Roli i krerëve fetarë myslimanë në unifikimin e alfabetit të gjuhës shqipe më 1908 (1)

“Ishte, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj.” (Mithat Frashëri)(1)
Kështu do të shkruante në një editorial, që do ta botonte në gazetën “Lirija” më 1908, kryetari i Kongresit të Manastirit, Mithat Frashëri.
Derisa i pari i këtij Kongresi, e vë në pah prezencën e krerëve tanë fetarë në këtë ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptarë, historiografia shqiptare, posaçërisht ajo e periudhës komuniste, rolin e tyre mund të thuhet në përgjithësi e ka anashkaluar. Propaganda moniste, përmes botimeve zyrtare shkoj deri në atë shkallë duke nxjerr artikuj si: “Roli reaksionar i klerit ndaj problemeve të alfabetit (1879-1912)(2) etj.
Në periudhën e monizmit u botuan botime e materiale të veçanta për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe kur ishte fjala për krerët tanë fetarë u seleksionuan dhe u botuan vetëm ato materiale ku flitej kundra kësaj shtrese.(3)
Rrjedhimisht edhe “Historia e Popullit Shqiptarë” e viteve të 60-ta dhe me vonë e ribotuar në Prishtinë në dy vëllime, kësaj shtrese nuk është se i kushtojë vëmendjen e duhur.(4) Në përgjithësi, perceptimi për këtë shtresë në këtë ngjarje të rëndësishme, u përshkrua nga diskursi negativ.
Pas viteve të 90-ta, për rolin e krerëve tanë fetarë në këtë ngjarje, nga disa studiues u shkrua me intensitet të shtuar për veprimtarinë e tyre, por prapë në mënyrë selektive, duke vështruar në pjesë të krerëve fetarë të një komuniteti të caktuar dhe pjesa tjetër disi u anashkalua.
Por, ti kthehemi temës të cilën e kemi marrë në trajtim, pra duke e vënë fokusin tonë në rolin e krerëve myslimanë të kësaj ane në këtë ngjarje.

Roli i krerëve fetarë myslimanë në Kongresin e Manastirit më 1908 sipas Mithat Frashërit dhe Gjergj Qiriazit

