“Tregon Ebu Hurejra se vërtet Resulullahun a.s., duke u kthyer natën nga beteja e Hajberit, nga lodhja e kishte kapluar kotja, Ai u stacionua në një vend për pushim. I tha Bilalit: “Na bëj kujdestari (për të na zgjuar për namazin e sabahut). Bilali u fal gjatë natës aq sa dëshiroi. Resulullahu a.s., kishte fjetur me shokët e tij. Kur u afrua mëngjesi, Bilali ishte mbështetur në devenë e tij në drejtim të lindjes së mëngjesit. Bilalin e kishte kapluar gjumi ashtu mbështetur në devenë e tij. As Resulullahu e as shokët e tij nuk u zgjuan derisa i zgjoi dielli. I pari që u zgjua, ishte Resulullahu. I trembur, Resulullahu a.s., thirri: “O Bilal”! Bilalli u përgjigj: “Për babën dhe nënën (sakrifikofsha babanë dhe nënën time për ty!) Ai që të mori ty (gjumi), më mori edhe mua. Resulullahu tha: “Përgatitni kalorësinë (devetë dhe kuajt) për udhëtim. Pastaj mori abdes dhe urdhëroi Bilalin për ikamet të namazit. E falën namazin e sabahut dhe, pasi që e kryen namazin, tha: “Kush e harron namazin pa e falur, le ta falë atëherë kur t’i kujtohet se vërtet Allahu ka thënë: “Faleni namazin për të më përkujtuar Mua”.(1)

Fjalët e panjohura në hadith

Fjala Kafele d.m.th. është kthyer, duke u kthyer.
Fjala El-kera d.m.th. kotje, dremitje.
Fjala arrase-tearisun të ndalesh nga udhëtimi, në fund të natës e të stacionohesh për pushim.
Fjala Ekl’e ka kuptimin e kujdestarisë, ruajtjes për namazin e sabahut, për t’i zgjuar kur të dalë mëngjesi i vërtetë (fexhrus-sadik) për t’u falur.
Pjesa e hadithit muvaxhihulfexhri, ka kuptimin e të kthyerit në drejtim të lindjes, nga vjen mëngjesi, për ta ruajtur atë.
Fjala fezea ka kuptimin e trembjes dhe zgjimit të menjëhershëm.

Shpjegimi i hadithit

Ky hadith është nga hadithet bazë që argumentojnë namazin kaza. Kjo ngjarje që i kishte ndodhur për herë të parë Resulullahut, ishte një urtësi e madhe, e cila na tregon dhe na mëson se edhe vetë Resulullahu a.s., me shokët e tij (ashabët) e falën namazin e sabahut kaza pas lindjes së diellit. Edhe pse arsyeja ishte e fortë, pasi që të gjithë ata i kishte kapluar gjumi, shprehja “Kush e harron namazin, le ta bëjë kaza, le ta falë” është urdhër për namazet kaza. Urdhri këtu tregon detyrim dhe nuk kufizohet vetëm për raste harrese, po përfshin të gjitha rastet, sepse, nëse është obligim kazaja për atë që ka harruar, atëherë është më me prioritet obligimi se qëllimi.
Sipas këtij hadithi, ai të cilit i ikën namazi pa arsyetim të ligjshëm, e ka obligim për ta falur namazin kaza menjëherë si t’i kujtohet. E nëse i ikën namazi me arsyetim të ligjshëm, i lejohet ta vonojë namazin kaza. Këtë e bazojmë në praktikën e Resulullahut a.s., në këtë hadith, kur namazi i kishte ikur me arsyetim të ligjshëm (për shkak të gjumit). Kur u zgjua, Resulullahu a.s. urdhëroi përgatitjen e kalorësisë për udhëtim dhe braktisjen e atij vendi për t’u vendosur në një vend tjetër të afërt, për ta falur më pastaj namazin kaza. Kështu, Resulullahu a.s., nuk e fali namazin kaza menjëherë, por pasi u vendosën në një vend tjetër. Shkakun pse Resulullahu e braktisi atë vend ku i kishte zënë gjumi, e shpjegon më së miri versioni tjetër i hadithit, ku thotë: “Në këtë vend ka prezantuar shejtani”.(2)
Prandaj Resulullahu urdhëroi që ta lëshonin atë vend ku kishin fjetur gjatë natës.

Mendimet e dijetarëve për namazin kaza

Në librin “El-hidaje” të drejtimit hanefi thuhet: “Kujt i ikën namazi, e fal kaza atëherë kur t’i kujtohet, dhe (namazit kaza) i jep përparësi ndaj farzit të kohës së rregullt”.(3)
Këtu sqarohet shumë qartë se namazi kaza duhet të falet, bile i jepet përparësi para farzit të kohës së rregullt. Kjo përparësi vjen për shkak të radhitjes (et-tertib) që tek hanefitë është e detyrueshme. Për këtë hanefitë argumentojnë me hadithin: “Kujt i ikën namazi për shkak të gjumit apo se harron për ta falur, e nuk e kujton përveçse kur është duke u falur me imam, atëherë le ta falë atë në të cilin është lidhur, e pastaj le ta falë atë që i është kujtuar, e pastaj le ta përsërisë atë që e ka falur me imam”.(4)
Kush është duke falur ikindinë dhe në çast i kujtohet se nuk e ka falur drekën, atëherë namazi i ikindisë është i papranueshëm, i prishur. Mirëpo, nëse ka frikë se po i kalon namazi i rregullt farz i kohës së vet, atëherë i jep përparësi namazit të rregullt kundrejt namazit që i ka kaluar. Ngase radhitja e vakteve bie kur ngushtohet koha e namazit të rregullt. Kjo ndodh edhe kur e harrojmë namazin apo kemi shumë namaze kaza. E nëse koha është e gjerë, e mjaftueshme, nuk lejohet t’i jepet përparësi farzit të rregullt para namazit kaza, ngase e ke kryer para kohës së vërtetë. Këtë e argumentojmë me hadithin: “Nëse të kanë ikur shumë namaze, atëherë radhitja në kaza është sikur radhitja në kohën e duhur”. Pejgamberi a.s., në luftën e Hendekut ishte i zënë duke bërë hendek e nuk kishte mundur t’i falte me rregull katër kohë të namazit.(5)
Ato i bëri kaza duke i radhitur së pari drekën, ikindinë, akshamin e pastaj jacinë. Pastaj tha: “Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur”.(6)
E nëse kohët e namazeve kaza janë shumë se namazet obligative të një dite, ose namazet të cilat kanë kaluar pa i falë janë gjashtë namaze njëra pas tjetrës), atëherë edhe në mes tyre bie radhitja (et-tertib). Që do të thotë se, nëse besimtarit i kalojnë pesë namaze e më pak, ai se pari i falë namazet kaza sipas renditjes se tyre e pastaj namazin e kohës përkatëse, e nëse i kalojnë gjashtë namaze njëra pas tjetrës e më shumë, atëherë ai e falë namazin e kohës përkatëse e pastaj i bënë kaza namazet e kaluara. Kufiri i namazeve të shumta është tek numri gjashtë. Ngase ky numër del nga radhitja për shkak se fillon në ditën tjetër.(7)
Kush e ka falur namazin e ikindisë e më pastaj i kujtohet se nuk e kishte falur drekën, atëherë namazi i ikindisë është i prishur, përveç nëse ndodhet në fund të kohës së rregullt. Kjo për shkak se tertibi – radhitja është e domosdoshme. Po ashtu, nëse e ke falur namazin e sabahut, e më pastaj të kujtohet se nuk e ke kryer namazin e vitrit, atëherë, sipas Ebu Hanifes, namazi i sabahut është prishur për shkak se vitri është vaxhib.
Ndërkaq, sipas Ebi Jusufit dhe Muhamedit, namazi i sabahut nuk prishet për shkak se vitri është synet që i bashkëngjitet jacisë. Nuk vlen radhitja (tertibi) ndërmjet farzit dhe synetit. P.sh. Nëse ndonjëri e ka falur namazin e jacisë, pastaj ka marrë abdes dhe i ka falur synetet dhe vitrin, pastaj i është kujtuar se jacinë e ka falur pa abdest, atëherë, sipas Ebu Hanifes, përsërit namazin e jacisë dhe synetet, jo edhe vitrin, ngase ky është obligim – vaxhib, e vaxhibi është namaz në vete, që nuk ndërlidhet me jacinë dhe nuk përsëritet. Sipas Ebu Jusufit dhe Muhamedit, të gjitha përsëriten,(8) se namazet pas jacisë janë synete që i janë bashkëngjitur jacisë.
Për namazin kaza kemi edhe hadithin që e transmeton Imam Ahmedi:“Ajo që ju ka ikur, bëjeni kaza”.(9)
I mendimit për namazin kaza është edhe Imam Shafiu, i cili radhitjen nuk e sheh të domosdoshme, por e konsideron të pëlqyer (mustehab). Pra, Imam Shafiu namazin kaza e sheh si detyrim për çdo person që i ka ikur qoftë nga gjumi, harresa apo edhe qëllimisht. Mirëpo, ky nuk e sheh si obligim radhitjen dhe mendon se namazi i kohës së rregullt ka përparësi ndaj namazit që është kaza. Sepse çdo farz është bazë në vetvete, e nuk është kusht për tjetrin. Kushti është diçka që i bashkëngjitet. Kështu në mes bazës dhe bashkëngjitjes ka mospajtim dhe dallim.(10)
Për argument nga hadithi i Resulullahut a.s., për faljen e namazit kaza, kemi edhe situatën e krijuar në luftën e Beni Kurejdhas, kur Pejgamberi a.s., urdhëroi e tha: “Assesi të mos e falë askush ikindinë, përveçse te Beni Kurejdha”.(11)
Disa ashabë, nga angazhimi i tyre (ixhtihadi), këtë ndalesë e kishin kuptuar ndalesë të vërtetë. Ata e vonuan faljen e ikindisë deri pas perëndimit tëdiellit (derisa arritën te Beni Kurejdha). Ndërsa disa ashabë të tjerë, me angazhimin e tyre, e kishin kuptuar se qëllimi i ndalesës ishte nxitja për të shpejtuar. Ata namazin e ikindisë e falën në kohën e tij. Kur u informua Pejgamberi a.s. për këtë që kishte ndodhur, veprimet e të dy grupeve nuk i qortoi dhe as i urreu, po i pëlqeu”.(12)
Pra, grupi i parë e ashabëve namazin e ikindisë e kishin falur pas perëndimit të diellit. Këtë veprim të tyre Pejgamberi a.s. nuk e qortoi, po e pëlqeu dhe e miratoi. Ky namaz i tyre ishte kaza, sepse ishte falur jashtë kohës së rregullt të ikindisë.
- Hadithi bazë tregon se, për synetet e rregullta është e pëlqyer – mustehab kryerja e tyre kaza. Kjo reflektohet në bazë të praktikës së Resulullahut në këtë ngjarje, se ai kishte bërë kaza farzin dhe synetin e sabahut. Po ashtu këtë e dëshmojnë edhe versione të tjera të haditheve.
- Në hadithin bazë vërehet se para farzit është bërë edhe ikameti: “Resulullahu a.s. e urdhëroi Bilalin për të bërë ikamet”. Por, vërehet se ezani nuk është thirrur në namazin kaza, edhe pse në betejën e Hendekut ishte thirrur ezani edhe për namazet kaza.
- Mospërmendja e ezanit në hadithin bazë ka dy variante:
** Ka mundësi transmetuesi i hadithit ta ketë harruar ose të mos kishte njohuri të plotë për situatën.
** Ose Resulullahu a.s. këtë herë nuk e kishte praktikuar ezanin për të sqaruar se nuk është vaxhib dhe mundet të lihet në namaze kaza.
- Në hadithin bazë vërehet se namazi i natës vlen edhe për udhëtarin – mysafirin. Kjo reflekton nga veprim i Bilalit r.a.: “Bilali u fal gjatë natës aq sa dëshiroi..”...
- Hadithi bazë tregon se duhet të merren parasysh patjetër shkaqet që mundësojnë kryerjen e namazeve farz në kohën e rregullt. Këtë e nxjerrim nga shprehja kur Resulullahu i kishte thënë Bilalit: “Na bëj kujdestari (për të na zgjuar për namazin e sabahut) gjatë natës. Për kohën e sotme, për t’u zgjuar mund të përdoren zilja e orës, e telefonit etj..
- Në disa versione të tjera thuhet: “I pari që ishte zgjuar nga gjumi pas lindjes së diellit, ishte Ebu Bekri r.a. e pastaj Omeri r.a.. Ky i fundit iu afrua Resulullahut, por kishte turp që Mësuesit më të madh që ka dërguar Allahu, t’i thoshte të ngrihej e ta falte namazin. Nxënësi nuk duhet t’i thotë kurrë mësuesit ‘ngrihu e fale namazin’. Atëherë Omeri r.a., sipas një versioni tjetër, filloi të merrte tekbire: Allahu ekber ... Allahu ekber, e përsëriste derisa u zgjua Resulullahu a.s., më pas e thirri Bilalin r.a. e i tha: “Pse nuk na ke zgjuar?” Ai i tha: “Ai që t’i mori ty sytë, m’i mori edhe mua”! Qeshi Resulullahu e pastaj i tha që të thërriste ezanin. Resulullahu u fal së bashku me ashabët e Tij”.(13)

Kush ishte Bilali r.a., ky personazh i hadithit?

Meqenëse në hadithin bazë, tërë ngjarja zhvillohet rreth Bilalit r.a., domosdoshmërish vlen të ceken disa përgjigje për pyetjet që mund të shtrohen rreth këtij personaliteti të pazëvendësueshëm në historinë e Resulullahut a.s.. Kush është myezini i parë? Kush ishte i pari që lartësoi zërin e së vërtetës, në minaren e vërtetë të botës së vërtetë? Ai ishte një rob i dobët, i mjerë, që e ngriti kjo fe dhe e bëri prej trashëgimtarëve të Xhenetit.
Ai është Bilal ibn Rebah. Emër i dashur për besimtarët, e zëri i tij i bën të etur e të mallëngjyer të gjithë ata që e lexuan, e mësuan dhe e lartësuan ezanin e fesë islame. Bilali r.a., si çdo musliman, kishte dy lindje. E para, kur e lindi e ëma në këtë botë, dhe e dyta lindi kur e pranoi këtë fe. Ai i kishte jetuar dy jetë: Jetën e parë si rob e mbushur përplot mizori e dhunë. Në këtë jetë ishte i pavlerë, i pa ndihmuar, i izoluar nga familja, ishte një rob i nënshtruar dhe i përbuzur. Kur e kishte parë Pejgamberin a.s. për herë të parë, e kishte dashur. Kjo dashuri e tij ia kishte pushtuar zemrën, sytë, veshët. Ai lëvizte dhe ecte me dashuri të Resulullahut a.s.. Kjo dashuri i solli Bilalit edhe pranimin e Islamit, fjalën La ilahe il-lallah. E donte këtë fe, sepse është kundër robërisë dhe skllavërisë së njeriut. Njeriu lind i lirë dhe duhet të jetojë i lirë në jetën e tij. Fjala La ilahe il-lallah i kushtoi shumë – e rrahën, ushtruan ndaj tij mizori, dhe e persekutuan, por ai nuk u mposht asnjëherë. E liroi nga robëria Ebu Bekri r.a. dhe, ashtu siç ishte me rroba të shqyera, mishi dhe gjaku i pikonin nga torturat e rënda, shkoi te Resulullahu a.s., i cili e mori, e përqafoi dhe e shtrëngoi për trupi ashtu sikur e merr nëna për gjoksi fëmijën e vet. U lut për të dhe e emëroi myezin të tij personal, myezinin e parë në historinë e fesë islame. Kur e thërriste Bilali ezanin Allahu Ekber ... Allahu Ekber ... trupi i besimtarëve dridhej, lëkura rrëqethej mu ashtu sikur ta zërë rryma njeriun. Në momentet më të mërzitshme, më shqetësuese Resulullahu a.s. e thërriste Bilalin dhe i thoshte: “Na qetëso me namaz, o Bilal!”(14)
Atëherë Bilali r.a. ngrihej dhe e thërriste ezanin. Një ditë Resulullahu a.s. i tha Bilalit r.a.: “Më trego veprën më madhështore që e bën në Islam, se vërtet unë e kam dëgjuar zërin e nallaneve (këpucëve) të tua në Xhenet, para duarve të mia”. A ka shpërblim më të madh dhe çmim më të lartë për njeriun sesa të njoftohet se është prej banorëve të Xhenetit duke qenë ende në këtë botë?! Bilali r.a. iu përgjigj Resulullahut a.s.: “Punë më madhështore nuk kam bërë se sa herë që jam pastruar gjatë ditës a natës, me atë pastërti kam falur namaze aq sa kam dëshiruar”.(15)
Kur Resulullahu a.s. e çliroi Mekën, e pastroi nga idhujt dhe ikonat e paganizmit dhe tërë sheshi i Qabesë ishte mbushur me mbi dhjetë mijë ashabë, e ky po e kërkonte Bilalin për të hipur mbi Qabenë dhe për ta thirrur ezanin, erdhi Bilali në atë turmë të madhe dhe hipi mbi Qabe e filloi të thërriste ezanin, - të gjithë qanin, deri dje - një rob i torturuar, sot - njeri i zgjedhur në mesin e dhjetë mijë personave! Çfarë pamje, çfarë krenarie, çfarë drejtësie, çfarë revolucioni në personalitetin e Bilalit!


____________________________________________
1) “Sahihu Muslim”, Kitabul mesxhid, v.1 f. 471, nr. 680.
2) “Sahihu Muslim”, v. 5 f. 450, nr.1098.
3) Ebi El-Hasen El-Merginanij, “El hidaje” shehu bidajetilmubtedi, v.1 f. 78.
4) “Sunen Ed-Dare Kutnij”, v.1, f. 421; “Sunen El-Bejhekij”, v. 2 f. 221.
5) Ibnul Hemami El-Hanefij, “Fet’hul Kadir”, v.1 f. 507; “Sunen Et-Tirmidhij”, nr. 179.
6) “Sahihul Buhari”, v. 3 f. 7 nr. 595.
7) “El-Hidaje”, El-Merginanij, v.1 f. 79.
8) Ebi El-Hasen El-Merginanij, “El-Hidaje sherh bidajetil mubtedij”, v.1 f. 79.
9) Imam Ahmed, “Musned”, v. 2 f. 418.
10) Ibnul Hemami El-Hanefij, “Fet’hul Kadir”, v. 1 f. 503.
11) Ibn Haxher, “Fet’hul Bari”, v. 4 f. 1510, nr. 3893.
12) Mr. Musa Vila, “Bazat e Hadithit”, f. 39. Bot. 2009, Prishtinë.
13) “Sahihul Buharij”, v. 4 f. 169; “Sahihu Muslim”, v. 1 f. 475, nr. 682.
14) Sunen Ebi Davud”, v. 4 f. 96, nr. 4985; “Musned Ahmed”, v. 5 f. 364. 15) “Sahihul Buhari”, v. 2 f. 48; “Sahihu Muslim”, v. 4. f. 910, nr. 2458.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?