Islami fe e paqes (2)

Xhihadi - lufta

Këto dy terme e zëvendësojnë njëra tjetrën, mirëpo me të parën bëhen manipulime të ndryshme nga ata që nuk e dinë kuptimin e fjalës" xhihad".
Perëndimi, por edhe te ne thonë apo mendojnë se xhihadi është t'ua këpusësh kokat njerëzve. Ky mendim është i gabuar plotësisht. Xhihadi është luftë e drejtë në vetëmbrojtje, ose çlirim nga robëria-okupimi, e ata që vriten në luftë për fe dhe atdhe, Allahu i Lartësuar për ta thotë në Kuran: "Allahu nuk është që t'i lë besimtarët ashtu siç jeni, pa dalluar të keqin nga i miri. Allahu nuk ju zbulon juve të fshehtat (e të dini se ç'mbajnë në zemrat e tyre). Por, Allahu është Ai që nga të dërguarit e vet zgjedh atë që do (e i zbulon ndonjë të fshehtë). Prandaj, besoni Allahut dhe të dërguarit të Tij, e në i besofshi dhe nëse ruheni, atëherë ju keni një shpërblim të madh. Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha Allahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre. Ajo e mirë me çka bënë koprraci, në ditën e kiametit do t' u mbështillet në qafën e tyre. Allahut i mbesin trashëgim qiejt dhe toka, Allahu është i njohur mirë më atë që veproni. Allahu ka dëgjuar fjalën e tyre që thanë: "Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!" Ne do të shënojmë atë që thanë ata dhe që i mbytën pejgamberët pa kurrfarë faji, e do t'ju themi: "Vuani mundimin e djegies së zjarrit." (Ali Imran, 179-181)
Xhihadi nuk bëhet vetëm në luftë. Xhihadi është mundë, përpjekje në të mirë të njerëzimit. Ushtari që ruan kufirin bën xhihad, mjeku që përpiqet të shpëtoj jetën e pacientit bën xhihad, mësuesi i cili jep mundin maksimal për t'i mësuar nxënësit bën xhihad, largimi nga malli i huaj është xhiha d, thënia e të vërtetës para sunduesit tiran është xhihad. Pejgamberi a.s. kur është kthyer nga një luftë ka thënë: "Po kthehemi nga një xhihad i vogël, e po shkojmë në një xhihad të madh! Shokët i thanë çka është xhihadi i madh, o i Dërguar i Allahut, ai tha: "Xhihadi me vetveten".
Kohëve të fundit po flitet rreth luftëtarëve, apo muxha-hidëve si po e quajnë vetën, ata të cilët po shkojnë në Siri në luftë kundër regjimit të egër të Beshar Asadit.
Edhe përkundër që Myftiu dhe zyrtarët e tjerë të BIK-ut, që janë edhe kompetent për këtë, kanë dhënë deklaratat zyrtare për këtë, edhe unë po e jap mendimin tim për këta luftëtarë që shkojnë në Siri për të luftuar.
Lufta është obligim personal dhe obligim i mjaftueshëm. Obligim personal është kur sulmohet vendi, shteti, qyteti atëherë është obligim i të gjithëve për ta mbrojtur vendin, edhe gruaja duhet të dalë me leje të burrit dhe pa të, ngase është sulmuar vendi, e duhet të ruhet pragu i shtëpisë, kurse obligim i mjaftueshëm është kur dikush shkon në luftë, obligimi bie nga të tjerët.
Po të ishte sulmuar Siria nga jashtë kishte bë të shkojë dikush, por edhe atë duke i plotësuar disa kushte. Në kohën e Muhamedit a.s. një djalë i ri i thotë Pejgamberit a.s, dua të vi edhe unë të bëjë xhihad, Pejgamberi a.s. tha: "Ai ke prindërit gjallë? Ai tha po, Muhamedi a.s. i tha: xhihadi yt është të kujdesesh për ta". Nga kjo del se përkujdesja për prindërit është xhihad, ose së paku duhet të merret leja e prindërve për të shkuar në luftë. Edhe një rast tjetër kur kanë dal shumë vullnetarë për të shkuar në luftë, e Pejgamberi a.s. tha kush ka borxhe le të del nga rreshti, ngase ai mund të bie dëshmor, por borxhi mbetët barrë në shpinë.
Lufta, si u cek më lartë është lejuar për mbrojtjen e vendit, mbrojtjen e nderit dhe pasurisë. Por, edhe për ta çliruar vendin nëse është okupuar. Edhe pejgamberëve para Muhamedit a.s. iu është lejuar lufta, Musait a.s. iu lejua të luftoi Faraonin, Davudit a.s. iu lejua të luftoi kundër amalikëve, etj.
Edhe Pejgamberit të fundit Muhamedit a.s. iu lejua lufta në vetëmbrojtje. Ai dhe myslimanët lanë vendlindjen dhe u vendosën në Medine, vetëm për t' i ikur gjakderdhjes pas shumë padrejtësive që iu bënë myslimanëve. Mirëpo, idhujtarët i provokonin edhe në Medine. Pas këtyre provokimeve Allahu i Lartësuar ia zbriti këtë ajet të Kuranit: "Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)". (El-Bekare, 190).



