Komentimi i kaptinës “Jasin” - (7)

(ajetet 69-76)

69. Ne as nuk ia mësuam atij (Muhamedit) poezinë, e as që i takon ajo atij, ai (Kur’ani) nuk është tjetër përveçse këshillë dhe Kur’an i qartë.
70. Për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është gjallë (me mend e zemër) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët.
71. A nuk e shohin ata se nga ajo që Ne vetë e shpikëm, u krijuam atyre kafshët që i kanë.
72. Dhe ua bëmë ato që t’u binden atyre, e disave prej tyre u hipin, kurse prej disave ushqehen.
73. Ata kanë edhe dobi të tjera prej tyre, e edhe pinë (qumësht) prej tyre. A nuk duhet të falënderojnë?
74. Por shkojnë dhe në vend të Allahut adhurojnë zota të tjerë, me shpresë se do të ndihmohen prej tyre.
75. Ata nuk mund t’u ndihmojnë atyre, por këta (idhujtarët) janë bërë ushtri e gatshme e tyre.
76. E ty të të mos brengosin thëniet e tyre, Ne dimë ç’ mbajnë ata fshehtë dhe ç’ publikojnë.

Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ajetet paraprake

Pasi Allahu xh.sh., në ajetet paraprake, përmendi dy nga tri bazat e fesë: Njëshmërinë e Tij, të shprehur në ajetin 61: “(Ju porosita) Të më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt!”, si dhe Ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit (shpërblimin dhe ndëshkimin), tash në këto ajete vijuese përmend bazën e tretë të fesë- Shpalljen-pejgamberinë, në ajetet 69 e 70 të kësaj kaptine, për të vazhduar pastaj sjelljen e argumenteve të njëpasnjëshme, që flasin për manifestimin e kësaj Njëshmërie të Allahut.
Këto ajete janë edhe një fuqizim për të Dërguarin e Allahut, që ai të mos brengosej pse idhujtarë po e quanin poet, magjistar e njeri të çmendur, sepse ai në fakt ishte më i zgjedhuri nga ana e Allahut, për ta përcjellë dritën e udhëzimit të Tij tek gjenerata e gjenerata të njerëzimit, sepse ky Kuran ishte dritë dhe përkujtues për ata që dëshironin të përudheshin.

Argumentet e pejgamberisë dhe vërtetësimii ekzistimit të Allahut dhe Njëshmërisë së Tij

Koment:

69. Ne as nuk ia mësuam atij (Muhamedit) poezinë, e atij as që i takon ajo, ai (Kur’ani) nuk është tjetër përveçse këshillë dhe Kur’an i qartë. Idhujtarët mekas, të prirë nga mendjemadhësia e tyre injorante, po përpiqeshin që të mohonin në çdo mënyrë anën hyjnore të Shpalljes së Muhamedit a.s., duke e akuzuar herë si të çmendur, herë si magjistar, e herë edhe si poet. Mirëpo, Allahu xh.sh., i kundërshtoi në mënyrë të prerë dhe i hodhi poshtë këto akuza të idhujtarëve, duke ua bërë të qartë se Muhamedi nuk ishte poet, veçse një i Dërguar, madje i dërguari i fundit dhe më madhështori prej tyre.
Allahu i Madhërishëm, i Gjithëdijshëm për faktin se i Dërguari i Tij do të akuzohej se ishte një poet, nga Urtësia e Tij, kishte bërë që ky i dërguar të mos dinte as të shkruante e as të lexonte, në mënyrë që ai të ishte i pastër dhe i zhveshur nga të tilla akuza. Në anën tjetër, edhe idhujtarët ishin plotësisht të bindur se kjo që po i vinte nga Kurani, nuk ishte poezi nga ana e tij, sepse këto fjalë kuranore ishin mbi çdo poezi, por ata dëshironin t’ia ulnin e t’u zvogëlonin vlerën ajeteve kuranore që i shpalleshin, duke i quajtur poezi. Ata nuk mund të besonin se ky Kuran ishte një sfidë e patejkalueshme për ta, sepse asnjë poezi njerëzore, nuk mund të krahasohej qoftë edhe me një ajet të Kuranit. Mbase edhe për këtë arsye, I Lartmadhërishmi i sfidoi pabesimtarët që të sillnin qoftë edhe një sure të ngjashme me suret e Kuranit, kur thotë:
“E në qoftë se jeni në dyshim për atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit Tonë, atëherë sillni një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotat) përveç Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur’ani nuk është prej Zotit).” (El-Bekare, 23)
Ajeti 69 i kaptinës Jasin në një mënyrë, ia kufizon edhe vetë Pejgamberit që të mos flasë asgjë nga vetja e tij, përveç asaj që i shpallet, ose, edhe kur të flasë, të flasë vetëm në sferën e asaj që i është shpallur...
Ky ajet ia bën me dije Pejgamberit a.s. se nuk ishte poet, madje, edhe po të donte, nuk do të mund të bënte një gjë të tillë, sepse me këtë do ta vinte në dyshim tek njerëzit revelatën e tij, ngase ata do të mund ta konsideronin këtë Kuran si një lloj poezie, çka në fakt nuk është, sepse i Madhërishmi për Kuranin thotë:
“Ai nuk është fjalë e ndonjë poeti, po ju nuk besoni.” (El-Hakkah, 41)
dhe:
“Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” (Fussilet, 42)
Muhamedi a.s. vihet në dijeni se Kurani nuk është poezi, as fantazi, as imagjinatë, as legjendë dhe as magji që ndikon, por është udhëzim për një jetë të mirëfilltë islame dhe këshillë, ashtu siç thotë Allahu xh,sh: “...ai (Kur’ani) nuk është tjetër përveçse këshillë dhe Kur’an i qartë.”
Se Kurani është mrekulli e përjetshme për çdo kohë dhe për çdo vend, nuk ka pikë dyshimi, sepse Kurani është Fjalë e Allahut Fuqiplotë. Një segment i mrekullisë së tij qëndron edhe në faktin se Kuranin e lexojnë shumë joarabë, dhe, ndonëse nuk kuptojnë pothuajse asnjë fjalë të tij, ata megjithatë rrëqethen teksa dëgjojnë rimën dhe melodinë hyjnore të Kuranit famëlartë.. Dhe nuk është çudi, sepse Ai që i ka thënë këto fjalë, është Krijuesi i tërë këtij Universi, kurse dëgjues janë krijesat e Tij-njerëzit, tek të cilët ndikon fjala kuranore, sepse ata vazhdojnë të jenë në fitren-natyrshmërinë e lindur islame.

70. Për t’ia tërhequr vërejtjen atij që është gjallë (me mend e zemër) dhe dënimi të bëhet meritë për jobesimtarët.

Ky Kuran, vërtet është këshillë, dhe tërheqës i vërejtjes, për atë që ka logjikë dhe mendje. Ai, zemra e të cilit është e gjallë dhe plot vizion, në Librin e Allahut vëren fuqinë e madhe gjallëruese dhe inspiruese të tij. Ky Kuran ka ardhur t’i udhëzojë njerëzit në rrugën e së vërtetës. Nga Kurani burojnë fjalët plot dritë të Allahut xh.sh., Krijuesit tonë, i Cili na krijoi e na i dha të gjitha begatitë- nimetet. Ai na deshi dhe si shkak i kësaj dashurie e dhembshurie të Tij ndaj nesh, nuk na la të degdiseshim nëpër tallazet e kësaj bote si pa krye, por kohë pas kohe na dërgoi libra të shenjtë nëpërmjet pejgamberëve, për të na vënë në dijeni se kjo botë është kalimtare, e Ahireti është bota ku besimtarët do ta gjejnë prehjen e tyre shpirtërore. Ndërsa, pabesimtarët, të cilët nuk u bindën për vërtetësinë e fjalëve të pejgamberëve, ata do ta meritojnë ndëshkimin e përjetshëm në Xhehenem. Allahu nuk e ndëshkon dikë pa i ofruar më parë argumentin dhe rastin që të mendojë mirë për fatin e tij, sepse, përveç mendjes së shëndoshë, njeriut ia dha edhe mundësinë e udhëzimit. Dhe, nëse këta pabesimtarë, zgjodhën me dëshirë rrugën e kufrit, duke parapëlqyer jetën e kësaj bote, ose duke ndjekur rrugën e shejtanit për ta besuar Allahun në forma të tjera, duke i bërë Atij shok ose bir të lindur, atëherë, përgjegjësia do të bjerë mbi vetë ata, kështu që të gjithë këta do të ballafaqohen nesër me drejtësinë absolute të Krijuesit Fuqiplotë. Në këtë ditë, dënimi për pabesimtarët do të jetë meritë e veprave të tyre të shëmtuara, dhe ata do të ndëshkohen për veprat e tyre.
Se Allahu pabesimtarëve dhe skeptikëve në Shpalljen e Muhamedit a.s. u ka ofruar argumente të panumërta, vetëm e vetëm që të binden për vërtetësinë e thirrjes së Tij, na flasin edhe ajetet në vazhdim...:

71. A nuk e shohin ata se nga ajo që Ne vetë e shpikëm, u krijuam atyre kafshët që i kanë.
72. Dhe ua bëmë ato që t’u binden atyre, e disave prej tyre u hipin, ndërsa prej disave ushqehen.
73. Ata kanë edhe dobi të tjera prej tyre, e edhe pinë (qumësht) prej tyre. A nuk duhet të falënderojnë? Ajetet në vazhdim flasin për manifestimin Fuqisë së Allahut dhe nderimin e llojit njerëzor, duke u dhuruar atyre të gjitha të mirat dhe begatitë e mundshme. Nga këto të mira, janë edhe kafshët, të cilat Allahu i ka vënë në dispozicion të njerëzve që të përfitojnë prej tyre lloj-lloj të mirash. Më e keqja qëndron në faktin se idhujtarët mendonin se këto kafshë ishin diçka personale e tyre, për se krenoheshin, si p.sh. për numrin e madh të deveve, deleve, kuajve etj. Por, për t’ua zhdukur këtë bindje të mbrapshtë, i Madhërishmi ua bën me dije se prej atyre kafshëve që i ka krijuar për ta, së pari i ka nënshtruar disa prej tyre që të ishin në shërbimin e tyre, disave prej të cilave u hipnin për t’i kalëruar e për të bartur me to gjëra prej një vendi në një vend tjetër, siç ishin devetë, e deri diku dhe kuajt. Këtu duhet të ndalemi pak tek devetë, të cilat për arabët simbolizonin pjellshmërinë, pasurinë dhe krenarinë, sepse devetë, si krijesa të veçanta, Allahu i kishte bërë të përshtatshme për të jetuar mu në këto ambiente shkretinore. Andaj edhe nuk është e rastësishme që Allahu i Madhërishëm u drejtohet mendjeve të këtyre injorantëve që të logjikojnë e të meditojnë pak rreth krijimit të devesë, sepse vetë konstrukti trupor i saj flet për mrekullinë e madhe të Allahut, meqë deveja konsiderohet si rezervuar i shkretëtirës. Ajo mund të ecë pothuajse një javë nëpër shkretëtirë e të mos ketë nevojë për një pikë ujë, etj..
Në anën tjetër, arabët, disa prej këtyre kafshëve i shfrytëzonin për t’u ushqyer me mishin e tyre, siç ishin devetë, lopët, delet dhe dhitë; prej disave merrnin leshin, lëkurën, brirët, thundrat e tyre etj., e prej të tjerave qumështin e shijshëm, i cili ishte burim i lezetshëm edhe për pije edhe për ushqim. Me gjithë këto begati, që Allahu ua kishte dhënë, ata - idhujtarët - nuk ishin mirënjohës dhe as falënderues!!

74. Por shkojnë dhe në vend të Allahut adhurojnë zota të tjerë, me shpresë se do të ndihmohen prej tyre.
75. Ata nuk mund t’u ndihmojnë atyre, por këta (idhujtarët) u janë bërë ushtri e gatshme e tyre.

Idhujtarët, në vend që të ishin falënderues dhe mirënjohës për dhuntitë e Allahut ndaj tyre, ata ende vazhdonin të adhuronin idhujt, të cilët i gdhendnin dhe skalitnin vetë. Ata tërë këtë adhurim dhe nënshtrim që bënin ndaj idhujve, e bënin me shpresë se do të kishin ndihmën dhe bekimin e tyre. Por ç’e do kur këta idhuj, nuk ishin në gjendje t’u ndihmonin idhujtarëve, sepse ishin të pajetë, ishin thjesht lëndë prej guri ose druri, dhe asgjë më shumë.
Sipas Muxhahidit, këta idhuj do të tubohen në Ditën e Gjykimit dhe do të jenë dëshmitarë gjatë gjykimit të atyre që i kishin konsideruar këta për zota, në mënyrë që adhuruesit e tyre të dëshpërohen edhe më shumë kur të shohin se sa të marrë paskëshin qenë në jetën e kësaj bote sa kohë që kishin adhuruar zota të rremë, të cilët nuk mund t’u sillnin tash as dëm dhe as dobi. Këta idhujtarë do të jenë edhe më të dëshpëruar kur të mendojnë se sa luftëra e sa gjak kishin derdhur kot së koti, për të mbrojtur besimin e kotë në Latin, Uzanë dhe në idhuj të ngjashëm

76. E ty të të mos brengosin thëniet e tyre, Ne dimë ç’ mbajnë ata fshehtë dhe ç’publikojnë.

Në këtë ajet Allahu i Madhërishëm, e qetëson të dërguarin e Vet, duke i thënë që të mos e shqetësojnë dhe as brengosin thëniet e idhujtarëve as përgënjeshtrimet e tyre, “sepse Ne, thotë Allahu xh.sh., e dimë çdo sekret të tyre po edhe atë që shfaqin haptazi”. Ia bën me dije Muhamedit a.s. se fundi i tyre do të jetë i dhimbshëm, sepse ata i pret Dita e Gjykimit dhe ballafaqimi me veprat e tyre të shëmtuara, pas së cilës ditë ata do të futen përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit.

Margaritarët e urtësisë në këto ajete

1. Kurani nuk është poezi dhe as Muhamedi a.s. poet. Nëpërmjet këtij ajeti, është bërë e qartë se Kurani nuk është kurrsesi një poezi, por është Fjalë e të Madhërishmit, së cilës nuk i vishet e pavërteta nga asnjë anë. Fjala e Allahut është një dritë, e cila duhet kërkuar, për ta gjetur udhëzimin gjatë shtegtimit tonë të rrezikshëm nëpër mjegullinat dhe rreziqet e kufrit.
2. Arabët ishin poetë të mëdhenj dhe, në kohën e dërgimit të Muhamedit për pejgamber, poezia ishte në kulmin e lulëzimit. Dhe ishte e natyrshme që sfida më e madhe për ta të ishte Kurani dhe ajetet e tij, ndaj të cilave ishin të pafuqishëm të rezistonin, prandaj edhe e akuzuan Muhamedin a.s. se ishte një poet i shkathët, mbase më i miri prej tyre, por Allahu xh.sh. e fshiu këtë akuzë nga profeti i Tij, duke
ia bërë të qartë se ai as nuk ishte poet dhe as që i takonte atij të merrej me poezi, sepse detyra e tij ishte vetëm ta transmetonte tek njerëzit këtë Kuran që po zbriste prej Allahut. Për madhështinë e Kuranit dëshmuan edhe idhujtarët, ndonëse pa dëshirën e tyre. Të kujtojmë me këtë rast vetëm fjalët e Velid bin Mugires: “Për Zotin, ai (Muhamedi) nuk është poet, as magjistar dhe as murg. Fjalët e Kuranit janë aq të ëmbla dhe aq melodike...”
3. Allahu i Madhërishëm u nënshtroi robve të Tij (njerëzve) kafshët shtëpiake, prej të cilave ata kanë dobi të shumëfishta, si f.v. për bartje, për ngrohje me gëzofin e tyre ose për ushqim a pije.
4. Idhujt që njerëzit i adhuruan në këtë botë, do të jenë dëshmitarë kundër adhuruesve të tyre, sa për t’ua bërë edhe më të dhimbshëm dëshpërimin e tyre, teksa shohin se besimi i tyre në ta ka qenë tërësisht i kotë, për se ata idhujtarët - merituan dënimin e përjetshëm me zjarrin e Xhehenemit.
5. Të Dërguarit i jepet kurajë dhe porosi që të mos dëshpërohet nga vështirësitë me të cilat po ballafaqohej gjatë misionit të tij, dhe as nga akuzat e thëniet e idhujtarëve se gjoja ishte poet a magjistar. Kryesorja ishte që ai të mos thyhej, po të vazhdonte me vullnet këtë mision, sepse e ardhmja e ndritshme e Islamit ishte afruar...

(vijon)



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme