Kaptina El-Fet’h, sipas mendimit unanim të dijetarëve është kaptinë medinase. Transmetojnë Ibn Durejsi, Nehasi, Ibn Merduvejhi dhe Bejhekiu nga Ibn Abasi të ketë thënë: Ka zbritur surja El-Fet’h në Medinë. Të njëjtin mendim, Ibn Merduvejhi e përcjell edhe nga Ibn Zubejri.(1) Transmeton Bejhekiu nga Ibn Mahrime dhe Mervani të kenë thënë: Ka zbritur surja El-Fet’h në mes Mekës dhe Medinës, në lidhje me çështjen e Hudejbijes, prej fillimit e deri në fund.(2) Natyrisht, ky mendim nuk vjen në kundërshtim me faktin se surja është medinase, sepse çka ka zbritur pas hixhretit, llogaritet zbritje medinase, pavarësisht se në ç’vend ka zbritur.
Kjo sure ka gjithsej 29 ajete, 560 fjalë dhe 2438 shkronja.(3) Ka zbritur pas sures Es-Saff dhe para sures Et-Tevbe. Në radhitjen e Mus’hafit mban numrin 48 , kurse në radhitjen e zbritjes, sipas transmetimit që përcillet nga Xhabir bin Zejdi4 , është e 113-ta.(5)
Emërtimi i kësaj sureje
Kjo sure njihet me emërtimin El-Fet’h që nga koha e sahabëve. Transmetohet nga Abdullah ibn Mugaffel të ketë thënë: “I Dërguari i Allahut, në ditën e çlirimit të Mekës, e lexoi “Suretu-l Fet’h”, dhe e përsëriti atë disa herë.”(6)
Fjala “El-Fet’h” në këtë sure është përmendur tri herë. Së pari surja nis me përgëzimin e besimtarëve me “çlirim - Fet’h”, qysh në ajetin e parë: “Ne të dhamë ty një fitore të madhe”; pastaj vazhdon me ajetin 18: “… prandaj u dhuroi qetësi dhe i përgëzoi me një fitore të afërt (çlirimin e Hajberit)”; dhe me ajetin 27: “… Ai dinte atë që ju nuk e dinit. Veç kësaj, Ai ju dha një fitore të afërt (Hajberin).” Kjo sure, nga ana e dijetarëve, nuk njihet edhe me ndonjë emërtim tjetër, pos këtij El-Fet’h.(7)
Vlera e kësaj sureje
- Surja El-Fet’h bën pjesë në grupin e sureve “El-Methani”. Në lidhje me këtë, transmetohet nga Vathilete ibnul Eska’ë el-Lejthi, të ketë thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut s.a.v.s.: “Më është dhënë në vend të Tevratit, shtatëshja, (suret nga El-Bekare e deri tek El-Enfal ose Et-Tevbe); më janë dhënë në vend të Zeburit, “El-Mi’ine” - njëqindëshet, (suret që kanë mbi 100 ajete); më janë dhënë në vend të Inxhilit “El-Methani” - (suret që kanë më pak se 100 ajete), ndërsa jam mbinderuar (ndaj të dërguarve të tjerë) me suret “El-Mufassal” (nga sureja Kaf, e është thënë nga El-Huxhurat, deri tek En-Nas).”(8)
- Transmetohet nga Abdullah bin Mugaffel të ketë thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut në ditën e çlirimit të Mekës, duke e lexuar suren El-Fet’h dhe duke e zgjatur zërin gjatë këndimit të saj.”(9)
- Në një transmetim tjetër te Muslimi thuhet: “Ka lexuar i Dërguari i Allahut s.a.v.s., në vitin e Çlirimit, në një udhëtim të tij, suren El-Fet’h, duke qenë mbi kafshën (devenë) që e bartte, dhe e zgjaste zërin gjatë këndimit të saj.”(10)
- Transmetohet nga Ebi Berezete el Eslemij të ketë thënë: I Dërguari i Allahut e lexonte në namazin e sabahut: “Inna fetahna leke fet’han mubina”.(11)
- Transmetohet nga Zejd bin Eslemi e ky nga babai i tij të ketë thënë: I Dërguari i Allahut ishte në një udhëtim prej udhëtimeve të tij, e me të, po udhëtonte natën edhe Omer ibnul Hatabi. Omeri r.a. e pyeti të Dërguarin a.s. për diçka, por ai nuk iu përgjigj. E pyeti për së dyti, por ai prapë nuk iu përgjigj, e pastaj e pyeti për së treti dhe ai sërish nuk iu përgjigj. Atëherë Omeri r.a. tha: Të vajtoftë nëna jote o Omer (mjerë për ty o Omer). Insistove në pyetje tek i Dërguari i Allahut tri herë dhe ai nuk t’u përgjigj! Pas kësaj, thotë Omeri, lëviza me devenë ime dhe dola para myslimanëve, dhe kisha frikë në mos po zbriste diçka për mua nga Kurani. Dhe përnjëherë dëgjova dikë që po thërriste me zë të lartë emrin tim. Atëherë m’u shtua frika edhe më shumë se vërtet diçka paska zbritur për mua. Erdha pranë të Dërguarit të Allahut dhe me ndrojtje i dhashë selam, ndërsa ai më tha: “Sonte më ka zbritur një sure, e cila për mua është më e dashur se çdo gjë tjetër që e ndriçon dielli” dhe e lexoi: “Inna fetahna leke fet’han mubina...”(12), e në një version tjetër: “Mbrëmë më ka zbritur një sure e cila për mua është më e dashur se e tërë bota dhe ç’ka në të”, dhe e lexoi : “Inna fetahna leke fet’han mubina...”(13)
- Transmetohet nga Enes ibn Maliku r.a. të ketë thënë: “Kur pati zbritur “Inna fetahna leke fet’han mubina” e deri tek ajeti “fevzen adhima”, në të kthyer nga Hudejbija, shumë prej sahabëve i kishte kapluar pikëllimi dhe trishtimi. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut i pati prerë kurbanet në Hudejbije dhe pati thënë: “Sonte më ka zbritur një ajet, që është më i dashur për mua se e tërë bota dhe ç’ka në të.”(14)
Shkaku i zbritjes së kësaj sureje
Ashtu siç dihet, kjo sure ka zbritur pas marrëveshjes së Hudejbijes, në një prej netëve të vitit të 6 hixhrij, në të kthyer nga Hudejbija, në vendin e quajtur “Kura’a-l Gamim” afër Mekës.(15) Sidoqoftë, ndonëse kjo sure ka zbritur si tërësi, për një natë dhe ndërlidhet krejtësisht me marrëveshjen e Hudejbijes dhe frytet e saj, megjithatë, disa ajete të kësaj sureje, edhe mund të ndërlidhen me ndonjë shkak specifik të zbritjes, që po ashtu kanë të bëjnë me dhe rreth Hudejbijes, për ç’gjë do të flasim më gjerësisht gjatë komentimit të tyre.
Lidhja e kësaj sureje me atë paraprake – “Muhamed”
- Përderisa në suren paraprake Muhamed apo siç e quajnë disa El-Kital, janë përmendur disa gjëra rreth luftës ndaj jobesimtarëve, pastaj rreth paqes dhe marrëveshjeve me jobesimtarët, të cilat në disa raste janë të lejuara, tash në suren El-Fet’h, flitet konkretisht për paqen-marrëveshjen e Hudejbijes, frytet e së cilës ishin shumë të mëdha e produktive për myslimanët, madje për dhjetëra herë më të frytshme sesa vetë lufta.
- Në suren Muhamed, në disa ajete është përmendur lufta, xhihadi dhe dhënia në rrugën e Allahut, kurse tash në këtë sure El-Fet’h vjen përgëzimi për çlirim, ngadhënjim dhe fitore të myslimanëve,(16) e që në këtë sure në radhë të parë synohet marrëveshja e Hudejbijes, e cila do të ishte pararendëse e çlirimit të Hajberit dhe pas dy vitesh edhe e çlirimit të Mekës.
- Në suren Muhamed, ajeti 10, Allahu xh.sh. i fton njerëzit që logjikojnë, që të shohin se ç ‘përfundim patën ata që nuk besuan, duke u treguar se: “...Allahu i shkatërroi-shfarosi ata plotësisht, e kështu do të përfundojnë edhe mohuesit e tjerë”, e tash në suren El-Fet’h, flet për fitoren e madhe që iu dha Muhamedit a.s., me paqen e Hudejbijes, e më pas me çlirimin e Hajberit, të Mekës, dhe çlirimeve të tjera që kurrë nuk u ndalën: “Ne të dhamë ty një fitore të madhe, që Allahu të t’i falë gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë, dhe që Allahu të të përkrahë me një ndihmë të fortë.” - (El-Fet’h, 1-3).
- Në suren Muhamed, në ajetin e 7-të: “O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.”, është përmendur fakti se kush e ndihmon Allahun, që në mënyrë figurative nënkupton “kush kërkon ndihmën e Allahut”, Ai do t’ia japë atë ndihmë dhe ngadhënjim, dhe kjo ndihmë është portretizuar në suren El-Fet’h, kur shohim realizimin e premtimit të Allahut qysh në ajetin e parë: “Ne të dhamë ty një fitore të madhe”, për të vazhduar pastaj edhe me ajetin e 28-të, të po kësaj sureje: “Është Ai që e dërgoi të Dërguarin e Vet me udhëzim dhe fe të vërtetë, për ta lartësuar atë mbi çdo fe. Mjafton Allahu si dëshmitar!”
- Si në suren paraprake, ashtu edhe në këtë, El-Fet’h, janë përmendur cilësitë e besimtarëve, të idhujtarëve dhe të hipokritëve. Në fund të sures Muhamed, ajeti 34, në shenjë të jobesimtarëve, idhujtarëve dhe hipokritëve thuhet: “Pa dyshim, ata që nuk besojnë, dhe pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut pastaj vdesin si jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë.”, kurse në suren El-Fet’h, ajeti 6, thuhet: “Ai (Allahu) do t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, që kanë mendim të keq për Allahun. Atyre iu ktheftë çdo e keqe. Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar dhe ua ka përgatitur Xhehenemin. Eh, sa vend i shëmtuar është ai.”
- Në suren Muhamed, ajeti 19, i Dërguari i Allahut është urdhëruar që të kërkonte falje për vete dhe për besimtarët e besimtaret: “...Kërko falje për gjynahet tua, për besimtarët e për besimtaret!”, ndërkohë surja El-Fet’h, është hapur me përmendjen se falja-magfireti i Allahut, tashmë është realizuar: “Ne të dhamë ty një fitore të madhe, që Allahu të t’i falë gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë.” - (El-Fet’h, 1-2)
- Në suren Muhamed, në ajetin 31: “Ne do t’ju vëmë në provë derisa t’i njohim ndër ju, luftëtarët (muxhahidët) dhe të qëndrueshmit, dhe derisa t’i vërtetojmë të bëmat tuaja.” dhe në ajetin 35: “Mos u ligështoni e të kërkoni armëpushim, kur ju jeni më të fortët dhe Allahu është me ju! Ai nuk do t’jua pakësojë kurrë (shpërblimin për) veprat tuaja.”, flitet për besimtarët e sinqertë, të cilët Allahu i fuqizoi me iman të fortë e të paluhatshëm për t’u përballur me çdo sfidë gjatë rrugëtimit të tyre në lartësimin e fjalës së Allahut, tash në suren El-Fet’h, ajeti 10, i Madhërishmi i lavdëron këta besimtarët të cilët nën hijen e pemës në Hudejbije, ia dhanë besën të Dërguarit a.s. se do t’i qëndrojnë besnikë kauzës islame: “Ata që të janë betuar për besnikëri, në të vërtetë, i janë betuar për besnikëri Allahut...”
Përmbajtje e shkurtër e kësaj kaptine
Kjo sure është zbritje medinase. Ka zbritur natën, menjëherë pas marrëveshjes së Hudejbijes, gjatë kthimit në Medinë. Edhe në këtë sure, si pothuajse në të gjitha suret medinase flitet rreth mynafikëve, që shtireshin si myslimanë, e në fakt, nuk ishin të tillë.
- Kjo kaptinë e bekuar, e cila simbolizon një prej fletëve më të ndritshme të historisë islame, fillon me përgëzimin e të Dërguarit të Allahut me një ngadhënjim-çlirim të madh, i cili nënkupton marrëveshjen e Hudejbijes, dy vite pas së cilës pasoi edhe çlirimi i Mekës dhe përhapja e rrufeshme e Islamit në Gadishullin Arabik. Zaten, marrëveshja e Hudejbijes është pika e kthesës në relacionet e reja në ato hapësira, sepse që nga ky çast, drita e Islamit, në mënyrë të pandalshme pushtoi zemrat e njerëzve, saqë pas 2 vjetëve, u mundësua edhe çlirimi i Mekës, pa luftë dhe pa kurrfarë kushtesh, gjë e cila deri në këtë marrëveshje, për shumë kë, dukej si një ëndërr e largët. (Shih ajetet: (1-3).
- Më pas, në ajetet (4-9), Allahu i Madhërishëm njofton se premtimi i Tij ndaj besimtarëve, si dhe kërcënimi ndaj jobesimtarëve dhe mynafikëve, gjithsesi do të realizohet.
- Allahu ishte i kënaqur me besimtarët, të cilët duke ia dhënë besën të Dërguarit të Allahut, nën pemën e një kopshti të Hudejbijes, ata në fakt po ia jepnin besën Allahut, se do të vazhdonin ta përhapnin dritën e këtij besimi të pastër. (Shih ajetet: (8-10).
- Në ajetet vijuese (11-17), shohim një tërheqje të vërejtjes apo qortim të ashpër publik, për mynafikët-hipokritët, të cilët ishin ndarë nga Resulullahu s.a.v.s., duke e lënë atë të nisej i vetëm në Hudejbije, me besimtarët e sinqertë. Në vazhdim të këtyre ajeteve, jepet justifikimi për mospjesëmarrje në luftë, për disa kategori të caktuara (të verbrit, të çalët dhe të sëmurët), të cilët për shkak të kufizimeve që kishin, nuk kishin mundësi të ishin në radhët e parë të luftëtarëve në rrugën e Allahut. Për ta mjafton nënshtrimi, bindja dhe përulësia ndaj Allahut, për të arritur kënaqësinë e Tij dhe të Resulullahut s.a.v.s.
- Më pas, është cekur mirësia dhe dhuntia e Allahut ndaj besimtarëve me lidhjen e kësaj marrëveshjeje të Hudejbijes, e cila kishte ndaluar përkohësisht luftën në mes dy palëve, ndonëse myslimanët sipas kësaj marrëveshjeje u penguan të hynin në Mekë atë vit dhe të bënin tavafin rreth saj. (Shih ajetet: (18-19).
- Pas kësaj pason premtimi hyjnor për myslimanët, se çlirimet e reja do të vazhdojnë dhe se ata do të jenë pala ngadhënjyese. (Shih ajetet: (20-24).
- Besimtarëve ju bëhet me dije edhe njëherë se marrëveshja në Hudejbijes ishte fitorja më e madhe e myslimanëve, pas të cilës më nuk do të kishte kurrfarë pengesash deri në ngadhënjimin final. (Shih ajetet: (25-26).
- Në ajetet e fundit të kësaj sureje, vjen përgëzimi për të Dërguarin a.s. duke ia bërë me dije se i qe realizuar ëndrra e mirë, të cilën e kishte parë në Medinë, se ata do të hynin triumfalisht në Mekë, të sigurt dhe të qetë. Këtë e kishin realizuar në vitin pasues, duke kryer umren, ndërkohë që banorët e Mekës i kishin lëshuar shtëpitë e tyre për disa ditë. Krejt në fund, konfirmohet se Muhamedi a.s. është i Dërguar i Zoti, e së bashku me të në shpërndarjen e dritës së Islamit do të jenë edhe sahabët e tij të ndershëm, të cilët Allahu i Madhërishëm i ka lavdëruar me epitetet më të larta e më të lavdishme. (Shih ajetet: (27-29).
- vijon –
_____________________
1. Imam Shevkaniu, Fet’hul Kadir, Mensure-Egjipt, 1994, vëll. V-të, f. 58.
2. Dr. Muhamed bin Abdurrahman esh-Shaji’ë, Esmau suveri-l Kurani-l Kerim, Rijad, 2011, f.14.
3. Fejruzabadi, Besairu dhevi-t-temjizi, Kajro, 1996, vëll. I-rë, f. 432.
4. Xhabir bin Zejd el Ezdij el Basrij (21 h. - 93 h.) - (642-712 e.r.), ishte nga gjenerata e tabiinëve dhe njëri prej imamëve më të mëdhenj të kësaj gjenerate. Kur vdiq ky, Katadeja pati thënë: “Sot vdiq më i dijshmi i Irakut”. Shih: Hajruddin Ez-Zirikli, El-A’lam – Kamusu teraxhim esh’her er-rrixhali ve-n-nisai mine-l arabi ve-l musta’ribine ve-l musteshrikine , Bejrut, 2002, vëll. II, f. 104.
5. Ibn Ashur, Et-Tahriru ve-t-Tenviru, Tunis, 1984, vëll. XXVI, f. 142; Ahmed bin Muhamed bin Abdullah et-Tavil, Muhtevejatu suveri-l Kurani-l Kerim, Rijad, 2013, f. 285.
6. Buhariu, hadithi nr. (4835) vëll. VI, fq.347; Muslimi, hadithi nr. (794) vëll. I, f. 547.
7. Dr. Munire Muhamed Nasir ed-Devserij, Esmau suveril Kurani ve fedailuha, f. 391.
8. Transmeton Imam Ahmedi (4/107); Bejhekiu në Shuabi-l Iman (2/465).
9. Sahihul Buhari (4281); Sahihu Muslim (794).
10. Grup autorësh, El-Kitabul Xhamiu li fedailil Kuranil Kerim, f. 97.
11. Transmetim ‘sahih’, dhe e ka shënuar Hafidh Abdu-r-Rrezzaku në Musannef (2/218), ndërkohë që edhe vargu i njerëzve që e transmetojnë është i besueshëm. Shih: El-Kitabul xhamiu, f. 97.
12. Sahihul Buhari, (5012); Shih edhe: Ahmed ibn Fet’hi el-Bekiri, EsSahihu-l-Musnedu min fedaili-l-Kurani ve suverihi ve ajatihi, Huber, 1431 h. f. 102.
13. Transmeton Buhariu në Sahihun e tij, hadithi nr. (4177); Shih: Shejh Muhamed bin Rrizk bin Tarhuni, Mevsuatu fedailu suveri ve ajati-l Kuran, Xhedë, 1414 h. vëll. II, f. 120.
14. Sahihul Buhari “Kitabul Megazi-Gazvetul Hudejbije”, hadithi nr. (3895); Sahihu Muslim “Kitabul xhihadi ve-s-sejri- babu Sulhu Hudejbije”, nr. i hadithit (3854). Shih edhe: Fahrudin bin Zubejr el Muhsi, Ed-Durrer min sahihi fedaili-l ajati ve-s-suver, UAE, 2004, f. 40.
15. Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. XXVI, f. 141; Sot ky vend quhet “Berka’a-l Gamim” dhe është përafërsisht 60 km. larg Mekës, shih: https://www. pinterest.com/pin/308144799485094203/.
16. Shih më gjerësisht: El-Bukai, Nadhmu-d-durrer fi tenasubi-l ajati ve-s suver, Hajdarabad, 1969, vëll. XVIII, ff.278
Sabri Bajgora