Kaptina Fatiha - ndërtimi i personalitetit


Ndjekja e parimeve në të cilat thërret Kurani i madhërishëm ndihmon në zhvillimin, lidhjen dhe mirëkuptimin e individëve në mes vete, si dhe në formimin e një perspektive, strategjie dhe ideali të përbashkët. Njëra ndër kaptinat që flet në mënyrë të përgjithshme mbi këtë qëllim themelor është edhe kaptina Fatiha, kaptina e hyrjes, sepse hyrja në këtë libër të famshëm fillon me këtë kaptinë, e që në radhitjen kuranore është e para, ani pse nuk është e zbritur e para. Në këtë kaptinë të shkurtër prej shtatë ajetesh janë përmbledhur: besimi në një Zot të vetëm, Krijues i përgjithshëm, i emërtuar e i cilësuar me emrat më të bukur, besimi në ringjallje, në jetën e pasosur në botën tjetër, në përgjegjësinë para Zotit, në Ditën e Gjykimit dhe në shpërblimin me të mira ose me ndëshkime për veprat e bëra në këtë jetë, besimi dhe bindja e patundshme se vetëm Zotit i takon adhurimi dhe se të gjitha të mirat duhen kërkuar vetëm prej Tij, besimi në ligjin e Zotit sipas të cilit të gjitha të mirat ua dhuroi atyre që ndoqën rrugën e drejtë dhe i ndëshkoi ata të cilët u larguan dhe humbën vetveten. Përveç të tjerash, kjo kaptinë është një lutje që Allahu i Lartësuar ua mëson lexuesve të librit të Tij.

Emërtimi i kësaj kaptine

Kjo kaptinë është emërtuar “El Fatiha” (Hapësja), ngase Kurani hapet me të ashtu si namazi, “Ummu’l-Kitab (Nëna e Librit),(1) “Es-Sebu’l-Methani (Shtata e përsëritur). Është quajtur gjithashtu “El-Hamdu”, për shkak të fjalëve të para në ajetin: “Elhamdulilahi” (E tërë lavdia i takon vetëm Allahut). Kjo sure është e quajtur edhe me emra të tjerë si: “Es-Salah” (Falja), “Esh-Shifa’u” (Shërimi), “Er-Rukjeh” (Lutja kuruese), “El-Vakije” (Mburoja), “El-Kafije” (e Mjaftueshmja), “Suretu’s-Salah” (Kaptina e namazit), “El-Kenz” (Thesari) etj..

Rëndësia dhe vlera e kësaj kaptine

Për rëndësinë dhe vlerën e lartë të kaptinës Fatiha, Buhariu shënon në Sahihun e tij, se Pejgamberi a.s. i kishte thënë Ebi Seid ibni Muallasë: “Do të të mësojë një sure, që është më e madhja e sureve të Kuranit: “Elhamdu lil-lahi Rabbil alemin”, kjo është Es-Seb’ul Methanij dhe Kurani madhështor, që më është dhënë mua!”(2)
Po ashtu shënon Muslimi në Sahihun e tij, se transmetohet prej Ibën Abbasit të ketë thënë: “Kur Xhibrili ishte ulur me të Dërguarin e Zotit a.s., ai dëgjoi një zhurmë kërcitjeje mbi të. Ai ngriti kokën dhe tha: “Kjo është një portë që u hap sot dhe nuk është hapur kurrë më parë.” Dhe kur një melaqe zbriti përmes tij, ai tha: “Ky është një melek, i cili zbriti në tokë dhe që kurrë nuk ka zbritur më parë.” Ai erdhi te profeti a.s. dhe i tha: “Gëzohu për dy dritat që të janë dhënë ty, të cilat nuk i janë dhënë asnjë profeti: Fatiha el-Kitab” (Hapësja e Kuranit) dhe vargjet përfunduese të sures El Bekare. Nuk do të lexosh qoftë edhe një shkronjë të vetme prej tyre e të mos jepet shpërblim.”(3)
Po ashtu në lidhje me vlerën e kësaj kaptine, Imam Ahmedi shënon në Musned: “Ubej ibni Kabi e lexoi këtë sure pranë Pejgamberit a.s., e ai tha: “Për Atë, në Dorën e të cilit është shpirti im, sikur kjo sure nuk ka zbritur në Tevrat, as në Inxhil, as në Zebur, e as në Kuran, kjo është Es Seb’ul Methanij dhe Kurani madhështor, i cili më është dhënë mua.”(4)
Sipas Alusit, kaptina Fatiha, edhe pse është e shkurtër, rëndësia e saj qëndron në faktin se në vete ngërthen katër tematikat themelore të fesë. E para, teuhidin (njësimin e Zotit), dëshmon për vërtetësinë e institucionit të profetësisë dhe Ditën e Gjykimit. E dyta, shkencën e ibadeteve, thekson bindjen se vetëm Zotit i takon adhurimi dhe se të gjitha të mirat duhen kërkuar vetëm prej Tij. E treta, shkencën e ahlakut, kërkimin për udhëzim dhe arritjen e kënaqësisë së Zotit. E katërta, shkencën e tregimeve kuranore, për të mirat që ua dhuroi atyre që ndoqën rrugën e drejtë dhe ndëshkimin për ata të cilët u larguan dhe humbën rrugën e drejtë.(5)

Rëndësia e kaptinës Fatiha në ndërtimin e personalitetit

Zoti i Madhërishëm i dhuroi njeriut prirje dhe aftësi mendore përmes së cilave percepton, kupton, mediton dhe nxjerr konkluzione mbi të mirën dhe të keqen. Krahas kësaj, Ai, nëpërmjet pejgamberëve dërgoi shpallje, duke furnizuar njeriun me dije mbi qëllimin e jetës, vlerat dhe kualitetet etike, si dhe ua besoi detyrën që shpalljen hyjnore t’ua komunikojnë njerëzve, duke ua treguar rrugën e vërtetë. Kurani gjithashtu tërheq vëmendjen për domosdoshmërinë e studimit të natyrës njerëzore dhe karakteristikave të saj. Nisur nga ky fakt, qëllimi parësor i thirrjes është që shpirti dhe mendja e njeriut të jenë të përshtatshme për edukim në frymën kuranore, edukim ky që nënkupton zhvillimin e aftësive dhe vlerave të pastra të qenies njerëzore në përputhje me natyrën/ fitren dhe integritetin e saj. Nga ky këndvështrim, kaptina Fatiha, zë një vend të rëndësishëm për sa i përket mbështetjes së individit në edukimin e tij shpirtëror, kuptimit të jetës së tij, si dhe përballjes me sfida gjatë jetës së tij.
Përmendja e Besmeles në Kuran është formë për të shprehur se çdo vepër e mirë fillon me përmendjen e Zotit të Plotfuqishëm, për hir të Tij, duke rikujtuar përherë mundësinë që Ai ia dha njeriut për të vepruar atë. Taberiu në këtë kontekst përmend se Zoti i Lartësuar e mësoi profetin e Tij, Muhamedin a.s. që të fillonte veprat e tij me përmendjen e emrave të Tij të bukur përpara çdo çështjeje të rëndësishme. Kështu që kur ndonjëri thotë: “Bismillahi er-Rrahmani er-Rrahim,” dhe fillon të këndojë një sure nënkupton se, po këndoj me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Ngjashëm me thënien e dikujt “Bismilah”, para se të ulet apo të ngrihet, apo diçka tjetër, që mbart kuptimin e kësaj thënieje, e që është, ngrihem me emrin e Allahut, ulem me emrin e Tij.(6)
Kësisoj njeriu që fillon të lexojë Fatihan ose ndonjë pjesë të Kuranit duke filluar me këtë sintagmë formëson personalitetin e tij me përmendjen e Zotit, jeta e tij është në përputhje me këtë parim dhe çdo vepër e kryer bëhet për hir të Tij. Në Kuran thuhet: “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.”(7)
Besmeleja kujton natyrën e vetë njeriut, e cila ka një vend të rëndësishëm në formimin e personalitetit të tij, ngase njeriu i cili bënë çdo vepër duke rikujtuar dhe përmendur Zotin, njëkohësisht i rikujton vetes qëllimin për të cilin është krijuar dhe strukturën/fitretin e tij.
Fillimi i kaptinës me frazën “E tërë lavdia i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve”, dëshmon se falënderimin dhe lavdërimin në kuptimin më të lartë ia shprehim vetëm Zotit, i Cili na dhuron nga të mirat e Tij vazhdimisht, që është posedues i cilësive dhe veprave të mrekullueshme ndër të cilat edhe drejtësia dhe bamirësia e Tij absolute. E gjithë mirënjohja (falënderimi) i përket vetëm Zotit, veças prej të gjithë atyre që adhurohen në vend të Tij, për begatitë e pallogaritshme që u ka dhënë robërve të Tij, për shëndetin të cilin ua siguron organeve të trupit, dhe për fuqinë e gjymtyrëve të trupit, gjëra këto që duhet të përdoren në zbatimin e urdhrave të Tij. Prandaj, për të gjitha këto, falënderimet dhe lavdërimet i përkasin vetëm Zotit të Lartësuar, në fillim dhe në mbarim.8 Shprehja “Allah” është emër i veçantë i Zotit dhe nëpërmjet këtij emri shprehet bindja dhe besimi, se vetëm Ai është i adhuruar, se vetëm Ai meriton të adhurohet, prandaj kur themi Allah, ne përveç besimit në Zotin Një, shprehim besimin se Atë e adhurojmë dhe e respektojmë. Ndërsa shprehja “Rabb” do të thotë: Zot, Krijues i gjithësisë, Udhëheqës, Rregullues, i Gjithëfuqishëm etj., Zot i atij që e beson, si edhe i atij që nuk e beson. Nisur nga këtu, ky ajet i mëson njeriut se si të fillojë një fjalim dhe çfarë lloj shprehjesh të përdorë në fillim të tij, ngase një individ që nuk di të falënderojë atë që është burimi i të gjitha të mirave dhe bukurive, i cili i dhuroi shumë begati, nuk mund të ketë një personalitet të mirë. Kjo sepse sikur që falënderimi dhe lavdërimi ndaj Allahut bëhet shkak për shtimin e mirësive, mos falënderimi dhe injorimi i rrugës së drejtë e bën njeriun meritor për dënimin e Tij.
Fjala “alemin” është shumës i fjalës alem që do të thotë botë.(9) Fraza “Zoti i botëve” nënkupton që Zoti i Madhërishëm është unik dhe absolut në aspektin e krijimit, administrimit dhe bamirësisë ndaj krijesave të Tij dhe është i vetmi që duhet të adhurohet. Ai është unik dhe absolut në panevojshmërinë e Tij ndaj të tjerëve, ndërkohë që të tjerët janë pafundësisht të varfër dhe nevojtarë për mëshirën e Tij në çdo këndvështrim. Individi që ndërton jetën e tij mbi këto parime formësohet si një personalitet ideal.
Në ndërtimin e personalitetit është jashtëzakonisht e rëndësishme që përveç të tjerash, të kihet parasysh se Zoti është i Gjithëmëshirshëm dhe Mëshirëbërës i madh. Sepse ndërtimi i personalitetit mbi këtë parim, bënë që njeriu të jetë i mëshirshëm ndaj njerëzve dhe të gjitha krijesave që rrethojnë atë. Zoti, i cili është pronar i botëve, është i Gjithmëshirshëm ndaj krijesave të Tij në këtë botë dhe Mëshirbërës në botën e përjetme. Në fakt, mëshira në formën e saj të plotë përfshin vetëm të devotshmit dhe pasuesit e denjë të të dërguarave të Tij, kurse të tjerët do të shijojnë vetëm një pjesë të saj në këtë botë. Allahu është Er-Rrahim/Mëshirëbërës i madh veçanërisht ndaj besimtarëve.
Në ajetet e mësipërme të kësaj kaptine, pasi që vihet në pah falënderimi, fuqia dhe madhështia e Zotit të botëve dhe mëshira e Tij, në ajetin e tretë duke tërhequr vëmendjen në ditën e llogarisë thuhet “Sunduesit në Ditën e Gjykimit”. Allahu është i vetmi udhëheqës në Ditën e Gjykimit, në Ditën e Kiametit, në ditën kur dhurohen shpërblimet dhe ekzekutohen ndëshkimet. Njeriu, duke e njohur faktin se zotërimi dhe mbikëqyrja e Krijuesit ndaj krijesave në këtë botë vazhdon me kërkim llogarie në botën tjetër, arrin një nivel më të lartë të njohurive mbi fuqinë Zotit dhe po ashtu arrin të vë nën kontroll jetën e tij. Si rrjedhojë, besimi në botën tjetër i ndihmon atij të ndërtojë një perspektivë njohëse të jetës në këtë botë, sepse me besimin dhe mendimin për botën tjetër, ai kupton se jeta e tij një ditë do të përfundojë, por se nuk do të zhbëhet e të humbasë. Duke pasur parasysh ringjalljen dhe llogaridhënien para Krijuesit, do të kuptojë rëndësinë e dërgimit të tij në këtë botë.
Fraza “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë!” e përmendur në këtë kaptinë dëshmon se përderisa e tërë çështja në këtë dhe në jetën tjetër është vetëm në kompetencën e Allahut, atëherë çdo veprim e bëjmë në shenjë adhurimi ndaj Tij, dhe për çdo nevojë i drejtohemi vetëm Atij. Po ashtu për çdo nevojë ose për çdo ndihmë se ajo vjen si një reagim i natyrshëm. Po ashtu duaja është një nga gjërat që e bën njeriun të vlefshëm te Zoti i tij dhe i jep personalitet të butë. Të jesh në gjendje të lutesh do të thotë të jesh në gjendje të konceptosh, të njohësh dhe të jesh i vetëdijshëm për veten. Nisur nga këtu, në këto ajete shprehet duaja për ndihmë në të gjitha veprimet dhe adhurimet, në gjetjen e rrugës së fatbardhësisë, rrugën e atyre që ishin para nesh e të cilëve u dhuroi të gjitha të mirat, rrugën e pejgamberëve dhe njerëzve të mirë. Duanë për ndihmë që të mos i afrohemi rrugës së gabuar, rrugës së atyre që me vetëdëshirë e merituan mallkimin dhe u larguan nga e vërteta. Ky është kuptimi i shprehjes “Ihdina” - udhëzona, në këtë kaptinë. “Hidajeti” i shprehur në shumë vende në Kuran, ndonjëherë ka kuptimin e udhëzimit e të udhërrëfimit, e ndonjëherë udhëzim së bashku me ndihmë. Një lloj udhëzimi apo udhërrëfimi u është ofruar të gjithë njerëzve, por disa e pranuan dhe e gëzuan, e disa të tjerë nuk e pranuan atë, prandaj mbetën të humbur e të hutuar.
Kaptina Fatiha është një shembull tipik se si duhet të formësohet një personalitet i mirë, e ne duhet të kërkojmë vetëm prej Tij, sepse dora e mëshirës dhe e ndihmës së Tij gjithnjë është e shtrirë për ata të cilët i drejtohen sinqerisht. Kërkimi i ndihmës nga Allahu mund të ketë një efekt pozitiv në marrëdhëniet e individit me të tjerët. Fakti që një person ndjen gjithmonë afërsinë dhe ndihmën e Allahut në këndvështrimin e tij ndaj jetës dhe rrethit në të cilin gjendet, e shtyn atë të shfaqë një qëndrim optimist dhe pozitiv në raport me të tjerët. Struktura e fjalëve në këtë kaptinë veçohet me disa dobi dhe elokuenca, edhe pse pak janë ata që e përdorin përveç disa prej ekspertëve të gjuhës dhe elokuencës.
Meqë vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij kërkojmë ndihmë, në ajetet 6 dhe 7 të kësaj kaptine vihet në theks rëndësia e duasë/lutjes drejtuar Atij. Njerëzit aplikojnë duanë si mbështetjen më të madhe shpirtërore si në realizimin e dëshirave të tyre ashtu edhe në tejkalimin e vështirësive që hasin. Prandaj, duaja e cila është një nga konceptet që ajeti dëshiron të ndërtojë në mendjen e të adresuarit, është një nga domosdoshmëritë e jetës. Ajo që e bën lutjen një dimension të domosdoshëm të veprimtarive shpirtërore të njeriut është me këtë edhe një shoqëri. Leximi i kaptinës Fatiha në çdo rekat dhe duaja e përfshirë në këtë kaptinë ofron një ndjenjë lehtësimi te besimtari, ngase me këtë përjeton ndjenjën e të qenit në praninë e Krijuesit si një përjetim i lartë shpirtëror, sepse qëllimi i soditjes që bëhet në adhurim ose në përvojën fetare është krijimi i lidhjes me Zotin dhe përulja ndaj madhërisë së Tij.


__________________________
1. Taberi, Xhamiu’l-Bejan, v. I, 74.
2. Buhari, Tefsir, v.I.
3. Muslim, Salat, nr.38.
4. Ahmed b. Hanbel, Musned, v. V.
5. Alusi, Ruhu’l-Meani, v. I, 36.
6. Taberi, Xhamiu’l-Bejan, v. I, 11-112.
7. Enam, 6/162.
8. Ibën Kethir, Tefsiru’l-Kurani’l-Adhim, v. I, 19.
9. Me fjalën “alemin” botët ndonjëherë ka si qëllim të shprehë kuptimin e përgjithshëm, që përfshin këtë ekzistencë, jetën në varreza - Berzah, botën tjetër. Ndonjëherë shpreh kuptimet: bota shtazore, bota bimore, bota minerale. Pë doret edhe për botën trupore-fizike e botën shpirtërore.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?