Pëshpëritja e Islamit në veshët e brezit materialist

Ta përshkruash tipologjinë psikosociale të brezit bashkëkohor dhe vorbullën e perceptimeve në të cilat sorollaten bijtë e bijat e kësaj shoqërie, duket një mision tejet delikat. Mbase për një soditës që vështron në heshtje prirjet dhe pasionet e tyre, këtu e gjetiu, do të bindet se ata ngarendin vrullshëm drejt të panjohurës. Gara e frikshme në trasenë e luksit, marrosja pas epshit
e parasë, si dhe tundimi pas jetës puro materialiste, ka marrë një trend të frikshëm të lëvizjes që i lë pa fjalë edhe ata që dikur pretendonin se kanë në dorë shkopin magjik për zgjidhjet e të gjitha krizave e problemeve shoqërore. Ky stil jetese, e ka bërë individin që të nëpërkëmbë detyrat e veta shoqërore e familjare, duke harruar se ai, pos që është thjesht një individ, për njerëzit që e rrethojnë, ai sigurisht se është edhe një prind, vëlla, bashkëshort, fqinj e bashkëqytetar. Ky tabor njerëzish, shtëpinë e kanë shndërruar thjesht në një bujtinë apo hotel, siç do të thoshte historiani
e filozofi me nam, Will Durant, ku në të vetëm natën e kalojnë, pa ndier as prehje as qetësi, e pastaj në mëngjes do të vazhdojë secili në punën dhe rrugën e tij. Mund të duket etiketë jo e denjë, por këta jo rrallëherë iu bie të kenë harruar se janë njerëz, qenie humane e që në trupin e tyre fizik kanë edhe një shpirt.
Për këto kategori njerëzish që dikur mund të ishin të paktë, por sot përbëjnë një grumbull të madh, i Dërguari ynë, Muhamedi a.s., foli me një ton këndellës, kur tha: "I dëshpëruar qoftë robi i dinarit, i dëshpëruar qoftë robi i dërhemit..." (Buhariu, nr. 2887). Dinari dhe dërhemi në këtë tekst autentik profetik, nuk na u përmendën thjesht si monedha që mund të blihet e të shitet me to. Përtej kësaj janë përmendur si simbolikë e sinonim i gjithçkaje që është materiale e që i përket egos dhe lakmisë së shthurur të njeriut. "I dëshpëruar", duket të jetë përkthimi më literal i tekstit të hadithit, përndryshe në komentet e dijetarëve të fushës gjejmë se hadithi mëton të quaj robin e dinarit e të dërhemit edhe njeri të mallkuar. Si të mos jetë kështu kur qenia më sublime, të cilës vetë Zoti i dha shpirt, të mbërthehet pas materies, e cila në fund të fundit është krejt pa shpirt. Këta, po që janë vetë robërit e dinarit dhe dërhemit, që mbetën të ngatërruar së pari me vetveten, por sigurisht edhe me të gjithë të tjerët që ende gjejnë kohë për të kërkuar paqen shpirtërore dhe sadopak njerëzi.
Për të vendosur pikat mbi shkronja, s'do harruar se Islami, nuk ka kërkuar nga njeriu që të ngulfatë kërkesat e tij trupore e fizike, që i përkasin natyrës materialiste, por ka kërkuar që përgjigjja ndaj atyre kërkesave të mos bëhet asnjëherë në kurriz të atyre shpirtërore e vlerore, pa të cilat njeriu, shumë pak mbetet njeri. Allahu na e kërkoi këtë ekuilibrim kur na tha: "Dhe me
atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bëj mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit." (El Kasas, 77). Kërkesa për të mos lënë mangët hisen tonë nga kjo botë, jo aksidentalisht, vije pas asaj që të fitojmë botën tjetër, ngase ajo, e jo kjo botë, është e përhershmja pa mbarim. Ky mesazh i ekuilibruar kuranor, edhe më kumbueshëm se sa në epokën kur ka zbritur, i flet sot brezit modern që dashurinë ndaj materiales e ka injektuar pamëshirshëm si një "narkozë" në gjakun e vet të njomë. Ai dhe shumë citate të tjera hyjnore, janë një kurë e vërtetë për shqetësimet sociale, për pasigurinë, dhunën, frikën dhe ankthin, nga çka duket që nuk po kursehen shumë nga anëtarët e shoqërisë sonë.
Është ekuacion i dijshëm se zhytja në pasione e teprimi në lukse materialiste janë prerogativë e natyrshme e privimit nga një paqe shpirtërore e individuale dhe na sjellin doemos deri te një deficit i kënaqësisë dhe kohezionit shoqëror. Ajo e para derivon të dytën. Kështu po krijohet një
brez që duket se posedon "gjithçka", por në realitet nuk kënaqet dhe nuk ndien shije shpirtërore për asgjë. Kohën e as luksin për eksperimente të reja nuk e kemi. Mbase edhe trokitja për ndihmë në derën e gabuar, është aventurë që gjithnjë shtrenjtë ka kushtuar, andaj me ç'arsye sërish të njëjtën ne duhet provuar!
E po, Islami, ka shumë për të thënë në këtë rrafsh, vetëm duhet dëgjuar pa paragjykim të thënat e tij!



Editorial
Dituria islame 398


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme