Komentimi i kaptinës El-Fet’h (2)


Rrethanat që i paraprinë marrëveshjes së Hudejbijes(1)

Pas luftës së Hendekut, që ndryshe quhet edhe El-Ahzab, dhe tërheqjes së turpshme të idhujtarëve mekas, së bashku me aleatët e tyre nga fiset arabe dhe ato çifute, i Dërguari i Allahut pati thënë: “Prej sot, ata nuk do të na luftojnë më, por ne do t’i luftojmë ata...”(2) Ky ishte përgëzimi i parë i Pejgamberit a.s. për myslimanët, se tashmë kishte ardhur koha e ngritjes së tyre në vendin që e meritojnë, në cilësinë e njerëzve të ngarkuar për lartësimin e Fjalës së Allahut në Tokë.
Para se të hyjmë në komentimin e kësaj sureje, do të kthehemi vetëm pakëz prapa në kohë, që të analizojmë rrethanat që i paraprinë marrëveshjes së Hudejbijes. Në njërën prej netëve të vitit të 6-të hixhrij, i Dërguari i Allahut kishte parë një ëndërr të mirë (ru’ja), se i kishte zbritur një melek dhe i kishte thënë: “Me siguri, ju do të hyni në Xhaminë e Shenjtë, dashtë Allahu, të sigurt, kokërruar dhe flokëshkurtuar, pa kurrfarë frike.”(3)
Nuk vonoi shumë dhe ky sihariq u përhap me të shpejtë në të katër anët e Medinës. Myslimanët, e në veçanti muhaxhirët, i kaploi një ndjenjë e pa përshkruar e lumturisë, e cila sakaq i mallëngjeu zemrat e tyre të thyera, sepse nga kjo ëndërr e bekuar, atë kuptuan se shumë shpejt, do ta shihnin vendlindjen e tyre Mekën, nga e cila dhunshëm ishin detyruar të shpërnguleshin. Ata ende i kishin të freskëta mundimet dhe vuajtjet e përjetuara nga idhujtarët mekas, i kishin të freskëta në kujtesë edhe betejat e Bedrit e të Uhudit, e sidomos atë të fundit, të Hendekut, kur kurejshët me ushtri të mëdha, së bashku me aleatët e tyre nga fiset arabe dhe çifutët përreth Medinës, ia kishin mësyrë Medinës që të shkatërronin çdo gjurmë të Islamit.
Por, Allahu i Madhërishëm, i kishte shpartalluar ushtritë idhujtare me erëra të forta dhe me ushtri të padukshme, kështu që kurejshët, së bashku me aleatët e tyre, ishin kthyer kokulur, pa mundur të thyenin moralin e lartë të myslimanëve dhe, pa arritur ta pushtonin Medinën. Po atë ditë, kur ushtria mekase po tërhiqej zvarrë nga paralagjet e Medinës, një ushtri tjetër, tash ajo myslimane, ia kishte mësyrë fortifikatave të fisit çifut Benu Kurejdha, të cilët kishin shkelur marrëveshjen e lidhur me Muhamedin a.s., në atë që njihet sot si Karta e Medinës, dhe kishin hyrë në aleancë të haptë me kurejshët për shfarosjen e myslimanëve. Më në fund, kishte ardhur koha e qërimit të hesapeve edhe me tradhtarët dhe besë-shkelësit.
Pas një rrethimi të hekurt, që zgjati për gati njëzetepesë ditë,(4) fortifikatat e Benu Kurejdhas ranë në duart e myslimanëve, dhe Medina, përfundimisht u pastrua nga këto fise hipokrite, që për asnjë çast nuk i ndalën intrigat dhe armiqësitë ndaj Pejgamberit a.s..
Kaluan disa muaj pas kësaj ngjarjeje, dhe i Dërguari a.s., siç e përmendëm në fillim, u përgëzua në ëndërr se do të hynte në Mekë dhe do të bënte tavaf, për ta kryer umren. Ishte muaji dhulhixhe, dhe i Dërguari a.s., e shpalli botërisht lajmin se po nisej për në Mekë së bashku me 1400 besimtarë(5), si umrexhi, e jo për të luftuar. Ata, përveç deveve dhe kafshëve të tjera që i kishin shënjuar për t’i flijuar si kurbanë, nga armët kishin marrë vetëm ato që njihen se “arma e udhëtarit”, që nënkuptonte shpatën në këllëf (mill). Nëse ata do t’i ndalonin me forcë myslimanët në krye me të Dërguarin e Allahut, që të hynin në Mekë për ta vizituar Qabenë, kjo do të ishte kundër traditave arabe, sepse në këta muaj të shenjtë, askush nuk privohej nga vizita e Shtëpisë së shenjtë, e nëse do t’i lejonin ta kryenin umren, ata do të humbnin autoritetin dhe do të binin poshtë në sytë e fiseve të tjera arabe. Myslimanët në të dyja rastet ishin palë fituese, moralisht dhe politikisht.(6)
Idhujtarët kurejshë sapo morën vesh për nisjen e tyre, u besatuan njëzëri që të mos e lejonin Muhamedin a.s. të hynte në Mekë, madje i dërguan 100 kalorës në krye me Halid ibn Velidin si pararojë, që ta ndalonin atë për ta realizuar qëllimin e tij. Halidi ishte përqendruar në vendin e quajtur “Kura’a-l Gamim”. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut që tashmë kishte arritur në Usfan(7), u njoftua për daljen e Halidit në “Kura’a-l Gamim”, dhe menjëherë u këshillua me sahabët e tij më të ngushtë se si të vepronin. Për t’i ikur një konflikti të mundshëm, e mos të derdhej gjak, ai vendosi ta shmangte Halidin në “Kura’a-l Gamim”, dhe ndoqi një rrugë tjetër shkëmbore shumë më të mundimshme drejt Mekës, derisa arriti në Hudejbije.(8) Aty u detyruan të ngrinin një kamp të përkohshëm. Arsyeja e ndaljes së tyre aty, ishte deveja e Pejgamberit a.s., e cila me të arritur në Hudejbije, u gjunjëzua dhe refuzoi të bënte edhe një hap përpara, drejt Mekës. Njerëzit filluan të thoshin se “El-Kasva-ja” - deveja e Resulullahut s.a.v.s. po shfaqte mosbindje.
- Jo, - tha i Dërguari i Allahut: “Ajo nuk po tregon mosbindje, sepse nuk është në natyrën e saj, por e ka ndaluar Ai që e pati penguar të ecte elefantin e Ebrehesë të marshonte drejt Mekës për ta rrënuar Qabenë.” Kjo ishte një shenjë hyjnore për Pejgamberin a.s., prandaj menjëherë iu drejtua besimtarëve që ishin me të duke thënë: “Dijeni se çfarëdo marrëveshje që do të më ofrojnë sot kurejshët, do ta pranoj për hir të lidhjeve familjare.”(9) Pastaj i urdhëroi njerëzit që të ngrenë tendat e tyre në Hudejbije. Myslimanët pranuan një gjë të tillë me shpresë se në mëngjesin e së nesërmes do të hynin në Mekë, të papenguar.
Ndonëse ishte muaj i shenjtë, megjithatë, paria mekase kishin vendosur që myslimanët të mos hynin në Mekë. Madje ata, i madh e i vogël, së bashku me luftëtarë abisinas, të paguar enkas për luftë, ishin mobilizuar dhe kishin dalë jashtë Mekës, të gatshëm për ta penguar hyrjen e Muhamedit a.s. në Mekë, qoftë edhe me forcë.
Kur i Dërguari i Allahut mori vesh për frikën dhe shqetësimin e kurejshëve, dërgoi Uthmanin r.a. që edhe njëherë t’ua përcillte atyre se nuk kishte ardhur me nijet të luftës, por vetëm për ta kryer umren, që ta falënderonte Allahun dhe t’i madhëronte shenjat e Shtëpisë së shenjtë. Uthmani r.a. ua kishte përcjellë kurejshëve mesazhin e të Dërguarit të Allahut, dhe po ashtu i kishte përgëzuar edhe myslimanët e mbetur në Mekë, që të duronin edhe pak, sepse tashmë ishte afruar koha që së shpejti do të ishin të lirë në kryerjen e adhurimeve. Ndërkohë, për të fituar pak në kohë, kurejshët i kishin propozuar Uthmanit r.a. që nëse dëshironte, mund ta kryente tavafin e umres së bashku me njerëzit që i kishte në përcjellje, por ky refuzoi me ngulm, duke thënë se nuk mund ta bënte një gjë të tillë, pa qenë aty edhe i Dërguari i Allahut me myslimanët e tjerë.(10)
Siç duket, kurejshët duke u konsultuar mes vete, e kishin zvarritur pak kthimin e përgjigjes nëpërmjet Uthmanit r.a., kështu që në mesin e myslimanëve ishte përhapur një lajm i rremë se Uthmanin e kishin vrarë, prandaj, i Dërguari i Allahut u ngrit dhe kërkoi besatim prej myslimanëve që të marshonin drejt Mekës për t’u hakmarrë ndaj kurejshëve, sepse kthim prapa nuk do të kishte. Ishin vënë para dy zgjidhjeve të vështira: ose të binin si dëshmorë në luftë, ose ta çlironin Mekën e të hynin në të si çlirimtarë.
Nën hijen e një peme, aty në Hudejbije, të gjithë myslimanët një nga një, u besatuan duke ia dhënë dorën të Dërguarit të Allahut, se ishin të gatshëm edhe të vdisnin, për t’u hakmarrë për vrasjen e Uthmanit r.a. dhe shoqëruesve të tij. Ky besatim në histori njihet si “Bej’atu-r-Rridvan”.(11) Në lidhje me këtë, Allahu xh.sh. në ajetin e 18-të të kësaj sureje thotë: “Vërtet Allahu qe i kënaqur me besimtarët, kur ata nën hijen e asaj peme, të jepnin besën. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dhuroi qetësi dhe i përgëzoi me një fitore të afërt (çlirimin e Hajberit).”
Kur kurejshitët e kuptuan seriozitetin e situatës, e përcollën Uthmanin r.a. dhe menjëherë pas tij, urgjentisht e dërguan Suhejl bin Amrin që të lidhte një marrëveshje me Muhamedin a.s., por, me një kushtëzim që marrëveshje nuk do të kishte nëse myslimanët nuk kthehen menjëherë në Medinë, e të vinin vitin e ardhshëm. Suhejli shkoi te Pejgamberi a.s., e kur i Dërguari i Allahut e pa atë, tha: “Me siguri ky do të na e lehtësojë situatën, kurejshët me siguri dëshirojnë armëpushim pasi që e kanë dërguar këtë njeri.”(12) Pasi që Suhejli negocioi gjatë me Pejgamberin a.s., ata më në fund u pajtuan me kushtet e armëpushimit, të cilat përafërsisht, ashtu siç i ka përmbledhur e përpunuar autori i veprës “Mevsuatu-l gazevati-l kubra – Sulhu-l Hudejbijjeh”, i shkroi në dy kopje, dhe i hodhi në letër, Ali ibn Ebi Talibi. Marrëveshja parashihte:

Bismike Allahumme - Me emrin Tënd o Allah!
Kjo marrëveshje e paqes (es-sulhu) është marrëveshje mes Muhamed ibn Abdullahut dhe Suhejl ibn Amrit (të cilët pajtohen që):
Myslimanët të kthehen në Medinë pa hyrë në Mekë, në këtë vit.
Myslimanët kanë të drejtë të vijnë në Mekë vitin e ardhshëm për të kryer umren.
Kurejshët janë të obliguar që mos t’i pengojnë myslimanët me asnjë gjest, gjatë hyrjes dhe qëndrimit të tyre në Mekë.
Myslimanët e kanë për obligim që gjatë hyrjes dhe qëndrimit në Mekë, të mos bartin me vete asnjë armë tjetër përveç armës së udhëtarit - shpatën në këllëf, dhe që mos t’i nxjerrin ato haptazi nga këllëfi.
Myslimanët e kanë të përcaktuar kohën e qëndrimit në Mekë, vetëm tri ditë, dhe menjëherë pas kryerjes së umres, duhet ta lëshojnë Mekën.
Gjendja e luftës dhe e armiqësisë në mes myslimanëve dhe kurejshëve pezullohet për një afat kohor prej 10 vitesh. Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje të paqes, njerëzit do të jenë të sigurt që të lëvizin lirshëm.
Muhamedi a.s. pas nënshkrimit të marrëveshjes, obligohet që nëse ndonjëri prej bijve të kurejshëve i bashkohet atij, pa lejen e familjes së tij, ta kthejë menjëherë në Mekë, madje edhe nëse kërkuesi për strehim (azilanti) qëllon të jetë mysliman.
Në anën tjetër, kurejshët nuk janë të detyruar ta kthejnë te Muhamedi a.s. atë që dezerton prej myslimanëve dhe u bashkohet atyre.
Fiseve arabe rreth Mekës, u jepet liri e plotë e zgjedhjes që t’i bashkohen cilitdo kamp, dhe të hyjnë nën protektoratin e cilitdo prej dy taborëve.
Fisi i cili i bashkohet njërit tabor, tash e tutje konsiderohet si pjesë e atij tabori që i është bashkuar, me të gjitha të drejtat dhe obligimet që i parashohin nenet e kësaj marrëveshjeje.
Çdo armiqësie që mund t’i ekspozohet ndonjëri prej këtyre fiseve, konsiderohet si armiqësi ndaj kampit apo taborit nënshkrues të marrëveshjes. Një akt i tillë i armiqësisë nga cilado palë qoftë, nënkupton me automatizëm, prishjen dhe pavlefshmërinë e mëtutjeshme të kësaj marrëveshjeje.(13)

Madje ajo që i çuditi edhe më shumë myslimanët e pranishëm, ishte fakti se i Dërguari a.s. nuk konsultoi asnjërin prej njerëzve të tij të afërt, lidhur me këtë çështje. Në realitet, kjo nuk ishte një praktikë e tij. Ata e vërenin Resulullahun s.a.v.s. tek sillej me aq butësi e takt ndaj ndërmjetësit kurejshit, dhe kur nuk mbeti diçka tjetër përveç nënshkrimit të marrëveshjes paqësore me ta. Disa nga myslimanët filluan të hutoheshin, e në mesin e tyre edhe Omeri r.a., i cili ishte kategorik kundër kësaj marrëveshjeje. Madje ai, krejtësisht i hutuar, konfuz dhe i përhumbur nga dëshpërimi e pyeti të Dërguarin a.s.:
- A nuk je ti i dërguar i Allahut?
- A nuk jemi ne myslimanë?
- A nuk janë idhujtarët armiqtë tanë?
Ndërsa i Dërguari a.s. secilës prej këtyre pyetjeve iu përgjigj me:
- Po.
Omeri r.a., i tronditur, filloi sërish të pyeste:
- Atëherë përse të lëshojmë pe në fenë tonë?(14)
Përgjigjja e Pejgamberit a.s. ishte: “Unë jam rob i Zotit dhe i dërguari i Tij, dhe kurrë nuk do ta thyej urdhrin e Tij, po as Ai nuk do të më lë të humbë. Ai do të më ndihmojë të ngadhënjej.”(15)

Kuptimi i fjalëve të tij ishte: respektoni dhe nënshtrojuni asaj që unë po e bëj, pa ndonjë kundërshtim a polemikë, dhe duroni pakëz. Dhe vërtet, ditët që erdhën pas kësaj marrëveshjeje, vërtetuan largpamësinë e Resulullahut s.a.v.s.. Kjo marrëveshje e cila shkaktoi gjithë ato polarizime në mesin e myslimanëve, ishte fitorja më e rëndësishme politike të cilën e kishin realizuar myslimanët. Ishte kjo një betejë politike në mes dinakërisë së kurejshëve dhe urtësisë së Pejgamberit a.s..
Në shikim të parë, kjo marrëveshje ndoshta edhe dukej si një lloj humbje apo dorëzim para kushteve të parashtruara nga kurejshët, por megjithatë pas disa muajsh të paktë, do të evoluonte në diçka krejtësisht tjetër.
I Dërguari i Allahut pas nënshkrimit të marrëveshjes, i urdhëroi sahabët e tij t’i prisnin ose t’i thernin kurbanet e tyre dhe të rruanin ose të shkurtonin flokët, në mënyrë që të liroheshin prej obligimeve të ihramit të umres dhe pastaj të ktheheshin në Medinë. Për çudi, asnjëri nga ata nuk u ngrit për ta çuar në vend këtë urdhër të tij!! Ai e përsëriti këtë urdhëresë tri herë në mesin e myslimanëve, të cilët kishin ngelur të shtangur e të hutuar nga nënshkrimi i marrëveshjes së “disfavorshme” për ta, sipas mendimit të tyre. Ai hyri i mërrolur në tendën e tij, ndërkohë që gruaja e tij, Nëna e besimtarëve, Umu Seleme, e këshilloi të mos i fliste më njeriu, por të ngrihej i pari e të flijonte-therte devenë e tij e pastaj të rruante flokët dhe të lirohej nga ihrami. Kur myslimanët e panë Pejgamberin a.s., të mërrolur, duke u paraprirë me zhveshjen e ihramit dhe përfundimin e umres, ata shpejt e shpejtë u ngritën për t’i flijuar devetë dhe kurbanet e tyre, dhe i rruan ose ia shkurtuan flokët njëri-tjetrit. Ata vazhdonin të ishin ende të dëshpëruar e të thyer shpirtërisht për shkak të marrëveshjes.(16) Por, ditët që erdhën në vazhdim, vërtetuan bindshëm të kundërtën e asaj që e kishin menduar dhe përfytyruar myslimanët rreth marrëveshjes. Kjo marrëveshje në fakt ishte ngadhënjim i madh e kurrsesi humbje-disfatë. Ishte çlirim (fet’h) e jo dorëzim. Aleanca e jobesimtarëve në Siujdhesën Arabike filloi të shkatërrohej që prej nënshkrimit të marrëveshjes së Hudejbijes. Fiset idhujtarë filluan të shkapërderdheshin gjithandej nëpër Gadishull. Në anën tjetër, kur aktiviteti i kurejshëve u ndal plotësisht, aktiviteti i myslimanëve shpërtheu e gufoi me tërë forcën eruptive të tij. Në taborin e tyre filluan të hynin të gjithë ata që kishin forcë e vullnet për ta parë të vërtetën e ndritshme të Islamit. I Dërguari i Allahut ndërkohë u shkroi mbretërve të botës së atëhershme, mbretit bizantin, persian, egjiptian, atij të Abisinisë, dhe shumë prijësve të fiseve arabe, duke i ftuar në Islam. Kishin kaluar vetëm dy vite të nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, e në Islam hynë shumëfish më shumë njerëz se që kishin hyrë më parë. Argument i kësaj është se i Dërguari i Allahut pati dalë në Hudejbije në krye të 1400 burrave myslimanë, ndërsa në vitin e çlirimit të Mekës, ishte aty me 10 mijë myslimanë. Myslimanët kishin shumëfishuar radhët e veta, falë urtësisë dhe largpamësisë së Pejgamberit a.s.. I Dërguari i Allahut nga kjo betejë politike, doli ngadhënjimtar, ndërsa kushtëzimet e disfavorshme për myslimanët, u shndërruan sakaq të disfavorshme për vetë kurejshët.
Marrëveshja e Hudejbijes i mundësoi Pejgamberit a.s. që të ishte i qetë nga sulmet-ngacmimet e kurejshëve. Hebrenjtë, kurrsesi të ndalnin tradhtitë dhe intrigat e tyre ndaj Islamit. Armëpushimi i lidhur në Hudejbije u dha rast të volitshëm myslimanëve për t’u ballafaquar përfundimisht me çifutët dhe me tradhtitë e tyre(17), siç ndodhi menjëherë pas Hudejbijes, me çlirimin e Hajberit etj.

- vijon –


______________________________
1. Lidhur me Marrëveshjen e Hudejbijes, shih më gjerësisht: Es-Siretu-nnebevijjeh li Ibni Hisham, Bejrut, 1990, vëll. III, ff. 255- 273; Ibn Kethir, Es-Siretu-n-nebevijjeh, Bejrut, 1976, vëll. III, ff. 312-336; Tekijjudin Ahmed bin Ali el Makrizi, Imtau-l Esma’ë bima li-r-rresuli minel ahval, Bejrut, 1999, vëll. I, ff. 274-306; Musa bin Rashid el Azmij, El-Lu’ëlu’ul meknun fi sireti-n-nebijji-l me’mun, Rijad, 2013, vëll. III, ff. 272-374; Munir Muhamed Gadban, Fikhu-s-sireh, Mekë, 1992, ff. 507-523.
2. Sahihul Buhari (2/590); Shih: Safiju-r-Rrahman El-Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhenetit, Prishtinë, 2004, f. 368.
3. Dr. Ahmed es-Sejjid el Kumi, Tefsir suretil Fet’h, Kajro, 1976, f. 7.
4. Ibnul Ethir el Xhezerij, El-Kamil fi-t-Tarih, Bejrut, 1987, vëll. II, f. 75.
5. Rreth numrit të besimtarëve që e shoqëruan Muhamedin a.s. në Hudejbije, ka mospajtime nëse ishin 1300, 1400 apo 1500. Sidoqoftë, referencat më relevante anojnë kah mendimi se numri i tyre ishte 1400, e mbase edhe pak më shumë.
6. Shih: Dr. Ekrem Dijaë el Umeri, Es-Siretu-n-nebevijetu-s-sahihatu, Medinë, 1994, vëll. I, f. 439.
7. Usfani gjendet rreth 60 km. larg Mekës.
8. Hudejbija ndodhet në veri-perëndim të Mekës, rreth 22 km larg saj. Sot ky vend njihet me emrin Shumejsi.
9. Es-Siretu-n-nebevijjeh li Ibni Hisham, vëll. III, f. 257.
10. Muhamed es-Sujani, Es-Siretu-n-nebevijetu kema xhaet fil ehadith essahihah, Rijad, 1424 h., vëll. III, f. 175.
11. Imam Ibnu-l Imad el Hanbelij, “Shedheratu-dh-dheheb fi ahbar min dheheb”, Damask, 1986, vëll. I, f. 123 (redaktuar nga shejh Abdulkadr el Arnauti dhe shejh Mahmud el Arnauti).
12. Sahihul Buhari (El-Fet’h, nr. 2731 dhe 2732).
13. Muhamed Ahmed Bashmil, Mevsuatu-l gazevati-l kubra – Sulhu-l Hudejbijjeh, Kajro, 1985, vëll. V, ff. 223-225.
14. Hafidh ibn Muhamed Abdullah el Hakemi, Mervijjatu gazveti-l Hudejbijjeti, Medinë, 1406 h., f. 171.
15. Imam Muhamed bin Jusuf es-Salihi esh-Shami, Subulu-l huda ve-rrreshad fi sireti hajru-l ibad, Kajro, 1992, vëll. V, f. 86.
16. Tefsir suretil Fet’h, f. 24.
17. Ahmed Behxhet, Të Dërguarit e Allahut, Prishtinë, 2009, ff. 684-685.



Sabri Bajgora