Një trajtesë modeste mbi veprën «Rilindja e shkencave fetare»


Autor i kësaj vepre të vëllimshme është Ebu Hamid el Gazaliu, i cili ka shkruar mbi 200 libra, përkundër se ai kishte një jetë të shkurtër (450-501h.) (1059-1111), që dëshmon se ai kishte prirje veçmas në shkrime të tematikave të llojllojshme! Andaj, këtu duam të theksojmë, se atëbotë kur ai ishte student në vitin e parë te dijetari i famshëm El Xhuvejni (419-478 h. 1028-1085), të cilit ia dorëzon një libër të shkruar, e kur profesori e merr librin, fillon të shikojë titullin dhe përmbajtjen e tij me një kureshtje të madhe, më pas duke e shikuar Gazaliun, i thotë me mirëkuptim: “Po, ç’tu desh pikërisht tash ta shkruash këtë libër, sepse ti kështu më mbyte mua, para se unë të vdes?!” Prandaj, kjo ishte një dëshmi se Gazaliu, atëbotë, më pas ishte asistent i tij në atë Akademi! Mirëpo, ne tani do të shkruajmë në mënyrë koncize, meqë vepra “Rilindja e shkencave fetare”(1) me nëntë vëllimet e saj përfshin 4286 faqe, të autorit Ebu Hamid el Gazali, e përkthyer prej gjuhës boshnjake nga dr. Ali Iljazi (r.p.). Këtu, po ashtu duam të theksojmë mendimin e dr. Enes Kariq(2), ligjërues në Fakultetit e Shkencave
Islame në Sarajevë, kur thotë: “Falënderimi i qoftë Allahut, që Gazaliu nuk e ka titulluar këtë vepër “Rilindja e fesë”, por e ka titulluar “Rilindja e shkencave fetare”. Kështu “Rilindja e shkencave fetare”, është vepra më e vëllimshme dhe më e rëndësishme e tij, që përfshin analiza të përkryera të tekstit kuranor dhe të hadithit si dhe dituritë fetare-shkencore, veçmas nga periudha e hershme islame, shkollat e para fetare-akaidike, sheriatiko-juridike, si dhe drejtimet e themeluesve të tyre.
Mirëpo, para se të shkruajmë për “Rilindjen e shkencave fetare” duam të theksojmë shkurt nga disa vepra të Gazaliut lidhur me tri llojet e diturisë sipas tij:
a - Dituria apo shkenca, që mund të fitohet vetëm nëpërmjet dëgjimit dhe mësimit;
b - Dituritë apo shkencat intelektuale, spekulative;
c – Dituritë, njohuritë fetare dhe juridike.
Duke shpjeguar llojin e parë të diturive dhe shkencave, Gazaliu pohon se këto arrihen vetëm duke dëgjuar dhe duke mësuar tregime për ngjarjet e kaluara, mrekullitë e të dërguarve, ngjarjet në Ditën e Gjykimit dhe jetën në Botën e Përtejme. Gazaliu shton se këtë lloj të diturisë e kuptojmë ekskluzivisht nga të dërguarit e pagabueshëm.
Sipas Gazaliut, lloji i dytë i diturive dhe shkencës janë teorike dhe spekulative. Në vetë natyrën e njeriut për këto lloje të diturive nuk ekzistojnë prova, “por këto shkenca-kjo dituri, patjetër duhet mësuar, jo për atë që verbërisht të imitojë mësuesin, por duhet që mësuesi të tregojë rrugën e sigurt deri në ato shkenca...” Me këtë Gazaliu dëshiron të tregojë se shkencat teorike-spekulative nuk janë kushtimisht etike apo morale. Ndaj, ai tekstualisht thotë se ky lloj i shkencës është jorelativ...
Më pas, Gazaliu shpjegon llojin e tretë të diturisë dhe shkencës, dhe thotë se ato janë “shkenca fetare-juridike; që merren me njohuri lidhur me të lejuarat dhe të ndaluarat, obligimet e prera dhe detyrat rekomanduese, meqë burim i këtyre diturive është Ligjdhënësi”.
Mirëpo në “El Munkidh mined-dalal”(3), Gazaliu tregon diçka më gjerë në ndarjen e shkencës. Ai pohon se këtë ndarje të shkencës në grupe e mbështetin filozofët siç vijon:
a. matematikë, b. logjikë, c. natyrë, d. metafizikë, e. politikë, dhe f. etikë.
