen parë si kontribut që ia rrit vlerën qenies njerëzore, dhe kurdo që të gjendet një dëshmi e fortë dhe bindëse, ajo duhet të ishte, në një ose mënyrë tjetër, pra e mbështetur në Kuran.
Në këtë punim njeriun e studiojmë nga një perspektivë tjetër, pra, nga roli dhe përgjegjësia në Tokë, nga vlerat shpirtërore, nga besimi, prandaj edhe të dhënat e detajuara në data nuk paraqesin rëndësi relevante.
Kurani dhe Suneti na ofrojnë të dhëna të tjera, të cilat edhe lidhen drejtpërdrejt me pozitën e njeriut si krijesë, po edhe me rolin e tij si i dalluar prej krijesave të tjera. Pak më qartë, ne e dimë se:
? njeriu i parë, Ademi, a.s., u krijua me dëshirën, vullnetin dhe urdhrin e Allahut, xh.sh. ;
? Ademi, a.s., është njeriu i parë, gjithashtu edhe pejgamberi i parë; ? Zoti i kishte paralajmëruar engjëjt për ardhjen e tij, gjegjësisht krijimin shumë kohë para se ta krijonte(1). Allahu, xh.sh., thotë në Kuranin fisnik:
“Kur u thamë engjëjve: “Përuluni (bini në sexhde) para Ademit...!” (El-Bekare, 34)
? më i nderuari dhe më i respektuari nga të gjitha krijesat e krijuara prej Zotit, xh.sh., në këtë ekzistencë është njeriu. Zoti, xh.sh., thotë:
“Ne vërtet se i kemi nderuar bijtë e Ademit...” (El-Isra, 70)
? njeriu, përkundër mendimeve të ndryshme nga shkencëtarët e ndryshëm, bazuar në hipotezat e tyre të pabaza, nuk ka ndryshuar dhe as nuk ka evoluar që nga zanafilla e krijimit dhe e paraqitjes së tij në Tokë.
Nga kjo që përmendëm më herët mund të vijmë në përfundim se natyra e njeriut dallon nga natyra e të gjitha krijesave të tjera, me mundësitë e jashtëzakonshme që ia ka dhuruar Zoti, xh.sh., e të cilat janë mahnitëse. I këtillë është intelekti apo forca mendore, e cila hap edhe rrugën që shumica e krijesave në këtë gjithësi të nënshtrohen e vihen nën pushtetin e atij që e posedon intelektin më të lartë. Përmes kësaj fuqie që Zoti, xh.sh., ia ka dhuruar njeriut mendjen, përmes së cilës njeriu e njeh dhe e beson Krijuesin e kësaj gjithësie, e njeh dhe e beson Madhërinë e Tij sidomos atëherë kur thellohet në meditim për fuqinë e intelektit dhe Krijuesin e intelektit. Prandaj, nga kjo edhe rezulton se vetë natyra e krijesës njeri kuptohet si natyra më fisnike dhe më bujare në Tokë.
Studiuesit myslimanë i kanë kushtuar shumë më shumë rëndësi dhe vlerë diturisë për rolin e njeriut në këtë botë sesa të diturisë për kohën se kur ai erdhi në këtë botë. Në shkencat fetare, nëse hulumtojmë me kujdes mund të gjejmë shumë shkrime për qëllimin e krijimit të njeriut, mënyrën e krijimit, natyrën e tij njerëzore, obligimet dhe ndalimet që kanë të bëjnë me të etj. Kjo sepse vetëm njeriu, nga gjithë banuesit në Tokë, u urdhërua për punë të mira dhe u ndalua të veprojë punë apo vepra të liga. Vetëm njeriut iu diktua se çfarë janë shpërblimet dhe çfarë janë ndëshkimet në këtë dhe botën tjetër, cili është roli i tij në raport me Krijuesin, familjen dhe shoqërinë, pse u veçua nga gjallesat e tjera, çfarë e bën atë ta fitojë kënaqësinë e Zotit, xh.sh., po edhe ta tërheqë pas vetes hidhërimin e Tij, pastaj se cila është rruga që duhet ndjekur për ta besuar dhe adhuruar drejt Allahun, xh.sh., si dhe shumë e shumë çështje të tjera të ngjashme me këto që u përmendën.
Krijimit të njeriut i parapriu krijimi i çdo gjëje tjetër në këtë ekzistencë. Me këtë Allahu, xh.sh., deshi që t’i krijojë kushtet për njeriun, në mënyrë që roli dhe misioni i njeriut në këtë planet të nisë në përputhje me atributet dhe tiparet e tij dalluese. Njeriu është veçuar për intelektin dhe arsyen, prandaj edhe roli i tij si mëkëmbës në Tokë, si bartës i amanetit dhe Fjalës së Zotit, xh.sh., si i ngarkuar me mbarëvajtjen e punëve në Tokë, korrespondon me këtë veçori të tij. Natyrisht se Zoti ia dha njeriut edhe të drejtën e përfitimit nga të mirat që i krijoi para tij, mirëpo e ngarkoi të merret edhe me kultivimin dhe zhvillimin e tyre.
