Komentimi i kaptinës “Jasin” - (6)

(ajetet 55-68)

55. Ata të Xhenetit tash janë të angazhuar me kënaqësi.
56. Ata dhe shoqet e tyre janë nën hijet të mbështetur në kolltukë.
57. Aty kanë pemë dhe çka të duan.
58. Kanë “Selam”, thënie e Zotit mëshirues!
59. Tash, ju kriminelë, ndahuni!
60. O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk jua dërgova porosinë, që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?
61. (Ju porosita) Të më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt!
62. Vërtet, ai (shejtani) ka humbur shumë njerëz prej jush, a nuk mblodhët mend?
63. Ky është Xhehenemi që ju premtohej juve.
64. Hyni tash në të, për shkak se mohuat çdo të vërtetë!
65. Sot Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.
66. E, po të duam Ne, do t’ua verbonim sytë e tyre, e ata do ta mësynin rrugën, po si do të shihnin?
67. Dhe, sikur të duam, do t’i kishim gjymtuar ata në vend, e nuk do të mund të shkonin as para as prapa.
68. E atij që i japim të jetojë gjatë, atë e kthejmë prapa në krijimin e tij. A nuk janë duke menduar?

Lidhmëria e këtyre ajeteve me ato paraprake
Pasi Allahu i Madhërishëm në ajetet paraprake i njoftoi pabesimtarët-idhujtarët se ringjallja dhe dhënia e Llogarisë do të ndodhin pa dyshim, se këto janë përcaktime të Allahut, dhe se në atë Ditë, askujt nuk do t’i bëhet e padrejtë, tash në ajetet vijuese, i Lartmadhërishmi flet për shpërblimin e grupit që do të jenë të shpëtuar, dhe për ndëshkimin e grupit që do të jenë të ndëshkuar.
Në ajetet ku flitet për banorët e Xhenetit, kemi përshkrimin e mirësive që do t’i gëzojnë ata në Xhenet, kurse në ajetet ku flitet për gjendjen e kriminelëve dhe mohuesve, shohim turpërimin dhe vuajtjet e tyre, kur atyre do t’u thuhet të ndahen mënjanë nga turma e njerëzve të mirë, për të shijuar dënimin e merituar në humnerat e skëterrës...

Koment:

Shpërblimi i të devotshmëve

55. Ata të Xhenetit tash janë të angazhuar me kënaqësi.
56. Ata dhe shoqet e tyre janë nën hijet të mbështetur në kolltukë.
57. Aty kanë pemë dhe çka të duan.

S’ka dyshim se Ahireti është vendi ku besimtarët do ta ndiejnë lirinë e tyre të vërtetë, çiltërinë trupore e shpirtërore. Për ata i Madhërishmi ka përgatitur shpërblimin meritor-kënaqësitë e Xheetit. Çfarëdo që flasim për Xhenetin dhe begatitë e tij, ne as për së afërmi nuk mund t’u afrohemi me përshkrim bukurive të tij magjepsëse, të cilat janë përgatitur për besimdrejtët. Mbase as imagjinata më e bujshme e njeriut, nuk mund t’i përafrohet ndonjë përshkrimi real. Për këtë, më së miri na ka treguar i Dërguari i Allahut, kur në një hadithi kudsijj, teksa transmeton fjalët e Zotit të Tij, thotë: “Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Për robtë e Mi të mirë kam përgatitur në Xhenet atë që nuk ka parë kurrë syri i njeriut (diçka të ngjashme për nga bukuria), nuk e ka dëgjuar kurrë veshi (asi zërash magjepsës) dhe gjëra që dikujt as nuk mund t’i kenë shkuar ndër mend (përfytyrimi i diçkaje të tillë)”(1)
Në Xhenet, çdo gjë është e përkryer. Çdo gjë është përgatitur enkas si shpërblim për ata që i dhanë besën Allahut qysh në ezel, se nuk do të mashtroheshin nga intrigat dhe joshjet e shejtanit, por do të pasonin Udhëzimin e Tij, të cilin e dërgoi nëpërmjet Librave të shenjtë dhe pejgamberëve të shumtë.
Besimtarët në Xhenet, do të shijojnë tërë atë që u është premtuar nga i Gjithëmëshirshmi, i Cili kurrë nuk e thyen premtimin e Tij. Ata do të përcillen për në Xhenet me nderimet më të larta nga melaiket, të cilët do t’ua hapin dyert e tij dhe do t’u shprehin mirëseardhje e qëndrim të përjetshëm në kënaqësitë e kësaj Parajse të përgatitur enkas vetëm për ta. Me këtë rast, xhenetlinjtë do ta falënderojnë Allahun xh.sh., për përmbushjen e premtimit dhe për shpërblimin e tyre me begatitë e Xhenetit.
Besimtarët në Xhenet, do të qëndrojnë së bashku me familjet e tyre, nën flladet e pemëve të larta që krijojnë ndjenjën e qetësisë shpirtërore e fizike, duke shijuar çdo mirësi. Do të jenë të mbështetur në kolltukë, e përreth tyre shërbëtorët e Xhenetit do t’u shërbejnë me pije e ushqime të ndryshme.
Zoti i Madhërishëm do t’i bashkojë njerëzit në Xhenet me anëtarët e familjeve të tyre, me prindërit, gratë dhe fëmijët e tyre, të cilët e kanë ndjekur rrugën e besimit dhe veprave të mira. Ky do të jetë një gëzim edhe më i madh për ta, sepse takimi me më të dashurit e tyre dhe shfrytëzimi i përbashkët i të mirave të Xhenetit, është kënaqësi e shumëfishtë. Lidhur me këtë, Allahu xh.sh. në Kuran ka thënë:
“Dhe ata që durojnë për ta fituar kënaqësinë e Zotit të tyre, që e falin namazin dhe që japin nga ajo me se i kemi furnizuar Ne, fshehtas e haptas, dhe të keqen e kthejnë me të mirë, të tillët kanë përfundim të mirë. Xhenete e kopshte të Adnit (të përjetshme), ku do të hyjnë ata dhe kush ka bërë mirë (besuar) nga prindërit e tyre, nga gratë dhe nga pasardhësit (fëmijët) e tyre, kurse melekët do të hyjnë tek ata (për t’i vizituar) nga secila derë”. (Err-Rra’d, 22- 23).

58. Kanë “Selam”, thënie e Zotit mëshirues!

Pa dyshim që momenti më madhështor që do ta përjetojnë besimtarët në Xhenet, është ai kur atyre u shfaqet Krijuesi i tyre. Ky është moment, kur ata do të shkrihen në ekstazën e dashurisë hyjnore, sepse të parët e Allahut xh.sh. është shpërblim mbi shpërblime. Atë ditë do të ketë fytyra të ndritura e të gëzuara, që do t’i kenë drejtuar shikimet e tyre nga Krijuesi i tyre i plotfuqishëm. Allahu xh.sh. thotë: “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara) që shikojnë Zotin e tyre.” (El-Kijame, 22-23)
Disa dijetarë kanë thënë se përshëndetja e Allahut ndaj xhenetlinjve do të jetë nëpërmes melaikeve, por një pohim i tillë është i pabazë, sepse vetë ajeti në fjalë demanton një gjë të tillë.
Në lidhje me ajetin 58 të kësaj kaptine: “Kanë ‘Selam’, thënie e Zotit mëshirues!” është transmetuar nga Xhabir bin Abdullah r.a. të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Derisa banorët e Xhennetit të jenë në kulmin e kënaqësisë së tyre, befas, sipër tyre do të shkëlqejë një dritë e fortë, e cila do t’ua tërheqë vëmendjen për ta parë. Kur ja, Allahu xh.sh. do t’u shfaqet atyre me këtë dritë të mahnitshme hyjnore duke u thënë: “Paqja dhe shpëtimi qoftë mbi ju, o banorë të Xhenetit” Pastaj besimtarët do ta shohin Atë dhe Ai do t’i shikojë ata, dhe nga kënaqësia e papërshkrueshme që pushton qeniet e tyre, ata më nuk do ta kthejnë kokën tek kënaqësitë e tjera të Xhenetit, përderisa shikimet e tyre ende të jenë të drejtuara nga Ai, derisa Allahu të mos fshihet nga të parët e tyre, por pranë tyre megjithatë do të mbeten Nuri dhe Mirësia e Tij, madje edhe në pallatet e tyre.”(2)
Po ashtu transmetohet nga Xherir b. Abdullahu r.a. të ketë thënë: “Kemi qenë tek i Dërguari i Allahut s.a.v.s., e ai shikoi Hënën katërmbëdhjetëshe dhe tha: ”Vërtet ju kështu do ta shihni Krijuesin tuaj, qartë, ashtu siç po e shihni Hënën. Nuk do të ngushtoheni dhe shtyheni midis jush që ta shihni.” (Muttefekun alejhi).
Në Xhenet, besimtarët kanë vetëm një përshëndetje: “Selam”- paqe-shpëtim”, sepse Allahu është Shpëtuesi i tyre nga zjarri i Xhehenemit. Aty nuk do të dëgjohen kurrë fjalë të pista e as do të ketë xhelozi, urrejtje a smirë në mesin e banorëve të tij, kurse, në shenjë falënderimi ndaj Krijuesit, për dhuntitë e Xhenetit, banorët e Xhenetit do t’I drejtohen Allahut me fjalën El-Hamdulil-lah. Lidhur me këtë, Zoti i Madhërishëm ka thënë:
“Lutja e tyre në të (Xhenet) do të jetë
- Qofsh lavdëruar, o Zoti ynë, e përshëndetja e tyre Paqe-Selam ndërsa fundi i lutjes së tyre do të jetë: Falënderimi I qoftë Allahut, Zotit të botëve”. (Junus, 10).

Ndëshkimi i kriminelëve të pabindur

59. Tash, ju kriminelë, ndahuni!

S’ka dyshim se ndër momentet më të rënda e më të vështira për pabesimtarët, do të jetë çasti kur Allahu i Madhërishëm urdhëron të ndahen turmat e mizorëve dhe të pabesimtarëve nga turmat e besimtarëve të devotshëm. Të parët, do të nisen me dhunë e vrazhdësi në stacionin e fundit të tyre të përjetshëm, Xhehenemin.
Allahu në Kuran thotë: “Atë ditë i tubojmë të gjithë, ndërkaq atyre që I kanë bërë shok Allahut, u themi: “Rrini në vendin tuaj, ju dhe idhujt tuaj!” Ne i ndajmë ata...” (Junus, 28)
Dhe:
“Dhe ditën kur të ndodhë Kiameti, atë ditë do të ndahen (njerëzit).” (Er- Rrum, 14)
Këta kriminelë, e kanë merituar këtë, sepse nuk ndoqën rrugën e të Gjithëmëshirshmit për të cilën i ftoi Ai pandërprerë. Sipas Dahhakut, në këtë ditë do të ndahen kriminelët dhe pabesimtarët në grupe: hebrenjtë në një anë, të krishterët në anën tjetër, zjarradhuruesit në një anë, idhujtarët në anën tjetër, materialistët në një anë dhe ateistët në anën tjetër, e kështu me radhë, të gjitha grupet e kufrit, do të jenë të mbledhura tok në një vend...(3) Allahu xh.sh. në këto momente kur ata të jenë nisur në rrugëtimin e fundit të tyre tragjik, atyre do t’u drejtohet me fjalët:

60. O bijtë e Ademit (kriminelë), po a nuk ju dërgova porosinë, që të mos e dëgjoni djallin, se me të vërtetë ai është armiku juaj i hapët!?

Kjo argumenton faktin se pabesimtarët do të mbesin të shtangur. Asnjë fjalë, asnjë pëshpëritje, asnjë arsyetim nga ana e tyre. Ata e ndiejnë thellë fajësinë e tyre. Ata do të kishin dëshiruar tash të ishin sërish në këtë dynja e të bënin punë të mira, por tash është vonë për çdo gjë. Fati i tyre tashmë është vulosur. Ata do të mbesin së bashku me djallin në skëterrat e llahtarshme të Xhehenemit, duke u ndëshkuar për bëmat e tyre. Porosia e Allahut për ta - a nuk jua dërgova porosinë dhe këshillën që të mos e dëgjonit shejtanin që jua zbukuronte punët tuaja të këqija, do t’u tingëllojë si diçka e njohur në veshët e tyre, por e injoruar tërësisht nga verbëria që kishte kapluar zemrat dhe mendjet e tyre në këtë botë. Ata nuk kishin mundur as të imagjinon se shejtani ua kishte zbukuruar të gjitha ato shëmti që kishin bërë. Ata nuk i kishin dëgjuar pejgamberët dhe kishin refuzuar Librat e shenjtë. Ata atëherë kishin harruar porosinë hyjnore që u kishte proklamuar Allahu nëpërmjet të dërguarve, e cila thoshte:

61. (Ju porosita) Të më adhuroni Mua, se kjo është rruga e sigurt!

E vetmja rrugë që do të duhej ta ndiqnin, ishte adhurimi i Allahut e jo i idhujve dhe zotave të rrejshëm, të cilët, ata vetë i kishin fantazuar me imagjinatën e tyre të shtrembër, gjithnjë të ndikuar nga shejtani i mallkuar. I vetmi shpëtim për ta do të kishte qenë adhurimi i sinqertë i Allahut, Krijuesit të pashoq, i Cili na mbikëqyr veprat që ne bëjmë. Vetëm kjo është rruga e sigurt drejt dritës hyjnore dhe shpëtimit në botën tjetër. Zaten, edhe në suren El-Fatiha, 6, është përmendur lutja jonë drejtuar Allahut: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”. Pra, i lumtur e i shpëtuar nga kurthet dhe intrigat e shejtanit, do të jetë vetëm ai që e ka zemrën të pastër e të forcuar me iman e besim të sinqertë .

62. Vërtet, ai (shejtani) ka humbur shumë njerëz prej jush, a nuk mblodhët mend?

Se shejtani është armik i hapët i njeriut, Allahu këtë ua ka bërë me dije qysh me ngjarjen e Ademit, kur ai nga xhelozia ndaj tij, me dredhi dhe intriga, kishte arritur ta mashtronte. Ai këtë mision e kreu që prej asaj dite dhe do të vazhdojë ta kryejë deri në Ditën e Fundit të kësaj bote. Pasi Allahu kishte mallkuar shejtanin, kur ky i fundit kishte refuzuar t’i binte në sexhde nderimi Ademit a.s., duke thyer kështu Urdhrin e Tij, ai vërtet e kishte merituar mallkimin dhe përbuzjen e Zotit, por, meqë ai fitoi mallkimin e përjetshëm dhe Xhehenemin si vendbanim, ai iu lut Allahut që ta linte të lirë ta devijonte çdo njeri të luhatshëm që do të arrinte ta fuste në kurthet e tij djallëzore.
“Ai (Iblisi) tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën e ringjalljes!”, (Zoti) Tha: “Po, je prej atyre të afatizuarve, deri në kohën e ditës së caktuar!” Ai tha: “Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë, përveç atyre që janë të sinqertë nga robtë e Tu!” (Zoti) Tha: “Pasha të vërtetën, e Unë e flas vetëm të vërtetën: Unë do ta mbush Xhehenemin me ty dhe me të gjithë ata që vijnë pas teje!” (Sad, 79-85)
I Lartmadhërishmi, duke ditur se shejtani nuk ka dorë në zemrat e besimtarëve të sinqertë, ia dha këtë mundësi, sa për ta vënë atë në sprovë dhe për t’ia bërë me dije se sa i pafuqishëm do të jetë kundruall besimtarëve, të cilët Allahu i ka pajisur me mburojën e blinduar, të cilën nuk mund ta shpojë asnjë intrigë e shejtanit - Imanin e thellë e të paluhatshëm në Allahun xh.sh.. Por shejtani, megjithatë, disa njerëzve të luhatshëm, duke ua hijeshuar shëmtitë e tyre, ua përfitoi zemrat, e këta janë pabesimtarët, të cilët do t’i marrë me vete në Xhehenem...

63. Ky është Xhehenemi që ju premtohej juve.
64. Hyni tash në të, për shkak se mohuat çdo të vërtetë!

Ah sa mynxyrë e madhe do t’i presë këta pabesimtarë, kur të jenë drejtuar tek humnerat e zjarrta e të tmerrshme të Xhehenemit. Vetëm tash, pasi ta shohin zjarrin e llahtarshëm, do të kuptojnë bindshëm se Xhehenemi vërtet do të jetë vendbanimi i tyre i shëmtuar. Vetëm tash, kur me sytë e tyre do të shohin tërë këtë lemeri, do t’u vijë ndërmend përshkrimi i tij, për të cilin ua kishte tërhequr vërejtjen i Gjithëmëshirshmi. Ai i kishte ftuar ta besonin Atë dhe të mos përgënjeshtronin të dërguarit e Tij. Ndërsa, ata që kishin rënë në grackat e mosbesimit, ja tash tek ballafaqohen me atë që u kishte premtuar Allahu prej ndëshkimit. Thënia: “Hyni tash në të!”, është kulmi i turpërimit të tyre. Ata do të hidhen në këto skëterra, pa mëshirë. Melaiket e azabit, të cilave Allahu nuk u ka krijuar asnjë pikë mëshire në zemrat e tyre, e kanë vetëm këtë detyrë, të hedhin në zjarr këto krijesa njerëzore dhe exhinët që nuk besuan Allahun dhe Ditën e Gjykimit. Ky do të jetë përjetimi fizik i Xhehenemit që ata kishin përgënjeshtruar. Kjo skenë, gjithsesi do t’ua kujtojë këtyre pabesimtarëve ajetet 6-7 të kaptinës Et-Tekathur: “Ju patjetër do ta shihni Xhehennemin. Madje atë do ta shihni të bindur plotësisht”. Ata, në jetën e kësaj bote, kurrë nuk kishin besuar se do ta përjetonin këtë zjarr të Xhehenemit. Ata tash po e shihnin, të bindur plotësisht në vërtetësinë e tij, por momenti më i trishtueshëm për ta do të jetë momenti kur do t’u thuhet: Shijoni idhtësinë dhe tmerrin e këtij zjarri përcëllues, që djeg e këput zorrët nga nxehtësia. Ushqimi i tyre do të jetë pema Zekkum, ndërsa pija, ujët e valë.
Ja si na i përshkruan Allahu i Plotfuqishëm këto tmerre në disa prej ajeteve kuranore:
“Është e vërtetë se pema e Zekkumit, do të jetë ushqim i mëkatarëve. Vlon si katrani në barqe, ashtu si vlon uji i valë” (Ed-Duha 43–46).
dhe:
”Kurse për ata që nuk e kanë besuar Zotin e tyre, do të ketë dënim të Xhehenemit, sa vendi i keq qëndrimi që është ai! Kur të hidhen në të, do të dëgjojnë ushtimën e tij duke vluar. Gati sa nuk pëlcet nga tërbimi, sa herë që hidhet në të ndonjë grup, ata i pyet roja e tij- a nuk ju ka ardhur Pejgamberi? Po, thonë (ata), por ne nuk i kemi besuar dhe kemi thënë se Allahu nuk ka zbritur asgjë, ju nuk jeni asgjë tjetër pos në devijim i madh”. (El-Mulk, 6-11)
dhe:
”Do të digjen në zjarr të ndezur flakë. Do t’u jepet ujë nga burimi i valë. Nuk do të kenë ushqim tjetër përveç ferrave”. (El-Gashijje, 4-6)
Ajetet për ndëshkimet e ndryshme të rënda në Xhehenem, janë shumë, por ne u mjaftuam vetëm me disa prej tyre...

65. Sot, Ne ua mbyllim gojët atyre, Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.

Pabesimtarët, të prirë nga egoja dhe karakteri i tyre rebelues, në Ditën kur do të ballafaqohen me vendimin final-dënimin në zjarr të Xhehenemit, do të përpiqen të mohojnë çdo vepër të tyre të kufrit. Ata do të përpiqen të gjejnë lloj-lloj arsyetimesh, por kot. Këtë ditë askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Secili njeri e ka të varur fluturaken (shënuesin e përpiktë të veprave që ka bërë në jetën e kësaj bote), dhe ai do t’i shohë të gjithë veprat e tij, qofshin të mira qofshin të këqija. Mirëpo, ata do të ballafaqohen edhe me një të papritur. Ata do të “tradhtohen” edhe nga vetë gjymtyrët e tyre, të cilave Allahu do t’ua mundësojë të flasin e të tregojnë për mëkatet e këtij njeriu. Atij atë ditë do t’i mbyllet goja dhe do të flasë syri i tij për haramet që ka shikuar, dora se ç’haram ka punuar, dhe këmba se në ç’haram ka shkuar. Tërë kjo do të bëhet që pabesimtarët të gjunjëzohen me argumente kundër vetvetes, sepse Allahu nuk i bën të padrejtën askujt, veçse, para se t’i dënojë ata, Ai së pari do t’i ballafaqojë me vetveten, që ata vetë ta gjykojnë e të llogarisin vetveten.
Pas kësaj, Allahu i Madhërishëm sqaron manifestimin e fuqisë së Tij ndaj tyre, kur u dëfton se, po të donte, do t’ua merrte të parët dhe do t’i gjymtonte ata në mënyrë që të mos mund të lëvizin ...

66. E, po të duam, Ne do t’ua verbonim sytë e tyre, e ata do ta mësynin rrugën, po si do të shihnin?

Kuptimi sipërfaqësor i këtij ajeti është shumë i qartë dhe nënkupton faktin se, po të donte Allahu, do të vuloste shikimet e njerëzve duke ua marrë të parët dhe mundësinë për të parë, njohur e perceptuar gjërat, mirëpo a thua cili është kuptimi i thellë dhe i përpiktë i tij?
Po të mendosh se Allahu ka krijuar besimtarin dhe qafirin, dhe se Ai ka dashur që qafiri të jetë mohues, kjo pa dyshim është një lajthitje e qartë. Të gjykosh se Allahu e ka detyruar një pabesimtar të jetë prej mohuesve, atëherë patjetër shtrohet pyetja: Për ç’arsye atëherë ia ka dhuruar sytë, të dëgjuarit dhe mendjen, nëpërmjet së cilës të mund të zbulonte të vërtetën? Vallë, a nuk janë këta sy që shohin, argument i pakontestueshëm se Allahu i ka krijuar ata, që të mund të shihen argumentet e Madhështisë së Allahut. A nuk janë këta sy, sikur një dritare e zgjatur, për të parë dhe perceptuar botën e jashtme?
Po të mos donte Allahu të na udhëzonte, atëherë përse na i ka dhuruar shqisat? Përgjigjja e vetme është: që ne, me sytë, veshët dhe mendjen tonë, të kemi mundësi të shohim, të dëgjojmë dhe të kuptojmë Madhështinë e Krijuesit, dhe për ta besuar Atë pa kurrfarë shtrëngimi.
Krijuesi i Gjithësisë e dalloi njeriun nga të gjitha krijesat e tjera me dhuntinë e të menduarit dhe të logjikuarit. Mendja është dhurata më e çmueshme dhe më madhështore e Zotit për njeriun, me se e ka lartësuar mbi të gjitha krijesat e gjalla në tokë.
Nga fjalët e Allahut Fuqiplotë në këtë ajet: “E, po të duam, Ne do t’ua verbonim sytë e tyre...”, kuptojmë faktin se, po të dojë i Gjithëfuqishmi, këtë mund ta bëjë kurdo që dëshiron, por Ai, nga mëshira e Tij e pakufishme, njeriut i dha mundësinë që rreth tij të shihte argumentet e madhështisë hyjnore dhe ta besonte Atë pa kurrfarë imponimi dhe shtrëngese.
Në këtë mënyrë Allahu xh.sh. i njofton pabesimtarët, se Ai ua kishte dhënë të gjitha mundësitë për ta shpëtuar vetveten, sepse ua kishte dhuruar sytë për të parë, veshët për të dëgjuar dhe mendjen për të logjikuar, se cilën rrugë duhej ndjekur. Po të ndodhte që i Plotfuqishmi t’ua merrte të parët e syve, a thua si do ta gjenin ata rrugën në errësirën që do t’i rrethonte? Çfarë ironie?! Këta pabesimtarë nuk arritën të gjenin rrugën e dritës, edhe pse i kishin sytë, po a thua si do ta gjenin atë, po të ishin të verbër, pa sy?!

67. Dhe, po të duam, do t’i kishim gjymtuar ata në vend, e nuk do të mund të shkonin as para as prapa.

Edhe në këtë ajet kuranor shohim mrekullinë e madhe hyjnore. Allahu i Madhërishëm na ka dhënë këtë konstrukt trupor, i cili, ndonëse i dobët dhe i brishtë, megjithatë është aq i komplikuar për kuptimet tona, saqë për të mund të flasin vetëm anatomistët e rryer e profesionistë, të cilët merren me studimin e trupit të njeriut. Allahu na ka dhënë mundësinë që të lëvizim me këmbët tona, të lëvizim duart dhe kokën ngado që të dëshirojmë. Ai na ka dhuruar një konstrukt të tillë eshtëror, i cili lidhet në mënyrë të përkryer me muskujt e panumërt në trupin tonë, ndërsa këta muskuj të përbërë prej mishi dhe miliarda indesh e fijesh nervore, janë të mbushur me dej që përcjellin gjakun në barkushet e zemrës dhe në tru, duke pulsuar gjallëri e vitalitet.
Po të ndalemi të mendojmë se sa muskuj duhet të vihen në lëvizje për vetëm një lëvizje, sa komanda përcillen me shpejtësi të paimagjinueshme nga komanda qendrore që gjendet në trurin e njeriut, vërtet do të mbetemi të ngazëllyer nga mrekullia që përbën trupi ynë.
Dhe, po të mos ishin vullneti dhe dëshira e Allahut që të na krijonte në këtë formë kaq të bukur, a thua si do të arrinim të lëviznim?
Pandaj, me të drejtë, shtrohet pyetja, po të donte Allahu të na linte të shtangur e të palëvizshëm, a thua si do të mund të gjallëronim e të jetonim? Por, Allahu, duke ditur se në Ditën e Gjykimit ka njerëz që do të bënin ndonjë vërejtje të tillë, Ai e përsosi krijesën njerëzore duke i dhuruar mendjen-trurin, gjënë më të çmueshme, me anë të të cilit njeriu komandon të gjitha lëvizjet e tij, prandaj do të kërkojë përgjegjësi, me plot të drejtë, prej çdo njeriu, madje edhe prej çdo gjymtyre. A nuk thotë Allahu xh.sh. në Kuran:
“...të dëgjuarit, të parët dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi” (El- Isra’ë, 36)
Po të donte Allahu, këta njerëz që nuk besuan, në momentet kur ata bënin mëkate, do t’i linte të shtangur në vend, të gjymtuar e të deformuar, në mënyrë që të mos mund të lëviznin as para e as prapa, por Ai i la të lirë në veprat e tyre, në mënyrë që në Ditën e Gjykimit t’i shtangë e t’i gjymtojë me shpalljen e vendimit të dhimbshëm, se ata do të jenë banorë të përhershëm të Xhehenemit!

68. E atij që i japim të jetojë gjatë, atë e kthejmë prapa në krijimin e tij. A nuk janë duke menduar?

Ky ajet është një tërheqje e fuqishme e vërejtjes për çdo pabesimtar dhe, përgjithësisht, për çdo njeri, që të kenë kujdes se si e shfrytëzojnë jetën dhe kohën e tyre. Për të gjithë këta, duhet të jetë mësim fakti se njeriu, kur është i ri, ka mundësi të bëjë vepra të mira a të këqija, duke qenë me trup të fuqishëm e mendje të kthjellët. Pas kësaj, njeriun fillojnë ta rëndojnë vitet e pleqërisë dhe sëmundjet, vite kur ai humb fuqinë, vitalitetin dhe elanin, duke u kthyer në një krijesë të dobët e të pafuqishme. Nëse njeriu, gjatë rinisë dhe kohës së pjekurisë, nuk ka arritur të gjejë udhëzimin, atëherë gjasat për të bërë një gjë të tillë në pleqëri, janë edhe më të vogla, sepse jetëgjatësia e tij nuk do t’i ndihmojë asgjë. Ky është një argument nga ana e Allahut për pabesimtarët, në mënyrë që të mos mundohen të gjejnë ndonjë arsyetim se nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për të hulumtuar e gjetur rrugën e shpëtimit e të udhëzimit.
A nuk thotë i Madhërishmi në Kuran: “Allahu është Ai që ju krijoi në një
gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri. Ai krijon çka të dojë, Ai është më i dijshmi, më i fuqishmi.” (Err-Rrum, 54)
Në lidhje me këtë, edhe i Dërguari i Allahut në një hadith të tij, kur flet se si duhet shfrytëzuar koha, thotë: “Shfrytëzoji pesë gjëra para pesë të tjerave: Rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes; pasurinë para varfërisë; jetën para vdekjes dhe kohën e lirë para se të jesh i zënë”.
Margaritarë të urtësisë nga këto ajete
1. Banorët e Xhenetit do të shijojnë të gjitha begatitë dhe mirësitë që Allahu u ka përgatitur. Ata do të jenë me bashkëshortet dhe familjarët e tyre të ulur nëpër kolltukë të lartë. Do të jenë vërtet zotërinj, me plot kuptimin e fjalës, sepse atyre do t’u shërbejnë shërbëtorët e Xhenetit. Ata do ta ndiejnë kënaqësinë e besimit të tyre në këtë botë, por, mbi të gjitha, kënaqësia më e madhe për ta është kur Allahu do t’i përshëndesë me fjalën Selam-Paqe, Allahu do të jetë i kënaqur ndaj tyre dhe ata do të jenë të kënaqur që Zoti dhe Krijuesi i tyre i përshëndet me Selam, përshëndetje kjo e cila do të jetë përshëndetja e banorëve të Xhenetit.
2. Izolimi dhe ndarja e pabesimtarëve kriminelë nga turma e besimtarëve, do të jetë në shenjë nënçmimi e përbuzjeje, meqë ata talleshin me besimtarët në këtë botë. Ndarja e tyre simbolizon drejtësinë absolute të Allahut xh.sh. dhe besimtarët, të cilët ishin më të përvuajtur në jetën e kësaj bote, do ta ndiejnë supremacionin dhe epërsinë e vërtetë ndaj qafirëve, të cilët në këtë botë kishin qenë mendjemëdhenj e të prishur moralisht.
3. Allahu i tërheq vërejtjen njerëzimit për një armik të përbetuar të tyre-shejtanin e mallkuar, i cili më parë e pati mashtruar babanë e tyre - Ademin a.s., që të kishin kujdes nga intrigat dhe djallëzitë e tij. Ata duhet të ruhen të mos joshen nga djallëzitë e tij për të qenë mohues të nimeteve të Allahut Fuqiplotë. Njerëzit gjithherë duhet ta kenë në hatër se vetëm tek Allahu është kthimi, dhe se çdo sprovë në këtë botë është për të na sprovuar imanin dhe besimin e thellë që kemi në Allahun xh.sh..
4. Ndëshkimi me Xhehenem do të jetë ndër momentet më të tmerrshme për mohuesit e fesë së Allahut. Mjerë për ata që nuk ndoqën udhëzimin dhe këshillat e pejgamberëve...
5. Për pabesimtarët, idhujtarët, femohuesit, befasia me e keqe do të jetë momenti kur ata, duke u përpjekur të mohojnë ndonjë vepër të keqe të bërë nga ana e tyre, do të tradhtohen nga vetë gjymtyrët e tyre - sytë, duart dhe këmbët, të cilave Allahu do t’u japë aftësinë për të folur, për të dëshmuar se ç’mëkate kishte bërë me to pronari i tyre... Ky argument është edhe një tërheqje e vërejtjes se askush nuk do t’i shpëtojë drejtësisë së Allahut, por do të shpërblehemi, në varësi nga veprat që kemi bërë gjatë jetës sonë në këtë botë.
6. Jetëgjatësia e njeriut nuk nënkupton ndonjë privilegj shtesë për njeriun, përkundrazi, ajo është vetëm sprovë. Sa më gjatë që të jetojë njeriu, mundësia për të rrëshqitur në gabime është më e madhe. Njeriu në moshën e pleqërisë, më nuk është në gjendje të kujdeset as për trupin e tij, e jo më të ndihmojë dikë tjetër. Njerëzit duhet të kuptojnë përfundimisht një fakt: jeto sa të jetosh, megjithatë vdekja të arrin, sepse ndaj saj nuk është imun askush, por ajo që ka peshë dhe rëndësi, është që jeta jonë të ketë një kuptim, që jeta jonë të kalojë në besim dhe në rrugën që ka porositur i Plotfuqishmi...
7. Koha është një gjë shumë e shtrenjtë dhe e çmueshme për çdo njeri. Ajo duhet shfrytëzuar maksimalisht në punë të mira dhe assesi në punë të liga e të neveritshme. Njeriu duhet ta kuptojë se çdo frymë që shpenzon, e ka shpenzuar një pjesë të jetës së tij duke iu afruar më afër vdekjes. Më i madhi i gjeneratës së tabiinjve, Hasan El Basriu, ka thënë: “O bir i Ademit, me të vërtetë ti je me ditë të caktuara, sa herë që të shkon një ditë, ka shkuar një pjesë e jotja.”, dhe: “Nuk i kalon një ditë birit të Ademit përveçse ajo thotë:”O bir i Ademit, unë jam një ditë e re dhe për punën tënde dëshmitar, përfito nga unë, sepse unë nuk kthehem më deri në Ditën e Gjykimit!”

- vijon -


_________________
Fusnotat:
1. Transmeton Ebu Hurejre (Muttefekun alejhi).
2. “Muhtesar Tefsir Ibn Kethir” redaktuar nga Muhammed Ali es-Sabuni, vëll.III, fq.167.
3. Tefsirul Munir, vëll. 23, fq. 40.
4. Tefsiri i Sha’raviut, fq. 12689



Sabri Bajgora