Në vepra të tjera të tij, mësojmë nga Gazaliu edhe disa dituri dhe shkenca të tjera të përgjithshme si p.sh. në veprën “Er Risaletul-ledunijjet”, ai thotë se dituria njerëzore arrihet në dy mënyra; “Mësimi njerëzor dhe mësimi hyjnor”. Kështu, nëse ky pohim i Gazaliut qartësohet në kontekstin e “Rilindja e shkencave fetare”, atëherë duhet të themi se gjithë atë që ka trajtuar dhe ka prezantuar Gazaliu në kryeveprën e tij shkon sipas “Mësimit njerëzor dhe mësimit hyjnor”. Kështu, lexuesi i aftë, i shkathët dhe vizionar i këtij opusi përherë është në gjendje të zbulojë se cila pjesë nga kjo vepër është shkruar me të parën dhe cila është shkruar me të dytën. Megjithatë, të shtojmë se “Rilindja e shkencave fetare”, është një shkrim i ndërtimit tok të të dyjave. Gazaliu në shumë vepra të tij e përmend “Rilindja e shkencave fetare” dhe ka dëshiruar që kjo vepër të jetë indikator impulsiv i rilindjes fetare, gjegjësisht i rilindjes së shkencave islame për mbarë myslimanët, në të katër anët e botës. Andaj, nuk njohim ndonjë mendimtar që ka lënë aq ndikim të thellë te myslimanët, ashtu siç ka bërë Gazaliu, përkundër asaj që nuk ishte themelues i ndonjë medhhebi-shkolle të caktuar! Kështu, veprat e tij të tjera dhe vepra “Rilindja e shkencave fetare” kanë bërë një kthesë të madhe, dhe, pikërisht për këtë ndihmesë kolosale të tij, shumica dërrmuese e dijetarëve ia kanë dhënë epitetin “Rilindës i shekullit të pestë”, sipas hadithit, ku thuhet se “Vërtet Allahu në krye të çdo shekulli do të dërgojë ndonjë rilindës të fesë.” Prandaj, Gazaliu përveç që dëshiroi t’i përtërijë shkencat fetare, ai po ashtu në këtë vepër i sistematizoi ato, i bërë të efektshme dhe të ndërlidhura njëra me tjetrën. Kështu, “Rilindja e shkencave fetare” është e ndarë në dyzet libra, kurse këto dyzet libra janë të radhitura brenda katër vëllimesh në tërësi. Thuajse çdo libër i “Rilindjes së shkencave fetare” ka formën e veçantë, që është i ndarë në kapituj, ku Gazaliu i quan “sqarime”. Pikërisht për këtë Gazaliu ka dëshiruar që kjo vepër të jetë libër i lexueshëm, i kapshëm dhe i qartë, me një klasifikim të mrekullueshëm, që Tim Winter-i pohon se “Eruditët bashkëkohorë rëndom i japin komplimente stilit të qartë të ‘Ihja-it’, saktësisë të logjikshme të ndarjes së tij dhe mënyrën e shpjegimit të përmbajtjes”! Kështu, çdo të katërtën pjesë të ‘Ihja-it’ Gazaliu e quan rub’ (çerek), dhe këto katër pjesë janë:
a – dhjetë libra të para të ‘Ihja-it’ i kushtohet diturive, shkencave dhe adhurimeve
b – dhjetë libra të dytat të ‘Ihja-it’ i kushtohet etikës dhe traditave të jetës
c – dhjetë libra të treta të ‘Ihja-it’ i kushtohet çështjeve shkatërruese në jetë
d – dhjetë libra të katërta të ‘Ihja-it’ i kushtohet çështjeve shpëtuese në jetë
Vëllimi i parë i ‘Ihja-it’, përmban dhjetë libra, me këta kapituj: 1. Mbi diturinë, 2. Mbi bazat e besimit, 3. Mbi fshehtësitë e pastërtisë, 4. Mbi fshehtësitë e namazit, 5. Mbi fshehtësitë e zekatit, 6. Mbi fshehtësitë e agjërimit, 7. Mbi fshehtësitë e haxhit, 8.Mbi parimet e leximit të Kuranit, 9. Mbi përmendjen e Allahut dhe lutjet, 10. Mbi radhitjen e lutjeve fakultative sipas vakteve.