Ne, myslimanët, përderisa Zoti, xh.sh., përshkruhet me përsosmëri, edhe veprat e Tij i besojmë se janë të përsosura. Asgjë nuk është krijuar pa një qëllim të caktuar. Këtë na e shpjegon shumë bukur Allahu, xh.sh., në Kuran, kur thotë:
“Ne nuk e krijuam qiellin e as Tokën, dhe çfarë ka në mes tyre, pa qëllim (shkel e shko). Ky është mendim i atyre që nuk besuan. Pra, dënimi me zjarr është mjerim për ata që nuk besuan.” (Sad: 27) Pastaj ajeti:
“Ne nuk e krijuam qiellin, Tokën e çdo gjë që është mes tyre shkel e shko (pa qëllim të caktuar).” (Enbija: 16)
Këto ajete dhe shumë të këtillë argumentojnë se çdo gjë në këtë botë(2) është krijuar prej Allahut, xh.sh., dhe se çdo gjëje i ka paraprirë mosekzistenca. Gjithashtu argumentojnë edhe se prapa çdo gjëje të krijuar ka një qëllim a urtësi të caktuar. Pra, krijimi i çdo gjëje prej Allahut, xh.sh., nuk karakterizohet nga veprimet kuturu, krijimi shkel e shko a pa ndonjë qëllim.
Po kështu, duhet ditur se pa njeriun krijimi i këtij universi nuk do të kishte vlerën dhe kuptimin që ka. Njeriu është krijuar për ta besuar dhe adhuruar Zotin, xh.sh., dhe krejt kjo që ekziston në këtë ekzistencë të krijuar nga asgjëja është krijuar për njeriun, respektivisht për ta mundësuar rolin dhe përgjegjësinë që ai e ka. Për këtë shkak Kurani i ka bërë thirrje ta eksplorojë sa më shumë gjithësinë, të mësojë nga ligjet e Zotit, xh.sh., në këtë kozmos, ta rregullojë jetën në Tokë, për sa të jetë e mundshme dhe në mënyrë më të përsosur etj.
Mirëpo njeriu, përkundër angazhimit dhe dëshirës që të dijë e zbulojë çdo gjë përreth tij, megjithëkëtë kapaciteti i tij është i kufizuar, prandaj sado të përpiqet, prapë nuk do të arrijë të deshifrojë çdo gjë, nuk do të zbërthejë çdo enigmë, si dhe nuk do t’i gjejë përgjigjen çdo pyetjeje. E, për angazhimin e tij Zoti, xh.sh., do ta shpërblejë shumë, për shkak të harmonizimit të tij me urdhrin e parë të Zotit, xh.sh., “Lexo!(3)”, për studim e hulumtim.
Njeriu vetvetiu nuk do të gjejë përgjigje të drejta as për shumë çështje që kanë të bëjnë me të, po që se nuk do të ishte një ndihmë e veçantë prej Zotit, xh.sh.

Nevoja e njeriut për shpalljen hyjnore

Njeriu, është krijesa e veçuar e Zotit, xh.sh. Intelekti, si element dallues i tij, e bën më të privilegjuar dhe njëherësh edhe me më shumë përgjegjësi, në krahasim me krijesat e tjera. Ai është mëkëmbësi i Allahut në Tokë(4), dhe atij i bie barra e organizimit të jetës aty. Pavarësisht se është i dalluar, kjo aftësi e tij nuk mjafton për çdo gjë. Intelekti dhe arsyeja mund t’i detektojnë disa gjëra, ndër të cilat edhe besimin, mirëpo jo edhe t’ua japin kuptimin e kërkuar. Më qartë se kaq, mendja e njeriut nuk ka kapacitetin që si e vetme ta gjejë rrugën e drejtë të besimit, ta adhurojë drejt Zotin, xh.sh., të përgatitet për takimin me Zotin, xh.sh., apo të përgatitet të përgjigjet në pyetjet që do t’i parashtrohen njeriut prej Zotit, xh.sh., në Ditën e Gjykimit. Asaj i duhet edhe shpallja hyjnore. Përndryshe, po të kishte mundësinë t’i jepte përgjigje çdo gjëje, atëherë nuk do të kishte nevojë për shpalljen dhe dërgimin e pejgamberëve. Kjo do të bëhej edhe më e pakuptimtë nëse marrim parasysh numrin e madh të pejgamberëve të dërguar, e që sipas një hadithi janë më shumë se 124 mijë(5), e që do të thotë se asnjëherë, pavarësisht kohës e rrethanave, mendja e njeriut si e vetme, nuk ka arritur ta zbërthejë secilën enigmë që i është shfaqur në jetë.
