Uganda - Përhapja e fesë Islame në Ugandë


Të dhëna statistikore:(1)

* Emri ndërkombëtar në anglisht: Republic of Uganda.
* Emri zyrtar: Republika e Ugandës.
* Sistemi i qeverisjes: Republikë.
* Sipërfaqja: 241,038 km².
* Numri i banorëve: 35.873.253 (2012).
* Dendësia: 137.1 (banorë në 1 km²).
* Feja: Muslimanë 12.1% (6, 16, 30%), (shumica dërrmuese e tyre janë sunitë), katolikë 41.9%, protestantë 42%, të pafe 0.9% dhe të tjerë 3.1%.
* Kryeqyteti: Kampala (llogaritet edhe qyteti më i madh në vend).
* Qytete të tjera: Kira, Gulu, Lira, Mbale, Nansana, Jinja, Mbarara, Entebbe, Kasese, Masaka, Soroti etj.
* Grupet etnike: Baganda 17.3%, Banvankole 9.8%, Basoqa
8.6%, Bakiga 7.0%, Iteso 6.6%, Langi 6.2%, Acholi 4.8%, Bagisu 4.7%, Lugbara 4.3% dhe të tjerë 30.7%. (sipas vlerësimeve të vitit 2002).
* Gjuhët kryesore: Angleze (gjuhë zyrtare), Ghanda, Luganda, Nilo-Saharan, Svahili dhe Arabe.
* Njësia monetare: Shiling Ugandez (1.00 UGX = 0.00029 EUR). * Data e pavarësisë: më 9 tetor 1962 (nga Britania e Madhe).
* Festë kombëtare: 9 Tetor (Dita e Pavarësisë së vendit).


Pozita gjeografke


Republika e Ugandës, si një ndër shtetet afrikane, shtrihet në pjesën lindore-qendrore të kontinentit të Afrikës, përkatësisht në mes të pesë shteteve fqinje dhe pa dalje në det. Uganda nga veriu kufizohet me Sudanin Jugor me një gjatësi prej 435 km, nga perëndimi me Republikën Demokratike të Kongos në një gjatësi deri në 765 km, nga jugu me Ruandën me një gjatësi prej 169 km dhe me Tanzaninë në një gjatësi deri në 396 km, si dhe nga lindja me Kenian me një gjatësi deri në 933 km. Ndërkaq, pjesa jugore e vendit përfshin një pjesë të madhe të brigjeve të liqenit Viktoria, i cili është i ndarë edhe me Kenian dhe Tanzaninë.(2) Republika e Ugandës bën pjesë në rangun e klimës tropikale, mirëpo vapën e madhe të vendit e zbut lartësia e madhe mbi nivelin e detit që ka vendi, dhe liqenet e mëdha aty. Rajonet perëndimore të vendit u shtrohen erërave tropikale të ajrit, që vijnë nga lumi Kongo. Pra, përgjithësisht, klima në vend është e butë, me ndryshim të vogël nëpër male. Temperaturat mesatare përgjatë janarit, si muaji më i nxehtë i vitit, arrijnë 17 deri në 24 gradë Celsius, kurse përgjatë korrikut, si muaji më i ftohtë i vitit, temperaturat mesatare arrijnë 16 deri në 21 gradë celsius. Ndërsa, në malet Rovenzora të vendit me lartësi deri në 2000 metra, temperaturat bien nën zero, dhe në ato malesh e më tutje, bie edhe borë.(3)
Kampala: Si kryeqyteti i Republikës së Ugandës dhe qyteti më i madh i vendit, ndodhet në jug të vendit, përkatësisht pranë lumit Viktoria. Përgjatë historisë së hershme të qytetit, hasim interesimin e të tjerëve për kryeqytetin Kampala, si një vend i preferuar për peshkim, ngase qyteti ishte në një zonë ujëvarash dhe tokë me lagështi, duke e bërë atë një regjion me shumë specie të gjahut, përkatësisht shtazësh të egra të vendit, prej të cilave më së shumti veçohet lopa e egër. Megjithatë, Kampala si kryeqyteti i Republikës së Ugandës, në kohët e fundit ka marrë kahjen e një qyteti të zhvilluar, edhe pse me hapa të ngadalshëm. Më 2001 është bërë zgjerimi i kufijve të qytetit, për të përfshirë zona dhe periferi që e rrethojnë kryeqytetin. Përgjithësisht, Kampala llogaritet edhe si një qytet industrial, njihet për prodhimet e tij petrokimike, të tekstilit, rrobave popullore, artizanatesh, prodhimesh tradicionale dhe për miniera të bakrit. Po ashtu qyteti është i njohur edhe si zonë e rëndësishme bujqësore, ku prodhohen farërat, pambuku, çaji, kallami i sheqerit, kikiriku dhe prodhime druri nga pyjet tropikale të qytetit. Tani numri
i banorëve të këtij qyteti arrin afërsisht deri në 1.659.600 banorë.(4)

Përhapja e fesë islame në Ugandë

Sipas vlerësimeve të historianëve, konstatohet se Feja Islame në Uganda ka arritur përmes rrugëve të tregtarëve muslimanë, të cilët vinin nga qendrat islame të Afrikës Lindore. Qendrat tregtare, nga të cilat depërtonte Feja Islame drejt rajoneve të Ugandës, kryesisht ishin keniane, si p.sh. këto qytete: Mombasa, Malindi dhe Lamu - të tri këto qytete të Kenias së sotme. Kurse, koha e shtrirjes së Fesë Islame nëpër rajonet e Ugandës së sotme ishte përgjatë gjysmës së parë të shekullit XIII hixhri -lunar- (në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX-të miladi -gregorian-). Gjithashtu, rreth përhapjes së Fesë Islame në zonat e Ugandës, kanë merita edhe ushtarët egjiptianë, të cilët i kishte dërguar Ismail pasha (mbreti i Egjiptit, që sundoi në periudhën prej 18 janar 1863 deri më 26 qershor 1879, e që ishte nipi i Mehmet Ali pashës,) për të zbuluar rajone të sipërme të lumit Nil dhe të burimeve të tij. Ushtarët e sipërpërmendur, gjatë asaj fushate, kishin arritur të kontaktonin edhe me popullatën e këtyre zonave dhe t›u ofronin atyre Islamin. Mandej, kur Uganda iu nënshtrua sundimit anglez, grupe muslimanësh nga India migruan në Ugandë, ku filluan të punonin në ara të pambukut, të kallamit të sheqerit dhe në shtrirjen e hekurudhës nëpër zonat përkatëse të vendit. Pra, ata muslimanë emigrantë luajtën një rol të rëndësishëm në paraqitjen dhe përhapjen e Islamit tek popullata e këtyre rajoneve.(5) Tani, vendbanimet e muslimanëve në Uganda shtrihen në zona të ndryshme të vendit, pa ndonjë përqendrim banimi vetëm në një zonë. Përveç kryeqytetit të vendit, ku muslimanët vendës marrin pjesë me një numër të madh dhe kanë një prani të konsiderueshme aty, ata i gjejmë edhe nëpër zona të tjera të vendit, si në Bugunda dhe në rajone të tjera lindore dhe veriore të vendit.(6)


Xhamia e Ugandës është një nga xhamitë më të mëdha në Afrikën Sub-Sahariane.

Historia e Ugandës

Emigrantët e ardhur nga juglindja e Sudanit në shekullin XVI në zonat e Ugandës së sotme, kishin themeluar mbretërinë Bunyoro. Ndërsa në shekullin XVII në rajonet e Ugandës u themelua mbretëria tjetër, me emrin Buganda, e cila, aty u bë një mbretëri e fuqishme. Kurse vetëm nga fundi i shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX tregtarët muslimanë arritën në Ugandë dhe, sipas mundësive që posedonin, predikonin Islamin. Pastaj, në Ugandë erdhën edhe grupet e para të lundërtarëve dhe eksploratorëve evropianë e të misionarëve të krishterë.(7) Mandej, në vitin 1894, Britania e Madhe ngriti Protektoratin e Ugandës dhe Ugandës i dha autonomi të pjesshme, duke e lënë atë nën mbikëqyrjen e udhëheqësit të saj Kabaka, si dhe nënshtroi çdo rezistencë që u paraqit kundër sundimit dhe ndikimit të saj. Ndërkaq, në vitin 1904 bujqitë Ugandës në vendin e tyre sollën kultivimin e pambukut, që ishte i panjohur deri atëherë.(8) Pas një periudhe të gjatë kohore, përkatësisht në vitin 1958 Uganda fitoi autonomi të brendshme, kurse në vitin 1962 Uganda fitoi pavarësinë e vendit nga Britania e Madhe, kur Milton Obote mori kryeministrinë e vendit. Një vit më pas, respektivisht më 1963, Uganda u shpall Republikë Federale, me në krye mbretin e Bugandës - Mutesa II, gjersa Mobutu mori kryeministrinë e vendit.(9)

Gjendja ekonomike

Republika e Ugandës është një vend bujqësor, kurse zhvillimi i saj ekonomik është i dobët. Prodhimi bujqësor i vendit ofron 50% nga prodhimi i përgjithshëm i vitit, kurse prodhimi industrial nuk ofron më shumë se 14%, e ai i transportit dhe i telekomunikacionit ofron vetëm 6%. Ndërsa, pjesa tjetër e të ardhurave të vendit vijnë nga shërbime të tjera dhe burime të ndryshme. Kolonializimi i vendit ka ndikuar në bllokimin e zhvillimit të sektorit industrial dhe përkufizimin e zhvillimit të bujqësisë në Republikën e Ugandës. Tregtia është vënë nën mbikëqyrjen e shtetit, prandaj shteti, duke kryer aktivitete tregtare me jashtë, bën edhe kontrollimin e eksportit të mallrave vendore. Prej mallrave më të rëndësishme që eksporton shteti, janë: kafeja, pambuku, çaji dhe duhani. Kafeja në Ugandë është e njohur qysh nga kohët e lashta, saqë ofrimi i kokrrave të kafesë për mysafirët është ende traditë e njohur tek banorët vendas. Edhe pse vendasit nga disa lloje të kafesë lokale prodhojnë një lloj pije, megjithatë kon sumi i kafesë në Ugandë si prodhim vendor, nuk është i madh, prandaj shumica e prodhimit të saj eksportohet jashtë shtetit. Pra, kafeja në Ugandë llogaritet prej produkteve më të rëndësishme bujqësore të vendit. Ndërkaq, mbjellja e pambukut dhe kultivimi i tij në Ugandë ka filluar që nga fillimi i shekullit XX dhe pambuku llogaritet prej produkteve më të rëndësishme të eksportit për vendin. Shteti organizon blerjen e pambukut nga kultivuesit vendas dhe më pas e eksporton jashtë. Në Ugandë kultivohet edhe çaj dhe klima e vendit favorizon kultivimin e kallamit të sheqerit, i cili gëzon cilësi të lartë vlerësuese. Në fushën e industrisë në Ugandë ka rezerva të mëdha mineralesh, disa prej të cilave janë të përmendura: bakër, kobalt, hekur, sulfur, fosfat kalciumi, zink, titan, ar, etj.(10)


_________________________
1) Amir B. Ahmeti; Atlas i Botës Islame, f. 118, 119. Logos-a, 2009, Shkup. Vladimir Zoto; Enciklopedi gjeografike e botës, f. 247. Dasara, 2007, Tiranë. Muhammed Atris; Muxhem Buldanil Alemi, f. 221. Mektebetul Adabi, 2007, Kajro. www.wikipedia.org. (Qasja më datën: 25.10.2014). www.xe.com. (Qasja më 25.10.2014).
2) Muhammed Atris; f. 220. www.moqatel. com. (Qasja më 25.10.2014). www.wikipedia.org. (Qasja më 25.10.2014).
3) www.marefa.org. (Qasja më 25.10.2014).
4) Amine Ebu Haxher; Mevsuatul Mudunil Islamijeti, f.. 125. Botimi i II-të. Daru Usame, 2010. Amman, Jordani. www.ar.wikipedia.org. (Qasja më 25.10.2014).
5) Dr. Muhammed Mahmud Es-sirjani; El Vexhiz fi gjugrafijjetul Alem El Islami, f. 289. Daru Alemil Kutubi,1997, Rijad.
6) Dr. Muhammed Mahmud Es-sirjani; f. 289.
7) Muhammed Atris; f. 221.
8) Po aty, f. 221.
9) Po aty, f. 221.
10) www.marefa.org. (Qasja më 26.10.2014).



Mr. sc. Samir B. Ahmeti


Artikulli i kaluar
Islami në Andaluzi

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?