Vëllimi i dytë i ‘Ihja-it’ përmban dhjetë libra, me këta kapituj: 11. Mbi parimet e ngrënies, 12. Mbi parimet e martesës, 13. Mbi dispozitat e fitimit, 14. Mbi të lejuarën (hallallin) dhe të ndaluarën (haramin), 15. Mbi parimet e shoqërimit dhe miqësinë me njerëz të ndryshëm, 16. Mbi parimet e vetmimit, 17. Mbi parimet e udhëtimit, 18. Mbi dëgjimin dhe ndjenjën, 19. Mbi urdhërimin në të mirë dhe ndalesën nga e keqja, 20. Mbi parimet e jetesës dhe etikën e pejgamberllëkut.
Vëllimi e tretë i ‘Ihja-it’ përmban dhjetë libra, me këta kapituj: 21. Mbi shpjegimin e virtyteve të zemrës, 22. Mbi disiplinimin e shpirtit, 23. Mbi lëngatat e dy epsheve; epshi I barkut dhe epshi i organit gjenital, 24. Mbi lëngatat e gjuhës, 25. Mbi lëngatat e zemërimit, urrejtjes dhe zilisë, 26. Mbi përbuzjen e kësaj bote, 27. Mbi përbuzjen e pasurisë dhe koprracisë, 28. Mbi përbuzjen e famës dhe dyfytyrësisë, 29. Mbi përbuzjen e kryelartësisë dhe vetëpëlqimit, 30. Mbi përbuzjen e vetë magjepsjes.
Vëllimi i katër i ‘Ihja-it’ përmban dhjetë libra me këta kapituj: 31. Mbi pendimin, 32. Mbi durimin dhe falënderimin, 33. Mbi frikën dhe shpresën, 34. Mbi asketizimin islam, 35. Mbi njëshmërinë e Zotit dhe mbështetjen në Zotin, 36. Mbi dashurinë, mallëngjimin, miqësinë e ngushtë dhe kënaqësinë, 37. Mbi nijetin, çiltërinë dhe sinqeritetin, 38. Mbi vetëkontrollimin dhe vetëllogaritjen, 39. Mbi meditimin, 40. Mbi vdekjen.
Të gjitha temat në “Rilindja e shkencave fetare” Gazaliu i prezanton me metodologjinë ekzoterike dhe ezoterike. Shkrimi mbi shkencën, agjërimin, zekatin, haxhin, mësimin dhe këndimin e Kuranit famëlartë etj., që prezantohet përherë është si një diskurs, që ecën nga aspekti ekzoterik (i jashtëm) në atë ezoterik (të brendshëm). Ky kalim i metodologjisë së misticizmit islam nga njëri aspekti në tjetrin quhet ‘i’tibar’. Andaj, atë kalim të “i‘tibar-it” e shohim, për shembull kur Gazaliu flet për agjërimin, që nga agjërimi i barkut kalohet deri në agjërimin e duarve, këmbëve, syve, pastaj deri tek agjërimi me fjalë, nga këto agjërime të niveleve është edhe kredhja në agjërim me zemër etj.. Në këtë mënyrë, Gazaliu nëpërmjet kësaj metodologjie i bëri shërbime të mëdha myslimanëve, dhe e begatoi fjalorin me kuptime edhe metaforike. Këtu duam të theksojmë veprën e tij “Mishkatu-l-envar(4)”, atëbotë kur Musai a.s. shkoi për të pranuar relevatën, shpalljen, atëherë Krijuesi i gjithësisë i drejtohet, citoj ajetin kuranor: “Me të vërtetë Unë jam Zoti yt, andaj hiqi nallanet, sepse je në luginën e shenjtë Tuva!”(5) Por, siç pohon
dr. Ebu-l-ala Afijfi, protagonisti i kësaj vepre, “Gazaliu nuk merr në konsideratë vetëm nga aspekti ekzoterik, por ai hulumton fshehtësitë
hyjnore në brendësitë e tyre, duke hapëruar me një metodë specifike të interpretimit”. Andaj, shfuqizimi i kuptimeve ekzoterike është pikërisht mendim i ezoterikëve, batinitët të cilët shohin me sy të verbër, nuk e kuptojnë tërësisht ekuilibrimin ndërmjet tyre. Mirëpo, po ashtu shfuqizimi i kuptimit ezoterik është drejtim literalist Kështu, ata të cilët ekskluzivisht e veçojnë pikëpamjen e jashtme janë literalistët, kurse ata të cilët ekskluzivisht e veçojnë pikëpamjen e brendshme janë ezoterikët. Mirëpo, ata të cilët bashkojnë këto të dyja, atëherë vetëm ata si të tillë janë të përkryer! Prandaj, unë pohoj, vazhdon Gazaliu, se Musai a.s. e kuptoi urdhrin për zbathjen e (dy) këpucëve, për flakjen e të dy botëve, prandaj ai e zbatoi urdhrin sipas kuptimit ekzoterik me zbathjen e këpucëve të tij, kurse sipas kuptimit ezoterik me përflakjen e dy botëve. Ndaj, me shprehjen “dyzet libra” të kësaj vepre të vëllimshme, ai aludon në simbolikën e moshës së pjekurisë “dyzet vjet”, që përmendet në Kuranin famëlartë si një kthesë e moshës së njeriut. ‘… derisa të arrijë pjekurinë e vet dhe kur t’i mbushë dyzet vjet…’(6). Shumë komentatorë të Kuranit
famëlartë, komentojnë se “dyzet vjet” është si një kthesë e moshës së njeriut në jetë, që është mosha kur të dërguarit pranojnë relevatën e Zotit. Ndërsa disa komentatorë pohojnë se këtu ka edhe përjashtime, meqë disa të dërguar kanë pranuar relevatën nga Zoti para moshës “dyzet vjet” të jetës së tyre, si p.sh. Jusufi dhe Isai, paqja qoftë mbi ta!
Gazaliu këtë vepër e ka shkruar në një gjuhë të kapshme, që mund të kuptohet lehtë pa ndonjë vështirësi, për dallim nga ato vepra të tjera filozofike të tij, ku ai polemizon për termin e shkencës, përshkruan para së gjithash çështjet etike-religjioze dhe morale si dhe problemet e tjera të myslimanëve të asaj epoke. Gazaliu në këtë vepër, shpjegon rrugët e shpëtimit të myslimanëve nga shumë devijime brenda vetë religjionit, iluzioneve të shumta në fe dhe në besim, të cilat para se gjithash rrjedhin nga prania e madhe e metafizikës së huaj dhe mistikës në botën myslimane. Ai shpjegon të vërtetën e besimit islam, tregon obligimet e përbashkëta dhe individuale, udhëzon në rëndësinë dhe qasjen fetare-shkencore të botës dhe jetës. Kështu kjo vepër mbetet si një enciklopedi e rrallë e shkencave fetare dhe shoqërore, shkencë e kësaj bote dhe botës së përtejme. Duhet theksuar se Gazaliu shpreh mos kënaqësinë për bindjen e myslimanëve imitues, që nuk i mbetën besnikë detyrës së tyre “qëllimi i së cilës është ruajtja e besimit të vërtetë nga ngatërresat e bartësve të risive”. Ai është i pakënaqur me apologjetikën (kelamin), që shërbehet me metodat e filozofisë dialektike heleniste, po ashtu është i pakënaqur edhe me teologjinë dhe ligjet fetare që janë të lidhura ne pranimin e autoriteteve në mënyrë jo kritike nga ana e avangardës – dijetarëve. Kështu, kuptimi i kelamit te Gazaliu është më afër kelamit që definohet si “shkencë e cila na mëson të vërtetën e besimit islam me argumente logjike të sakta”. Pikërisht për këtë, kjo vepër flet mbi domosdoshmërinë e rilindjes së shkencave islame, me tematikën e saj dhe strukturën e argumentuar teologjike-filozofike dhe misticizmit islam, kur thotë; “Mendo mirë, gjyko dhe merr këshillë nga ai, që ka arritur tek e Vërteta pas një rrugëtimi dhe gjurmimi të gjatë, dhe pasi që është liruar nga imitimi i verbër taklid”. Ky imitim, për të cilin shkruan Gazaliu, është thjesht një pësim jo kritik të autoriteteve tradicionale në jurisprudencën islame, tefsir, hadith, akaid, kulturë, civilizim islam, filozofi, art, letërsi dhe në arsim, imitim kundër të cilit ai e ngriti zërin e tij. Por, këtu duhet theksuar se mendimi i disa myslimanëve, edhe pse ata, Gazaliut i japin rëndësi të madhe, prapëseprapë në kuptimin shoqëror-historik dhe civilizues nuk e kuptuan Gazaliun si muxhtehid, si reformator; meqë të tillët ende e trajtojnë Gazaliun vetëm në sufizëm spekulativ, të cilët janë jashtë realitetit dhe jashtë kontekstit të historisë.
Gazaliu në këtë vepër ka parashtruar mendimin duke i harmonizuar shkrimet e tij në lëmin e fikhut dhe usulit, ai ka treguar aftësinë e tij për dialektikë, paraqitje të argumentuar dhe pjekuri intelektuale në kritikën e mendimit filozofik, gjegjësisht në pranimin e disa qëndrimeve të tyre, kështu ai bën një ndikim të rrallë dhe të madh në lëvizjet shpirtërore dhe fetare në botën islame. Vepra është e rëndësishme sepse paraqet kriteret islame në shpjegimin dhe kuptimin e vetë termit shkencë, pozitën e saj dhe rolin brenda botës myslimane të shekullit X dhe XI (5 dhe 6 h.). Vlen për t’u theksuar, se për “Rilindja e shkencave fetar” janë shkruar komente të ndryshme me dhjetëra libra të vëllimshme, në një anë, kurse në anën tjetër, ka të tillë që e kanë përmbledhur në një libër. Andaj këtu duhet veçuar përmbledhja e “Ihja-it” në një libër nga vëllai i tij Ahmed el Gazali, “Ajka e rilindjes së shkencave fetare”. Madje mund të thuhet se kjo vepër e Gazaliu, në intervale të caktuara kohore është studiuar dhe trajtuar shumë edhe në Perëndim, sikurse në vetë botën islame, andaj është përkthyer në gjermanisht, spanjisht, boshnjakisht, kurse tani edhe në gjuhën tonë shqip, ndërsa në Lindje është përkthyer në persisht, urdo dhe turqisht-osmanisht. Këtu duam të theksojmë se kjo vepër e vëllimshme atëbotë ishte në program edhe në “Medresenë e Madhe” në Gjakovë, që ishte themeluar në vitin 1707, kurse e mbyllur dhunshëm në vitin 1948. Prandaj, nuk është e rastit që ky opus i vëllimshëm i Gazaliut fillon me kapitullin kushtuar diturisë, me të cilin hapet “Rilindja e shkencave fetare”. Gazaliu pjesën më të madhe të veprave i ka shkruar ndërmjet moshës dyzet dhe pesëdhjetë e katër të jetës së tij. “Rilindja e shkencave fetare” është kulm i opusit të Gazaliut, të gjitha përvojat intelektuale dhe shpirtërore të Gazaliut janë të përfshira në faqet e këtij libri. Këto janë, gjithsesi motive, që Gazaliun sërish e lexojnë brezat myslimanë dhe jomyslimanë nga periudha të ndryshme, intelektualë të ndryshëm, me kultura dhe qytetërime të ndryshme në të katër anët e botë, sikur që e lexojmë edhe ne tani në Kosovë dhe në botën shqiptare. Ky libër, që është përhapur thuajse në të katër anët e botës, e që rrezaton madje edhe në ditët tona, është një dëshmi e sinqeritetit të autorit, i cili fton në përmbajtjen tok të tekstit, arsyes dhe të traditës. Kur Gazaliu ishte në prag të kalimit nga kjo botë, të pranishmit kërkuan këshillë prej tij, atëherë ai ju tha: “Përmbajuni sinqeritetit!”, këto ishin fjalët e fundit të tij, që vdiq më 19 dhjetor 1111, por mbi 200 vepra të tij janë të pavdekshme.
Dhe në fund të kësaj trajtesë modeste, i shprehim mirënjohje të thella dr. Ali Iljazit, për këtë përkthim dhe shumë të tjera, që dhuroi një ndihmesë kolosale, ku e pasuroi bibliotekën shqiptare për lexuesit shqiptarë besimtarë, andaj Allahu e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet!


__________________________
* Ihja ulumu-d-din 1-5, Bejrut, 2002
1. Ebu Hamid el Gazali, Rilindja e shkencave fetare, (Furkan – Shkup), përkthyer nga boshnjakishtja prim. dr. med. sci. Ali F. Iljazi
2. Ebu Hamid el Gazali, Ozivljavanje vjerski znanosti, (Sarajevë, 2009). Nga parathënia e prof. dr. Enes Karic.
3. Ebu Hamid el Gazali, Shpëtimi nga lajthitja, (Mitrovicë, 1996), përkthyer nga boshnjakishtja Muhamed Iljaz Dolaku
4. Mishkatu-l-envar – Kandili i dritave, Logos A Shkup, përkthyer nga arabishtja Mulaim Shehu
5. Kurani famëlartë, 20-12.
6. Kurani famëlartë, El Ahkaf, 15.



Mulaim Shehu
Dituria Islame 393