Disa fjalë për mevludin - si tekst dhe manifestim

Fjala “mevlud” a “mevlid” do të thotë “lindje” dhe ka të bëjë me lindjen e të Dërguarit të fundit të Allahut të Madhërishëm, Muhamedit, bekimi dhe paqja qofshin mbi të.
Mevludi si tekst është një vepër artistike fetare, e radhitur në vargje, në të cilat janë përshkruar gjerësisht lindja, virtytet dhe meritat e Muhamedit a.s., me të cilat e dalloi Allahu xh.sh. dhe e bëri të pavdekshëm emrin dhe veprën e tij. Mevludi është një përmbledhje lëvdatash kushtuar njeriut më të madh të të gjitha kohëve, Muhamedit a.s., të cilin Vetë Krijuesi i Gjithësisë e lavdëroi dhe i çmoi lart meritat e tij për njerëzimin, në shumë ajete kuranore:
“Me të vërtetë ti (Muhamed) je me moral të lartë”. (El-Kalem, 4). “Ne ta kemi ngritur (lart) të përmendurit (emrin) tënd”. (El-Inshi- rah, 4).
“Ne nuk të kemi dërguar tjetër përveçse mëshirë për botët”. (El-Enbija, 107).
Vlerësimiet e tilla të larta për Muhamedin a.s. në Kuran, dhe sjelljet e veprimet e tij njerëzore, u bënë burim i pashtershëm frymëzimi i shumë njerëzve, të cilët shkruan vepra të çmueshme për jetën dhe veprën e tij si në prozë ashtu dhe në poezi. Ndër ata që i thurën kaside – poema lavdie për të gjallë të Pejgamberit a.s., kanë qenë poetët e njohur: Hasan bin Thabiti, dhe Ka’b bin Zuhejri. Në një kaside kushtuar Muhamedit a.s., Hasan bin Thabiti, në mes të tjerash, thotë:
“Ve ahsene minke lem tere kat-tu ajni ve exhmele minke lem telidin-nisau hulikte muberreen min kul-li ajbin keen-neke kad hulikte kema teshau”.
Në përkthim të rimuar do të thotë:
“Më të mirë se ty s’kanë parë kurrë sytë e mi më të bukur se ty s’kanë lindur gratë ndonjë fëmi’ ti je krijuar i pastër nga çdo e metë sikur t’ishe krijuar ashtu si ke dashtë vetë”.
Në shekullin e dhjetë të e.r. kanë filluar të paraqiten tekstet e mevludit në gjuhën arabe kushtuar lindjes së Muhamedit a.s.. Mirëpo vepra e parë me këtë emër “El-Mevlidun-nebijj” është shkruar nga Ibni Xhevziu, i cili vdiq në vitin 1201. Ndërsa mevludi i parë në gjuhën turke është shkruar nga imami i “Ullu” xhamaisë në Brusë, Sylejman, ef. Çelebiu në vitin 1409. Mevludi më i vjetër në gjuhën shqipe konsiderohet ai i Hasan Zuko Kamberit, i shkruar në gjysmën e dytë të shekullit të tetëmbëdhjetë. Pas tij vijnë mevludi i Hfz. Ali Riza Ulqinakut, që përdoret edhe sot në Shqipëri dhe në Malin e Zi, dhe mevludi i Tahir ef. Popovës, që përdoret në Kosovë dhe Maqedoni, të cilët u shtypën në fund të shekullit nëntëmbëdhejtë. Të gjithë autorët e përmendur, për bazë dhe shembull patën mevludin e Sylejman ef. Çelebisë.
Sikur në shumë vise të Perandorisë Osmane, ashtu edhe në trevat tona, deri me hartimit e mevludeve të lartpërmendura, mevludi është kënduar në gjuhën turke, ku shumica e njerëzve, sidomos në fshatra, përveç melodisë dhe zërit të bukur, nuk kuptonin asgjë. Lidhur me këtë tregohet se, derisa Tahir Efendia, me një rast, po fliste për afrimin e muajit të mevludit, nga të pranishmit një bashkëfshatar i kishte thënë:
“çfarë hajri për ne, po shkojmë në Vushtrri me ngu Mevludin në xhami, po kurgja nuk po e marrim vesh, se hoxhallarët po e knojnë Mevludin turqisht”. Si duket, këto fjalë ndikuan në ndërgjegjen e Tahir Efendisë, saqë u premtoi se do të shkruante një mevlud shqip, që do ta kuptonin të gjithë dhe këtë premtim ai e përmbushi. Kjo nënkuptohet edhe nga ky rresht i Mevludit, në të cilin ai thotë:
“Për ata që gjuhën shqipe e dinë u maru ky mevlud gjithë le ta dinë”
Pas një pune më përkushtim të madh dhe me një mjeshtëri të rrallë artistike, ai e përfundoi me sukses këtë vepër të rëndësishme. Tahir Efendia, mevludin e tij e titulloi: “Mendhumetul-mevlud fi efdalil- mevxhud bilisanil-arnaud – Vargjet e mevludit për qenien më të vlefshme në gjuhën shqipe”. Mevludi i Tahir Efendisë, për mungesë të alfabetit shqip, u shtyp me shkronja arabe dhe u botua me lejen e Ministrisë së çështjeve të Arsimit nr. 109, në Stamboll – pa vit botimi.
Përveç pjesës hyrëse, në të cilën autori flet për rëndësinë e mevludit, falënderon Allahun xh.sh. dhe i dërgon selam Pejgamberit a.s., teksti i mevludit për nga përmbajtja ndahet në tri pjesë: Në pjesën e parë autori flet për rëndësinë e përmendjes së Emrit të Allahut xh.sh., për ekzistimin e Tij të përhershëm, për cilësitë e Tij, dhe vazhdon të tregojë për zanafillën e krijimit të gjithësisë nga nuri i Muhamedit a.s. dhe krijimit të njeriut të parë Ademit a.s.. Në pjesën e dytë flet për lindjen e Muhamedit a.s. dhe ngjarjet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur para dhe pas lindjes së tij. Ndërsa në pjesën e tretë, e cila mund të quhet si shtojcë e mevludit, autori flet për disa muxhize-mrekulli të Muhamedit a.s. dhe për Miraxhin-ngritjen e tij në sferat më të larta të gjithësisë, për takimin e tij me Allahun dhe bisedën mes tyre. Mevludi zakonisht, përfundon me dua-lutje drejtuar Allahut të Madhërishëm për ta pranuar dhe për falje të gabimeve.
Me qëllim të nxitjes së dashurisë ndaj Pejgamberit a.s. dhe të forcimit të shpresës tek njerëzit në mëshirën e Allahut xh.sh., si autorët e tjerë të mevludeve ashtu edhe Tahir Efendia, me rastin e lavdërimit të meritave të Pejgamberit a.s. dhe të bujarisë së Allahut xh.sh., përveç
burimeve të verifikuara islame, ka shfrytëzuar edhe burime të paverifikuara, madje aty-këtu edhe mendimin e lirë të tij.
Në aspektin gjuhësor në shumë vende, autori ka përdorur fjalë orientale: arabe, turke ose persiane. Si shihet, disa prej tyre i ka shfrytëzuar për harmonizimin dhe rimën e vargjeve, kurse të tjerat për shkak se përdoreshin në jetën e përditshme të asaj kohe si fjalë terminologjike fetaro-administrative.
Edhe pse, me vendimet e Kongresit të Manastirit në vitin 1908, mbi bazë të shkronjave latine, qe zgjidhur çështja e alfabetit shqip, për shkak të ndalimit të përdorimit të tij në viset e mbetura nën okupimin sllav, mevludi edhe për një periudhë të gjatë nuk u shtyp me alfabet shqip. Mirëpo, tradita e këndimit të tij me alfabet arab në tubime të ndryshme vazhdoi dhe u bë pjesë e pandashme e jetës fetare në Kosovë e më gjerë.
Me qëllim që mevludi të mund të lexohet sidomos nga gjeneratat e reja tashmë të shkolluara, në vitin 1965 Shoqata Ilmije, me pëlqimin e Bashkësisë Islame, në Prishtinë e botoi mevludin për herë të parë me alfabet shqip. Komisioni bëri transkriptimin dhe e përgatiti Mevludin për shtyp, e spastroi atë nga fjalët e huaja duke zëvendësuar shumicën e tyre me fjalë e shprehje shqipe, madje bëri edhe ndryshime të disa fjalëve dhe vargjeve. Me botimin e Mevludit me alfabet shqip, fondit të literaturës fetare në gjuhën shqipe, që atëherë ishte i varfër, sepse ishin nbotuar vetëm Ilmihali i vogël dhe Mësime të shkurtra mbi namazin dhe Jasini, - iu shtua edhe një vepër, që për atë kohë kishte rëndësi të posaçme.
Në vitin 1984, Shoqata e Ylemave në Prishtinë, ribotoi Mevludin e Tahir Efendisë duke u bazuar në tekstin e tij me shkronja arabe. Transkriptimin dhe përgatitjen e tij për shtyp e bëri H. Sherif Ahmeti, i cili, me përjashtim të adaptimit të ndonjë fjale të caktuar, i qëndroi besnik origjinalit, kurse fjalët e huaja orientale i përktheu shqip (në fusnota në fund të çdo faqeje). Ky është ribotimi i tretë i Mevludit nga Bashkësia Islame e Kosovës, në të cilin fusnotat radhiten në fund sipas abecedes në formë fjalorthi.
Përveç ribotimeve të përmendura, Melvudi i Tahir Efendisë deri më tani është incizuar në disk gramafoni, në kaseta kasetofoni dhe në kasetë video.

Kremtimi i mevludit

Mevludi si manifestim fetar që i kushtohet ditëlindjes së Muhamedit a.s., ka filluar në shekullin e katërt të Hixhretit, në kohën e sundimit të Dinastisë së Fatiminjve. Mënyrën e kremtimit të asaj kohe të ditëlindjes së Muhamedit a.s., më së miri e përshkruan Hafiz Es-Seha- viu me këto fjalë: “Pasuesit e Islamit në të gjitha krahinat dhe qytetet e mëdha e shënojnë kremtimin e mevludit të Muhamedit a.s. në muajin e lindjes së tij. Atë natë japin sadaka të shumta, gëzohen fytyrat e besimtarëve, këndohen salavate dhe bjerë bekim mbi ta”.
Ndërsa Ebu Shabe, i cili ka jetuar në kohën e sundimit të Muzaferuddin Kerkeberit, në veprën e tij “El-Bais” thotë: “Ndër gjërat më të bukura që janë bërë traditë në kohën tonë, bën pjesë ajo që veprohet për çdo vit në Erbil në ditën e lindjes së Muhamedit a.s. e ajo është se atë ditë njerëzit gëzohen dhe stolisen, ndihmojnë të varfrit dhe bëjnë vepra të tjera të mira. Kjo vepër, përveçse me të ndihmohen të varfrit, tregon se ai që e bën atë, e do dhe e respekton Pejgamberin a.s. dhe falënderon Allahun për dhuntinë më të madhe, që është se Ai në atë ditë e ka dhuruar të Dërguaritn e Tij të fundit, i cili është mëshirë për mbarë botën”.
Tradita e kremtimit të ditëlindjes së Muhamedit a.s. vazhdoi të praktikohet edhe gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Osmane dhe pas saj deri në ditët tona. Pas përhapjes së Islamit në Ballkan, edhe në trevat tona tradita në fjalë gradualisht filloi të praktikohet,dhe vazhdon edhe sot. Organizimin e manifestimit të mevludit në mënyrë zyrtare, zakonisht e bën Bashkësia Islame e vendit përkatës për çdo vit më 12 rebiul-evvel, në objektet fetare, kurse kohët e fundit edhe në ato publike. Në këto manifestime këndohen pjesë nga Kurani, mbahen ligjërata rasti dhe këndohet mevludi. Në shenjë dashurie dhe respekti ndaj Pejgamberit a.s., gjithashtu Mevludi është traditë të këndohet në shtëpitë e besimtarëve, me rastin e gazmendeve të ndryshme familjare. Kështu, përveç me rastin e ditëlindjes së Muhamedit a.s., zakonisht ai këndohet edhe me rastin e lindjes së ndonjë fëmije, synetisë, fejesës, martesës, diplomimit, punësimit, hyrjes në shtëpi ose banesë të re, shkuarjes ose kthimit prej Haxhit, me rastin e plotësimit të ndonjë dëshire të caktuar ose shpëtimit nga ndonjë fatkeqësi, madje edhe me rastin e përkujtimit të të vdekurit. Përveç këndimit të Mevludit dhe ndonjë pjese nga Kurani, në këto tubime jepen shpjegime për çështje të ndryshme fetare dhe këshilla edukativo-morale.
Traditën e këndimit të mevludit, si muhaxhirët e shpërngulur në Turqi e Arabi, ashtu edhe të shpërngulurit në Evropën Perëndimore dhe në ShBA e morën me vete si një kujtim të çmueshëm nga vendlindja. Madje pati raste që të kenë hartuar edhe mevlude të posaçme për bashkëkombësit e tyre në vendet ku jetonin, si p.sh. Hfz. Islam Çelebiu-Nekofci, i cili u shpërngul dhe vdiq në Siri në vitin 1929; z. Idriz Lamaj, i lindur në Shqipëri, që jeton në ShBA” etj.
Nga hartimi i Mevludit të Tahir Eefendisë ka kaluar më tepër se një shekull. Gjatë kësaj periudhe, përveç ndryshimeve të rrethanave shoqërore, janë bërë edhe ndryshime të mëdha si në aspektin gjuhësor ashtu në aspektin e botëkuptimit. Për këtë arsye, ka një kohë të gjatë që është paraqitur si nevojë e domosdoshme hartimi i një tekstit të mevludit, i cili do ta përfshinte jetën e Muhamedit a.s. në mënyrë më të gjithanshme dhe do t’u përgjigjej nevojave bashkëkohore, si nivelit intelektual të njerëzve ashtu rregullave të gjuhës letrare. Me këtë rast do theksuar se edhe programi i shënimit të Ditëlindjes së Muhamedit a.s. ka nevojë të modernizohet duke organizuar tribuna, seminare, simpoziume dhe akademi shkencore, kushtuar jetës dhe veprës madhështore të Muhamedit a.s. Një mënyrë e tillë bashkëkohore e organizimit tashmë ka filluar të praktikohet në Egjipt, Pakistan etj. dhe ajo duhet t’u shërbejë si shembull edhe vendeve të tjera myslimane.

Vlerësimet për mevludin

Meqë kremtimi apo këndimi i mevludit nuk është praktikuar në kohën e Pejgamberit as të shokëve të tij, dijetarët islamë kanë mendime dhe vlerësime të ndryshme për të. Mirëpo, që nga shekulli i shtatë i Hixhretit shumica e dijetarëve islamë janë të mendimit se Mevludi është i lejuar ose i preferuar (mustehabb). Ky qëndrim i tyre bazohet në faktn se mevludi, edhe pse është bid’at-risi, nuk është në kundërshtim me Kuranin as me Synetin (traditën e Pejgamberit) dhe se nuk është i dëmshëm po i dobishëm për çështje të fesë. Me këtë mendim nuk pajtohen vehabistët, përkatësisht selefinjtë - që pretendojnë se ndjekin rrugën e myslimanëve të parë – sepse, sipas mendimit të tyre çdo bid’at – risi, në përgjithësi, në çështjet fetare - është i ndaluar.
Pasi që mevludi nuk është nga bidatet që kanë të bëjnë me çështje te imanit - besimit, as të ibadeteve – adhurimit, mendimi i këtyre të fundit është i paqëndrueshëm.
Përkitazi me rëndësinë e mevludit, një numër i madh i historianëve, shkrimtarëve dhe studiuesve të njohur kanë shprehur konsiderata dhe vlerësime të larta. Me këtë rast, po theksojmë vlerësimet e tri personaliteteve më të njohura islame shqiptare: Dijetari i mirënjohur, z. Vehbi Sylejman Gavoçi thotë:
“Shumë dijetarë janë shprehur se mevludi nuk është farz as synet, por është gjë e mirë, e dashur dhe e pëlqyer. Në një hadith tregohet një dialog në mes Profetit a.s. e një sahabi (shoku të tij):
“Pse agjëron ditën e hënë? Ajo është dita kur kam lindur”.
Me të vërtetë ai zotëri (a.s.) ka lindur ditën e hënë, është zgjedhur profet ditën e hënë, ka emigruar dhe ka ndërruar jetë ditën e hënë. Nga hadithi i sipërm shohim se ai Zotëri (a.s.) ka përmendur ditëlindjen e tij dhe na e ka bërë të ditur atë.
Para qindra vjetësh e deri më sot, ylematë në Hadith, Tefsir, Fikh etj. kanë festuar e festojnë ditëlindjen e Profetit (a.s.), ata kanë lexuar e shkruar për jetën e Profetit (a.s.) në disa faqe të zgjedhura, kanë lavdëruar cilësitë e tij, siç ka lavdëruar Hasani para vetë Profetit (a.s.), kanë rënë salavate mbi Pejgamberin (a.s.) qindra herë, pastaj dikush ka shtruar sofra, disa kanë bërë gostira prej gëzimit”.
Studiuesi i njohur dhe i përmendur H. Sherif Ahmeti për mevludin shprehet kështu: “Çdo punë që i sjell të mira bashkësisë e nuk është kundër ndonjë dispozite të fesë, Islami nuk e ndalon atë. Qëllimi Islam, fillim e mbarim është për të mirën dhe interesin e njerëzisë. Pra aty ku është dobia, aty është sheriati i Zotit. Ndërsa baza, motivi në manifestimin dhe përkujtimin e ditëlindjes është respekt i traditës së personit të ditëlindjes, është përfitim nga sjelljet dhe vetitë e tij të bukura, madje është tubimi i bashkimit dhe afrimit të njerëzve. i ndihmës dhe bamirësisë reciproke, ndërmjet njerëzve, është kthesë në të përkujtuar dhe përmendur më shumë Zotin xh.sh. duke dëgjuar pjesë të leximit nga Kurani dhe këshilla të larta nga hadithi. Të gjitha këto janë mirënjohje dhe falënderim ndaj Zotit, i cili u dhuroi atë të cilit i përkujtojmë ditëlindjen, dhuroi të mira në fe dhe në dynja. Padyshim, një përkujtim i këtillë është i dobishëm dhe i frytshëm”.
Personaliteti i shquar islam shqiptar Imam Vehbi Ismaili, në parathënien e mevludit të Idriz Lamajt, midis të tjerash, thotë: “Të gjithë kombet e popujt e ndryshëm sipas rastit e vendit, festojnë ditëlindjen e njerëzve të tyre në zë, të dalluar për vepra trimërie, bamirësie, letrare filozofike e shkencore duke u shërbyer jo vetëm kombeve përkatës por edhe mbarë njerëzisë. Këta njerëz të mëdhenj, jo veç u kanë sjellë dobi e përfitim popujve të ndryshëm, por bëhen më vonë shembuj për brezat e ardhshëm për të shkelë ndër gjurmët e këtyre. Në këtë kategori hyjnë edhe festimet historike si p.sh. Shpallja e indipedencës, hyrja në fuqi e një sistemit qeveritar mbretëror apo republikan, dita e nënshkrimit të një armëpushimi ose paqeje, porse janë veprime që zhvillohen vetëm brenda një kufiri të ngushtë gjeografik. Ato u përkasin vetëm atyre kombeve që kanë të bëjnë me to, pa shkaktuar pjesëmarrje nga kombet e tjerë.
Po në qoftë se ka ndonjë ngjarje, e cila mund të shkaktojë me të vërtetë gëzim dhe pjesëmarrje të përbotshme, ajo është padyshim lindja e Profetit të shenjtë Muhamedit. Ai i pruri mbarë botës mesazhin e paqes dhe të harmonisë në atë kohë kur ajo botë kishte nevojë më të madhe për të. Ai ngriti një komb nga pluhuri i mbeturisë (të qenit “xhahil”) në kulmin e qytetësisë, atij kombi i cili i dha dritën e dijenisë dhe kulturës drejt Evropës dhe anëve të dheut në kohë të errëta të Mesjetës dhe pruri një rilindje morale, shoqërore e politike të çuditshëm”. (Më gjerësisht shih: F. Luli, I Dizdari, Mevludet në gjuhën shqipe, Shkodër, 2002)
Gjatë këndimit të Mevludit përmenden Emri dhe Atributet e Allahut xh.sh., përkujtohet Muhamedi a.s. dhe mrekullitë e tij, këndohet Kuran, bihet salavate mbi Pejgamberin a.s., dhe bëhet dua duke kërkuar nga Allahu i Madhërishëm falje, mëshirë dhe mirësi, - vepra nga të cilat pjesëmarrësit ndiejnë kënaqësi shpirtërore dhe kanë sevap. Këndimi i mevludit në një familje myslamiane është një dëshmi dhe manifestim i dashurisë dhe respektit që ka ndaj të Dërguarit të Allahut xh. sh. Dhe kjo ndikon pozitivish në edukimin fetar të anëtarëve të familjes përkatëse.
Mevludi shërben edhe si mjet: për kultivimin e respektit dhe të dashurisë ndaj Allahut xh.sh., e të Dërguarit të Tij dhe të fesë islame në përgjithësi, për forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe farefisnore, për njohjen e të pranishmëve me rregullat dhe parimet themelore të Islamit, dhe për kultivimin e ndjenjave njerëzore dhe ngritjen e vetëdijes së tyre fetare, kombëtare dhe atdhetare.
Në fund, edhe vetë tradita e shënimit të ditëlindjes së Muhamedit a.s. dhe e këndimti të mevludit, e cila është përcjellë prej gjenerate në gjeneratë shekuj me radhë dhe praktikohet edhe sot nga myslimanët e gati mbarë botës, është një argument i mjaftueshëm që dëshmon për vlerën dhe rëndësinë e madhe që ka mevludi.



Edukata Islame 83


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme