Arroganca e jobesimtarëve ndaj Kuranit me gjithë argumentet e pakontestueshme dhe shpërblimi i besimtarëve në Ahiret.
“Prej njerëzve ka të tillë që bëjnë tregti me tregime të kota, që të largojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut, pa asfarë dijenie, duke i marrë ato (ajetet e Allahut) si tallje. Të tillët i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen ajetet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi e shtiret sikur nuk i ka dëgjuar dhe sikur i janë shurdhuar veshët, prandaj “përgëzoje” atë më një dënim të dhimbshëm. E për ata që besuan dhe bënë vepra të mira, janë xhenetet e begatshme, në të cilat do të qëndrojnë përherë. Premtimi i Allahut është i vërtetë; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti. Qiejt, që ju shihni, i krijoi pa shtylla, e në tokë vendosi kodra të palëvizshme që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne nga qielli e zbresim shiun dhe, nëpërmjet tij, kemi bërë të mbijë çdo lloj (bime) i mirë. Ky është krijimi i Allahut! Më tregoni, pra, se çfarë kanë krijuar të tjerët pos Tij? (Asgjë) Por keqbërësit janë vërtet në humbje të plotë.” – (Llukman, 6-11).
Lidhja e këtyre ajeteve me ata paraprakë
Pasi që Allahu i Madhërishëm në ajetet paraprake sqaroi se ky Kuran përmban ajete që përmbajnë e rrezatojnë urtësi, dhe pasi që sqaroi se si do të jetë gjendja e të udhëzuarve në rrugën e drejtë; tash në këto ajete i Gjithëfuqishmi sqaron gjendjen e jobesimtarëve, të cilët e nënçmonin këtë Kuran, se ata në Ahiret i pret një dënim i dhimbshëm.
Pas këtyre ajeteve, Allahu xh.sh. sërish dëfton për premtimin e Tij dhënë besimtarëve, që e lexojnë këtë Kuran dhe udhëzohen nëpërmjet tij, se në Ahiret i pret Xheneti, si shpërblim.
Shkaku i zbritjes së ajetit të 6-të
- Transmetohet nga Ibn Abasi të ketë thënë: “Ky ajet ka zbritur për Nadr bin Harithin, i cili e kishte blerë një këngëtare, dhe, sa herë që dëgjonte se dikush dëshironte të përqafonte Islamin, shkonte së bashku me të dhe i thoshte: Jepi për të ngrënë, për të pirë dhe kërko prej saj të të këndojë, sepse kjo është më e mirë për ty sesa ajo për të cilën po të thërret Muhamedi, të falesh, të agjërosh dhe të luftosh në krah të tij”,(1) prandaj zbriti ky ajet.
- Mukatili thotë se ky ajet ka zbritur për Nadr bin Harithin, i cili shkonte për tregti në Persinë e atëhershme. Atje blinte libra të ndryshëm me tregime e legjenda dhe vinte e ua rrëfente kurejshëve duke u thënë: Muhamedi po ju rrëfen ngjarjet e Adit dhe Themudit, kurse unë po ju rrëfej tregimet e Rrustumit dhe Isfindjarit si dhe rrëfimet e perandorëve të tyre. Kurejshët çmendeshin pas rrëfimeve të tij, ndërkohë që injoronin tërësisht dëgjimin e Kuranit.”(2)
- Po ashtu është transmetuar nga Ibn Abasi se ky ajet ka zbritur për një njeri nga kurejshët, i cili e kishte blerë një robëreshë që i këndonte atij ditë e natë.(3)
Koment:
6. Prej njerëzve ka të tillë që bëjnë tregti me tregime të kota, që të largojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut, pa asfarë dijenie, duke i marrë ato (ajetet e Allahut) si tallje. Të tillët i pret dënimi poshtërues.
Ashtu siç pamë edhe nga shkaku i zbritjes së këtij ajeti, veprimi i Nadr bin Harithit, nuk ishte i vetmi që idhujtarët e ndërmerrnin kundër Muhamedit a.s. dhe pasuesve të tij. Ata përdornin metoda të ndryshme për t’i shmangur njerëzit nga Thirrja islame, e cila po i pushtonte me shpejtësi rrufeje zemrat e tyre. E, një prej tyre ishte edhe kjo, e përhapjes së legjendave dhe miteve persiane, duke i vënë në rivalitet me rrëfimet kuranore. Kurse veprimi tjetër ishte devijimi i njerëzve nëpër ndejat e shthurura të natës, ku valltaret dhe këngëtaret u silleshin e u përdridheshin parisë idhujtare, të cilët, nën ndikimin e alkoolit, e humbnin mendjen dhe arsyen e shëndoshë.
Nocioni “lehvul-hadith”, nënkupton çdo fjalë të kotë, të pavlerë, të shthurur, legjendë, këngë amorale, ose çdo gjë që ta shpërqendron zemrën dhe mendjen nga e vërteta, si dhe çdo dëfrim apo argëtim, që ta humb kohën kot së koti.(4) Me një fjalë, çdo gjë që është në kundërshtim me dinjitetin e njeriut si krijesë, së cilës Allahu xh.sh. ia besoi mëkëmbësinë në tokë, hyn brenda këtij përshkrimi.
Ky ajet, synim dhe qëllim parësor e ka që njeriun ta ndërgjegjësojë që, kur të dëshirojë të “blejë” diçka, të jetë shumë i vëmendshëm, sepse kur njeriu blen, ai synon që nëpërmjet asaj tregtie a biznesi të fitojë diçka, ndërkohë që “tregtia” e Nadr bin Harithit dhe e sojit të tij, nëpër kohë, ishte devijimi i njerëzve nga e vërteta, tallja me ajetet e Kuranit etj., dhe ishte një tregti e humbur për botën tjetër.
Është transmetuar nga Behz ibn Hakimi të ketë thënë: Më ka rrëfyer babai im e ky nga babai i tij të ketë thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të ketë thënë: “Mjerë për atë që flet dhe gënjen me qëllim që njerëzit t’i bëjë të qeshin! Mjerë për të! Mjerë për të!(5)
Sigurisht që njerëzit e tillë, që ajetet e Kuranit i marrin për tallje, nesër në Ahiret i pret një dënim i turpshëm dhe përgjithmonë do të jenë në ndëshkim poshtërues.
Ashtu si në këtë ajet, i Madhërishmi edhe në disa ajete të tjera kuranore flet për jobesimtarët të cilët talleshin me Kuranin dhe me të Dërguarin a.s., si ajeti 65 i sures “Et-Tevbe”: “E nëse i pyet (përse tallen), ata sigurisht do të thonë: “Ne vetëm jemi mahitur e dëfryer”. Thuaj: “A me Allahun, ajetet (fjalët) e Tij dhe me të Dërguarin e Tij talleshit?!”.
Allahu xh.sh. këtë ndëshkim e ka quajtur ‘poshtërues’ e jo ‘të dhimbshëm’, për shkak se ndëshkimi i tyre do të jetë aq nënçmues, saqë të ndëshkuarit nuk do t’i mbetet asnjë pikë dinjiteti, sepse do të përjetojë përbuzje të turpshme publike, për shkak të talljes së tij me fenë e Allahut në këtë botë!
7. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen ajetet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, e shtiret sikur nuk i ka dëgjuar dhe sikur i janë shurdhuar veshët, prandaj “përgëzoje” atë më një dënim të dhimbshëm.
Kur idhujtarëve u lexoheshin ajete të Kuranit, shumë prej tyre menjëherë e kthenin shpinën nga mendjemadhësia duke e shpërfillur dhe nënçmuar atë, madje edhe shtireshin sikur ishin të shurdhër. Ata thjesht e bënin këtë veprim nga arroganca, urrejtja dhe përbuzja që ndienin ndaj fesë islame dhe ndaj Kuranit famëlartë. Madje,
për më tepër, i preferonin rrëfimet perse e ato romake, duke u sjellë me përçmim ndaj ajeteve kuranore, të cilat ftonin për shpëtim. Sidoqoftë, mendjet e errësuara me mugëtirën e kufrit e të idhujtarisë, assesi nuk dëshironin dritën e udhëzimit, prandaj të tillët do të përballen nesër me poshtërimin dhe ndëshkimin më të tmerrshëm e më të dhimbshëm.