E potencuam edhe më lart se kryetari i Komisionit të Kongresit të Manastirit, Mithat Frashëri, nuk e fsheh entuziazmin e tij për pjesëmarrjen e krerëve fetarë në këtë ngjarje. Për më tepër, ai edhe në ditarin e tij, të cilin e boton në gazetën “Lirija” më 1908, shkruan se në këtë ngjarje pritet të vij edhe Haxhi Vildan efendi Dibra,(5) i dërguar nga klubi i shqiptarëve të Stambollit dhe misioni i tyre sipas Mithat Frashërit ishte “për të dhënë këshilla në Shqipëri”.(6) Pra, kuptohet se ky komision këshillëdhënës i dërguar nga shqiptarët e Stambollit siç edhe shihet në dokumente, kishte për detyrë të jepte këshilla në lidhje me çështjet e alfabetit.
Në ditën e tetë të punimeve të këtij Kongresi, sipas Mithat Frashërit, fjalën kryesore në këtë ditë e kishte Haxhi Vildan Dibra, duke bërë fjalë për rrethanat politike e shoqërore të kohës. Pas fjalës së Haxhi Vildanit, në këtë ditë kishin folur edhe të tjerë të pranishëm në këtë ngjarje, për ta marrë në fund fjalën prapë Haxhi Vlildani, i cili gjithmonë sipas shënimeve të Mithat Frashërit, në mes të tjerash kishte folur edhe për mos pengesat e të mësuarit të fesë islame me alfabetin jo arab.(7)
Si raporti më i besueshëm në lidhje më këtë ngjarje, të cilit raport i janë referuar dhe akoma vazhdojnë t'i referohen studiuesit e huaj dhe vendorë që merren më të kaluarën e shqiptarëve, është ai i Gjergj Qiriazit i vitit 1909 në lidhje me këtë ngjarje. Ky raport, u dërgua në ministrinë përkatëse austro-hungareze, disa javë pasi ishte mbajtur Kongresi. Krahasuar me të dhënat që ofron Mithat Frashëri në ditarin e tij, raporti i Gj. Qiriazit dukej më i plotë, me më shumë të dhëna. Bie fjala, edhe te Mithat Frashëri edhe te Gj. Qiriazi përmendet si delegatë nga Shkupi në këtë Kongres hafëz Ibrahim Shkupi, por Gj. Qiriazi në lidhje më personalitetin e hafëz Ibrahim Shkupit në këtë ngjarje shënon edhe këtë veprim. Në ditën e tretë të zhvillimit të punimeve të Kongresit në mesin e delegatëve prezentë, kishte folur edhe Gjergj Fishta, i cili kishte potencuar rëndësinë e të shkruarit të gjuhës shqipe me një alfabet, fjalim ky, sipas Gj. Qiriazit kishte lënë përshtypje te të pranishmit. Pas zbritjes së Gjergj Fishtës nga podiumi, për të pranishmit kishte lënë përshtypje veprimi i hafëz Ibrahim Shkupit, i cili pas mbarimit të fjalës së Gjergj Fishtës, hafëz Ibrahim Shkupi i del para “u sul drejt tij, e përqafoi dhe me lot në sy e puthi. Një skenë e tillë, në prani të 300-400 njerëzve, nga të cilat 3/4 ishin myslimanë, la përshtypje të thellë te të gjithë”(8)- shkruante në mes tjerash Gj. Qiriazi.
Në raportin e Gj. Qiriazit përmendet edhe ardhja e Haxhi Vildan efendi Dibrës në ditën e shtatë të mbajtjes së punimeve të këtij Kongresi, ndërsa për ditën e tetë e vë në dukje rolin e Haxhi Vildan efendi Dibrës në përkrahjen për unifikimin e alfabetit dhe kontributin e tij në argumentimin se shkrimi latin nuk është i ndaluar për shqi- ptarët siç kishin pretenduar disa, por feja mund të mësohet edhe nga shkrimet me shkronja latine.(9) Roli i Haxhi Vildan efendi Dibrës sipas raportit ishte konstruktiv dhe në frymën e rilindësve tanë.

Agjencia Tregtare Bullgare

Kjo agjenci ishte aktive dhe prezente sidomos në territorin e sotëm të Maqedonisë Veriore. Në Perandorinë Osmane, kjo agjenci kishte edhe statusin diplomatik, në mungesë të formave të tjera të përfaqësimit.
Siç duket, përveç aspekteve tregtare që kujdesej kjo agjenci, për çka edhe e mbante emrin, ishte mjaft aktive në dërgimin e raporteve për Ministrinë e Punëve të Jashtme Bullgare. Këto raporte, shumë herë të shoqëruara edhe me fotografi, kanë informacione interesante për disa ngjarje të këtij viti në hapësirat shqiptare. Njëra nga ngjarjet ku prezantohet në njërin nga raportet e kësaj agjencie është edhe ai mbi rrjedhat e mbajtjes së Kongresit të Manastirit të vitit 1908.
Për dallim prej dy shënimeve të raporteve të lartcekura, atij të Mithat Frashërit dhe Gjergj Qiriazit ku shënimet paraqitën në formë ditore, ky raport i kësaj agjencie ishte përgjithësues. Gjithashtu, kur jemi te Kongresi dhe roli i krerëve fetarë myslimanë në këtë Kongres, në raport shënohet se Kongresin e ka shpallur të hapur Myftiu i Manastirit, por që ishte me origjinë nga Tetova, Rexhep Efendiu dhe fjalimi i tij ishte ndërprerë disa herë nga duartrokitjet e të pranishmëve. Pra, ky fjalim ishte një lloj besatimi që Myftiu i Manastirit kërkoj nga të pranishmit që të gjitha vendimet e këtij kongresi duhen pranuar nga populli ynë, shqiptarët, thuhet në raport. Të pranishmit gjithmonë sipas raportit, bënë betimin se do t'i pranonin të gjitha vendimet e Kongresit. Kuptohet, se ky raport shpreh edhe kënaqësinë e raportuesit se ngjarjet që po ndodhin te shqiptarët janë në favorin e politikës bullgare.
Për arsye se nuk e kemi hasur të publikuar këtë raport, e as nuk kemi hasur shumë të cituar nga studiuesit tanë, ne po e paraqesim në tërësinë e tij si më poshtë:
“Agjencia Tregtare Bullgare/Manastir 12 nëndor 1908. Nr. 830-Ministria e Punëve të Jashtme të Besimit. Sekrete —Arkivi sekret Nr. 4075.
Zotëri Ministër, Filluan bisedimet fillestare ndërmjet dy fiseve kryesore, gegëve dhe toskëve, mbi të cilin ju kam vënë në dijeni në raportin tim të mëparshëm. Kjo u arrit nga puna plot energji e misionarëve të tyre, të cilët për një kohë shumë të shkurtër mundën të popullarizonin idenë e thirrjes së kongresit në të cilin do të shqyrtohen çështje të radhës së parë, si ruajtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe rilindjes së popullit shqiptar. Kongresi u mblodh në datën 1 të këtij muaji në Manastir që tani e kanë përcaktuar si qendrën politike kulturore të të gjithë veprimtarisë së shqiptarëve.
Çelja e këtij kongresi u bë nën kujdesin e Valiut dhe në prezencën e 42 delegatëve, një pjesë e të cilëve zotërojnë nga disa mandate përfaqësie. Në kongres ishin pjesëtarë këto shoqëri dhe klube shqiptare:

a. Nga brenda Shqipërisë: Manastiri, Selaniku, Shkupi, Stambolli, Shkodra (të dy klubet “Agimi” dhe “Bashkimi”), Gjirokastra, Elbasani, Kolonja, Lekoviku i Vilajetitit të Janinës, Vlora, Janina, Starova, Tirana, Berati, misioni katolik i Shkodrës, princi i Mirditës i përfaqësuar prej Vrec Dodës, misioni protestant i qytetit të Korçës i përfaqësuar nga Cilika së bashku me gruan e tij zonjën Cilike të cilën e ka bërë për vete misionarja revolucionare bullgare Ston.
b.Nga jashtë: Sofia, Plovdivi, Bukureshti, Konstanca, Bosto- ni, Italia dhe Egjypti.

Kongresin e deklaroj të hapur me një fjalim përshëndetës të përgatitur nga klubi vendës Rexhep Efendiu, gegë nga Tetova, që tani është myfti në këtë qytet.(10) Në fjalimin e tij, që disa herë u ndërpre nga duartrokitjet, Rexhep Efendiu foli me fjalë të mëdha për përpjekjet që kanë bërë shqiptarët me shekuj për përparimin e tyre dhe lirinë. Mbasi mbaroi ky fjalim të gjithë shqiptarët bënë betimin se do të kryenin me besnikëri detyrën për të zbatuar deri në fund vendimete kongresit. Me propozimin e delegatit të Selanikut që ishte më i vjetri në moshë u zgjodh një komision i cili do të hartonte rezolutën e këtij kongresi. Komisioni përbëhej prej 10 vetash: Sotir Peci, drejtor i gazetës “Kombi” që botohej në Boston. Fishta, epishkop shqiptar nga Shkodra. Gurakuqi, katolik nga i njëjti qytet. Mosi Kaçori, misionar katolik po nga Shkodra. Buda, farmacist nga Elbasani. Bajo Fehim Topulli, ish emigrant, vëllai i kryengritësit të njohur shqiptar Çerçizit, i cili i pari nga shqiptarët filloi të përkrahë lëvizjen e turqve të rinj dhe që u prit me aq solemnitet së bashku me njerëzit e tij në Manastir nga ana e organeve të pushtetit e banorëve të qytetit mbas shpalljes së kushtetutës. Refik Bej Toptani nga Tirana. Mjeda, prift katolik nga Shkodra. Cilika, i misionit protestant të qytetit të Korçës. Shahin Kolonja, ish redaktor i gazetës “Drita” që botohej në Sofie kohët e fundit është zgjedhur deputet i Korçës në parlamentin turk. Qiriazi, shkrimtar, përkthyes i konsullatës austro-hungareze të Manastirit.
Seancat e kongresit u zhvilluan dy herë në ditë me dyer të hapura dhe të mbyllura, në seancat e fundit ku kanë marrë pjesë vetëm delegatët.
Çështja kryesore që u zhvillua në mbledhjet publike dhe që ishin shkaku, kryesor i thirrjes së këtij kongresi ishte aprovimi i një alfabeti të vetëm që do të lozte një rol madh në zhvillimin kulturor e arsimor dhe sidomos në bashkimin e shqiptarëve. Deri tani sikurse dihet për shkrimin e shqipes janë përdoruar shumë alfabete, por tri kanë qenë ata që përdornin kryesisht atë latin:

1. Alfabeti i “Agimit” me 36 gërma:



Ky alfabet ka filluar që të përdorët para pesë vjetësh nga priftërinjtë katolik që kanë pasur përkrahjen edhe të austrohungarisë. Më këtë alfabet janë shkruar shumë pak, disa libra kishtare dhe disa këngë po të kishës.

2. Alfabeti i “Bashkimit”, i krijuar 10-12 vjet më parë dhe përbëhet nga 35 gërma:



Ky alfabet doli në një kohë të tillë kur grekët ngritën çështjen e përdorimit të alfabetit grek për të shkruar gjuhën shqipe. Prej tij janë hequr pesë gërma të alfabetit grek që ekzistonte më parë dhe që përdorej në alfabetin e ashtuquajtur “Frashëri”, i cili deri tani është konsideruar si thjesht shqiptar. Mesa duket me këtë alfabet janë botuar shumë botime shqipe. Me të në fillim u botua edhe gazeta “Kombi”.

3. Alfabeti “Frashëri”, i njohur edhe me emrin i Stambollit përmban 36 gërma nga tëcilat pesë të alfabetit grek:



Ky alfabet është krijuar para 35 vjetësh prej Sami Frashërit dhe ka qenë mjaftë i përhapur. Me të janë botuar të gjitha librat e broshurat e njohura deri tani. Me të është botuar edhe gazeta “Drita” në Sofje si dhe të të gjitha dorëshkrimet e gazetat e botuara nga shoqëritë jashtë e brenda vendit. Përveç këtyre alfabeteve ekzistojnë edhe dy të tjera që kanë më tepër rëndësi historike, ai i “Kristoforidhit”, është i përbërë thjesht me alfabetin grek dhe me të janë botuar një fjalor e një evangjeli: ndërsa alfabeti tjetër është ai i Naum Veqilharxhit i krijuar që para vjetësh, ai ka qenë prej Vithkuqi të kazasë së Korçës. Me këta dy alfabete kongresi nuk u mor fare. Në mbledhje të rregullt të kongresit u diskutuan për çështjet e alfabetit ndërsa në mbledhjet e veçanta (secrete) të cilat u zhvilluan në datat 3,4,5 të muajit në vazhdim të gjithë delegatët, kryesisht, ata fetarë katolik, duke pare traditën e shqiptarit si mjet të rëndësishëm për zhvillimin fetar dhe politik kanë përkrahur alfabetin e “Bashkimit” si një alfabet të të gjithë shqiptarëve që deri tani ka marrë gati emrin e alfabetit kombëtar shqiptar. Pjesa më e madhe e delegatëve u shprehën për aprovimin e alfabetit “Frashërit” (të Stambollit) duke argumentuar me këto të dhëna.

4, Më të janë shkruar shumë pjesë si pjesa më e madhe e literaturës e publicistikës shqiptare, popullarizimi i tij ndër të gjithë shqiptarët, tani që gjuhën shqipe e ka garantuar dhe kushtetuta do të ishte e pavend të hidhej poshtë alfabeti “Frashëri” dhe së bashku me të të hidhej poshtë gjithë literatura ku pasqyrohej e kaluara dhe historia e shqiptarëve, në të kundërtën ajo do të mbetej vetëm si objekt i studimit nga ana e studiueseve e gjuhëtarëve.

5. Nga ana fonetike alfabeti “Frashëri” duke qenë i plotësuar edhe me pesë germa greke i përgjigjet më mire rregullave fonetike të shqipes. Mbas diskutimesh të gjata, në të cilat delegatët katolikë këmbëngulin me energji duke sjellë si pasojë që të aprovohej nga kongresi përdorimi i të dy alfabeteve, ai i “Bashkimit” dhe “Frashëri” (i Stambollit) duke ju bërë atyre vetëm disa ndryshime të vogla ashtu si dhe duket nga paraqitja e tij me këto germa:

a-Ai i ngjashëm me alfabetin e “Bashkimit”:



b- Ai i afërt me atë “Frashëri” (të Stambollit):



Të dy palët, përkrahësit e alfabetit “Frashëri” dhe atij të “Bashkimit” ranë dakord unanimisht-çështja e alfabetit të vendoset definitivisht në kongresin e ardhshëm i cili sipas vendimit të marrë do të zhvillohej në qytetin e Janinës mbas dy vjetësh. Mbas përfundimit të diskutimit për alfabetin, kongresi u muar me çështjen e shkollës, u muar vendim që menjëherë të çelen në masë shkolla shqipe me aq sa Lejojnë mundësitë materiale. Po ai komision i përberë prej 11 vetave u ngarkua që të hartojë një thirrje për të gjithë shqiptarët në të gjithë Perandorinë për të kontribuar materialisht në shpenzimet që duhen për mbajtjen e shkollave.
Qyteti i Manastirit u caktue përsëri të jetë qendra politike e kulturore e të gjithë klubeve shqiptare. Komiteti i zgjedhur kohët e fundit me gegë e toskë do të jetë komiteti politik shqiptar duke ju paraqitur atyre edhe detyra e udhëzimet e kongresit për ngritjen kulturore dhe bashkimin e të gjitha fiseve të Shqipërisë. Në këtë drejtim u përcaktuan edhe një herë çështjet që do të jenë në programin e kongresit. U diskutuan edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me situatën politike të Shqipërisë, këto u diskutuan nëpër mbledhjet e fshehta të kongresit. Diskutimi i këtyre çështjeve me karakter politik dhe marrja e vendimeve përkatëse nënkuptohet që mbahen sekrete, por nga një bisedë konfidenciale që zhvillova me anëtarët e komisionit të 11 vetave dhe pikërisht me Shahin Kolonjen e Qiriazin munda të njihem me përmbajtjen e rendit të ditës të seancave sekrete të kongresit në të cilat janë diskutuar bazat mbi të cilat do të mbështetet lëvizja kombëtare shqiptare dhe i gjithë aktiviteti i saj për shkëputjen për të krijuar një Shqipëri të pandarë në të gjithë shtrirjen e saj. Kjo do të jetë detyra numër një e të gjithë patriotëve shqiptarë. Ata këtej e tutje do të marrin iniciativën për bashkimin kulturor të të gjithë shqiptarëve, për të arritur këtë do të shfrytëzohen të gjitha të drejtat që ju ka dhënë kushtetuta duke u mbështetur gjithmonë mbi frymën kombëtare dhe traditën e kombit. Për të shfrytëzuar më mirë të gjithë liritë që garanton kushtetuta për kauzën kombëtare shqiptare delegatët u angazhuan të punojnë me masat për të marrë iniciativa të reja. Ky komision është i përberë nga Fazil Pasha, general brigade i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë turke, lindur në Tiranë me origjinë shqiptare. Zija Pasha, general brigade, i biri i të mirënjohurit Xhemal Pashës, kajmekam i dikurshëm i Matit, Vildan Efendiu, personalitet fetar nga Dibra dhe Shaqir Efendiu, ish doktor në Shkodër, gjithashtu edhe një shqiptar nga Ohri të cilët mbriten në Stamboll në mbrëmjen e datës 8 të këtij muaji. Po atë ditë Zija Pasha morri emërimin e tij me shërbim në Bagdat dhe mbas një dite ai u nis për në këtë qytet për të marrë në dorëzim detyrën e re. Shokët e tij qëndruan në qytet ku muarrën pjesë në punimet e kongresit. Fazili mbajti një fjalim në të cilin vuri në dukje detyrën e çdo nënshtetasi të Perandorisë Osmane ndaj atdheut te vet duke vënë në dukje se zhvillimi u veçantë i çdo kombi brenda saj mundet të arrihet me përpjekjet e përbashkëta të të gjithëve, e në mënyrë të veçantë konsolidimi i saj arrihet nga ky bashkëpunim sepse nuk mundet të ekzistojë një lumturi e mirëqenie Perandorisë pa pasur një gjë të tillë për të gjithë qytetarët e saj. Me këtë fjalim ai u paralajmërua. Kjo krijoi një bazë mbi të cilin mbështetën të gjithë turqit, veçanërisht komitetet e turqve të rinj, për të gjitha çështjet që u diskutuan në kongres.
Për ne bullgarët çështjet të cilat u diskutuan në kongresin shqiptar kanë rëndësi kryesisht politike. Në të vlerësohet edhe njëherë çështja nacionale, veçanërisht ajo e autonomisë politike të Shqipërisë të cilat janë që të dyja çështje që ne kemi paraqitur për Maqedoninë. Në fakt ky kongres krijoj mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet bullgarëve dhe shqiptarëve. Kongresi u mbyll në datën 15 të këtij muaji me një banket në të cilin muarën pjesë të gjithë delegatët dhe disa të ftuar nga komiteti i turqve te rinj. Pranoni zoti minister besimin dhe respektin tim më të thellë për ju”.(11)


_____________________________
1. Mithat Frashëri, Vepra të zgjedhura 1, ISH “Lumo Skendo”, Tiranë, 2017, f. 253.
2. Zihni Haskaj, 'Roli reaksionar i klerit ndaj problemeve të alfabetit (1879-1912)”, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, UT-IH-IGJL, Tiranë, 1972, f. 119-126.
3. Mendimi politik e shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare(1908-1910), Vëll. II, SSHSH-IH, Tiranë, 1976, f. 7, 493-553.
4. Historia e popullit shqiptar II, ETMMKSAK, Prishtinë, 1979, f. 282-283.
5. Vildan Faik Dibra (2-1925) lindi në Rimnicë të Rekës së Dibrës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i mbaroi në Dibër. Studimet i vazhdoi në Stamboll, ku i përfundoi me rezultate shumë të mira. Pas përfundimit të studimeve shërbeu si profesor në medresenë e Yskudarit në Stamboll. Po aty për nxënësit refugjatë shqiptarë hap edhe një shkollë shqipe me emrin “Kosova”. U bë pjesë e Lëvizjes Kombëtare të fillimit të shek. XX. U bë pjesë e Klubit “Bashkimi” në Stamboll dhe përfaqësoj këtë klub në Kongresin e Manastirit më 1908. Si i dërguar i Komitetit Stambollit në hapësirat shqiptare, mbajti një varg ligjëratash. Janë me interes ligjëratat rreth shkrimit të shqipes me alfabet latin, të cilën ky e mbronte. Shkroi në gjuhët e lindjes një mori shkrimesh e librash nga fusha teologjike, filozofike e drejtësisë. Vdiq në Stamboll më 1925. Ramiz Zekaj, Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit Xx, ISHMQI, Tiranë, 2002, f. 278-280, 100 personalitete shqiptare të kulturës islame shekulli AIX-XX, KMSH, Tiranë, 2012, f. 280: Ruzhdi Lata, “Kontributi i ulemave dibranë për çështjen kombëtare”, Kontributi i prijësve myslimanë në formimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar, (Konferencë shkencore 28-29 shtator 2012), BIK- KMSH-BFIRM, Tiranë, 2013, f. 45-48.
6. Mithat Frashëri, Vepra të zgjedhura 1..., f. 250.
7. Po aty, f 251.
8. Memli Krasniqi-Armend Mehmeti, Dokumente të Shoqërisë Biblike dhe Britanike dhe për të huajt (1816-1912), IAP, Prishtinë, 2016, f. 104.
9. Po aty, f. 110-112.
10. Për më tepër për jetën dhe veprimtarinë e Rexhep Vokës së Tetovës, shih: Nuridin Ahmeti, Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, IA, Prishtinë, 2017, f. 328-336.
11. Centralen Derzhaven Istoriceski Arhiv (më tej: CDIA) Dokumente bullgare (sipas përkthimeve që ndodhen në AIHT), H-25. Raport i Agjencisë Tregtare Bullgare nga Manastiri, nr. 830, dt. 12 nëntor 1908, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Besimeve Sofje, fl. 5-10.



Nuridin Ahmeti
Dituria Islame 365


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kush është Fadil Rashiti ?