Derisa e trajtojmë rolin e mendjes dhe të arsyes, nuk guxojmë ta minimizojmë atë, sepse, përderisa Allahu, xh.sh., e veçoi njeriun me të, po në bazë të saj edhe e ngarkoi me besim e mision. Prandaj, ajo duhet të ketë rol të madh. Mendja është parakusht në detyrime fetare, e që nënkupton se pa të njeriu nuk mund ta adhurojë Allahun, xh.sh.
Mendja dhe shpallja kanë një raport bashkëveprues: shpallja është udhëzuese, ndërsa mendja e shëndoshë mbështetëse. Pra, asnjëra nuk bën pa tjetrën, si dhe nuk kanë efekt për të qenë përgjegjës. Fatkeqësisht sot, kur teknologjia ka prekur majat e zhvillimit, ky raport e ka humbur drejtpeshimin. Tendencat që mendja ta zëvendësojë tërësisht shpalljen po çojnë në kaos. Njeriu bashkëkohor njeh gjithçka përveç Zotit. Mungesa e besimit rrjedhimisht ka shkaktuar rrëmujë edhe në fushën e vlerave dhe të moralit. Çoroditja e shoqërisë bashkëkohore ka tejkaluar çdo parametër, kështu që vlerat e mirëfillta shpirtërore janë ngufatur për vdekje. Njeriu bashkëkohor nuk po mund të gjejë alternativë të re, e që do t’ia zëvendësonte besimin. Pra, logjika nuk po ia del mbanë e vetme.
Përbuzëse dhe shumë mosmirënjohëse është edhe se si njeriu e refuzon besimin pikërisht duke u thirrur në atë që Allahu, xh.sh., ia dha si dhunti dalluese: logjikën! Ata që mendojnë kësisoj i referohen gabimisht mendjes apo logjikës, si kriter i vetëm i përcaktimit të diçkaje se, për shembull, është e mirë apo se është e keqe. Po e ripërsërisim: kjo trajtesë nuk ka për objektivë zhvleftësimin e rolit të mendjes(6), përkundrazi, mëton vetëm shpjegimin e rolit të kufizuar që ka ajo, e i cili mund të plotësohet dhe të përsoset vetëm nëse vihet përpara edhe shpallja.
Le të supozojmë se mendja mund t’ia dalë e vetme në çdo gjë, pra, në udhëzimin e njeriut, përcaktimin e të vërtetës dhe të drejtës, përcaktimin e konceptit për të mirën dhe të keqen etj. Po, atëherë a nuk do të ishte ky një lloj hyjnizimi i mendjes?! A nuk do të ngrihej ajo në nivele adhurimi?! Ky qëndrim është, në fakt, edhe tejkalim i kompetencave dhe kapaciteteve të saj. Këtu nuk ka asgjë për t’u çuditur, sepse kur njeriu e humb udhëzuesin hyjnor, ai e humb edhe mendimin e drejtë, e humb edhe arsyen, në emër të së cilës edhe e bën tërë këtë rrëmujë etj. Dhe, e humb sepse nënshtrohet ndaj dëshirave dhe epsheve që janë pa mëshirë në devijimin e njeriut. Me fjalë të tjera, njeriu që e refuzon shpalljen, ai e refuzon vetveten, e refuzon qëllimin e ardhjes në këtë botë, e refuzon adhurimin. Ja çfarë na mëson feja islame për praninë tonë në Tokë. Allahu, xh.sh., thotë:
“Unë nuk i krijova xhindet dhe njerëzit për tjetër, por që të më adhurojnë.” (Edh-Dharijat, 56)
Së këndejmi, për ta kuptuar këtë qëllim tonin, shkakun përse kemi ardhur në këtë botë, kemi nevojë për shpallje. Vetëm kjo e fundit mund t’i japë përgjigje kësaj çështjeje dhe shumë çështjeve të tjera me rëndësi. Sigurisht se, siç e përmendëm edhe më lart, arsyeja e dikton nevojën që njeriu të ketë një mbështetës të jashtëm, një forcë të cilës i drejtohet në raste të caktuara, raste frike, ankthi, nevoje, mirëpo është vetëm shpallja ajo që mund t’i ofrojë përgjigjet e duhura, sepse është në domenin e saj dhe jo të mendjes. Në Kuran, Allahu, xh.sh., shpalli se të gjithë pejgamberët ishin të urdhëruar t’i ftonin popujt e tyre në këtë qëllim: adhurimin e Zotit Një. Zoti, xh.sh., thotë:
“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e mos t’ia kemi shpallur atij se nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra, më adhuroni!”. (El- Enbija: 25)
Pavarësisht kohës dhe vendit ku janë dërguar, të gjithë pejgamberët e kanë pasur detyrë primare thirrjen e popujve të tyre për ta adhuruar Allahun, xh.sh., Krijuesin e vetëm, si dhe për t’u larguar nga besimet e kota, nga besimi në shumë zota, idhuj a puta.
Dy ajetet që i cituam janë përgjigje për pyetjet që mbase e mundojnë më së shumti njeriun, e të cilat mund të jenë:
1) Kush jam unë?;
2) Pse ka ardhur në këtë botë? Cili është qëllimi?,
3) Kush më krijoi, dhe çfarë detyrimi kam ndaj Atij që më krijoi?
4) Si mund ta gjej Zotin?
Ajeti i parë na tregon se adhurimi është sekreti (qëllimi) i ardhjes sonë në këtë botë, ndërsa ajeti i dytë na e sqaron pozitën e pejgamberëve, duke i përcaktuar si njerëz të përzgjedhur prej Zotit, xh.sh., më qëllimin që të na e tregojnë rrugën drejt adhurimit të vërtetë.
Feja është përgjigje edhe për pyetjet që na mundojnë për fatin tonë në jetën e përtejme. Kur njeriu është i sëmurë për vdekje, ose është plakur dhe e ka lënë forca, atëherë ai fillon të mendojë shumë seriozisht për botën tjetër. Duke qenë se këtu jeta po shkon në të sosur, ai e pyet veten se, vallë, çfarë do të ndodhë me mua kur të kem vdekur? Ku do të shkoj? Cili është fati im? Pra, do t’i parashtrojë vetes pyetje si këto dhe shumë të tjera të ngjashme.
Këto pyetje e kanë shoqëruar njeriun në vazhdimësi, qyshkur erdhi në këtë botë. Këto pyetje i gjejmë te të gjitha shoqëritë, pa dallim, dhe këto pyetje do të vazhdojnë të jenë edhe te shoqëritë e tjera pas nesh, deri në Kiamet. Këto pyetje e të ngjashme do të trokasin në vazhdimësi në ndërgjegjen e njeriut, sepse duan të marrin përgjigje bindëse, sepse ashtu e kërkon vetë natyra e njeriut.
Natyrisht se ka përgjigje të shumta që jepen për këto pyetje, e disa janë shumë pesimiste, ndërsa disa të tjera thërrasin në shthurje, në ikje nga përgjegjësia, në degradim. E përgjigjet e Islamit janë të vetmet që të bindin e ta mbushin mendjen dhe që i pranon zemra e shpirti.
Nga ajetet e lartshënuara mësojmë se njeriu, si krijesë e Zotit, xh.sh., është krijuar me një qëllim, dhe ai e ka marrë përsipër një mision, prandaj edhe duhet ta pranojë Islamin për fe (për ta përmbushur misionin e pranuar), në mënyrë që ekzistenca e tij në Tokë dhe roli e detyra e tij të jenë në përputhje me dëshirën dhe vullnetin e Zotit.
Duhet ngritur zërin, nuk guxojmë ta mbysim arsyen në zemrat dhe gjokset tanë, si dhe nuk guxojmë ta verbërojmë mendjen tonë me një verbëri të habitshme e duke thënë se çdo gjë në këtë univers erdhi rastësisht. Nëse tashmë kemi arritur që vetes sonë t’i përgjigjemi në pyetjen se kush jemi ne, atëherë vjen pyetja tjetër, ajo se për ku jemi nisur, pastaj se kah po shkojmë, se çfarë do të bëhet me ne, e kështu me radhë. Duhet pasur parasysh se në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim njeriu nuk duhet të bjerë në gradën që kanë rënë materialistët, të cilët thonë se njeriu pas përfundimit të jetës shkon kah hiçi, nihilizmi, zhdukja absolute. Ata e mohojnë përjetësinë në botën tjetër, e mohojnë shpërblimin dhe ndëshkimin, dhe, sipas tyre, të gjithë njerëzit janë njësoj, si ai që e realizoi misionin apo qëllimin e tij me vepra të mira, ashtu edhe ai që bëri vepra të këqija. Po sipas tyre, të gjithë, pa përjashtim, kanë të njëjtin fund. Kjo sigurisht se është në kundërshtim me vetë natyrën dhe logjikën që e ka njeriu. Njeriu, si krijesa më e ngritur dhe më e ditur, nuk guxon ta barazojë veten me gjallesat e tjera. Njeriut i është dhënë mundësia që përmes veçorive dhe cilësive që i ka, përmes intelektit që e ka, pra të dallojë prej të gjitha krijesave të kësaj toke. Njeriu gjithherë hapëron me ambicie të vazhdueshme, që të arrijë në gradën e përsosjes së qëllimit të ardhjes së tij në këtë jetë, gjë që e karakterizon jetën e tij në të gjitha drejtimet. Përndryshe, çfarë kuptimi do të kishte ardhja e tij në këtë botë nëse fundi i tij do të ishte zhdukja, apo hiçi pas jetës në këtë botë?!
Besimtari i besimit islam e ka tepër të lehtë të përgjigjet në këto pyetje dhe të hapërojë drejt realizimit të misionit, qëllimit e mesazhit përse është krijuar dhe përse është obliguar për ta besuar Zotin Një, si dhe ta adhurojë vetëm Atë. Besimtari e di se cila është rruga, e di se çfarë është qëllimi i tij, e di se kah është nisur. Ai e di se është nisur për botën tjetër, se është nisur për te Krijuesi, për t’u shpërblyer me të mirat e Xhenetit, ngase me vdekjen e njeriut fillon jeta e re në varreza, për të vazhduar pastaj jeta e përjetësisë pas ringjalljes, shpërblimi me begatitë e pafundme të Allahut, xh.sh.
Po që e nuk do të kishte botë tjetër, po që se nuk do të kishte Xhenet dhe Xhehenem, shpërblim dhe ndëshkim, jeta e njeriut në këtë botë do të ishte shumë jodomethënëse, shumë padrejtësi të kësaj bote do të ngeleshin pa u ndëshkuar, shumë mizorë e kriminelë do të shpëtonin nga drejtësia absolute e Allahut, xh.sh. Ja se çka thotë Allahu, xh.sh., në lidhje me këtë:
“A menduat se Ne ju krijuam kot, dhe se ju nuk do ktheheni te Ne?! I Lartë është Allahu, Sunduesi i vërtetë! Nuk ka zot tjetër përveç Tij, Zotit të Arshit bujar.” (El-Muminunë, 115-116)
Pra, Zoti na drejtohet e na pyet se a menduam se Zoti, xh.sh., na krijoi kot, pa obligime e pa përgjegjësi, pa urdhëresa dhe pa ndalesa, pa shpërblim e pa ndëshkim. Duhet ditur se kthimi tek Allahu, xh.sh., është i pashmangshëm, dhe se Ai do të vërë drejtësi mbi të gjithë, varësisht nga veprat e kryera në këtë botë. Zoti, xh.sh. asgjë nuk e krijon pa qëllim të caktuar. Ai, xh.sh., nuk krijon asgjë shkel e shko, dhe çdo gjë e krijuar prej Tij është krijim i drejtë. Urtësia më e madhe e njeriut në raport me Allahun, xh.sh., është adhurimi i Allahut, xh.sh., duke besuar se nuk ka tjetër si Ai, dhe se Zoti është Ai që krijoi dhe sundon çdo gjë, edhe Arshin.

Nevoja e dërgimit të pejgamberëve

Detyra kryesore e dërgimit të një pejgamberi është ruajtja, kumtimi dhe mbrojtja e shpalljes hyjnore nga manipulimet, devijimet dhe shtrembërimet që mund t’i bëhen asaj, qëllimshëm apo joqëllimshëm, dhe kjo që nga momenti i shpalljes e deri tek arritja te njerëzit të cilëve u dedikohet.
Domosdoshmëria e misionit të pejgamberëve është një nga çështjet themelore e më të rëndësishme për njeriun, që ai ta ndiejë nevojën për dërgimin e pejgamberëve dhe për shpalljen. Duhet ditur se qëllimi i krijimit të njeriut, siç e thamë edhe më parë, është që ai të ecën në rrugën e integrimit të tij, rrugë kjo që nuk mund ta përshkojë pa një hartë dhe, aq më pak, pa një udhërrëfyes. Për dallim nga krijesat e tjera, njeriut (dhe xhindeve) i është dhënë mundësia e zgjedhjes. Që të jesh në rrugën e Zotit dhe ta fitosh mëshirën dhe kënaqësinë e Tij duhet që patjetër ta ndjekësh trasenë e bindjes e adhurimit. S’ka dyshim se vullneti hyjnor është i lidhur me lumturinë e njeriut, duke e pasur në hatër se kjo përsosje apo lumturi e njeriut mund të arrihet përmes metodës së aplikimit të veprimeve të zgjedhura e të mbështetura në urdhrin hyjnor.
Prandaj Zoti, xh.sh., bëri që jeta e njeriut të gjendet brenda dy shtigjeve, apo dy drejtimeve, duke siguruar kështu një atmosferë të zgjedhjes dhe të të zgjedhurit. Sigurisht se njëra nga dy rrugët çon në mjerim e mundim, nëse vullneti hyjnor nuk ndiqet prej ndjekësit. Siç po shihet, një person mund të zgjedhë lirshëm dhe me vetëdije rrugën e integrimit të tij, nëse vetëm se e njeh qëllimin dhe mënyrën për ta arritur atë. Njeriu, gjatë rrugëtimit, është i vetëdijshëm për të gjitha pengesat e kurthet. Prandaj, shpallja hyjnore kërkon që t’u sigurojë njerëzve mjetet e nevojshme, mundësinë që ata të marrin nga shpallja hyjnore njohuri e porosi, e të cilat do t’i udhëzojnë drejt, duke i shpëtuar nga të gjitha pengesat e kurthet.
Qëllimi i krijimit të njeriut, qysh prej njeriut të parë, Ademit, a.s., e deri në ditët e sotme, po edhe deri në shkatërrimin e kësaj ekzistence, ka pranuar dhe do të pranojë verifikimin apo bindjen, se ekziston vetëm një mënyrë, përveç prirjes dhe mendjes, për ta njohur realitetin e jetës, funksionet dhe përvojat individuale dhe shoqërore, dhe kjo është rruga e shpalljes - vahji. Nga kjo rezulton se për të arritur deri te ky qëllim Zoti, xh.sh., bëri që njeriu i parë të jetë edhe pejgamber, ta njoh mënyrën e saktë të jetesës përmes shpalljes, si dhe përmes shpalljes ta arrijë kuptimin e qëllimit të krijimit të tij, dhe kështu t’i udhëzojë edhe të tjerët në rrugën e drejtë.
Nevoja e njeriut për pejgamber dhe shpallje, siç po shihet, ishte nevojë e domosdoshme. Kjo ishte nevojë e madhe dhe me qëllim vërtetimi apo mohimi të lajmeve e ndodhive, si dhe ngjarjeve që ndodhnin brenda shoqërive të ndryshme. Këto janë parimet e një populli që e pranon shpalljen, vlerat dhe perceptimet e saj, të cilat janë supreme-absolute, sepse vijnë prej Zotit, xh.sh.
Shpallja, dërgimi i pejgamberëve vërtet është një dhunti e veçantë hyjnore për shoqërinë njerëzore pa dallim. Po ashtu zgjedhja e pejgamberit nga mesi i një populli ku u dërgua shihet dhe konsiderohet nderim për atë vend dhe për atë popull. I Dërguari përfaqëson shoqërinë tek e cila u dërgua, i cili me aftësinë e tij psikologjike, mendore, morale, njerëzore, në formën më të mirë të mundshme, përfaqëson zemrën më të pastër dhe talentin njerëzor. Kjo duke e mbrojtur njeriun nga veprat e liga, nga korrupsioni moral, ndotja psikologjike, lajthitja, si dhe duke e mbajtur atë larg nga sjelljet e këqija të të qenit njeri i çoroditur. Prandaj, qëllimi i tyre ishte të shërbenin te popujt ku u dërguan, respektivisht në zhvillimin e vlerave të besimit, dhe atë nga çdo prizëm i kësaj jete. Ky është një favor shumë i madh dhe një nder i lartë që Zoti, xh.sh., ia bëri njeriut. Dërgimi i shpalljes përmes dërgimit të pejgamberëve ishte një mision i plotë ringjalljeje te popujt e ndryshëm. Pejgamberët ishin thirrësit për besim në Zotin Një, të Vetmin, ishin mbrojtësit e mirësisë, udhëzuesit e popujve në rrugën e drejtë dhe larguesit nga errësira. Misioni i tyre ishte shpëtimi i njerëzve dhe nxjerrja e tyre nga errësira në dritë. Prandaj, shihet se mësimi hyjnor është i domosdoshëm dhe i nevojshëm për kristalizimin e gjërave te shoqëria njerëzore. Shpallja është shpirti. Ajo është drita, dhe mund të themi edhe vetë jeta e botës. Sigurisht se errësira që kishte kapluar botën iku vetëm me dërgimin e pejgamberëve, dhe bota u ndriçua kur mbi të u paraqitet dielli apo drita e shpalljes, e cila edhe e ndriçon botën. Çdo besimtar duhet të angazhohet që dritën e këtij dielli që shndrit botën, pra dritën e shpalljes, ta futë në zemrën e vet, në mënyrë që ta ndriçojë rrugën e vet gjatë jetës në këtë botë.
Nëse të arriturat e njeriut e kanë prekur kulmin, duke u zhytur në thellësitë e deteve dhe duke fluturuar lart në hapësirë, apo duke e vënë këmbën madje edhe në sipërfaqen e Hënës, a thua, vallë, është e logjikshme që në emër të këtyre arritjeve, të zhvillimit të teknologjisë në fusha të shumta, njeriu ta përjashtojë nevojën për çfarë u dërguan pejgamberët dhe për çfarë zbriti shpallja?!
Sigurisht se jo. Fatkeqësisht edhe sot, sikurse edhe në të kaluarën, përkundër një vetëdijesimi dhe zhvillimi shumë më të madh, ka shumë njerëz që bëjnë thirrje, në vazhdimësi e në mënyra të ndryshme, për t’i refuzuar mësimet që i sollën pejgamberët përmes shpalljes prej Zotit, xh.sh. Kundërshtarët e besimit në Zotin një e bëjnë këtë thirrje në emër të refuzimit e kundërshtimit, në emër të përparimit, kulturës e civilizimit. Prandaj, shumica e botës sot edhe i kanë ngritur sistemet, ligjet dhe legjislacionet e tyre mbi refuzimin e të dërguarve dhe njohurive e mësimeve që ata i sollën. Madjemadje, herherë edhe duke e promovuar ateizmin si një parim kushtetues.
Duhet ditur se robërit e Zotit, xh.sh., janë të obliguar t’i njohin të dërguarit, si dhe t’i marrin mësimet e tyre, mirëpo edhe mund ta refuzojnë, pasi e kanë lirinë e përzgjedhjes. Megjithatë, duhet ditur se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta gjetur lumturinë e drejtë përveçse përmes mësimeve të pejgamberëve dhe udhëzimeve të tyre, ngase ata janë ekuilibri më i saktë mbi të cilën peshohet vepra dhe morali i njeriut. Nevoja për pejgamberë është edhe më e madhe sesa nevoja që trupi e ka për shpirtin, apo syri për dritën, shpirti për jetën, apo çdo nevojë që njeriu mund ta ketë. Nevoja për shpalljen është mbi çdo nevojë të njeriut. Nëse lumturia e një robi në dy botët varet apo është e lidhur me udhëzimet e pejgamberëve, atëherë çdo njeri që e do shpëtimin dhe lumturinë fillimisht duhet të njihet dhe duhet të udhëzohet përmes udhëzimeve dhe porosive të pejgamberëve. Siç thamë edhe më herët, shpallja është shpirti i botës, drita e saj dhe jeta e saj. Prandaj, çfarë do të ishte mirësia e kësaj bote sikur mos ta kishte shpirtin e saj?! Bota është e errët përderisa mbi të nuk shndrit dielli i shpalljes, drita e saj. Edhe njeriu, nëse nuk e arrin dritën e shpalljes, ai e jeton jetën e tij në errësirë.

Nevoja e njeriut për fe-besim

Historia ka njohur shoqëri të ndryshme, e të cilave ndonjëherë u ka munguar forma elementare e rregullimit dhe e funksionimit të mirëfilltë, mirëpo jo edhe feja. Pavarësisht vendit se ku kanë jetuar e vepruar, njerëzit kanë manifestuar bindje dhe besime, qofshin ato edhe të gabuara. Kjo dëshmon se zhveshja e besimit nga natyra e njeriut asnjëherë nuk ka mundur mos të jetë e pranishme tek ai. Sipas asaj që trashëguam nga historia njerëzore, që nga kohët më të lashta, dhe sipas arkeologjisë, e cila flet për qytetërimet e popujve, e kuptojmë dhe mësojmë mjaftueshëm këtë fakt. Dr. Jusuf Kardavi thotë se njeriu gjithherë ka njohur apo adhuruar një ose më shumë zota(7). Historia njerëzore na mëson se çdo popull, madje edhe ai më primitivi, ka pasur bindje dhe ka adhuruar ndonjë fuqi mbinatyrore, duke e konsideruar sikurse Zotin. Kjo vërteton se besimi është i rrënjosur thellë në mendjen dhe shpirtin e njeriut, pavarësisht nga mënyra e manifestimit të tij.
Derisa po e shtjellojmë këtë temë, dikujt mund t’i shkojë mendja e të parashtrojë pyetje si këto në vijim:
1) Përse besimi në Zot, ose në më shumë se një Zot?!
2) A nuk është i vetëmjaftueshëm njeriu me mendjen dhe intelektin që ka?!
Dihet se ekzistojnë shumë faktorë që qenien njeri e shtyjnë të besojë në një fuqi metafizike, të besojnë në një Zot, siç urdhëron Islami, megjithëqë e kaluara historike na mëson se njeriu përkundër këtyre udhëzimeve hyjnore për besim në Zotin një prapë devijoi e lajthiti. Në vazhdim po i përmendim disa nga faktorët që ndikuan në këtë çështje:
1) Paaftësia e njeriut për t’u përballur me çdo gjë në këtë natyrë dhe mjedis. Njeriu rreth vetes vuri re kodrat, lumenjtë, kafshët, përjetoi stuhi, tërmete, vullkane etj., e që në këto raste patjetër se pati nevojë për një strehim, për një mbështetje. Shpirti as nuk mund të strehohet, e as nuk mund të qetësohet askund më mirë sesa në besim apo fe. Kjo bindje nga shumë popuj është kuptuar dhe është manifestuar në mënyrë jo të drejtë, prandaj shumë prej tyre e kanë humbur rrugën e drejtë e të vërtetë.
2) Vëzhgimi në natyrë. Duke medituar njeriu ka mësuar se kjo gjithësi vepron sipas një ligji të përsosur e për të cilin është e padrejtë të thuhet se funksionon vetvetiu. Njeriu i sheh retë mbi kokë, vetëtimën, bubullimën, errësirën, rrufenë, e sheh Diellin, Hënën, yjet në lëvizjet e pandërprera, i sheh se sa të mëdhenj janë këta trupa qiellorë dhe se sa i vogël dhe i dobët është ai në krahasim me këto të gjitha. Prandaj është krejtësisht e natyrshme që ideja themelore e besimit të përputhet me këtë ndjenjë. Ai e kupton se Dielli, Hëna dhe yjet u janë nënshtruar ligjeve të forta, në kufijtë e të cilëve ata nuk kanë kurrfarë pronësie. Nga këto analiza mendja e tij e vëren mundësinë e ekzistimit të ndonjë fuqie të madhe e të fshehtë të natyrës hyjnore, e cila fuqi i kontrollon të gjitha.
3) Këto meditime, nëse nuk konceptohen drejt, shkaktojnë besime të kota, bazuar në fuqi të fshehtë të kinse zotave të panumërt, të cilët përfytyrohen se udhëheqin dukuri të ndryshme të natyrës. Nisur nga kjo, njeriu konstruktoi simbole e materiale të panumërta, në forma të ndryshme, dhe ato simbole filloi t’i adhurojë. Kjo është një formë e paditurisë, e realiteti mbetet ende i fshehtë për syrin e njeriut. Madje, edhe është për t’u çuditur se edhe sot, në këtë fazë të arritjeve të shumta shkencore, te shumë njerëz ende ekziston koncepti i gabuar për besimin në Zotin Një. Disa mendojnë se Zoti ka trup dhe jeton në vende të caktuara. Disa të tjerë thonë se ka zbritur në Tokë, në formë të njeriut. Disa mendojnë se Zoti, pasi e krijoi gjithësinë, është tërhequr dhe po pushon. Disa besojnë se Zoti ka formë dhe vend, prandaj gdhendin shumë skulptura guri, druri e materialesh të tjera, duke i trupëzuar ato dhe, nëpërmjet tyre, kinse duke e adhuruar Zotin. Gjithë këto mendime, koncepte e orvatje për besim janë të gabuara dhe të dështuara, dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin. Ata që besojnë në shumë zota, ata janë paganë dhe idhujadhurues.
Për të kaluarën fetare të njeriut na flet edhe Kurani(8). Të dhënat e tij nuk janë supozime apo të gjetura arkeologjike. Ato janë fjalë të Zotit, xh.sh., Krijuesit, i Cili i ka krijuar njerëzit dhe e di më së miri historinë e tyre. Kurani na tregon për shumë popuj që i kishin të gjitha mundësitë për të qenë të udhëzuar, dhe që kishin madje edhe pejgamberë, mirëpo që shkaku i koncepteve të gabuara bëri të lajthiten dhe të devijojnë, e për pasojë edhe të ndëshkohen. Këto rrëfime historike nuk duhet parë thjesht si diçka që i përket të kaluarës, por si mësim. Megjithëse në botë ka pasur dhe ka me miliona idhuj, ata kurrë askujt nuk i kanë bërë mirë apo keq. Ata madje as vetes së tyre nuk mund t’i bëjnë mirë apo keq. Idhujt nuk kanë tipare hyjnore. Idhujt janë emërtime të diçkaje që nuk ekziston funksionalisht. Për këtë shkak pejgamberi ynë, Muhamedi, a.s., në vazhdimësi i paralajmëronte njerëzit për nevojën që njerëzit e kanë për fenë e Zotit, xh.sh., për Islamin, dhe në të njëjtën kohë që njerëzit të kenë kujdes nga devijimet e mundshme, shkaku i të cilave devijime u shkatërruan shumë prej popujve të mëparshëm. Pejgamberi, a.s., i porosiste të jenë respektues të rregullave dhe rrugës që porosit Allahu, xh.sh. Allahu, xh.sh., thotë:
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju). Pra, përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij! Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (El, Enamë, 153)
Ky ajet na porosit që t’i përmbahemi rrugës së Allahut, xh.sh., e cila është Islami. Përndryshe, çdo devijim nga Islami paraqet humbje dhe shkatërrim për njeriun.


______________________________________
1. Gjatë punimit do t’i referohemi melekëve me këtë term, po edhe me përkthim, pra, en- gjëll/engjëj.
2. Me shprehjen “botë” në këtë punim nënkuptohet çdo gjë e krijuar.
3. Këtu aludohet në ajetin e parë të kaptinës El Alek.
4. Mëkëmbësia e njeriut në Tokë është e përshkruar në disa vende në Kuran, si: në suren El Bekare, 30; El Enamë, 165; Fatir, 39 etj.
5. Hadithin e transmeton Ebu Dherri, r.a., ndërsa e shënon Imam Ahmedi në Musned, 5/178. Se pejgamberët ishin shumë flet edhe Kurani. Shih ajetet: 26 nga kaptina En Nahël dhe 24 nga kaptina Fatir.
6. Kurani dhe Suneti janë përplot dëshmi që flasin për rëndësinë e mendjes. Sa për ilus- trim, shih: El Bekare, 73; 164 etj. !
7. Jusuf Kardavi, Adhurimi në Islam, Furkan ISM, Shkup, 2011, f. 20-21.
8. Për më shumë shih: El Arafë, 66; 90; El Enfalë, 52; Et-Tevbe, 70 etj. !


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?