Komentimi i kaptinës “Jasin” - (8)

(ajetet 77-83)

77. A nuk mendon njeriu se Ne e krijuam atë prej një pike uji (fare), kur qe, ai kundërshtar i rreptë.
78. Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: “Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur?
79. Thuaj: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim.
80. Ai që prej drurit të gjelbër ju bëri zjarrin, e ju prej tij ndizni.
81. A nuk është i fuqishëm Ai që krijoi qiejt e Tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Po, Ai është krijuesi, i dijshmi.
82. Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet.
83. I lartë është Ai e në dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetëm tek Ai ktheheni.

Shkaku i zbritjes së ajeteve: 77-83

- Transmeton Ibn Ebi Hatimi nga Muxhahidi, Ikrime, Urvete ibn Zubejri, Katadeja dhe Suddiu, të cilët thonë se Ubejj bin Halefi erdhi tek i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. me një asht (kockë) të madh në dorë, dhe duke e copëtuar e thërrmuar para tij, i thoshte: Ti po pretendon se ky asht do të ringjallet pasi të jetë shkapërderdhur, a?
Po - i kishte thënë i dërguari i Allahut, - Allahu do ta ringjallë këtë, pastaj do të të vdesë ty, pastaj do të të ringjallë e pastaj do të të fusë në Xhehenem.”
Pas kësaj bisede kanë zbritur ajetet 77-83.
- Transmeton Hakimi në Sahihun e tij nga Ibn Abasi të ketë thënë: “Erdhi As ibn Vaili tek Resulullahi s.a.v.s. me një asht të madh në dorë, dhe e copëtoi para tij duke thënë: A do të ringjallet ky pasi të jetë shkapërderdhur?”
Po - i kishte thënë i dërguari i Allahut, Allahu do ta ringjallë këtë, pastaj do të të vdesë ty, pastaj do të të ringjallë e pastaj do të të fusë në Xhehenem.”
Pas kësaj bisede zbritën ajetet 77-83. Sipas mendimit të dijetarëve, personi që kishte ardhur tek i Dërguari i Allahut, kishte qenë Ubejj bin Halefi. Këtë mendim e përkrah edhe Ebu Hajjani, të cilin mendim e përcjell Ibn Vehbi nga Maliku.
Sidoqoftë, nuk është me rëndësi se për cilin kanë zbritur këto ajete, për Ubejjin apo për Asin, sepse ajeti në fakt përfshin të gjithë mohuesit e ringjalljes dhe Ditës së Gjykimit.

Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ajetet paraprake

Pas përmendjes së argumenteve madhështore të fuqisë së Allahut Fuqiplotë në ajetet paraprake, dhe detyrueshmërisë për t’iu nënshtruar madhërisë së Tij me ibadet, duke iu shmangur shirkut e mosbesimit, tash në këto ajete i Madhërishmi cek dyshimet e mohuesve rreth ringjalljes, të cilët këto pyetje i bënin me ironi e sarkazëm. Por, megjithatë Allahu xh.sh. këtyre iu përgjigj me tri përgjigje të prera:
- Se rikrijimi është më i lehtë se krijimi i parë (në të kuptuarit njerëzor!!!)
- Fuqia e Allahut për gjetjen e zjarrit nga pema e gjelbër dhe e njomë.
- Krijimi i diçkaje më të madhe sesa njeriu, që është krijimi i qiejve dhe i Tokës...

Koment:
Argumenti i pakontestueshëm për Ringjalljen

77. A nuk mendon njeriu se Ne e krijuam atë prej një pike uji (fare), kur qe, ai kundërshtar i rreptë.

Ky ajet dhe ajetet në vazhdim, vërtet janë madhështore në argumentimin dhe manifestimin e Fuqisë së Allahut. I Lartmadhërishmi u drejtohet krejt racës njerëzore se nuk kanë arsye ta mohojnë ringjalljen, meqë ata nuk kishin qenë prezentë në krijimin e tyre. Allahu i Plotfuqishëm sikur u thotë njerëzve: A thua përse nuk e shikoni se prej çfarë jeni krijuar? A nuk e shihni se jeni krijuar prej një pike uji (fare) spermatozoidi, nga i cili Allahu nxjerr një krijesë të re njerëzore, kur nga bashkëdyzimi i spermatozoidit mashkullor me vezoren e femrës, ndodh ngjizja e një krijese të re, e cila, nëse dëshiron Allahu, formësohet, asaj i jepen gjallëria e shpirti, dhe pastaj vjen në jetë...
Pra, me këtë ajet dhe ata që do të pasojnë deri në fund të sures, mohuesve u bëhet me dije se çfarë është zanafilla e tyre; një pikë uji, një farë shumë e dobët, prandaj, është injorancë dhe padrejtësi që i bëjnë vetes njerëzit, teksa mohojnë Allahun dhe ringjalljen, si një proces të pashmangshëm.
Allahu sikur i pyet pabesimtarët duke u thënë: përse nuk i analizoni një herë etapat e krijimit tuaj, të përmendura në disa prej ajeteve kuranore, si f.v. ato në kaptinën “El-Murselat”:
“A nuk ju kemi krijuar ju nga një lëng i dobët? Dhe, atë e vendosëm në një vend të sigurt. Deri në një kohë të caktuar.” (El Murselat, 20-22)
Pse mohoni pa kurrfarë arsyeje një fakt që është shumë i dukshëm, dhe që secili njeri që e vë në përdorim logjikën e shëndoshë, e kupton se ringjallja është një realitet i pamohueshëm? Pse, o ju njerëz të dobët, nuk i hidhni më parë një shikim analitik vetvetes, për të studiuar zanafillën tuaj, prej një pike gjaku të ngjizur, dhe megjithatë, bëheni arrogantë dhe armiq të hapët, duke kundërshtuar Allahun, Krijuesin tuaj dhe të gjithësisë?!!

78. Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: “Kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur?

Ashtu siç e cekëm në shkakun e zbritjes së ajeteve, njëri prej idhujtarëve që kundërshtonte Shpalljen hyjnore, dhe sidomos ringjalljen, qoftë ai As bin Vaili apo Ubejj ibn Halefi ose kushdo tjetër, kishte marrë një asht në dorë dhe, me ironi e tallje, i qe drejtuar Muhamedit a.s. nëse ai asht, pasi të jetë bërë copë e thërrimë, do të mund të ringjallej?
Natyrisht që përgjigjja e të dërguarit të Allahut ishte mjaft e shpejtë dhe e prerë, madje mund të konsiderohet edhe pak agresive e kërcënuese: “Allahu do ta ringjallë këtë, pastaj do të të vdesë ty, pastaj do të të ringjallë e pastaj do të të fusë në Xhehenem!”
Ky ajet na kujton marrëzitë e idhujtarëve, të cilët çuditeshin për faktin se si ka mundësi që Allahu të ringjallë një asht të kalbur e të tretur për shekuj nën dhe. Këta injorantë, harronin se Allahu është Ai Që i ka krijuar të gjitha këto ekzistenca dhe qenie të gjalla pa qenë fare, prandaj për Atë nuk është vështirë ta ringjallë e ta rikrijojë atë që kishte krijuar më parë, ndonëse nocionet “lehtë” a “vështirë”, janë absolutisht pa kuptim kur bëhet fjalë për Fuqinë e Allahut.
Ajeti në vazhdim na e sqaron këtë më së miri...

79. Thuaj: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim”.

Ja pra, tek pason përgjigjja hyjnore, e cila e fuqizoi të Dërguarin e Allahut, që t’u kundërvihej idhujtarëve injorantë, duke ua bërë me dije se ashtin dhe të gjitha krijesat e vdekura, Allahu i Plotfuqishëm do t’i ringjallë sërish, duke i urdhëruar: “Ngjalluni!”, dhe çdo gjë do t’i bindet urdhrit të Krijuesit. S’ka dyshim që Allahu është hollësisht i njohur dhe i dijshëm për të gjitha çështjet, dhe për çdo gjë që krijon.
Allahu do të ringjallë çdo gjë pasi të kenë vdekur, do të ringjallë njerëzit, exhinët dhe melaiket, si dhe të gjitha gjallesat e tjera për të cilat dimë, dhe ato për të cilat nuk dimë.
Këtu shtrohet pyetja, pse Allahu ka thënë: “I ngjall Ai që i krijoi për herë të parë...”?
Nga kjo përgjigje hyjnore, ne kuptojmë shumë gjëra, por mbi të gjitha kuptojmë fuqinë absolute dhe të pakufishme të Allahut, e cila kurrsesi nuk mund të matet dhe as të krahasohet me nocionet tona njerëzore “lehtë e vështirë”, sepse Vullnetit dhe Dëshirës së Allahut i nënshtrohet çdo gjë në këtë ekzistencë.
Për të na ilustruar këtë edhe më mirë, i Plotfuqishmi thotë:
“Dhe Ai është që e shpik jetën dhe pastaj e përsërit atë, e ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të (sipas perceptimeve tuaja)...” (Er-Rrum, 27)
Këtu, në këtë ajet, Allahu xh.sh. na flet në bazë të të perceptuarit tonë të nocioneve “lehtë” apo “vështirë”, në mënyrë që të vihen në dijeni idhujtarët, se rikrijimi i diçkaje që ka një model paraprak, është më i lehtë, ndonëse për madhështinë e Allahut këto gjëra as që mund të vihen në dyshim, sepse Vullnetit të Tij i nënshtrohet çdo gjë, mjafton të thuhet “bëhu!”.

80. Ai që prej drurit të gjelbër ju bëri zjarrin, e ju prej tij ndizni.

Ky ajet po ashtu përbën një mrekulli në vete, sepse është në vazhdën e ajeteve që dëshmojnë për mrekullitë e njëpasnjëshme të Krijuesit, i Cili sjell argumente e argumente për njerëzit, vetëm që të binden se kjo jetë është kalimtare, se do të ketë ringjallje pas vdekjes etj..
Çështja e zgjedhjes si shembull se si Allahu ka mundësi të nxjerrë zjarrin nga druri i gjelbër (i njomë), që nuk është i tharë, paraqet një sfidë të qartë për intelektin e cekët të idhujtarëve. Nëse dikush prej tyre mund të kontestonte një gjë të tillë, atëherë le të urdhëronin e të paraqitnin argumentet e tyre kundër kësaj gjëje. Pa dyshim që ata ishin të paaftë të sillnin diçka që të mund t’i kundërvihej madhështisë dhe fuqisë së Allahut, i Cili krijoi çdo gjë dhe përsosi, e pastaj ka mundësi që prej drurit të gjelbër të nxjerrë zjarr, të cilin njerëzit e përdorin për gjëra të ndryshme.
Përmendja e drurit të gjelbër, nga i cili përftohet zjarri, nuk është e paqëllimshme këtu, sepse, sipas shkencëtarëve, kjo gjë mund të shpjegohet edhe në këtë mënyrë: Energjia e diellit kalon nëpër trupin e bimëve me anë të procesit të absorbimit dhe asimilimit të dritës, meqë qelizat e bimës që përmbajnë klorofil, kanë aftësinë e duhur të thithin dyoksidin e karbonit nga ajri dhe nga reaksioni kimik që ndodh ndërmjet gazit karbonik dhe ujit që thith bima, prodhohen karbohidratet, si rezultat i energjisë të marrë nga drita e diellit, dhe, më pas formohet masa drusore, e cila, nga ana e saj përbëhet nga komponentë kimikë që përmbajnë karbon, hidrogjen dhe oksigjen, dhe nga kjo masë drusore prodhohet qymyri i drurit që përdoret si lëndë djegëse. Nga djegia e këtij qymyri çlirohet energjia që ndodhej e depozituar në të, nga e cila përfitojmë dhe e përdorim për qëllimet tona të nevojshme, si p.sh. për gatim, ngrohje, ndriçim etj..
Edhe qymyrguri, siç dihet, është formuar nga drunjtë, të cilët janë zhvilluar në saje të asimilimit të dritës së diellit me anë të klorofilit, por që, më pas, në një mënyrë tjetër, janë nxehur dhe, pas kalimit të miliona vjetve, në saje të proceseve që kanë ndodhur nën ndikimin e faktorëve gjeologjikë, si: nxehtësia, presioni etj., janë shndërruar në qymyrgurin që njohim. Duhet të theksojmë se përshkrimi i drurit në këtë ajet me fjalën “i gjelbër”, nuk është thënë pa vend, sepse në të vërtetë, kjo fjalë na bën të kuptojmë klorofilin, aq të domosdoshëm për të asimiluar dioksidin e karbonit.

81. A nuk është i fuqishëm Ai që krijoi qiejt e Tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Po, Ai është krijuesi, i dijshmi.

Pas sjelljes së këtyre argumenteve për fuqinë e pakontestuar të Krijuesit në proceset e kësaj natyre, tash vjen pyetja e cila do të mund t’i kthjellonte përfundimisht mendjet e errësuara të idhujtarëve mekas, me të cilën Allahu u drejtohet atyre: A nuk e shihni fuqinë dhe madhështinë e Atij që ka krijuar qiejt e Tokën? Zjarri që del nga druri i njomë e i gjelbër, tash nuk është asgjë, në krahasim me krijimin e qiejve dhe Tokës. I Madhërishmi në Kuran thotë:
“S’ka dyshim se krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Gafir, 27)
Ky ajet dëshmon fuqishëm se krijimi i njeriut është shumë më i thjeshtë sesa krijimi i hapësirës qiellore, me të gjitha yjësitë dhe galaktikat impozante, sepse qielli me të gjithë planetët që gjenden në të, vazhdon të kryejë rolin dhe funksionin e tij për shekuj e shekuj me radhë, përderisa njeriu si krijesë është shumë e ndjeshme dhe e dobët. A nuk e shohin pabesimtarët mendjelehtë se jetëgjatësia e njeriut, nuk tejkalon 100-120 vjetët, përderisa qielli dhe gjithësia vazhdon të jetë në mision të saj, duke kryer urdhrat e Krijuesit të tyre, kur ato iu përgjigjën vullnetit hyjnor se do të ishin të nënshtruara? Prandaj, mu në këtë segment, Allahu u drejtohet njerëzve, duke i pyetur, nëse ende dyshojnë se Ai që ka krijuar tërë këtë gjithësi, nuk paska fuqi të krijojë edhe njerëz të tjerë, sikur që i kishte krijuar ata vetë?! Përse, o njerëz, dyshoni në fuqinë e Atij që krijoi racën njerëzore, që krijoi melaiket dhe exhinët, që krijoi tërë këtë ekzistencë, e cila është aq e përkryer dhe mahnitëse? Përse nuk e besoni Allahun, po shkoni e u drejtoheni idhujve e statujave të pashpirta, e nuk i drejtoni fytyrat tuaja, nga Ai që është i Vetmi i Denjë të adhurohet e të madhërohet?
Allahu xh.sh., në fund, sikur u thotë: Besuat apo nuk besuat, Unë jam Krijuesi, i Gjithëdijshmi dhe i Gjithëfuqishmi, dhe një ditë, të gjithë ju do të gjendeni para drejtësisë Sime...!
Do të mjaftonte për këta injorantë, që t’i hidhnin vetëm një shikim të shkurtër qiellit dhe të meditonin se si është krijuar hapësira qiellore. Këto miliarda yjësi, planetë e galaktika, të cilat i shohim tek enden e notojnë nëpër këtë gjithësi të gjerë, dëshmojnë se kanë krijuesin e tyre-Allahun xh.sh.
Pastaj, pse nuk i hedhin një shikim meditues vetvetes dhe përgjithësisht racës njerëzore. Sa miliarda e miliarda kanë jetuar e do të jetojnë në këtë botë, dhe është e pamundur të gjesh dy fytyra të njëjta të njerëzve, dy zëra të ngjashëm të tyre, apo gjurmë të njëjta të gishtërinjve të tyre. Tërë kjo dëshmon për fuqinë Krijuese të Allahut, i Lartësuar qoftë në Madhërinë e Tij, sepse Ai vërtet është larg asaj që i shpifin pabesimtarët. Atij, kur dëshiron të krijojë diçka, i mjafton vetëm t’i thotë: “Bëhu!” dhe ai gjësend bëhet, duke iu nënshtruar këtij urdhri hyjnor. Zaten, për këtë gjë flet edhe ajeti në vazhdim...

82. Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet.

Dijetarët, në mënyrë alegorike, shpeshherë përmendin faktin se kjo ekzistencë me tërë atë që gjendet në të, gjendet në mes “Kafit” dhe “Nunit” - “Kun” - “Bëhu!”, që pa dyshim paraqet realitetin e mirëfilltë, sepse siç thamë mjafton që Allahu t’i drejtohet me urdhrin e Tij diçkaje e t’i thotë: “Bëhu!”, pa marrë parasysh nëse ajo gjë që do të bëhet, është qiell, tokë, njeri, kafshë apo diçka e ngurtë, ato menjëherë bëhen! Mjafton të dëshirojë krijimin e ndonjë sendi, pa marrë parasysh se ç’është, dhe çështja kryhet! Kështu, Zoti xh.sh. ua ofron njerëzve çështjet për t’i kuptuar me intelektin e tyre njerëzor të kufizuar. Ky ajet është dëshmi dhe argument i qartë për çdo përgënjeshtrues dhe mohues të ringjalljes. I Madhërishmi sikur u drejtohet mendjeve të këtyre idhujtarëve: O ju që përgënjeshtroni dhe dyshoni në fuqinë e Allahut që të ngjallë një qenie njerëzore të tretur e të bërë hi, pse nuk logjikoni se Allahu nuk ka nevojë as t’i thotë diçkaje “Bëhu!”, sepse Atij i mjafton vetëm ta shprehë vullnetin e Tij, e ajo “diçka” të krijohet aty për aty, pa e urdhëruar fare, por ajeti ka ardhur në atë formë, që neve të na e bëjë të përafërt për të kuptuarit tonë të kufizuar.
Çështja e Vullnetit të Allahut mund të shpjegohet në shumë mënyra të kuptueshme për ne, si kjo që sjell dijetari i famshëm Muhamed Mutevel-li Sha’ravi, kur, ndër të tjera, thotë: “O njeri, si mund ta mohosh fuqinë e Allahut, kur Krijuesi të ka dhënë kësi vullneti të ngjashëm, veçse në proporcione që i përgjigjen qenësisë sate, edhe në vetë trupin tënd. F.v. çfarë bën ti kur dëshiron të ngrihesh nga vendi ku je ulur? A mos i urdhëron me fjalë muskujt e tu që të lëvizin e të hyjnë në veprim?! Natyrisht që jo. Madje, mbase edhe nuk ke fare njohuri se sa muskuj e sa fije nervore vihen vetvetiu në lëvizje në çastin që ti me mendjen dhe vullnetin tënd, vendos të ngrihesh nga vendi yt?
Përse nuk e shikon një foshnjë të vogël 1 vjeç, e cila kur dëshiron të ngrihet e të ecë po ashtu e ka këtë vullnet të brendshëm e të pavarur, ndonëse fëmija as që di se çfarë përbërje muskulore apo nervore ka trupi i tij i vockël, prandaj, kjo është një tërheqje e vërejtjes nga ana e Allahut për të gjithë ata njerëz që mohojnë, përgënjeshtrojnë dhe kanë dyshim në fuqinë e Tij absolute dhe në mundësinë e ringjalljes.”

83. I lartë është Ai e në Dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetë tek Ai ktheheni.

Pas sjelljes së këtyre argumenteve të panumërta në ajetetet paraprake për Njëshmërinë e Allahut dhe domosdoshmërinë e Ringjalljes, Allahu xh.sh., si Zotëruesi i Vetëm i kësaj ekzistence, e përfundon këtë sure fisnike, në mënyrë të mrekullueshme, duke zhveshur Veten nga çdo mangësi, sepse Ai vërtet është i denjë për t’u përshkruar me cilësitë më të përkryera e më të përsosura.
Fjala “Melekut” në këtë ajet fisnik, që nënkupton shkallën më të lartë të posedimit të tërësishëm të diçkaje, të asaj që shihet dhe të asaj që nuk shihet, nënkupton se tërë kjo ekzistencë, me të gjitha misteret dhe sekretet e saj, është vetëm e Allahut. Kjo fjalë vjen nga rrënja “meleke”, dhe si e tillë vjen me katër kuptime:
P.sh. fjala “malik” nënkupton atë që posedon diçka, qoftë ajo gjë shumë e vogël dhe e pavlerë, madje edhe nëse bëhet fjalë për një rrobë që e ka të veshur në trup;
- fjala “melik” nënkupton atë që ka mundësi të veprojë si të dojë me pasurinë e tij, si fjala vjen, mbreti, ose edhe më larg me këtë fjalë mund të synohet edhe vetë Allahu, i Cili është Zotërues i ekzistencës;
- fjala “mulk”, nënkupton pasurinë e cila fitohet ose dhurohet, dhe është në pronësi të dikujt, me anë të së cilës ne krijojmë raporte dhe marrëdhënie ndërshoqërore në mes njerëzve, kurse
- fjala “melekuut”, që është përmendur në ajetin e fundit të sures “Jasin”, nënkupton pasurinë dhe tërë atë që posedohet, por që është e fshehtë dhe jo e dukshme, e cila është shumë më gjithëpërfshirëse sesa fjala “mulk”.
Nga këto kuptime, marrim vesh se çdo gjë, më parë ka qenë në botën e “melekutit” e pastaj, pasi është zbuluar, me dëshirën e Allahut, ka ardhur në botën materiale të “mulkut”, po njëkohësisht shumë e shumë gjëra do të mbesin përjetësisht të pashfaqura për botën tonë, pasi do të mbesin vetëm në botën e “gajbit” në Mbretërinë e Pakufishme dhe Pushtetin e paperceptueshëm të Allahut, për të cilat gjëra ne nuk do të dimë, por për to do të mësojmë vetëm pasi të kemi shkuar në Ahiret. Edhe Ringjallja bën pjesë në këtë sferë të “melekutit”, të cilën po e mohonin idhujtarët. Ky pushtet dhe kjo mbretëri e pakufishme qiellore, është një pjesë të cilën Allahu ua dëfton kujt të dojë prej të dërguarve të Tij, apo njerëzve të sinqertë e të devotshëm. I Madhërishmi në Kuran, në lidhje me Ibrahimin a.s., ka thënë:
“E kështu Ibrahimit ia mundësuam t’i shohë madhështitë e qiejve e të tokës për t’u bërë edhe më i bindur.” (El- En’am, 75).
Po kështu ndodhi edhe me të Dërguarin tonë, Muhamedin a.s., të cilit i Gjithëpushtetshmi, në natën e Israsë dhe të Mi’raxhit, i tregoi shumë gjëra të fshehta të kësaj madhështie hyjnore-qiellore:
“Atëherë kur Sidrën e mbuloi ç’e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi e as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.” (En-Nexhm, 16-18), - për t’ia bërë të ditur që të mos kishte frikë për suksesin e misionit të tij, ndonëse idhujtarët po e përqeshnin dhe ironizonin lidhur më çështjet që kishin të bënin me sferën e së fshehtës-gajbit.
Ajeti i fundit (83) i sures Jasin: “I lartë është Ai e në Dorën e Tij është pushteti mbi çdo send dhe vetë tek Ai ktheheni.”, përfundimisht konfirmon faktin se sa i Madhërishëm dhe i pa të meta është Allahu, në Dorën e të Cilit është pushteti dhe sundimi i çdo gjëje. Me Të askush nuk mund të jetë i barabartë në këtë madhështi. Tek Ai do të kthehet çdo krijesë, për të dhënë Llogarinë. Çdo gjë në këtë ekzistencë do t’i nënshtrohet vullnetit të Tij. Tërë Lavdia i takon vetëm Atij. Vetëm ata që nuk shohin me sytë e zemrës, nuk e dallojnë dritën e Imanit dhe e mohojnë Krijuesin, kurse ata që udhëzohen nga kjo Dritë hyjnore, askush nuk mund t’i shmangë nga e vërteta e pamohueshme.

Margaritarët e urtësisë në këto ajete

1. Vërtetë është për t’u çuditur puna e njeriut, sidomos e pabesimtarëve, të cilët çuditen dhe nuk e pranojnë faktin e mundësisë së ringjalljes së njeriut në botën tjetër. Ata mendojnë se çdo gjë në këtë botë, pas vdekjes, do të tretet dhe do të humb, në hapësirat e kohës dhe nuk do të ketë fare ringjallje. Mu për këtë arsye, Allahu ua tregon zanafillën e tyre prej nga kishin ardhur në jetë, prej një spermatozoidi e vezoreje, prandaj si kishte mundësi që një krijesë e dobët si njeriu, të dilte haptazi e të kundërshtonte Allahun dhe ringjalljen?! A thua njeriu harroi etapat e krijimit të tij, të cilat fatmirësisht i ka vërtetuar edhe shkenca moderne me anë të incizimeve të çdo etape të frytit njerëzor në mitrën e nënës. A thua harroi ky njeri se së pari ishte një pikë gjaku e ngjizur...: “Për Allahun, Ne krijuam njeriun
prej një ajke (lëngu), e një balte. Pastaj atë (ajkë-baltë) e bëmë (e shndërruam) pikë uji (farë) në një vend të sigurt. Më pas, atë pikë uji e bëmë copë gjaku, e atë gjak të ngurtë e bëmë copë mishi, e atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt). I lartë është Allahu, më i miri Krijues!” (El-Mu’minun, 12-14)
2. Allahu ua bën me dije idhujtarëve mohues se, nëse pak do të logjikonin me mendje të kthjellët, do ta kuptonin se të krijosh diçka për herë të parë, është më vështirë, e ta përsërisësh të njëjtën gjë, më vonë, është më lehtë, prandaj rikrijimi dhe ringjallja e sërishme e njerëzve dhe e krijesave, nuk përbën ndonjë vështirësi, sepse atëherë ekziston modeli paraprak, ndonëse, siç e thamë më parë, nocionet tona njerëzore “lehtë” e ”rëndë”, nuk përkojnë me Fuqinë absolute të Allahut, i Cili, kur dëshiron diçka, vetëm e urdhëron të bëhet, dhe ai gjësend bëhet, ose del e shfaqet në ekzistencë.
3. Një prej argumenteve më madhështore të Njëshmërisë së Allahut, është ringjallja e të vdekurve, dhe marrja e tyre në Llogari në Ditën e Gjykimit.
4. Argumenti i nxjerrjes së zjarrit nga pema e gjelbër dhe e njomë dëshmon për Fuqinë absolute të Tij.
5. Allahu po ashtu njerëzve ua bën me dije se krijimi i qiejve dhe i tokës është më madhështor sesa krijimi i njerëzve, kështu që ringjallja e tyre nuk përbën kurrfarë vështirësie për Krijuesin Fuqiplotë.
6. Allahu i Lartmadhërishëm e ka zhveshur veten nga çdo mangësi dhe e metë, sa për t’i vënë në dijeni krijesat e Tij, e në mesin e tyre edhe njeriun, se Ai është Sovrani dhe Sundimtari Absolut i ekzistencës. Në Duar të Tij është çdo gjë. Urdhrat e Tij zbatohen në tërë këtë ekzistencë, të dukshme e të padukshme, sepse mjafton t’i thotë diçkaje: “Bëhu”, dhe ai gjësend, gjithsesi bëhet, duke zbatuar kështu Vullnetin dhe Dëshirën e Krijuesit të Madhërishëm. Prandaj ky Allah, që është Krijuesi ynë, është në gjendje që të gjithë të na ringjallë dhe, pasi të na ketë marrë në llogari, t’i ndajë njerëzit nëpër rrugët e tyre në bazë të veprave që kanë bërë, ose në Xhenet, ose ruajna Zot, në skëterrat e Xhehenemit, aty ku përfundimisht do të katandisen mohuesit e ringjalljes dhe mohuesit e Dritës së Allahut të Gjithëmëshirshëm.

Në vend të përfundimit

Ja, me ndihmën e Allahut, arritëm në përfundimin e komentimit të kaptinës “Jasin”, duke shijuar ëmbëlsinë dhe madhështinë e fjalëve kuptimplota të Allahut Fuqiplotë. Nëpërmjet komentimit të kësaj kaptine, shpresojmë të kemi arritur synimin tonë, që sado pak të kontribuojmë në përafrimin e nektarit të ëmbël të Kuranit, tek zemrat e lexuesve, aq më parë kur surja Jasin, vazhdon të zgjojë kujdesin dhe interesimin e vazhdueshëm të myslimanëve, kudo qofshin ata.
Nëpërmjet ajeteve të kësaj sureje, ne notuam në valët qetësuese të Imanit në Allahun, dhe mbi të gjitha u njohëm me argumentet e pakontestueshme në qiell, në tokë si dhe në vetveten tonë, se Ringjallja është një proces i pashmangshëm, që do të ndodhë, sepse vetëm i verbri dhe i marri nuk mund ta kuptojë se krijimi ynë ka një qëllim shumë madhor e fisnik, që ne të Njohim Allahun dhe Madhështinë e Tij, nëpërmjet gjurmëve të Tij në këtë ekzistencë. Dhe, fatmirësisht, këto gjurmë të bekuara e të ndritshme janë kudo përreth nesh. Ato na përcjellin në çdo hap dhe na bëjnë me dije që të mos humbasim mendjen e të mohojnë Allahun, Ringjalljen dhe Llogarinë, sepse që të gjitha këto do t’i përjetojmë.
Mësimi më i madh që mund të nxirret nga ajetet e kaptinës madhështore të Jasinit, është Njëshmëria e Allahut, si Krijues i këtij Universi, çështje e cila i ka preokupuar njerëzit që prej filleve të para të jetës në këtë tokë.. Pastaj vjen Ringjallja, si një proces madhështor, dhe si një prej etapave të fundit të jetës sonë, dhe pas saj do të pasojë Llogaritja jonë nga ana e të Gjithëmëshirshmit, në gjykimin, i cili është përgatitur për ne.
E Lusim Allahun, që në këtë Ditë të vështirë, kur dridhet edhe trualli nën këmbët tona, Ai të na përforcojë e të na mëshirojë, duke i qetësuar zemrat tona me dashurinë e madhe e të pakufishme që ka ndaj robve të Tij të sinqertë e të devotshëm. Amin!



Sabri Bajgora


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Gara ndërkombëtare e Kuranit në Kosovë: Juria e vlerëson si ndër më të mirat e organizuara deri tani