Mirësitë e veçanta të paqes së Hudejbijes për Muhamedin a.s.
“Ne të dhamë ty një fitore të madhe, që Allahu të t’i falë gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë, dhe që Allahu të të përkrahë me një ndihmë të fortë.” - (El Fet’h, 1-3)
Shkaku i zbritjes së ajeteve (1 dhe 2)
Ashtu siç kemi përmendur në fillim të sures, kjo sure ka zbritur në tërësi në lidhje me Marrëveshjen e Hudejbijes. Në lidhje me këtë është transmetuar nga Misver ibn Mahzime dhe Mervan ibn Hakemi të kenë thënë: “Ka zbritur surja El Fet’h në mes Mekës dhe Medinës, në lidhje me çështjen e Hudejbijes, prej fillimit e deri në fund.”(1)
- Transmetohet nga Enes ibn Maliku r.a. të ketë thënë: “Kur pati zbritur “Inna fetahna leke fet’han mubina” deri tek ajeti “fevzen adhima”, në të kthyer nga Hudejbija, shumë prej sahabëve i kishte kapluar pikëllimi dhe trishtimi. Ndërkohë, i Dërguari i Allahut pasi i preu kurbanet në Hudejbije kishte thënë: “Sonte më ka zbritur një ajet, që është më i dashur për mua se e tërë bota dhe ç’ka në të.”(2)
- Imam Sujutiu përcjell një transmetim nga Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Hakimi, e këta nga Enesi r.a. të ketë thënë: “I ka zbritur Pejgamberit a.s. ajeti: “që Allahu të t’i falë gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë” – (El Feth, 2), në të kthyer nga Hudejbija, ndërsa i Dërguari i Allahut në lidhje me këtë pati thënë: “Më ka zbritur një ajet, që për mua është më i dashur se krejt çka ka në Tokë.”(3)
Koment:
1. Ne të dhamë ty një fitore të madhe
Kjo sure fillon me një hapje madhështore dhe triumfaliste, dhe jep shenjë përgëzuese për fitoren e qartë, fitoren më të madhe të Islamit deri atëherë-marrëveshjen e Hudejbijes, e cila i dha krah të Dërguarit të Allahut për të vazhduar i palëkundur në rrugën e thirrjes në Njëshmërinë e Allahut Fuqiplotë. Kjo sure zbriti si një qetësim shpirtëror për Pejgamberin a.s., dhe për besimtarët, duke i përgëzuar ata se tashmë kishte ardhur koha e fitoreve dhe e ngadhënjimeve të mëdha. Nga shumica dërrmuese e dijetarëve, marrëveshja e Hudejbijes, radhitet si fitorja më e madhe politike dhe diplomatike e myslimanëve, meqë aty nuk pati në betejë të vërtetë, me armë.
Se vërtet bëhet fjalë për një fitore dhe ngjarje madhështore, siç është Marrëveshja apo Traktati i Hudejbijes, për këtë do të bindemi gjatë komentimit të kësaj sureje, po edhe të analizës së ngjarjeve që rrodhën në vitet e pakta pas nënshkrimit të saj, ku Islami mori hov dhe gufoi me tërë madhështinë e tij edhe jashtë kufijve të Gadishullit arabik.
Në lidhje me këtë fitore - çlirim apo “Fet’h”, shumica dërrmuese e dijetarëve kanë thënë se kjo fitore nënkupton marrëveshjen e Hudejbijes. Për këtë dëshmon edhe vetë zbritja e kësaj sureje të bekuar gjatë kthimit nga Hudejbija. Se “Fet’hu-l mubin” nënkupton marrëveshjen e Hudejbijes, kemi shumë transmetime nga sahabët, ndër të cilët do të veçonim thëniet e disa prej tyre. Ibn Mesudi ka thënë: “Ju e llogaritni fitore, çlirimin e Mekës, kurse ne për fitore e llogarisim marrëveshjen e Hudejbijes”(4) I njëjti transmetim me një shtesë në fund përcillet edhe nga Berra’ë bin Azib kur thotë: “... Ne e llogarisim si fitore “Bej’atu’r-Rridvan” në ditën e Hudejbijes”, të cilin transmetim e ka regjistruar Imam Buhariu.(5)
Po ashtu, kur Umeri r.a. e pati pyetur të Dërguarin e Allahut: A është kjo një fitore (Fet’h) ja Resulullah?, kurse i Dërguari a.s. iu përgjigj: “Po, pasha Atë që ka në dorë shpirtin tim (jetën time) kjo (Marrëveshja e Hudejbijes) është fitorja më e madhe.”(6) Ashtu siç kemi përmendur më herët, pas nënshkrimit të Marrëveshjes, sahabët kishin mbetur të nemitur, pa fjalë dhe të zhgënjyer, për shkak se sipas tyre “u lëshua pe” në dobi të idhujtarëve. Madje, ky zhgënjim u reflektua edhe në fjalët e sjelljet e tyre. Transmeton Bejhekiu nga Urvete bin Zubejri të ketë thënë: Në të kthyer nga Hudejbija, njëri prej sahabëve të Resulullahut s.a.v.s. kishte thënë: “A thua çfarë fitore (çlirim) është kjo, kur ne u penguam nga Shtëpia e shenjtë së bashku me kurbanet tonë?!”. Kur i Dërguari i Allahut i dëgjoi këto fjalë, tha: “Sa fjalë të shëmtuara janë këto që po i dëgjoj. Përkundrazi, kjo (marrëveshja) është fitorja më e madhe. Idhujtarët janë pajtuar që t’ju largojnë (pengojnë) për një kohë nga vendi i tyre, por gjithashtu kanë kërkuar prej jush që ta merrni parasysh edhe çështjen e sigurisë suaj. Ata, vërtet ndjejnë urrejtje ndaj jush, por Allahu ju ka bërë ngadhënjimtar ndaj tyre, duke ua mundësuar që të ktheheni të qetë e të sigurt, si triumfues e të shpërblyer, prandaj dijeni se kjo është fitorja më e madhe. Vallë, a mos e keni harruar ditën e Uhudit, kur ju ngjiteshit (kodrës, duke ikur nga fushëbeteja), pa i hedhur sytë askujt, ndërsa unë ju thërrisja që të ktheheshit?! Vallë a mos e keni harruar ditën e Ahazabit (luftën e Hendekut), kur ata ju erdhën prej së larti edhe prej së poshtmi, dhe kur shikimet tuaja u shtangën, e zemrat erdhën në fyt (nga frika), dhe ju filluat të sajonit lloj-lloj mendimesh (të kota) për Allahun?!” Atëherë myslimanët, të turpëruar nga këto fjalë, u kthyen e thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij po e thonë të vërtetën. Pa dyshim, kjo po që është fitorja më madhështore. Betohemi në Allahun o i Dërguari i Allahut se nuk e kemi menduar këtë që po e thoni. Ti vërtet je më i ditur së ne për Allahun dhe për çështjet e tjera.”(8)
Megjithëse një grup i vogël i dijetarëve, me në krye Zemahsheriun, mendojnë se me këtë “Fet’h” është synuar çlirimi i Mekës,(9) prapëseprapë ky mendim, nuk ka gjetur ndonjë mbështetje a përkrahje të madhe nga ana e shumicës dërrmuese së dijetarëve. Ndërkohë, ka edhe të tillë që thonë se me fjalën “Fet’h” këtu, është synuar çlirimi i Hajberit(10) një ish fortifikatë çifute, por ky mendim, është shumë larg të qenit i pranuar, sepse dihet se surja ka zbritur në të kthyer nga Hudejbija, kurse çlirimi i Hajberit ka ndodhur disa muaj më vonë.
2. që Allahu të t’i falë gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë
Ashtu siç pamë edhe te shkaku i zbritjes së këtij ajeti, kur i Dërguari a.s. tha: “Sonte më ka zbritur një ajet, që është më i dashur për mua se e tërë bota dhe ç’ka në të”, ai e kishte fjalën pikërisht për këtë ajet, të dytin të kësaj sureje, nëpërmjet të cilit, i Madhërishmi shpërfaq tërë mirësitë e Tij ndaj Pejgamberit a.s.. Është ky një ajet që ka zbritur i veçantë vetëm për të Dërguarin e Allahut, ashtu siç e ka përmendur edhe Ibn Kethiri kur thotë: “Ky ajet është i posaçëm vetëm për Resulullahun s.a.v.s., në të cilin, Allahu nuk e bën hisedar askënd tjetër. Ai ia ka falë të gjitha gabimet e mëparshme dhe ato të mundshme të mëvonshme. Në këtë ajet ka nderim madhështor për Pejgamberin a.s., sepse ai me përkushtimin e tij në të gjitha çështjet siç janë nënshtrimi ndaj Zotit, mirësia dhe përqendrimi, ishte i paarritshëm nga asnjë njeri, as nga gjeneratat e para e as nga ato të mëvonshme të njerëzimit. Ai është absolutisht dhe padyshim njeriu më i kompletuar dhe zotëria i krejt njerëzimit në këtë dynja dhe në Ahiret.”(11)
Se për çfarë plotësimi të mirësive nga ana e Allahut bëhet fjalë këtu, mjafton të përmendim se Ai, ia kishte besuar të Dërguarit të Vet - Muhamedit a.s., lartësimin e fesë islame dhe shpërndarjen e këtij mesazhit hyjnor në të katër anët e botës. Ai e kishte fuqizuar me udhëzim të drejtë, duke mos e lënë asnjëherë të vetëm në këtë mision të vështirë të përudhjes së njerëzve, duke i dhuruar gjithashtu një ligj-sheriat madhështor, i cili do t’i nxjerrë njerëzit nga errësira e kufrit në dritën e së vërtetës.
I Lartmadhërishmi, nëpërmjet këtyre ajeteve që ndërlidhen me Marrëveshjen e Hudejbijes, të cilësuar si një fitore e madhe, e kishte veçuar të Dërguarin e Vet edhe me këto mirësi:
a) Dëlirësi dhe ngritje shpirtërore për Pejgamberin a.s., deri në atë stad, kur nga Krijuesi i falen të gjitha gabimet e kaluara, dhe ato të mëvonshmet, të cilat në fakt janë dëshmi të nderimit të tij nga ana e Allahut, si i përzgjedhuri i Tij, për ta përcjellë mesazhin e fundit qiellor te banorët e Tokës.
b) I Madhërishmi ia bashkoi të Dërguarit të Vet, profecinë dhe pushtetin, për t’ua dëshmuar njerëzve se Muhamedi a.s. përveçqë ishte i Dërguar i Zotit, po ashtu ishte udhëheqës ushtarak dhe strateg politik.
c) Udhëzimin në rrugën e drejtë dhe trasimin e rrugës për kumtimin e Shpalljes, dhe
d) Dhurimin e fitores dhe ngadhënjimin mbi armiqtë e Njëshmërisë, duke e përkrahur e fuqizuar atë në çdo hap të kumtimit.(12)
Pikërisht për shkak të këtyre mirësive, që ishin fryt i Marrëveshjes së Hudejbijes, kur Allahu xh.sh. ia largoi Muhamedit a.s., të gjitha pengesat e mundshme që kumtimi të gjente rrugën e vet të natyrshme në zemrat e njerëzve, i Dërguari i Allahut ishte ndjerë aq i lumtur, saqë nuk e fshihte dot gëzimin, pasi që i kishte zbritur kjo sure. Ai, ndonëse edhe para zbritjes së kësaj sureje, e adhuronte Allahun me përulësi gjatë namazit duke ndenjur gjatë në ruku e sexhde, e duke bërë lutje-dua, megjithatë, pas kësaj dite, ai e kishte shumëfishuar ibadetin e tij. Ai tash lutej dhe falej aq gjatë, saqë në lidhje me këtë kanë folur shumë prej sahabëve dhe sidomos bashkëshortja e tij, Aisheja r.a..
Transmetohet nga Mugire ibn Shu’beh r.a. të ketë thënë. “I Dërguari i Allahut falej aq gjatë saqë i ënjteshin këmbët. Kur i thuhej: A nuk t’i ka falur ty Allahu gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, ai me modesti përgjigjej: “Vallë, a mos të jem rob falënderues.”(13)
Një transmetim i ngjashëm përcillet edhe nga Aisheja r.a. të ketë thënë: “Kur i Dërguari i Allahut falej, qëndronte aq gjatë në namaz saqë edhe këmbët i plasariteshin, e pastaj Aisheja e pyeste: “Përse po e bën këtë kur Allahu t’i ka falur gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme”, kurse ai i përgjigjej: “Oj Aishe, vallë, a mos të jem rob falënderues.”(14)
Kur jemi tek ajeti i dytë i kësaj sureje, “që Allahu të t’i falë gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme”, lidhur me faljen e gabimeve të Pejgamberit a.s. nga ana e Allahut, ato të kaluarat dhe të ardhshmet, është mendim unanim se të gjithë të dërguarit e Zotit kanë qenë të mbrojtur nga mëkatet edhe para, edhe pas gradimit me pejgamberi, që do të thotë se është e pamundur të paramendohet që ndonjëri prej të dërguarve të Allahut të ketë bërë kufër ose shirk ndonjëherë. Pra, asnjëri prej tyre nuk ka pasur ndonjë lëshim kur është në pyetje kumtimi i Shpalljes hyjnore, sepse janë të mbrojtur nga ana e Krijuesit Fuqiplotë, ndërkohë që në aspektin e njerëzores së tyre, mund të ketë pasur ndonjë lëshim emocional gjatë përballjes së tyre me jobesimtarët, derisa ishin duke ua kumtuar porositë e të Madhit Zot.
Imam Maturidiu, duke konfirmuar se të dërguarit e Allahut janë të mbrojtur nga rënia në mëkate, sjell një mendim, se me këtë ajet synohen mëkatet e ymetit, d.t.th., ty o i Dërguar, Allahu t’i ka falë mëkatet e ymetit tënd, përderisa ti kërkon falje për ta, duke ndërmjetësuar tek Allahu për t’ua falur mëkatet.(15)
3. dhe që Allahu të të përkrahë me një ndihmë të fortë.
Kjo përkrahje nga ana e Allahut, nënkupton përkrahje të plotë në çdo hap të misionit të Pejgamberit a.s., i cili për asnjë çast nuk do ta ndjente veten të vetmuar në këtë rrugëtim drejt shpëtimit të njerëzve nga myku i robërisë shpirtërore. Vetë fakti se i Madhërishmi e kishte zgjedhur Muhamedin a.s. nga i tërë njerëzimi për ta bartur këtë dritë të udhëzimit drejt zemrave të njerëzve, flet mjaft, andaj edhe përkrahja hyjnore kurrë nuk do të mungonte, ashtu siç nuk i mungoi edhe gjatë rrugëtimit dhe arritjes së Marrëveshjes së Hudejbijes, marrëveshje e cila, do t’ia hapte krah e krah dyert Islamit, që të depërtonte në zemrat e njerëzve, lirshëm dhe natyrshëm.
Porosia e ajeteve (1-3)
- Marrëveshja e Hudejbijes ishte fitorja më e madhe e myslimanëve në rrafshin politik dhe diplomatik. Frytet e saj do të shiheshin menjëherë pas nënshkrimit të saj, andaj i Madhërishmi me plot të drejtë e ka quajtur “Fitore të madhe e të qartë” - “Fet’un mubin”, sepse kjo marrëveshje i hapi rrugë fitoreve dhe çlirimeve të tjera islame, e një prej tyre ishte edhe vetë çlirimi i Mekës nga idhujtaria.
- Nëpërmjet marrëveshjes së Hudejbijes u realizuan tri qëllime madhore të myslimanëve:
a) Myslimanët tashmë e kishin të qartë se ç’forcë ka armiku dhe sa mund të rezistojë ajo forcë në betejat e ardhshme luftarake, politike dhe diplomatike në mes tyre,
b) Nga mesi i myslimanëve, u panë dhe u dalluan në mënyrë të haptë mynafikët-hipokritët, dhe
c) Përzierja në mes myslimanëve dhe idhujtarëve ndikoi në pranimin e Islamit nga shumë prej idhujtarëve, dhe ende pa kaluar mirë dy vite e ca, numri i myslimanëve u dhjetëfishua.
- Frytet dhe mirësitë e kësaj fitoreje, kishin ndikim të drejtpërdrejtë te Pejgamberi a.s., personalisht, sepse Allahu e kishte ngritur aq lartë duke e nderuar me faljen e ndonjë lëshimi nga e kaluara dhe ndonjë të mundshëm në të ardhmen, dhe e kishte përkrahur me ndihmë për të ngadhënjyer ndaj armiqve të tij.
- Marrëveshja e Hudejbijes rezultoi e frytshme për myslimanët, për faktin se idhujtarët u detyruan të nënshkruanin Marrëveshje paqësore me Muhamedin a.s., duke e pranuar kështu edhe zyrtarisht ekzistencën e shtetit islam në Medinë, të cilin e kishte themeluar i Dërguari i Allahut në themelet e shëndosha që buronin nga burimi-kroi hyjnor i Islamit.
- vijon –
____________________
1 Transmetojnë Hakimi në El-Mustedrek (2/459); Imam Sujutiu në Ed Durrul Menthur (7/507) dhe në Lubabu-n-nukul fi esbabi-n-nuzuli, Bejrut, 2002, f. 237; Shih: Imam Vahidij en Nejsaburi, Esbabun-n-nuzuli, Demmam, 1992, f. 382.
2 Sahihul Buhari “Kitabul Megazi-Gazvetul Hudejbije”, hadithi nr. (3895); Sahihu Muslim “Kitabul xhihadi ve-s-sejri-babu Sulhu Hudejbije”, nr. i hadithit (3854); Vahidij en-Nejsaburi, Esbabun-n-nuzuli, f. 382; Fahrudin bin Zubejr el Muhsi, Ed-Durrer min sahihi fedaili-l ajati ve-s-suver, UAE, 2004, f. 40.
3 Imam Sujutiu, në Lubabu-n-nukul fi esbabi-n-nuzuli, f. 237.
4 Mustafa ibnul Adevij, Et-Tes’hil li te’vili-t-tenzil, tefsir xhuz’u Ahkaf fi sualin ve xhevabin, f. 190.
5 Sahihul Buhari, nr. (4150).
6 Imam El-Kurtubij, El-Xhamiu li ahkamil Kuran, Bejrut, 2006, vëll. 19, f. 297.
7 Abdulhamid Kishk, Fi Rihabi-t-tefsir, vëll. 26, f. 5665; Imam Kurtubiu, El-Xhamiu li ahkami-l Kuran, Bejrut, 2006, vëll. 19, f. 297. (Redaktuar nga Dr. Abdullah et-Turki)
8 Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. 26, ff. 145-146; Tefsir sureti-l Fet’h, ff. 32- 33.
9 Ky është qëndrim i Zemahsheriu. Shih: El-Kesh-shaf, Rijad, 1998, vëll. V, f. 534.
10 Ky është mendim i Muxhahidit, që është cituar nga Ibn Adil ed-Dimeshkij el Hanbelij në tefsirin e tij, El-Lubab fi ulumil Kitab, Bejrut, 1998, vëll. 17, f. 474.
11 Ibn Kethir, Tefsirul Kuranil Adhim, Rijad, 1999, vëll. 7, f. 328. (redaktuar nga Sami bin Muhamed es-Selame).
12 Et-Tefsiru-l Munir, vëll. 26, f. 477.
13 Transmetojnë Buhariu (1130); Muslimi (2819); Nesaiu (3/219); Tirmidhiu (412); Ibn Maxhe (419) dhe Imam Ahmedi (4/255).
14 Transmetojnë Buhariu (4837); Muslimi (2820); dhe Imam Ahmedi (6/115).
15 Imam Maturidiu, Te’vilatu Ehli-s-Sunneti, Bejrut, 2005, vëll 9, f. 293 (Redaktuar nga dr. Mexhdi Basel-lum).
Sabri Bajgora