Jeta dhe kontributi i mulla Qamil Mehmetit

Mulla Qamil Mehmeti lindi në vitin 1928, në fshatin Vojnoc të komunës së Shtimes. Që nga mosha e re kishte pasur një interes të spikatur për t’i ndjekur mësimet fetare, dhe pikërisht deshi Zoti që dëshira e tij të bëhej realitet, fal hapjes së mejtepit në Vojnovc, nga hoxha i shquar mulla Vesel Guta. Hapja e mejtepit ishte një gëzim shumë i madh për mulla Qamilin, ngase aty filloi i ndoqi mësimet fetare deri në përfundimin e studimeve dhe në diplomim. Jeta e tij ishte aq e përkushtuar ndaj praktikimit të njohurive fetare dhe librit të Zotit, dhe aq shumë e deshi këtë program hyjnor, saqë nuk i ndau nga dora e tij mësimet kuranore deri në vdekje. Shërbimi i tij si imam në fshatin Grackë të Lipjanit gjatë muajit Ramazan zgjati përreth 15 vjet radhazi, nga vitet e 50-ta deri në vitet 1965-1967. Gjatë këtyre viteve ka qenë aktiv në jetën fetare, nga koha e diplomimit në mejtep deri në vitet e fundit të jetës së tij. Nga dashuria e madhe që kishte për t’i vizituar vendet e shenjta, më në fund arriti që pas shumë sakrificash të shkoi në haxh në vitin 1990.(1)
Në vitin 1961, mulla Vesel Guta mori vendim që të largohet nga fshati Vojnoc për t’u shpërngulur në Hasanbeg (Shkup) të Maqedonisë. Por, duke dal nga fshati, Mulla Veseli çelësin e xhamisë ia dorëzoi Mulla Qamilit. Arsye se pse e kishte bërë këtë zgjedhje ishte për shkak të kontribut të jashtëzakonshëm që Mulla Qamili kishte dhënë për kultivimin e jetës fetare dhe për kryerjen e obligimeve ndaj xhamisë, si për mirëmbajtjen dhe rregullimin e saj, ashtu edhe për gjërat e tjera të zakonshme. Mirëpo, mulla Behxhet Jashari kishte një dëshirë të zjarrtë që të ishte imam i fshatit, prandaj e kishte lutur Mulla Qamilin që t’i jepej çelësi atij për t’u bërë imam i fshatit. Duke e parë dëshirën e madhe të Mulla Behxhetit për të kryer këtë detyrë, Mulla Qamili kishte vendosur që çelësin e xhamisë t’ia dorëzoj pikërisht Mulla Behxhetit, ndërsa ai mbeti si ndihmësi i tij. Mulla Behxhet Jashari si imam, dhe mulla Qamil Mehmeti si ndihmës i tij, gjetën një bashkëpunim mjaft të mirë në menaxhimin dhe kryerjen e detyrave të tyre gjatë angazhimit në xhami.(2)
Kur thërritej ezani në xhaminë e Vojnocit, të dy ngjiteshin bashkë lart në minaren e xhamisë dhe e thërrisnin ezanin së bashku. Ezani dëgjohej duke u kombinuar me dy zëra të ndryshëm, ku zëri i tyre i bukur, bëhej i pa rezistueshëm për ata që dëgjonin dhe ishte e pamundshme që lotët mos të rrjedhin.(3)
Mulla Qamil Mehemeti shquhej edhe për nxitjen që ju bënte të tjerëve për të dhënë sadaka, madje dhënia e lëmoshës dhe ndihmës nuk kishte munguar edhe nga ana e tij. Të gjithë ata që e njihnin Mulla Qamilin, e konsideronin që ishte bamirës, dhe se ishte person që e ndante pasurinë me të tjerët, madje qoftë edhe një mollë që e kishte në xhep e ndante me të tjerët. Ai, shumë prej të mbjellave që kishte si: gruri, shalqiri apo patatet, i kishte shpërndarë duke lënë vetëm aq sa i duhen për veten dhe familjen e tij.(4)
Mulla Qamili ishte një hoxhë që e lexonte shpesh Kuranin, duke bërë qindra hatme gjatë jetës së tij. Përveç leximit, ai ka ditur përmendësh shumë prej faqeve të Kuranit, dhe se kur e çelte Kuranin ndodhte që e dinte përmendësh atë faqe. Gjithashtu, ai kishte kënduar hatme edhe për të tjerët si: prindërit e tij, të afërmit e tij, dhe për njerëz të ndryshëm që kishin kaluar në botën tjetër. Mirëpo, gjëja që i pëlqente më së shumti atij ishte t’ua mësonte shkronjat arabe të tjerëve(5), pikërisht duke e ditur shpërblimin që ka për atë që e
mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve, ashtu siç thotë Muhamedi a.s.: “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson Kuranin dhe ua mëson atë tjerëve.”(6)
Gjeneratë pas gjenerate ka qenë mësues i fesë islame dhe çdoherë kishte dhënë një kontribut të veçantë në thirrjen islame, ku i kishte inkurajuar të gjithë ata që rrinin me të apo në tubime të ndryshme ku mblidheshin, në kryerjen e adhurimeve ndaj Zotit, sikurse namazi, por jo vetëm kaq, por edhe me vepra të tjera të mira, duke ua treguar rëndësinë e veprave të mira te Zoti xh.sh.. Një prej porosive të tij ishte: “Rrini të lidht me Zotin se nuk ka forcë e as fuqi që ju ban dam kur nuk mungon kjo lidhje, e nëse e shkëput këtë lidhje dije e ke marrë veten n’qafë.” Gjithashtu, kur për ndonjë gjë shpjegonte e përmendte edhe ndonjë citat nga Libri i shenjtë, duke e argumentuar atë që e thoshte, dhe për t’i bindur njerëzit që kjo është e vërteta, sikurse kur thoshte: “Shikoni t’mirat e Perenisë në çdo anë i kemi edhe nuk ua dimë bereqetin. Toka ku po jetojmë, punojmë e veprojmë nuk janë rastësisht po dhuratë prej Zotit, krejt këto i kemi nga Allahi për insanin me pas ma të lehtë dynjanë, qysh Ai thotë n’Mus’haf: “Allahu është Krijues i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës ndaj çdo gjëje.”(7,8)
Mulla Qamili ka marrë pjesë edhe në raste të ndryshme me të cilat ballafaqoheshin njerëzit në atë kohë si për festa, por edhe për raste pajtimi mes dy grupeve, ku tregohet se në disa raste në prag të martesës së disa qifteve i kishte pajtuar dhe ata e kishin vazhduar jetën të lumtur, ashtu siç e do feja e bukur islame, duke vepruar sipas rregullave dhe ligjeve islame, ashtu siç thotë Zoti në Kuran: “Silluni mirë me to (gratë)...”En Nisa, 19)(9), e nuk donte që të vijë deri te më e keqja, si ndarja apo hidhërimi mes tyre, e edhe në rastet kur disa familje ishin në hasmëri kishte qenë prezent dhe kishte ndikuar në pajtimin mes tyre.(10)
Mulla Vesel Guta e kishte çmuar më së shumti Mulla Qamilin, dhe kishte thënë për të që është një ndër nxënësit më të mirë që kishte për nga gjenerata e djemve, për këtë arsye e kishin pasur një lidhje të fortë mes vete. Ndoshta kjo besnikëri dhe dashuri mes tyre, e ka bërë që Mulla Veselin t’i trashëgonte një përgjegjësi të tillë vetëm atij që është besnik dhe që i besonte më shumë. Pas shpërnguljes së Mulla Veselit në Maqedoni, dhe pas ndarjes së cilën nuk mund ta përballonte në ato kohë relacioni i tyre nxënës-mësues, edhe më tej Mulla Qamili shkonte dhe e vizitonte Mulla Veselin çdo dy javë në Shkup.
Mulla Qamili vazhdoi të shërbente si mirëmbajtës i xhamisë për tridhjetë vite, si në mirëmbajtjen e Xhamisë së Vojnocit, pastaj në ndërtimin e saj, mbajtjen e financave, mbledhjen, grumbullimin, rregullimin dhe mbarëvajtjen e jetës fetare në xhami, si dhe në punët e tjera në lidhje me Xhaminë e Vojnocit. Po ashtu, nuk është bërë asnjë mevlud në fshatin Vojnoc, por edhe në fshatrat përreth që nuk ka qenë prezent, ngase e pëlqente mevludin dhe e kishte bërë traditë që sidomos për lindjen e Muhamedit a.s. të ishte pjesëmarrës, madje çdo viti kishte kënduar mevlud një herë në muaj. Mevludin që e kishte, ishte i shkruar në arabisht, porse e kishte mësuar përmendësh. Ata të cilët e njohën kishin një respekt dhe vlerësim të veçantë për të, ku një prej atyre që kishte një vlerësim të madh ishte Ejup Mehmeti, i cili ishte xhematli në Xhaminë e Vojnocit dhe që i kishte ndihmuar ta këndonin së bashku mevludin me Mulla Qamilin. Ky kishte thënë për mulla Qamilin se: “U kanë mikpritës, ku ka pas raste të tilla ku kishte ba konak për net me radhë njerëz të ndryshëm, deri sa ata kanë pushu, janë ushqy dhe masanej kanë vazhu deri ku kanë pas punë, se Mulla Qamili e ka pas odën përskej rrugës e i donte e i çmonte shumë musafirët, bile edhe çdo njeri të huj që ishte kalimtar rasti ”.(11)
Pas keqësimit të gjendjes së tij, në moshë të shtyrë dhe i shoqëruar me Kuranin edhe në ditët e fundit të kësaj bote, i ndjeri mulla Qamil Mehmeti ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij në nëntor të vitit 2006.(12)

Zoti e pastë mëshiruar!


__________________________
1 Intervistë me Ismajl Mehmetin, Vojnoc, 23 janar 2023.
2 Intervistë me Idriz Mehmetin, Vojnoc, 15 dhjetor 2022.
3 Citon Adem Shabani, banor i fshatit Vojnoc, 18 janar 2023.
4 Tregon haxhi Shefqet Jashari, banor i Vojnocit, prill, 2018.
5 Tregon haxhi Abdullah Fejzullahu, Vojnoc, shtator, 2022.
6 E shënon Buhariu, numër 5027.
7 Intervistë me Ejup Mehmetin, Vojnoc, 18 tetor 2022.
8 Sureja Zumer, ajeti 62.
9 Tregon Ejup Mehmeti, Cit.
10 Intervistë me Ismajl Mehmetin, Cit.
11 Intervistë me Ejup Mehmetin, Cit.
12 Intervistë me Daut Mehmetin, Cit.



Miran Mehmeti
Dituria Islame 393


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?