Sa i përket pjesës së fundit të ajetit: “prandaj ‘përgëzoje’ atë më një dënim të dhimbshëm” duhet të sqarojmë arsyen pse në ajetin paraprak, Allahu xh.sh. për mohuesit dhe jobesimtarët tha se ata i pret një “dënimi poshtërues”, kurse në këtë ajet e ka përmendur “dënimin e dhimbshëm”. Meqë në ajetin paraprak, për idhujtarët që haptazi talleshin me Kuranin famëlartë, flitet në shumës, atëherë, në përputhje me këtë kontekst, edhe dënimi në Ahiret u përshkruhet të jetë publik, përbuzës e poshtërues njëkohësisht, ndërkohë që tash në këtë ajet, ku po flitet në trajtën e njëjësit dhe po flitet për injorim dhe mendjemadhësi, pikërisht në përputhje me këtë kontekst, edhe dënimi u përshkruhet të jetë tepër i dhimbshëm, por jo publik.(6)
8. E për ata që besuan dhe bënë vepra të mira, janë xhenetet e begatshme,
9. në të cilat do të qëndrojnë përherë. Premtimi i Allahut është i vërtetë; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Pasi që Allahu fuqiplotë, na njohu me qëndrimin shpërfillës e injorues të idhujtarëve ndaj Kuranit famëlartë, injorim i nxitur nga mendjemadhësia dhe inati, tash në këto dy ajete vijuese Ai po na njeh me grupin e shpëtuar, me ata që, me zemër e më shpirt, e përqafuan udhëzimin hyjnor, me besimtarët e vërtetë, zemrat e
të cilëve pulsuan, që në fillim, me ritmet e imanit e të njëshmërisë. Pothuajse në të shumtën e rasteve, pasi që Allahu në Kuran përmend kërcënimin ndaj jobesimtarëve me ndëshkimin në Xhehenem, Ai menjëherë flet për besimtarët dhe shpërblimin e tyre në Xhenet. Kjo, sa për t’u dhënë kurajë besimtarëve, që të mos humbin shpresën për mëshirën e Allahut, pavarësisht vështirësive, mundimeve dhe vuajtjeve që i përjetonin në këtë botë.
Ata që i besuan Allahut, e merituan epitetin ‘besimtar’, andaj për të tillët i Gjithëmëshirshmi ka përgatitur xhenete-kopshte, në të cilat ata do të qëndrojnë përgjithmonë. Aty do të jenë në kënaqësitë e papërshkrueshme, duke shijuar pafundësisht mirësitë e Allahut xh.sh..
Pjesa e fundit e ajetit të 8-të: “Premtimi i Allahut është i vërtetë; Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.”, vjen si qetësim për zemrat e besimtarëve, se premtimi i Allahut është i vërtetë. Atë që Allahu e ka premtuar për besimtarët, do ta realizojë, sigurisht do ta realizojë edhe kërcënimin e bërë ndaj jobesimtarëve, sepse Ai është i Plotfuqishëm, dhe në çdo veprim të Tij ka urtësi e madhështi. Ai e bëri këtë Kuran udhëzim, qetësim dhe shërim për zemrat e besimtarëve, kurse humbje e shkatërrim për mizorët dhe të prishurit, ashtu siç ka ardhur në ajetin 82 të kaptinës El-Isra: “Ne shpallim nga Kurani çka është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.”
10. Qiejt, që ju i shihni, i krijoi pa shtylla, e në tokë vendosi kodra të palëvizshme që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne nga qielli e zbresim shiun dhe, nëpërmjet tij, kemi bërë të mbijë çdo lloj (bime) i mirë.
Meqë ajeti paraprak përfundoi me të përmendurit e dy emrave të bukur të Allahut “El-Aziz” - i Plotfuqishmi, dhe “El-Hakim” - I Urti, tash ajeti vijues përputhet plotësisht me kuptimin e këtyre dy emrave të bukur, sepse fillon me të përmendurit e krijimit të qiellit, si një mrekulli e përsosur e krijimtarisë së Zotit fuqiplotë.
Për të ndriçuar mendjet e errësuara të idhujtarëve, Allahu i Gjithëpushtetshëm vazhdimisht i ftoi ata të shikonin argumentet lëndore përreth tyre dhe pastaj të meditonin, sepse nga meditimi i thellë e racional, në fund, priten fryte dhe rezultate pozitive. Ai i fton të soditin qiellin sipër tyre, të cilin e shohin për çdo ditë dhe për çdo natë, për faktin se kupa qiellore është një prej argumenteve më madhështore të krijimit. Këta qiej, në perceptimin tonë, pothuajse të pafund, së bashku me të gjitha galaktikat dhe yjësitë e panumërta që gjenden në to, qëndrojnë kështu me urdhrin dhe vullnetin e Allahut, pa shtylla, vetëm nëpërmjet gravitacionit, i cili, me sa dihet, si ligj mbretëron kudo në gjithësi. Arsyeja pse Allahu e ka përmendur këtu qiellin, pa shtylla, është se perceptimi i mendësisë intelektuale të asaj kohe ishte ende i varur vetëm nga shikimi i lirë, andaj ua sjell këtë krahasim, sepse ata vështirë se do të arrinin të perceptonin çështjen e gravitacionit dhe tërheqjes së trupave në mes vete.
Nëse nuk u mjaftonte soditja e qiellit si mrekulli, atëherë do të duhej t’u mjaftonte vrojtimi i tokës dhe i kodrave të cilat i ka shpërndarë nëpër tokë. Ato njëkohësisht ruajnë stabilitetin e saj, duke mos lejuar që njerëzit të lëvizin apo lëkunden së bashku me tokën, gjatë lëvizjes së saj të pandalshme gjatë gjithë kohës. Përveç kësaj, Allahu i Madhërishëm i fton të meditojnë edhe mbi gjallesat që i ka shpërndarë nëpër tokë dhe det. Po nëse edhe kjo nuk u mjafton, atëherë le të shikojnë një proces natyror siç është shiu, i cili e ngjall tokën e vdekur nga thatësia dhe bën që në të të mbijnë bimësi të ndryshme e të mira, që janë të dobishme për njeriun. Arabët e dinin mirë rëndësinë e shiut, sepse jetonin në një vend ku, përgjatë gjithë vitit, mbizotëron thatësia, dhe, kur shiu binte në atë tokë shkretinore, e ngjallte dhe rriste çdo bimësi.
11. Ky është krijimi i Allahut! Më tregoni, pra, se çfarë kanë krijuar të tjerët pos Tij? (Asgjë) Por keqbërësit janë vërtet në humbje të plotë.
Pas përmendjes së të gjitha këtyre mrekullive në krijim, të cilat idhujtarët mekas i shihnin për çdo ditë e që do të duhej të ishin shkas i udhëzimit të tyre në rrugën e drejtë, tash Allahu i qorton për shkak të arrogancës dhe mendjemadhësisë së tyre, në raport me
Shpalljen. I Lartmadhërishmi kur u drejtohet mendjeve të tyre të sëmura me fjalët. “Ky është krijimi i Allahut”, kjo në një mënyrë do të thotë: Ja, këto janë gjurmët e krijimit Tim, dhe, meqë nuk po më bindemi Mua, e as nuk po e pasoni të Dërguarin Tim, atëherë, pra, më tregoni se çfarë kanë krijuar idhujt tuaj të rremë. Më tregoni të paktën vetëm diçka nga ai krijim i supozuar, nëse pretendoni se keni fakte dhe argumente! Sigurisht që këto fjalë qortuese përmbajnë në vete edhe një dozë sarkazëm, sepse, natyrisht, ata ishin të pafuqishëm të sillnin diçka të tillë.(7) Idhujt dhe zotat e tyre të rremë nga gurët dhe drurët, ishin thjesht relikte të skalitura nga dora e njeriut. Ata vetëm se ishin bërë shkak që mendjet njerëzore të humbnin arsyen e shëndoshë, prandaj Allahu xh.sh. në fund për ta thotë: “Por keqbërësit janë vërtet në humbje të plotë.” Fjala e fundit në këtë ajet, “në humbje të plotë apo të qartë” dëfton se sa larg kishin shkuar idhujtarët në humbëtirën e tyre. Ata kishin humbur edhe dynjanë edhe Ahiretin me mendjemadhësinë e tyre, por mbi të gjitha me verbërinë e syve dhe të mendjeve të tyre.
Porosia e ajeteve (6-11)
- Prej njerëzve, në çdo kohë do të ketë të prishur e të shthurur, që do të
thërrasin për devijim dhe largim të të tjerëve nga rruga e Zotit. Të tillët, nuk do të hezitojnë të përdorin lloj-lloj metodash vetëm për ta arritur qëllimin e tyre djallëzor.
- Këta njerëz, që shtiren sikur janë të shurdhër, kur u lexohen ajetet kuranore, duke e bërë këtë veprim të ulët nga mendjemadhësia dhe arroganca, ata vetëm shfaqin haptazi urrejtjen dhe mërinë që kanë ndaj Islamit dhe fjalës së Zotit, prandaj të tillët i pret një ndëshkim i tmerrshëm e i dhimbshëm në Ahiret.
- Përballë kësaj së keqeje, gjithmonë do të ketë një grup njerëzish me zemra të pastra, të cilët Allahu i ka nderuar me emrin ‘besimtarë’, të cilët do të qëndrojnë në ballë të përpjekjeve që feja e Allahut me tërë dëlirësinë dhe madhështinë e saj, të depërtojë në zemrat e njerëzve.
- Imani dhe puna e mirë janë dy komponentë që e plotësojnë njëri-tjetrin, sepse Imani nxit për punë të mira, kurse puna e mirë dëshmon për Imanin.
- Premtimi i Allahut është i vërtetë, si për besimtarët, të cilët i Madhërishmi do t’i nderojë në Xhenet, po ashtu edhe për jobesimtarët dhe mohuesit, të cilët i pret dënimi i dhimbshëm dhe poshtërues, në zjarrin e Xhehenemit.
- Tërë kjo gjithësi e krijuar, me të gjithë planetët, yjësitë dhe galaktikat që ndodhen brenda saj, është vepër madhështore e Allahut. Andaj, argumentet e shumta lëndore që i shohim për çdo ditë, në qiej e në Tokë, si dhe të gjitha proceset natyrore që ndodhin në të, janë prova të pakontestueshme të ekzistencës së Allahut xh.sh., që është Një, i Vetëm dhe i Pashoq..
________________________________
1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nu- zuli, f. 202.
2. El Vahidij en-Nisaburi, Esba- bu-n-nuzuli, Demmam, 1992, f. 345 (redaktuar nga Isam ibn Abdulmuhsin el Humejdan); Shih edhe: Dr. Vehbe ez-Zuhajli, Et-Tefsirul Munir, vëll. 21, f. 144.
3. Esbabu-n-nuzuli, f. 345.
4. Et-Tefsi- ru-l Munir, vëll. XXI, f. 143.
5. Transmeton Imam Ahmedi nr. (20046); Ebu Davudi nr. (4990); Tir- midhiu nr. (2315).
6. Dr. Fadil Salih es-Samerrai, Ala tarik et-tefsir el bejani, Sharika, 2004, vëll. II, f. 296.
7. Ibn Adil ed-Dimeshkij, El-Luban fi ulu- mil-kitab, Bejrut, 1998, vwll. XV, f. 441.
Sabri Bajgora