Ky ajet jep të kuptohet se lejohet lufta në vetëmbrojtje, mbrojtje të fesë, vendit, ose mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Ose sikur thotë komentuesi Ibni Kethiri në komentimin e këtij ajeti: "D.m.th. luftoni në rrugën që porositi Allahu dhe mos i kaloni kufijtë në atë. Në këtë hyn veprimi i gjërave të ndaluara". Ose siç thotë Hasan el Basriu të mos bëni masakra, mos tejkaloni, mos vritni gra, fëmijë, njerëz të fesë të cilët nuk kanë ndikim në luftë, mos vritni priftërinj që janë të ngujuar që (rrinë në manastire), mos digjni pemë, mos mbytni kafshë pa nevojë.
Pejgamberi a.s. e kishte zakon t'i porosiste ushtarët kur niseshin në ndonjë luftë, e që vet nuk ishte në krye të asaj ushtrie: "Nisuni me emrin e Allahut dhe bereqetin e Pejgamberit të Tij. Mos mbytni plak të mbetur nga pleqëria, mos mbytni fëmijë, as gra, bëni mirë se Allahu i do bamirësit. Keni kujdes, mos imitoni (mos bëni si të tjerët) as me një qen të plagosur."
Edhe kalifët pas tij e ndoqën rrugën e tij që ua kishte trasuar ai. Ebu Bekri, kalifi i parë kur e përcolli ushtrinë në krye me Usame bin Zejdin, kjo ishte ushtria e parë që luftoi pas vdekjes së Pejgamberit a.s. tha: "O njerëz ndaluni t'ju këshilloj me dhjetë gjëra dhe mbani mend prej meje: Mos mashtroni, mos tradhtoni, mos e teproni, mos bëni si të tjerët (mos masakroni), mos mbytni fëmijë të vegjël, as pleq të shtyrë në vite, e as gra. Mos i dëmtoni hurmat dhe mos i digjni ato, mos preni pemë frytdhënëse dhe mos preni delet, lopët e as devetë pa nevojë, përveç për të ngrënë ushtria.
Gjatë kësaj porosie na bëhet e qartë, se ajo nuk ishte rezultat i përpjekjes së tij personale, po ajo ishte burim nga Kurani fisnik, i cili edukon shpirtrat dhe ka vu baza e themele të cilat rregullojnë të gjitha punët e jetës. Nuk ka dyshim, se kalifi Ebu Bekëri kur i porositi ushtarët e tij, përfaqësonte fjalët e Allahut të Lartësuar:
"Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)". (El-Bekare, 190).
Në ajet shohim, se Kurani nuk lejon mbytjen për arsye të mbytjes, por e lejon atë në vetëmbrojtje, për të mbrojtur fenë, vendin dhe në mbrojtjen e nderit njerëzor. Ka edhe shumë porosi tjera nga kalifët tjerë, por unë po mjaftohem me këto porosi që i përmenda.
Tash do të përmendi edhe porositë e të tjerëve (porositë e Papa Urbanit të Dytë). Deri në vitin 1054 ishin bashkë romak-bizantinët, njëherësh edhe kishat, por pastaj u ndanë, kisha lindore me seli në Kostandinopojë dhe kisha perëndimore me seli në Romë (Vatikan). Imperatori bizantin Kasios Kornnejni edhe pse ishin ndarë, kërkoi ndihmë nga Papa Urbani i Dytë, ngase i kërcënohej rreziku nga myslimanët. Andaj Papa Urbani për të qenë më superior ndaj kishës lindore iu përgjigj atij dhe për atë caktoi vendin e tubimit në Klermont, në jug të Francës, ngase edhe Papa Urbani i Dytë ishte francez.
Ai për t'i nxitur luftërat kryqtare, më 26 nëntor 1095, mbajti fjalimin e njohur në Klermont, ku në fillimin e fjalimit të tij ai tha: "Me ndihmën e Zotit do të pushojnë operacionet luftarake ndërmjet të krishterëve në Evropë. Tash e tutje këta luftëtarë do të nisen me armët e tyre për të nënshtruar të pa fetë (që për të ishin myslimanët)".
Mes tjerash, Papa me zë të lartë para masës së madhe, deklaroi edhe këtë: "Deri tash keni bërë përpjekje të pandërgjegjshme, keni ndezur zjarrin e luftës e të përçarjes ndërmjet jush dhe tash shkoni e shqetësoni barbarët, e çlironi vendet e shenjta nga duart e jobesimtarëve. Ato vende t'i bëni prona tuaja, sepse në ato vende, sipas Tevratit, rrjedhin qumësht dhe mjaltë". Ai vizitoi edhe vende tjera dhe kudo që shkonte nxiste për luftë. Në Klermont e mbylli fjalimin me deklaratën e tij, se ai që do të merrte pjesë në këto luftëra, do t'i faleshin mëkatet pa marrë parasysh a janë ato të mëdha apo të vogla dhe ai do të hynte nën mbrojtjen e kishës.
Madje ende pa e përfunduar fjalimin e tij të "famshëm" Papa Urbani i Dytë, kishin ardhur mijëra njerëz me kryqe të drurit në duar me ç'rast, Papa ua vuri ata kryqe në krahun e djathtë dhe për këtë janë quajtur, këto luftëra kryqtare, pasi që kryqi u bë simbol i luftës. Kjo fushatë luftë nxiste u zhvillua në periudhën janar-qershor 1096.



Bajrush Ahmeti
Dituria Islame 315


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?