Me ligjin e datës 3 tetor 1929, e tërë Mbretëria e Jugosllavisë (deri atëherë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene) u nda në 9 banovina, në vend të 33 krahinave të mëparshme. Me këtë ligj territori i Kosovës u nda në 3 qendra aministrative të banovinave kufitare: në banovinën e Zetës, të Vardarit dhe të Moravës.(1)
Kjo nuk qe ndarja e fundit territoriale e Kosovës në atë kohë. Ndërrimet më të mëdha, sa i përket territorit të Kosovës, u bënë me Ligjin e dt. 9 shtator 1931, që nga shteti ishte proklamuar si Ligji për ndryshime dhe plotësime të ligjit për ndarjen e shtetit në banovina, dt. 3 tetor 1929.(2)
Sipas kësaj ndarjeje, banovina e Vardarit, me qendër në Shkup, nga territori i Kosovës përfshinte 7 rrethe, në mesin e tyre edhe rrethin e Sharrit me seli në Prizren, rrethin e Gorës me seli në Dragash dhe rrethin e Podgorës me seli në Suharekë.(3)
Ndërsa, sipas ndarjes administrative fetare, këto tri rrethe, së bashku me qytetin e Prizrenit, i takonin Komisionit të Vakëf - Mearifit të rrethit të Prizrenit me seli në Prizren, si organ më i lartë fetar islam në këtë vend.
Komisioni i Vakëf-Mearifit të rrethit kishte për detyrë të hulumtonte dhe të evidenconte tërësisht pasurinë e tundshme dhe të patundshme të vakëfit, të udhëhiqte dhe të mbikëqyrte funksionin e vakëfeve dhe institucioneve të tjera fetare (xhamive, mejtepeve, medreseve etj.), të jepte propozime lidhur me shitblerjen, shkëmbimin a dhënien me qira të objekteve të ndryshme të Vakëfit, të emëronte dhe të shkarkonte nëpunësit fetarë në rrethin e vet, etj.(4)
Komisioni i Vakëf-Mearifit të rrethit të Prizrenit kishte edhe kryetarin dhe nëpunësit e vet, përkatësisht këshilltarët e kryetarit. Në vitin 1935 kryetar i këtij organi ishte Mehmed Udoviçiçi, ndërsa nëpunës të tjerë të administratës kanë qenë: Kemajl ef. Shukriu, zëvendës- kryetar, Shaban Jashari, udhëheqës i shërbimit dhe Iljaz Mustafa, arkëtar.(5)
Në kompetencën e këtij komisioni ishte edhe Gjyqi i Sheriatit i rrethit të Prizrenit, me seli po në Prizren. Paraqitja tradicionale e kadiut (gjyqtarit) si mbrojtës i vakëfeve kishte qenë bazë që neni 30 i Kushtetutës së Bashkësisë së Fesë Islame në Mbretërinë Jugosllave më 1930 të përcaktonte që gjyqtari i Sheriatit njëherit të ishte edhe anëtar i Komisionit të Vakëf-Mearifit të rrethit dhe, sipas pozitës që mbante, edhe kryetar i atij komisioni.(6)
Kështu, Mehmed Udoviçiç, përveç detyrës së kryetarit të Komisionit..., kryente edhe detyrën e gjyqtarit të Sheriatit të rrethit të Prizrenit.(7) Ai ishte me përkatësi boshnjake nga Mostari, që më 1926 kishte mbaruar shkollën për Gjyqtar të Sheriatit në Sarajevë.(8)
Ç'është e drejta, më 21 mars 1929, nxirret Ligji mbi rregullimin e gjyqeve dhe gjyqtarëve të sheriatit, me se bëhej edhe suprimi i myftinive(9) të deriatëhershme, me punën e të cilave më tutje ngarkoheshin gjyqet e sheriatit.
Prizreni paraqiste edhe më tutje qendrën administrative fetare ku mbaheshin evidenca të ndryshme për pjesën dërrmuese të myslimanëve të Kosovës, madje që në vitin 1935 gjejmë të dhëna për ekzistimin e sërishëm të Myftinisë së Prizrenit, e cila tanimë nën administratën e vet kishte një territor më të gjerë, që përfshinte gati tërë Kosovën, me përjashtim të rrethit të Kaçanikut, që i takonte Myftinisë së Shkupit.(10)
Myfti i Prizrenit në vitin 1935 ishte Nysret ef. Galibi, ndërsa zëvendësmyfti Shaqir Berberkiçi, me përkatësi boshnjake.(11)
Komisioni i Vakëf - Mearifit të rrethit të Prizrenit nën kontrollin e vet kishte njësitë më të vogla, të ashtuquajtura Imamate të xhematit. Këto organe ishin të formuara në qytet e nëpër fshatra dhe ato i udhëhiqnin imamët ofiqarë (imamët e xhematëve), të cilët i emëronte Ulema Mexhlisi i Shkupit.
Imamati i xhematit ishte organ përfaqësues i xhematit, i cili organizonte mësimin fetar, kujdesej për edukimin fetar të xhematlinjve të vet, udhëhiqte evidencat e pjesëtarëve të BFI-së në territorin e vet (mbante evidenca për numrin e myslimanëve të lindur, të kurorëzuar dhe të vdekur) si dhe ushtronte mbikëqyrjen ndaj nëpunësve të tjerë fetarë të xhematit të tij, nëse këtë detyrë nuk e kishin organet më të larta fetare. Imami i xhematit, pos të tjerash, bënte edhe kurorëzimin sipas rregullave fetare(12) dhe për këtë mbante edhe evidenca të sakta.
Me një fjalë, imamatet e xhematit ishin organe bazë të Bashkësisë Islame, përmes së cilave organizohej dhe funksiononte jeta fetare(13) në vend.
Këto njësi administrative fetare, të cilat ishin nën kontrollin e Vakëf-Mearifit të rrethit, në fillim formoheshin në çdo fshat a lagje të qytetit që kishte të paktën 100 shtëpi myslimane.(14) Mirëpo, deri në vitin 1928 u bënë disa ndryshime lidhur me numrin e shtëpive myslimane që përbënin një xhemat. Kështu, në vitin 1925 numri i shtëpive myslimane u shtua në 200 sosh, ndërsa me reformimin e imamateve në vitin 1928 numri i shtëpive myslimane u shtua në 300 sosh.(15)
Pas vitit 1928, imamatet e xhematit ndaheshin në dy kategori: të qytetit e të fshatit, dhe në krye të imamatit të xhematit ishte imami- hoxha.
Për të pasur të dhëna sa më të sakta për numrin e imamateve, numrin e imamëve ofiqarë, numrin e xhamive, pastaj numrin e shtëpive myslimane dhe numrin e banorëve myslimanë, Drejtorati i Vakëfeve- Mearife i Shkupit, të gjitha komisioneve të vakëfeve - mearife të rretheve në territorin e vet (ky Drejtorat përfshinte 42 komisione të vakëfeve-mearife të rretheve, nga të cilat 11 i përkisnin Kosovës) u kishte dërguar një shkresë nr. 9337/35, dt. 8 tetor 1935, me të cilën kërkoheshin të dhëna për imamatet e xhematit.(16)
Një kërkesë e tillë i qe dërguar edhe Komisionit të Vakëf – Mearifit të rrethit të Prizrenit, në të cilën thuhej: "Që të mund të plotësojmë dhe të kontrollojmë ndryshimet në evidencat e këtij Drejtorati (të Vakëfeve-Mearife në Shkup -S.M.), kërkojmë nga Komisioni i Vakëf-Mearifit (të rrethit të Prizrenit- S.M.) që sa më parë që është e mundur të bëjë regjistrimin e të gjithë xhematëve që gjenden në territorin e këtij komisioni".(17)
Në shkresën e dërguar nga Drejtorati..., jepeshin edhe udhëzime se çfarë duhej të përmbante ai regjistrim.
Aty thuhej: "Ky regjistrim duhet të përmbajë këto të dhëna: numrin rendor; emrin e xhematit; a është xhemati i fshatit, i qytetit apo i përzier; cilat lagje (për qytetet) dhe cilat fshatra (për fshatrat) i përfshin ai xhemat; kush është imam ofiqar i xhematit përkatës; cilat xhami gjenden në secilin xhemat veç e veç dhe ku; sa shtëpi myslimane ka në secilin xhemat veç e veç; sa banorë myslimanë ka në secilin xhemat veç e veç dhe kjo veçmas meshkuj e veçmas femra; ku gjendet selia e xhematit dhe vërejtjet eventuale". - thuhej në atë shkresë, për të vazhduar: "Për mbledhjen veç e veç të të dhënave për këtë regjistrim Komisioni le t'i përdorë imamët ofiqarë, përkatësisht të mbledhë të dhëna prej tyre dhe, pas verifikimit, ato të dhëna t'i shënojë në regjistrin përfundimtar".(18)
Në vazhdim të kësaj urdhërese u tërhiqej vërejtja imamateve se: "Imamët ofiqarë janë përgjegjës personalisht për saktësinë e të dhënave".(19)
"Kjo përbën një punë urgjente - thuhej më tej në këtë urdhëresë - dhe regjistrin përfundimtar duhet ta dorëzoni më së voni deri në fund të këtij muaji(20), (tetor 1935-S.M.) – përfundonte shkresa e dërguar nga DVM-ja e Shkupit.
Kërkesës së Drejtoratit..., do t'i përgjigjej natyrisht edhe kryetari i Komisionit të Vakëf - Mearifit të rrethit të Prizrenit, M.Udoviçiçi, dhe imamët ofiqarë të këtij komisioni, të cilët na japin të dhëna me rëndësi për ndarjen administrative fetare sipas imamateve të xhematit të rrethit të Sharrit së bashku me qytetin e Prizrenit, të rrethit të Gorës dhe të rrethit të Podgorës.
Gjatë hulumtimeve në Arkivin e Kosovës, kemi gjetur përgjigjen, d.m.th. regjistrat që kryetari i Komisionit të rrethit të Prizrenit, M. Udoviçiç, i kishte dërguar Drejtoratit të Vakëfeve-Mearife të Shkupit.(21)
Prandaj, do t'u referohemi këtyre dokumenteve, të cilat botohen për herë të parë, dhe po i japim në tërësi, para së gjithash për shkak të rëndësisë që kanë këto të dhëna, sidomos po të kihet parasysh se administrata është faktor i rëndësishëm në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Ajo madje ka për detyrë të vërë rregulla dhe norma juridike organizative në një bashkësi shoqërore. Ndërsa në kontekstin islam, përveç kësaj, ajo detyrohet të pengojë shpirtligësinë, dhunën dhe ndarjen ndërmjet njerëzve. Dhe jo vetëm kaq, administrata në institucionet islame ka pasur dhe ka edhe sot rol edukativ, që me përcaktimin e organeve përkatëse t’i mundësohet që populli të ndiejë përgjegjësi për krijimin e një shoqërie të drejtë e të ndershme.(22)
Në anën tjetër, "organet administrative fetare islame (imamatet e xhematit, komisionet e vakëfeve-mearife dhe më vonë Ulema Mexhlisi i Shkupit) ishin të vetmet institucione, që mund të quhen organe institucionale legale për shqiptarët myslimanë të viseve të okupuara, ku ata mund të komunikonin jozyrtarisht në gjuhën amtare, shqip".(23)
Ndonëse këto institucione luajtën rol shumë pozitiv në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe për krijimin e mundësisë së rezistencës së organizuar shqiptare kundër pushtuesit serbomadh, megjithatë, deri më sot për to nuk është shkruar ndonjë studim i veçantë!?(24)
Ky shkrim, kujtojmë, paraqet një kontribut modest për ndriçimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve, prandaj publikimi i këtyre të dhënave del edhe më i ngutshëm.
Duke iu referuar këtyre regjistrave, mësojmë për ndarjen administrative fetare të rrethit të Sharrit, të rrethit të Gorës dhe të rrethit të Podgorës, emrin e 28 imamëve ofiqarë së bashku me datën e lindjes së tyre si dhe dekretin me të cilin ata ishin emëruar në atë detyrë nga Ulema Mexhlisi i Shkupit.
Gjithashtu mësojmë edhe për numrin dhe vendin e xhamive që asokohe gjendeshin në kuadër të këtyre imamateve.
Ndërkaq, një e dhënë tjetër shumë me rëndësi që japin këto dokumente, mendojmë, është numri i shtëpive myslimane, pastaj numri i banorëve myslimanë (veçan meshkuj dhe veçan femra) për secilin imamat dhe për secilin rreth veç e veç.
Në bazë të këtyre regjistrave na mundësohet të dimë numrin e saktë të shtëpive dhe banorëve myslimanë të rretheve në fjalë.
Kjo, sidomos, sepse regjistrimi i popullsisë dhe statistikat e bëra në vitin 1921 e 1931, nga pushtetarët serbomëdhenj, për shumë arsye, nuk janë të sakta. Ata, përmes këtyre farë regjistrimesh të falsifikuara kishin dashur që para botës të nxirrnin sa më pak shqiptarë dhe sa më tepër elementë sllavë.(25)
Duke iu referuar të dhënave të Komisionit të Vakëf-Mearifit të rrethit të Prizrenit, mësojmë se rrethi i Sharrit, pa qytetin e Prizrenit, në vitin 1935 kishte gjithsej 9 imamate të xhematit, nën jurisdiksionin e të cilave ishin 67 fshatra, 31 xhami, 3.131 shtëpi myslimane, 23.445 banorë myslimanë, 11.886 meshkuj dhe 11.549 femra.
Ndërsa qyteti i Prizrenit, i cili bënte pjesë në kuadër të rrethit të Sharrit, kishte gjithsej 6 imamate të xhematit, 95 rrugë, 22 xhami, 2.439 shtëpi myslimane, 12.576 banorë myslimanë, 6.209 meshkuj dhe 6.367 femra.
Siç po shihet, rrethi i Sharrit në vitin 1935 kishte gjithsej 15 imamate, 9 të fshatrave dhe 6 të qyteteve, 53 xhami, 5.570 shtëpi myslimane, 36.021 banorë myslimanë, 18.095 meshkuj dhe 17.916 femra. Ky ishte rrethi me më shumë imamate dhe me më shumë xhami, shtëpi dhe banorë myslimanë.
Rrethi i Gorës në vitin 1935 kishte gjithsej 8 imamate të xhematit (5 në Opojë dhe 3 në Gorë), përfshinte 38 fshatra (Brodi, në të vërtet, ishte qytezë), kishte 36 xhami, 2.347 shtëpi myslimane, 17.602 banorë myslimanë, 9.051 meshkuj dhe 8.549 femra. Ky ishte rrethi i dytë për nga numri i imamateve.
Rrethi i Podgorës, ndërkaq, në vitin 1935 kishte gjithsej 5 imamate, përfshinte 37 fshatra, 13 xhami, 1.403 shtëpi myslimane, 14.519 banorë myslimanë, 5.901 meshkuj dhe 7.018 femra. Ky ishte rrethi me numrin më të paktë të imamateve.
Nga sa u tha më lart, mund të përfundojmë se Komisioni i Vakëf - Mearifit të rrethit të Prizrenit, nën jurisdiksionin e të cilit bënin pjesë rrethi i Sharrit, rrethi i Gorës dhe rrethi i Podgorës, në vitin 1935 kishte gjithsej 28 imamate të xhematit dhe përfshinte 142 fshatra, 6 mëhallë me 95 rrugë të qytetit të Prizrenit, 102 xhami, 9.320 shtëpi myslimane, 68.142 banorë myslimanë, 33.047 meshkuj dhe 33.483 femra.
Paraqitja e këtyre të dhënave në mënyrë tabelare do të dukej kështu:
Tabelës nuk ka nevojë t'i bëhet ndonjë koment, pos të konstatojmë se qyteti i Prizrenit në vitin 1935 ishte i ndarë në gjashtë (6) lagje me 95 rrugë. Në dokumentet në shqyrtim jepen edhe emrat e të gjitha rrugëve të Prizrenit, madje aty shënon së në cilën rrugë të cilës lagje gjendej akëcila xhami. Mirëpo, pothuajse të gjitha emërtimet e rrugëve të qytetit të Prizrenit në këtë kohë ishin me kuptime sllave, prandaj ne nuk e pamë të nevojshme t'i shënojmë ato. Riemërtimi i rrugëve me kuptime sllave kishte filluar nga viti 1930 dhe ishte bërë për dy arsye: me qëllim të zhdukjes së emrave të lashtë dhe me qëllim që Kosova të dukej sa më shumë serbe.
Në vazhdim po japim regjistrin e imamateve të xhematit për rrethin e Sharrit, qytetin e Prizrenit, rrethin e Gorës dhe rrethin e Podgorës, ashtu si janë të dhëna në dokumentet në fjalë.
I. IMAMATET E RRETHIT TË SHARRIT
A. Imamatet e qytetit të Prizrenit
1. Imamati i Bajraklisë
Ky imamat përfshin 12 rrugë të qytetit të Prizrenit. Imam ofiqar është Abdyl Mehmedi, i lindur më 1877. Është i dekretuar me vendimin nr. 1675, dt. 27 prill 1933. Në këtë imamat ka 5 xhami: 1. xhamia e Bajraklisë, 2. xhamia e Emin Pashës, 3. xhamia e Saraçhanes, 4. xhamia e Haxhi Ramadanit dhe 5. xhamia e Mustafë Pashës. Ky imamat ka 409 shtëpi myslimane; 1.992 banorë myslimanë, prej tyre 886 meshkuj dhe 1.106 femra. Selia e imamatit gjendet në mëhallën e Bajraklisë.
2. Imamati i Terzisë
Përfshin 16 rrugë të tjera të qytetit të Prizrenit. Imam ofiqar është Shaban Emini, i lindur më 1888. Në këtë imamat ka dy xhami: 1. xhamia e Terzisë dhe 2. xhamia e Hoça Mëhallës. Ky imamat ka 394 shtëpi myslimane; 1.984 banorë myslimanë, prej tyre 996 meshkuj dhe 998 femra. Selia e Imamatit gjendet në Terzi Mëhallë.
3. Imamati i Dragomanit
Përfshin 21 rrugë të tjera të qytetit të Prizrenit. Imam ofiqar është Kemajl Nuridini, i lindur më 1880. Është i dekretuar me vendimin nr. 898, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka vetëm 2 xhami: 1. Xhaminë e Dragomanit dhe 2. Xhaminë e Kurillës. Ka 415 shtëpi myslimane; 2.369 banorë myslimanë, prej tyre 1.183 meshkuj dhe 1.186 femra. Selia e Imamatit gjendet në lagjen e Dragomanit.
4. Imamati i Suzisë
Përfshin 14 rrugë të tjera të qytetit të Prizrenit. Imam ofiqar është Qemajl Shukriu, i lindur më 1888. Është i dekretuar me vendimin nr. 896, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka 7 xhami: 1. xhaminë e Suzisë, 2. xhaminë e Haxhi Kasëmit, 3. xhaminë e Myderrizit, 4. xhaminë e Iljas Kukës, 5. xhaminë e Sejdi Begut, 6. xhaminë e Sinan Pashës, dhe 7. xhaminë e Maksud Pashës. Ka 384 shtëpi myslimane; 1.835 banorë myslimanë, prej tyre 909 meshkuj dhe 926 femra. Selia e Imamatit gjendet në lagjen e Suzisë.
5. Imamati i Qatib Sinanit
Përfshin 17 rrugë të tjera të qytetit të Prizrenit. Imam ofiqar është Sylejman Esadi, i lindur më 1891. Është i dekretuar me vendimin nr. 899, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka vetëm 2 xhami: 1. xhaminë e Qatib Sinanit dhe 2. xhaminë e Arastës. Ka 420 shtëpi myslimane; 2.218 banorë myslimanë, prej tyre 1.093 meshkuj dhe 1.125 femra. Selia e Imamatit gjendet në lagjen e Qatib Sinanit.
6. Imamati i Jeni (Mahallës)
Përfshin 18 rrugë të tjera të qytetit të Prizrenit. Imam ofiqar është Beqir Hizri, i lindur më 1884. Është i dekretuar me vendimin nr. 902, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka 4 xhami: 1. xhaminë e Jeni Mahallës, 2. xhaminë e Çohaxhi Mahmudit, 3. xhaminë e Ahmed Begut dhe 4. xhaminë e Budakë Hoxhës. Ky imamat ka 417 shtëpi myslimane; 2.178 banorë myslimanë, prej tyre 1.142 meshkuj dhe 1.036 femra. Selia e Imamatit gjendet në lagjen e Jeni-Mahallës.
B. Imamatet e fshatrave
1. Imamati i Zhurit
Përfshin fshatrat Zhur, Dobrosh dhe Shkozë. Imam ofiqar është Haki Bajrami, i lindur më 1882. Është i dekretuar me vendimin nr. 895, dt. 9 mars 1933. Në këtë imamat ka 2 xhami: të dyja gjenden në fshatin Zhur. Ka 325 shtëpi myslimane(26), 2.057 banorë myslimanë, prej tyre 1.035 meshkuj dhe 1.022 femra. Selia e imamatit gjendet në fshatin Zhur.
2. Imamati i Lybeqevës
Përfshin këto katër fshatra: Lybeqevën, Leskovecin, Kushninin dhe Jabllanicën. Imam ofiqar është haxhi Vejsel Muharremi, i lindur më 1906. Ai është i dekretuar me vendimin nr. 890, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka katër xhami; nga një në secilin fshat. Ka gjithsej 317 shtëpi myslimane; 2.040 banorë myslimanë, prej tyre 1.012 meshkuj dhe 1.028 femra. Selia e Imamatit gjendet në fshatin Lybeqevë.
3. Imamati i Hoçës së Qytetit
Përfshin fshatrat Hoqë e Qytetit, Vërmicë, Billush, Poslisht, Jeshkovë dhe Lez. Imam ofiqar është Hasan Sylejmani, i lindur më 1880. Është i dekretuar me vendimin nr. 893, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka 5 xhami; nga një në secilin fshat, me përjashtim të fshatit Poslisht. Ka gjithsej 332 shtëpi myslimane; 2.085 banorë myslimanë, prej tyre 1.080 meshkuj dhe 1.005 femra. Selia e Imamatit gjendet në Hoçë të Qytetit.
4. Imamati i Neprogoshtit
Përfshin këto fshatra: Lubija e Epërme, Neprogoshti, Manastreci dhe Struxha. Imam ofiqar është Ramiz Ibrahimi. Në këtë imamat ka gjithsej katër xhami: nga një në secilin fshat. Ky imamat ka 367 shtëpi myslimane; 2.403 banorë myslimanë, prej tyre 1.214 meshkuj, 1.189 femra. Selia e Imamatit gjendet në Neprogosht.
5. Imamati i Peçanit
Përfshin këto 7 fshatra: Peçanin, Llokvicën, Lubinë e Poshtme, Pllanjanin, Drajçiqin, Mushnikovën dhe Gornasellën. Imam ofiqar është Ramadan Rasimi, i lindur më 1889. Ai është i dekretuar me vendimin nr. 901, dt. 9 mars 1933. Ka 5 xhami: nga një në fshatrat Peçan, Llokvicë, Lubijë e Poshtme, Pllanjan dhe Mushnikovë. Ka 358 shtëpi myslimane; 2.248 banorë myslimanë, prej tyre 1.136 meshkuj dhe 1.112 femra. Selia e Imamatit gjendet në Peçan.
6. Imamati i Korishës
Përfshin këto fshatra: Korishën, Lubizhdën, Skorobishtin, Novosellën, Kabashin dhe Lutogllavën. Imam ofiqar është Mehmed Ademi, i lindur më 1883. Ai është i dekretuar me vendimin nr. 889, dt. 9 mars
1933. Në këtë imamat ka tri xhami: një në Korish, një në Skorobisht dhe një në Novosellë. Ky imamat ka 341 shtëpi myslimane; 2.186 banorë myslimanë, prej tyre 1.092 meshkuj dhe 1.094 femra. Selia e Imamatit gjendet në Korish.
7. Imamati i Piranës
Përfshin këto 14 fshatra: Landovicën, Piranën, Trepeshnicën, Serbicën e Epërme, Serbicën e Poshtme, Vlashnen, Kobajt, Atmaxhën, Nashecin, Grazhdanikun, Gërnçarin, Caparcin, Shpinadinë dhe Gelancën. Imam ofiqar është Hizër Halidi, i lindur më 1884. Është i dekretuar me vendimin nr. 894, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka vetëm 4 xhami: nga një në fshatrat Piranë, Vlashne, Atmaxhë dhe Gërnçar. Ka 265 shtëpi myslimane; 1.915 banorë myslimanë, prej tyre 952 meshkuj dhe 963 femra. Selia e Imamatit gjendet në Vlashne.
8. Imamati i Rogovës
Përfshin këto 13 fshatra: Rogovën, Damjanin, Kushninin, Gërçinën, Likovcin, Godenin, Romajën, Smaçin, Zylfajt, Dedajt, Kabashin, Llukinjën dhe Ujëzin. Imam ofiqar është Ahmed Latifi, i lindur më 1897. Është i dekretuar me vendimin nr. 2289, dt. 19 nëntor 1934. Ky imamat ka vetëm 2 xhami: një në fshatin Rogovë dhe një në fshatin Romajë. Ka 427 shtëpi myslimane; 4.229 banorë myslimanë, prej tyre 2.224 meshkuj dhe 1.995 femra. Selia e Imamatit gjendet në Rogovë.
9. Imamati i Gjonajve
Përfshin këto 10 fshatra: Gjonajt, Pllanejin, Zymin, Lubizhdën, Milajt, Gorozhubin, Kajushën, Mazrekun, Karashingjergjin dhe Krajkin. Imam ofiqar është Ymer Mustafa, i lindur më 1885. Është i dekr- etuar me vendimin nr. 892, dt. 2 mars 1933. Ky imamat ka vetëm 2 xhami: një në fshatin Gjonaj dhe një në fshatin Pllanejë. Ka 399 shtëpi myslimane; 4.282 banorë myslimanë, prej tyre 2.141 meshkuj dhe 2.141 femra. Selia e imamatit gjendet në Gjonaj.
II. IMAMATET E RRETHIT TË GORËS 1. Imamati i Bresanës
Përfshin fshatrat: Bresanë, Kuklibeg, Kuk, Pllajnik dhe Buzes. Imam ofiqar është Isak Veliu, i lindur më 1883. Është i dekretuar me vendimin nr. 882, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka 3 xhami: nga një në fshatrat Bresanë, Kuk dhe Pllajnik. Ka 309 shtëpi myslimane; 2.214 banorë myslimanë, prej tyre 1.082 meshkuj dhe 1.132 femra. Selia e Imamatit gjendet në Bresanë.
2. Imamati i Kosavës
Përfshinë fshatrat: Blaç, Zaplluxhe, Kosavë, Kapre, Rrencë, Xërrxe dhe Radesh. Imam ofiqar është Xhemil Abdullahu, i lindur më
1903. Është i dekretuar me vendimin nr. 1059, dt. 28 mars 1933. Në këtë imamat ka 7 xhami, nga një në secilin fshat. Ky imamat ka 319 shtëpi myslimane; 2.654 banorë myslimanë, prej tyre 1.382 meshkuj dhe 1.272 femra. Selia e Imamatit gjendet në fshatin Blaç.
3. Imamati i Bellobradit
Përfshin fshatrat: Bellobrad, Brrut, Zgatar, Zym, Plavë dhe Dragash. Imam ofiqar është Nezir Veliu. Ky imamat ka 5 xhami, nga një në secilin fshat me përjashtim të fshatit Zym. Ka 280 shtëpi myslimane; 2.080 banorë myslimanë, prej tyre 1.047 meshkuj, 1.033 femra. Selia e Imamatit gjendet në Bellobrad.
4. Imamati i Shajnes
Përfshin këto fshatra: Shajnen, Lybevishtin, Leshtanin, Kukajanin dhe Orqushën. Imam ofiqar është Ymer Ahmedi, i lindur më 1879. Është i dekretuar me vendimin 884, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka 5 xhami: nga një në selin fshat. Ka 291 shtëpi myslimane; 2.088 banorë myslimanë, prej tyre 1.112 meshkuj dhe 976 femra. Selia e Imamatit gjendet në fshatin Shajne.
5. Imamati i Buçës
Përfshin këto gjashtë fshatra: Rapçën e Epërme, Rapçën e Poshtme, Kërstecin e Madh, Kërstecin e Vogël, Buçën dhe Breznën. Imam ofiqar është Sinan I. Sinani, i lindur më 1896. Është i dekretuar me vendimin nr. 885, dt. 9 mars 1933. Në këtë imamat ka gjithsej 6 xhami; nga një në secilin fshat. Ka 385 shtëpi myslimane; 2.399 banorë myslimanë, prej tyre 1.230 meshkuj dhe 1.169 femra. Selia e Imamatit gjendet në Rapçë.
6. Imamati i Vraniçit
Përfshin këto fshatra: Vraniç, Mliki, Dikancë, Baçkë, Glloboçicë dhe Krushë. Imam ofiqar është Nazif Hyseni, i lindur më 1888. Është i dekretuar me vendimin nr. 886, dt. 9 mars 1933. Në këtë imamat ka 6 xhami, nga një në secilin fshat. Ka 397 shtëpi myslimane; 2.290 banorë muslimanë, prej tyre 1.174 meshkuj dhe 1.116 femra. Selia e Imamatit gjendet në Vraniç.
7. Imamati i Restelicës
Përfshin fshtrat Restelicë dhe Zlipotok. Imam ofiqar është Bajram Shabani, i lindur më 1904. Është i dekretuar me vendimin nr. 887, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka dy xhami, nga një në secilin fshat. Ka 305 shtëpi myslimane; 1.702 banorë myslimanë, prej tyre 891 meshkuj dhe 811 femra. Selia e Imamatit gjendet në Restelicë.
8. Imamati i Brodit
Është Imamat i qytetit dhe përfshin vetëm qytezën e Brodit. Imam ofiqar është Mehmed H. Sylejmani, i lindur më 1880. Është i dekretuar me vendimin nr. 888, dt. 9 mars 1933. Ky imamat ka dy xhami, të dyjat në qytezën e Brodit. Ka 336 shtëpi myslimane; 2.173 banorë myslimanë, prej tyre 1.133 meshkuj dhe 1.040 femra. Selia e Imamatit gjendet në Brod.
III. IMAMATET E RRETHIT TË PODGORËS
1. Imamati i Suharekës
Është imamat i fshatit dhe përfshin fshatrat Suharekë, Peçan, Sllapuzhan, Sopi, Savrovë, Bukosh, Stravuçinë, Krushicë dhe Çadrak. Imam ofiqar është Haki S. Mahmudi, i lindur më 1887. Është i dekretuar me vendimin nr. 3306, dt. 18 shtator 1933. Ky imamat ka vetëm dy xhami: një në Suharekë dhe një në Sopi. Ka 366 shtëpi myslimane; 3.161 banorë myslimanë, prej tyre 1.589 meshkuj dhe 1.572 femra. Selia e Imamatit gjendet në Suharekë.
2. Imamati i Mushtishtit
Përfshin këto fshatra: Mushtisht, Dollovc, Dvoranë, Maçitevë, Vraniç, Greikoc, Sallagrazhdë dhe Dubravë. Imam ofiqar është Sherif Qerimi, i lindur më 1887. Është i dekretuar me vendimin nr. 879, dt. 24 mars 1933. Ky imamat ka tri xhami: një në fshatin Mushtisht, një në fshatin Vraniç dhe një në fshatin Greikoc. Ka gjithsej 350 shtëpi myslimane; 3.194 banorë myslimanë, prej tyre 1.681 meshkuj dhe 1.513 femra. Selia e Imamatit gjendet në Mushtisht.
3. Imamati i Bllacës
Përfshin fshatrat: Bllacë, Dule, Greiçec, Budakovë, Papaz, Vershec dhe Movlan. Imam ofiqar është Zejnullah Ramadan Behluli. Ky imamat ka 2 xhami: një në Bllacë dhe një në Budakovë. Ka 477 shtëpi myslimane; 3.156 banorë myslimanë, prej tyre 1.706 meshkuj dhe 1.450 femra. Selia e Imamatit gjendet në Bllacë.
4. Imamati i Studençanit
Përfshin fshatrat: Studençan, Dobrodelan, Reshtan, Nepërbisht, Ternje, Leshan dhe Gjinoc. Imam ofiqar është Nuredin haxhi Halidi, i lindur më 1895. Është i dekretuar me vendimin nr. 693, dt. 21 prill 1934. Ky imamat ka 2 xhami një në fshatin Studençan dhe një në Leshan. Ka 297 shtëpi myslimane; 2.508 banorë myslimanë, prej tyre 1.216 meshkuj dhe 1.292 femra. Selia e Imamatit gjendet në Studençan.
5. Imamati i Nishorit
Përfshin fshatrat: Nishor, Semetisht, Peçan, Kostërc, Kërvosar dhe Tumiçinë. Imam ofiqar është Muharrem Salihu, i lindur më 1883. Është i dekretuar me vendimin nr. 881, dt. 8 mars 1933. Në këtë imamat ka 4 xhami: nga një në fshatin Nishor, Semetisht, Peçan dhe Kërvosar. Ka 343 shtëpi myslimane; 2.500 banorë myslimanë, prej tyre 1.309 meshkuj dhe 1.191 femra. Selia e Imamatit gjendet në Nishor.
_______________
1. Dr. Limon Rushiti, Ndarja territoriale dhe rregullimi administrativ i Kosovës (1929 - 1941), "Vjetari", i Arkivit të Kosovës, nr. XII-XIII, Prishtinë, 1981, f. 48.
2. Po aty, f. 59.
3. Po aty, f. 60.
4. Mr. Haki Kasumi, Bashkësia Fetare Islame në Kosovë (1929-1941), "Vjetari", i Arkivit të Kosovës, nr. XVI - XVII, Prishtinë, 1983, f. 97.
5. Arkivi i Kosovës, Fondi Sresko Vakufsko Mearifsko Poverenstvo - Prizren, k. 7, 1935.
6. Fikret Kar?i?, Šeriatski sudovi u Jugoslaviji 1918 - 1941, Sarajevo, 1986, f. 73.
7. AK, F. Sreski Šeriatski Sud - Prizren, k. 1. M. 81, 1935.
8. Kasim Hadži?, Stogodišnjica Suda?ke škole (Mektebi Nubuvva), u Sarajevu, "Glasnik", VIS, nr. 5, Sarajevo, 1987, f. 659.
9. Fikret Kar?i?, vep. cit., f. 66.
10. Mr. Haki Kasumi, pun. cit., f. 102.
11. AK., FSVMP-Prizren, k. 7, 1935.
12. Dr. Haki Kasumi, Bashkësitë fetare në Kosovë, Prishtinë, 1988, f. 153. Ndonëse deri në vitin 1928 të gjithë imamët mbanin evidenca për numrin e myslimanëve të lindur, të kurorëzuar dhe të vdekur, megjithatë, ata nuk konsideroheshin zyrtarisht të anga- zhuar.
13. Dr. Haki Kasumi, Gjendja organizative e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën okupimin jugosllav 1912 - 1941, Simpoziumi ndërkombëtar: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët, Prishtinë, 1995, f. 462.
14. AK., F. Myftinia e Rrethit të Gorës, k. 1. 1919.
15. Mr. Haki Kasumi, Bashkësia Fetare Islame e Kosovës 1918 - 1929, "Vjetari" i Arkivit të Kosovës, nr. XII - XIII, Prishtinë, 1981, f. 258.
16. Arkivi i Kosovës, Sresko Vakufsko Mearifsko Poverenstvo - Prizren, k. 7, dok. nr. 581, 1935.
17. Po aty.
18. Po aty.
19. Po aty.
20. Po aty.
21. Po aty.
22. Ismail Ahmedi, Aspekte letrare, Shkup, 1995, f. 65.
23.Dr. Haki Kasumi, Gjendja organizative e Bashkësisë Islame te shqiptarët nën okupimin jugosllav 1912-1941, pun. cit., f. 463.
24. Po aty.
25. Dr. Hakif Bajrami, Kosova - njëzet shekuj të identitetit të saj, Prishtinë, 2001, f. 9.
26. Numri i shtëpive dhe banorëve të Imamatit të Zhurit, në dokumentet në fjalë, është dhënë sipas regjistrimit të vitit 1931, sepse deri atëherë, shkruan aty, raporti për këtë imamat nuk është përfunduar.
Sadik Mehmeti
Edukata Islame 65