Florim ef. Mellova
Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim
Lavd-falënderimet dhe frikë-rrespektet i takojnë vetëm Allahun, Zotit të gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen e tij të ndershme, shokët e tij besnikë, të drejtë e të sinqertë, si dhe mbi të gjithë pasuesit e rrugës së tij deri në Ditën e Gjykimit.
Të nderuar besimtarë!
Islami i ka edukuar bijtë e vet që ata ta ndiejnë thellë ndjenjën e unitet, vëllazërisë, afërsisë, dashamirësisë, respektit, sepse ata i takojnë një ummeti islam dhe po në këtë Islam kanë thirrur të gjithë të dërguarit e Allahut që nga Ademi (alejhi selam) e deri te Muhamedi (salallahu alejhi ue selem).
Allahu i Lartësuar në Kuran ka thënë: “Kjo fe (Islami) është e juaja dhe është e vetmja fe (e shpallur), kurse Unë jam Zoti juaj, pra më adhuroni vetëm Mua”. (Enbija 92)
Edhe hadithet, thëniet profetike, janë të shumta që e ushqejnë besimtarin me ndjenjën e vëllazërisë dhe dashamirësisë. Muslimanët duhen të jenë si një trup dhe të dashur me njëri-tjetrin, sepse kështu realizohet vëllazërimi i sendërtuar mbi bazat e imanit.
Këtë hutbe të xhumasë dua ta filloj me pyetjen, ashtu siç e kam emërtuar temën e kësaj xhumaje, çka pas festës së Kurban Bajramit?
Padyshim përgjigjja është të vazhdohet të kontribohet, të sakrifikohet, të punohet dhe të ndihmohet për të tjerët në ato mënyra ku mundemi të ndihmojmë, pse jo edhe vetën ta lëm keq kur është në pyetje ndihma për tjetrin.
Sakrifica më e madhe për Allahun e Madhëruar, dhe puna e ndihma më e madhe për familjen, të afërmit dhe nevojtarët në festën e Kurban Bajramit është therrja e KURBANIT.
Vërtet kanë bërë një punë të madhe ata që kanë thërr Kurban, Allahu ua past pranuar të gjithë atyre Kurbanët e therrur.
Për vlerën e madhe të Kurbanit, dëshmon thënia e Muhamedit a.s ku thotë: “Ditën e Kurbanit Bajramit, njeriu nuk bën punë më të dashur tek Allahu, sesa derdhja e gjakut (të kurbanit). Vërtet Kurbani do të vijë Ditën e Gjykimit me brirët, leshin dhe thundrat e tij. Para se të bjerë në tokë, gjaku i tij bie në një vend tek Allahu, prandaj pastroni me to vetën tuaj”.
Një nga sjelljet e larta që muslimani i fiton nga mësimet e fesë së vet është sakrifica për tjetrin. Sa herë që e sheh se ka vend për të flijuar të mirën vetjake në të mirë të të tjerëve, muslimani tregohet i gatshëm ta bëjë këtë gjë.
Kështu, ai mund të rrijë i uritur, që të ngopen të tjerët, mund të rrijë i etur, që të tjerët të shuajnë etjen e tyre, madje mund të sakrifikojë edhe jetën e vet që të shpëtoj të tjerët. Kjo nuk është e çuditshme për muslimanin, shpirti i të cilit është i mbushur me kuptimet e larta të përsosmërisë morale dhe natyra e të cilit është vulosur me dashurinë për të mirën dhe të bukurën.
Me sjelljen e tij më shembullore, muslimani ndjek shembullin e muslimanëve të parë të devotshëm, të cilët Allahu Fuqiplotë i lavdëroi duke thënë: “Madje, edhe sikur të ishin vetë nevojtarë, ata u jepnin përparësi të tjerëve para vetvetës. Ata që janë të ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.”(Hashr 9).
Të gjitha sjelljet fisnike të muslimanit, të gjitha virtytet e tij burojnë nga gurra e urtësisë së Muhamedit a.s, kur muslimani dëgjon thënien e këtij njeriu që është shembull në të gjitha aspektet e jetës ku thotë: “Askush nuk beson, derisa të dëshirojë për tjetrin atë që dëshiron për vetën e tij”.
Një musliman jeton në kontakt të përhershëm me Allahun, gjuha e tij e përmend Atë vazhdimisht dhe zemra e tij është e mbushur me dashurinë për Të. Kur ai e përqendron vëmendjen në ajete si: “… Çdo gjë të mirë që përgatitni për vetën tuaj, do ta gjeni te Allahu edhe më të mirë dhe me shpërblim më të madh ...” (Muzemil 20)
“Ata që lexojnë librin e Allahut, falin namazin, dhe nga begatitë që Ne u kemi dhënë japin fshehtazi e haptazi, ata shpresojnë në një fitim që kurrë nuk humbet. Vërtet Ai është Mekatfalës i Madh dhe shumë Mirënjohës”.(Fatir29-30)
Muslimani përçmon e nuk nënçmon dynjanë,
Muslimani punon vetëm në këtë botë, që të fitoj edhe përtej kësaj bote,
Muslimani vlerëson e nuk nënvlerëson,
Muslimani ka këtë botë si pikëfillim, që botën tjetër ta ketë si përjetësim,
A ka ma mirë se sa ta përfundojë me fjalën e Allahut të Madhëruar, ku i lavdëron ata që japin vazhdimisht për Allahun ku thotë: “Madje, edhe sikur të ishin vetë nevojtarë, ata u jepnin përparësi të tjerëve para vetvetës. Ata që janë të ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” (Hashr 9).
Këto këshilla po ua dëshiroj të gjithëve, sepse i dua për vete. Merrni këto udhëzime dhe mësime, nëse dëshironi të jeni të lumtur. E përmbyll me hadithin kudsi:
“.. O robërit e mi, sikur të parët tuaj dhe të fundit tuaj, e gjithashtu edhe (të parët dhe të fundit) prej xhinëve të ngriheni në një vend dhe të më luteni, Unë do t'i përgjigjem lutjes të çdonjërit prej jush, e kjo nuk do ta pakësojë atë që kam Unë, as aq (ujë) sa mund të merr gjilpëra prej detit.
O robërit e mi, këto janë veprat tuaja, të cilat tek Unë janë të ruajtura dhe të llogaritura, e për to Unë do t'ju shpërblej. Pra, ai që gjen mirë le ta falënderojë Allahun, ndërsa ai që gjen keq le të mos e fajësojë askënd, përveç vetvetes.’’ (Transmeton Muslimi)
Falënderimi i takon Allahut, Krijuesit të gjithësisë.
Me 26.11.2010
Xhamia e Hadumit
Gjakovë.